Fatbardha Saraçi, rrëfimet e komunizmit: Libri im është libër jete që të trondit, lexojeni me kujdes!

Saraçi: “Çfarë kam dashur të përcjellë në gjeneratat e reja është se mirë që u burgosën baballarët tanë ose vëllezërit, po pasardhësit pësuan gjë? Këtë kam dashur të tregoj se çfarë ishte sistemi komunist, lufta e klasave. Me vjen keq që pak ceket ky fakt, se çfarë do të thotë luftë klasore në komunizëm”

Dëshmitë më tronditëse të grave në burgjet komuniste për herë të parë janë zbardhur në librin e Fatbardha Saraçit, “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”. Pak ditë më parë kur është kujtuar simbolikisht rënia e regjimit diktatorial në Shqipëri, me shembjen e shtatores së Enver Hoxhës, Instituti i Studimit të Krimeve Komuniste ka ribotuar këtë libër duke u plotësuar me dëshmi të reja, por dhe në homazh të grave që kanë dëshmuar dhe që sot nuk jetojnë më.

Për këtë botim, Saraçi është rikthyer sërish në vitet e tmerrshme kur e dëbuan nga Tirana, duke iu mohuar e drejta për t’u kthyer, nga nis edhe kujtesa personale, të cilën e quan dhe kolektive si përfaqësuese e asaj shtrese që vuajti dënimin dhe persekutimin komunist. Edhe pse dëgjuar disa herë prej saj, sërish rrëfimi i Saraçit sjell të reja tronditëse, të reja që nuk u nxjerrin fundin përjetimeve emocionale dhe psikologjike.

Ja pse ky libër, është bërë një sfidë për Saraçin, kur thotë: “Një vajzë që rritej duke kuptuar ç’është internimi, ç’është burgu, dhe me kalimin e viteve të gjitha u grumbulluan tek unë. Mbas viteve ’90-të, kur e pamë veten që kishim të drejtën e fjalës atëherë e pashë të arsyeshme që të merresha figurën kryesore. Unë mora nënat, ato nëna që ishin kryefamiljare kur nuk i kishin në shtëpi burrat. Dhe kjo është tema, e nisa me nënat e Shkodrës, dhe dhimbjen indirekte që kishin mbajtur djemtë e burrat nëpër burgje me vite të tëra. Një kalvar vitesh.

Por kur pashë se kjo shtresë nuk ishte unike në kërkesat e saj, nuk ishte bashkuar, atëherë më lindi ideja që të realizoja këta libra për t’i pasur të dokumentuara me jetët personale të femrave që kishin vuajtur. Unë nuk hyra të bëja roman, por për të qenë një libër i besueshëm i bëra me intervista dhe biseda, me tregime.

Shumica e atyre nënave që kanë kontribuar në tregimet dhe historitë e tyre fatkeqësisht, kanë ndërruar jetë. Këtë vlerësim i kemi vënë në ribotimin e ri, dhe datat e ndarjes nga jeta. Pse jam marrë me këto figura? Është libër i vështirë. Janë jetë nënash që provuan se çfarë do të thotë të shohësh, djalin apo vajzën dhe bashkëshortin pas hekurave të burgut me vite të tëra, pa bë asnjë gjë.

Çfarë kam dashur të përcjellë në gjeneratat e reja është se mirë që u burgosën baballarët tanë, ose vëllezërit, po pasardhësit pësuan gjë? Këtë kam dashur të tregoj se çfarë ishte sistemi komunist, lufta e klasave. Me vjen keq që pak ceket ky fakt, se çfarë do të thotë luftë klasore në komunizëm. Kjo e kishte ndarë popullin tonë në dy shtresa, ajo e fitimtarëve se vetëm ato kishin çliruar, punuar dhe nderuar kombin dhe shtresa tjetër ishin armiqtë, ne ishim të tmerrshmit që kishim bërë çdo gjë gabim.

Kështu që ne fëmijët, u rritëm, u bëmë vajza të reja, edhe të moshuara dhe vazhduam të quheshim armiq, fëmijët e armiqve dhe reaksionarëve. Kjo nuk duhet me u harru. Unë nuk flas me terma filozofike, por këtë e kam quajtur racizëm komunist shqiptar. Të tjerët ta studiojnë, se ndoshta nuk është termi i duhur. Por racizmin e kam parë në shumë histori duke filluar nga romanet që janë shkruar për nazizmit et të tjera. Duke treguar se ç’është lufta e klasave tregon se si shtresa jonë s’ka pasur të drejta të barabarta më të tjerë.

E para, mirë të drejtën e fjalës, deri te shkolla e mesme shkonim me sakrifica, por s’kishte të drejtën e arsimimit të lartë, e jo më të zgjidhje degën. Por di t’ju them që unë isha një vajzë që pata fatin, me pas një nënë shkodrane, dhe më tërhoqën më bë një gjimnaz në Shkodër, pasi atje ku ishim internuar në Kavajë, s’kishte mundësi. Këtu m’u dha mundësia për shkollë, por më ndërroi jetë baba kur sapo mora maturën. Unë shkova të punoja në fshatrat e Lezhës, por ëndërroja të shkollohesha. Mora dy fakultete, por pas disa vitesh në arsim, u dëbova, isha e padenjë. Por jeta është e çuditshme. Ishim frikësuar shumë.

Lufta e klasës vazhdoi me dekada, nisën njerëzit me indoktrinuar duke të parë me urrejtje. Edhe ata që të njihnin bënin sikur s’të njihnin, dhe nuk të përshëndetnin. Por jeta vazhdon, dhe sot jam e gëzuar, sepse kemi bërë libra, por pak kemi në dorë. Libri im është libër jete, që të trondit. Lexojeni ju kam thënë ngadalë e me kujdes!”.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤