Fitim Zekthi: Pse Rama është si Lady Gaga dhe jo si Trump

Analisti Fitim Zekthi sjell një këndvështrim ndryshe të mënyrave se si i përdorin strategjitë Trump dhe Rama

Në një situatë krejt të ndryshme nga pesë vite më parë kur mori pushtetin, kryeministri Edi Rama ka vendosur që të përdorë pa hesap verbin politik e deri diku edhe strategjitë e Presidentit amerikan Donald Trump. Ashtu si Trump, edhe Rama ka shtuar ndjeshëm tonet nacionaliste (siç ishte rasti i fundit në Pejë) nuk kursen kritikat ndaj medias e politikës, si dhe ka paralajmëruar përdorimin e një teorie të famshme të Trump e ashtuquajtur “Deep State”… Pse Rama po ndjek rrugën “mot a mo” të një presidenti ndaj të cilit me nota euforike, emocionale dhe jo diplomatike uroi që të mos zgjidhej president i SHBA?

Mendoj se në thelb, Rama nuk po bën asgjë si presidenti Trump. Rama është sjellë këto pesë vite e gjysmë në pushtet njësoj dhe nuk ka ndryshuar as dy vitet e fundit, që ka ardhur në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump. Edhe verbi politik i Ramës është ai i pari, një verb politik totalitarist, me konstruktim armiku me fajësim të tjetrit, me mospranim të asnjë dështimi, me përgjithësime në dëm të logjikës, me tone triumfaliste, në trajtë monologu ku gjithkush është audiencë e Ramës etj. Tonet nacionaliste të Ramës janë vetëm lojëra të tij për të tërhequr vëmendjen, për të shtyrë opinionin të merret me gjëra të parëndësishme për të. Tonet nacionaliste te Trump nuk janë çështje të përdorimit politik të rëndomtë siç i ka ato Rama. Te Trump nacionalizmi është vetëdije e fushatës së tij, e ekipit që drejtoi në fushatë, është vetëdije e një grupi të madh republikanësh që e mbështetën, është zemreku i tërë politikës së presidencës së tij. Nacionalizmi te Trump vjen nga një bindje e filozofisë së historisë marrë nga historiani Neil Houe i cili e sheh historinë si ciklike.

Steve Bannon që ndërtoi narrativën e fushatës së Trump i mori tezat e Neil Houe dhe i përshtati ato për mendimin politik dhe zgjidhjet duhet të kërkohen prej tij. Rama as e ka idenë se ç’do të thotë histori ciklike dhe as ka idenë se cili është ky historian që ka artikuluar këto teza. Rama nuk ka asnjë bindje, ai është vetëm një makinë e ftohtë thuajse metalike që nuk prodhon asgjë veç propagandës dhe merr çfarë t’i duket e vlefshme. Edhe për kritikat ndaj medias Rama ka vite që është kritik. Rama që kur ishte ministër Kulture dhe më pas kryetar bashkie ka përdorur dhe drejtuar mediat dhe atë pjesë që nuk e ka drejtuar dhe përdorur e ka sulmuar. Presidenti Trump nuk drejton ndonjë media, nuk paguan ndonjë media apo ndonjë analist dhe kryeredaktor, nuk i shpërndan kaseta, nuk zhvillon takime me kamera që transmetohen direkt duke përcaktuar agjendën e medias si Rama.

Presidenti Trump përdor gjuhë kritike me disa media si CNN, New York Times dhe media të tjera liberale sepse ato që para se ai të zgjidhej kërkuan (siç bëri Rama në CNN që Trump të mos fitojë pasi sipas tyre ai do të ishte një fatkeqësi. Këto media nuk po lënë gur pa lëvizur dhe janë bërë aq luftarake në luftën ndaj Trump sa ky i fundit i sulmon si media që prodhojnë lajme të rreme. Ndërsa Rama përkundrazi drejton dhe kontrollon media, përcakton agjendën e mjaft prej tyre, ka në përdorim analistë dhe kryeredaktorë. Lufta e Ramës ndaj medias është një gjë kot sa për ta tallur atë dhe për ta bërë atë të pabesueshme edhe pasi keqqeveris është kaq e thellë sa ajo nuk mund të fshehë dot trafikun, vrasjet, krimin në parlament, korrupsionin etj.

Por nuk ka asnjë lidhje sjellja e Trump me mediat dhe sjellja e Ramës me to. Ndërsa çështja e Deep State është një çështje krejt tjetër. Së pari, nuk është një teori që do ta përdorë “Trump”. Në SHBA thuhet se ka elementë, punonjës, struktura, rrathë apo rrjete të FBI-së, medias, departamentit të Drejtësisë, gjykatave etj., të cilët punojnë në thellësi, undërgroun që të minojnë presidencën e Trump. Këto çelin hetime, nxjerrin lajme në media në mënyrë që presidenti Trump të diskreditohet dhe më pas të kemi shkarkim të tij. Tërë kjo strukturë thuhet se është e vjetër dhe ka marrë emrin Deep State. Nuk dihet nëse ekziston apo jo. Në Shqipëri askush nuk flet për “Deep State” por n.q.s. ka ai duhet të jetë mbështetësi më i madh i Ramës. Njerëz të sigurimit të shtetit që janë në gjykata dhe polici, njerëz të pushtetit të vjetër që janë në media dhe botën universitare, njerëz të rrjeteve dhe rrathëve të komunizmit që janë në pushtet mund të kenë në pronësi media dhe biznese dhe këto mund të jenë një lloj “deep state” që ndihmojnë doemos Ramën. Unë nuk e di n.q.s. ekzistojnë dhe janë të organizuar por n.q.s. janë ato janë me Ramën. Pra, edhe këtu nuk ka asnjë ngjashmëri të Ramës me Trump.

Në një shtet jo të fortë si ne, me një elitë politike të korruptuar, a mendoni se tezat e Edi Ramës po ngjisin bash aty ku i rrinë fort për shtat kësaj shoqërie apatike e populiste?

Është e vërtetë që ne kemi një shoqëri apatike dhe që ka humbur besimin te politika dhe në pamje të parë duket sikur idetë kundër establishmentit mund të ngjisin. Unë mendoj se në Shqipëri tani për tani nuk mund të ketë një lëvizje që do të jetësonte atë që po bën Trump. Unë shoh vetëm PD-në si forcë që ka mundësitë duke qenë e djathtë që mund të marrë disa ide konservatore të Trump si ajo për taksa e ulëta, ato për familjen, ato për liritë fetare etj., dhe t’i jetësojë në një masë të caktuar. Edhe idetë kundër shtetit të kapur politikisht, kundër kënetës së establishmenit dhe kundër krimit dhe trafikut janë ide të afërta të PD-së me Trump. Erërat po fryjnë në këtë drejtim.

Ashtu si Trump, edhe Edi Rama përdor mjeshtërisht faqet e mediave sociale kryesisht me postime goditëse, tallëse, të diskutueshme ose kundërthënëse, duke tërhequr një angazhim shumë më të madh se çdo gjë tjetër. Sa efekt ka kjo te njerëzit? E shikoni si një strategji të momentit për të mbuluar një problematikë të caktuar apo kjo do të jetë afatgjatë, sa kohë që edhe njerëzit pëlqejnë të “ushqehen” në mënyrë simpliste për çka ndodh në vend?

E kuptoj që tiparet e jashtme dhe të sipërfaqshme të Ramës mund të tingëllojnë si ide të ngjashme me Trump që ka një përpjekje nga vetë Rama dhe njerëzit e tij për t’u dukur sikur Rama ka një harmoni të vetvetishme me Trump. Kjo është një gënjeshtër e plotë dhe bëhet më së shumti për shkak të kompleksit të thellë që ka Rama. Ai nuk është si Trump por si Lady Gaga. Lady Gaga këndon një herë thuajse e zhveshur, një herë mbulohet me mish ose sallam, një herë vishet me fustan prej proshute, një herë këndon e varur nën një litar ku ajo rri lakuriq, një herë tjetër vishet me rroba llastiku, një herë tjetër vishet me brekë perimetri i të cilave lidhet vetëm një rrip të hollë që kalon para dhe prapa trupit (pra gati s’ka brekë fare) etj. Të gjitha këto Lady Gaga i bën që të tërheqë vëmendjen, që të shesë në këtë mënyrë sepse ajo këngë si Janis Joplin apo Aretha Franklin apo Senead O Conor nuk bën dot. Ajo madje nuk bën dot fare muzikë por bën thjesht një show.

Dhe Rama këtë punë bën. Duhet të kemi parasysh se presidenti Trump për dy vite ka mbajtur çdo premtim. Mbajti premtimin për reformën e taksave, për reformën në kujdesin shëndetësor, për marrëveshjet e Tregtisë me Meksikën dhe Kanadanë, rriti ekonominë dhe e çoi rritjen në mbi 4%, e ka çuar papunësinë në nivelin më të ulët historik etj. Sipas analistëve në SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore ky është Presidenti me premtimet më të mëdha të realizuara. Ndërsa Rama as ka bërë ndonjë gjë në ekonomi, borxhi është rritur me 1, 7 miliardë euro, papunësia është dramatike, eksportet dhe importet janë më keq se sa ishin, në parlament dhe zyrat e tjera të shtetit ka lloj-lloj njerëzish të lidhur me krimin, vendi u mboll gjithandej me hashash etj. Në këto kushte Ramës i duhet të injektojë pa ndalur mesazhe në popull, i duhet të bëjë përpjekje gjigante të ndryshojë këtë realitet, duhet të prodhojë një realitet të ri dhe përdor gjerësisht rrjetet sociale, ERTV-në dhe të gjithë mediat e tjera. Trump përdor fuqimisht Twitter-in, por ai është edhe i detyruar sepse mediat më të mëdha, gati të gjitha i ka fuqimisht kundër.

Shumë prej opinionistëve që kanë analizuar figurën e Presidentit amerikan, janë shprehur se vetë Donald Trump synon dita-ditës përmbysje të establishmentit, kthim në vlera nacionaliste, duke bindur një popull të tërë se udhëhiqet nga idetë e tij. Qasja e tij ndaj emigrantëve, apo vetë institucioneve ndërkombëtare (deri dy vjet më parë të padiskutueshme për rolin e tyre) është kthyer tashmë në një lëvizje globale. Eksperienca tregoi se tezat e tij u përshtatën fort në vende të Europës si Itali, Rumani e deri diku edhe në Britaninë e Madhe. Në gjithë këtë vorbull ndryshimesh, ku e shihni Shqipërinë?

PO, pak a shumë bota po hyn ose ka hyrë në një Epokë të re. Idetë politike të liberalizmit që u kthyen në fondamentalizëm të plotë duke i lejuar vetes të drejtën absolute të përcaktojë ai se cila është një ide që duhet ndjekur dhe cila është një ide që duhet eliminuar, që e shtyu me forcë botën drejt shtetit të madh, drejt zhdukjes ose mënjanimit të metafizikës, që e dobësoi kulturën lokale dhe atë kombëtare, që shkatërroi traditën, që rriti borxhet publike në një masë të pamendueshme, sot po pësojnë mospranim dhe në mjaft vende ato po përbuzen. Gradualisht bota do të hyjë në një fazë të re ku idetë konservatore, shteti i vogël dhe taksat e ulëta, vlerat kombëtare dhe respekti për lirinë dhe fenë do të rriten.

Në qendër të shtysave që i bënë fondamentaliste, idetë liberale ka qenë agjenda e Xhorxh Sorosit i cili që në vitet ‘80 kërkonte të ndërtonte një botë ku vendimmarrja ndërkombëtare të ishte më e konsoliduar, ku sovranitetet lokale zbeheshin, ku vlerat e familjes dhe të fesë zhbëheshin plotësisht dhe ku elitat kulturore dhe ato politike dominojnë gjithçka dhe prodhojnë një sistem që jeton në paqe. Kjo gjë ka dështuar dhe shumë ndjekës të vetë Sorosit e kanë kuptuar këtë gjë. Ajo kohë mbaroi. Erik Raig një ish-këshilltar i afërt i Soros thoshte pak ditë më parë që Soros dështoi dhe ajo që ai donte të realizohej nuk bëhet më. Raig, një teoricien i politikës thoshte se tashmë e djathta konsevatore do të ketë një rol më të madh. Në këtë kuptim shumë vende do të preken nga këto zhvillime. Edhe Shqipëria do të preket në mënyrën e saj por se në ç’masë nuk dihet. Siç edhe e thashë vetëm PD ka mundësinë që në Shqipëri të mund të krijojë një qasje afër asaj konservatore. Ato që bën Rama apo ato që duan të bëjnë faktorë të tjerë janë gjëra qesharake sepse këto nuk janë çështje instrumentesh por bindjesh dhe besimi ku ai fetar ka rol të madh.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤