Fake-reporteri…Trillimet e gazetarit sjellin ‘shpërthimin’ e ambasadorit…

View Gallery
2 Photos
Fake-reporteri…Trillimet e gazetarit sjellin ‘shpërthimin’ e ambasadorit…
der-spiegel

Fake-reporteri…Trillimet e gazetarit sjellin ‘shpërthimin’ e ambasadorit…
gazetari

Një nga gazetarët më të vlerësuar me çmime në Gjermani është shkarkuar nga detyra pasi u zbulua se kishte gënjyer në shkrimet e tij. Reporteri Claas Relotius, 33 vjeç, ishte vlerësuar vetëm pak ditë më parë për një reportazh për një refugjat sirian.

Por revista më e madhe në Europë, Spiegel, për të cilën punonte reporteri, ka zbuluar se ai kishte mashtruar, ndaj e ka larguar nga puna. Edhe artikulli i sapovlerësuar ishte një trillim.

“Pjesa më e madhe e shkrimit është e shpikur, një gënjeshtër,” bëri të ditur redaksia. “Citimet, vendet, skenat, njerëzit, të gjithë false”.

Gazetari i njohur për shkrimet investigative ka publikuar rreth 60 të tillë që kur nisi punë në vitin 2011. Deri më tani ai ka pranuar se 14 shkrime ishin të sajuara.

Pavarësisht se revista ka stafin më të madh të redaktorëve që ka një media, të cilët kujdesen për të mos lejuar të tilla shkelje të rënda profesionale, sistemi nuk funksionoi.

“Fakti që Relotius ishte në gjendje që të kalonte për vite të tëra filtrat e sigurimit të cilësisë, që janë ndërtuar për dekada në revistën tonë, e bën veçanërisht të dhimbshme situatën dhe ngre pikëpyetje për redaksinë, pikëpyetje që duhet të zgjidhen menjëherë,” thuhet në reagimin e Spiegel.

Redaksia bën me dije se ka nisur një hetim të plotë nga një komision i pavarur me tre ekspertë të njohur dhe me përvojë në media për të zbuluar shkallën e manipulimeve.

Revista Spiegel njihet si një nga mediat më serioze jo vetëm në Gjermani. Ajo thotë se ky skandal është një pikë e ulët në historinë 70-vjeçare të saj.

********************************************

Lajmi se revista më e madhe në Europë- e vlerësuar për faktin se ka numrin më të madh të redaktorëve, që nuk duhet të lejojnë të shpëtojnë pasaktësira në botim- ka larguar një gazetar nga puna për trillime, ka bërë xhiron e botës.

Revista Spiegel deklaroi se ka larguar nga puna reporterin Claas Relotius, 33 vjeç, pasi dyshon se shumica e shkrimeve të tij janë të stisura. Gazetari sapo ishte vlerësuar me një çmim gazetaresk në Gjermani për një investigim. Por revista ka pranuar se edhe ky shkrim ishte trillim.

Ndërsa revista thotë se do të nisë një hetim për të zbuluar se si kanë kaluar filtrat e redaktimit këto shkrime, ja ku vjen një reagim interesant.

Ambasadori i SHBA në Gjermani, Richard Grenell i ka dërguar një letër kryeredaktorit të Spiegel, Steffen Klusmann, duke sulmuar ashpër revistën dhe drejtuesit e saj.

Grenell, ambasadori më i rëndësishëm i presidentit Donald Trump në Europë, thotë se raportimet e gabuara i adresoheshin në një pjesë të madhe politikës amerikane.

“Është e qartë se ne kemi qenë viktima të një fushatë të orkestruar paragjykimesh. Kjo sjellje e papërgegjshme ka lejuar raportimet anti-amerikane. Që prej zgjedhjes së presidentit Donald Trump në detyrë, kjo tendencë është rritur në pafundësi,” thuhet në letër.

“Ne jemi të shqetësuar se drejtuesit e Spiegel e kanë nxitur këtë lloj raportimi dhe se gazetarët janë dorëzuar përpara asaj që kërkonte grupi drejtues”.

Ambasadori akuzon se fryma anti-amerikane e mbushur me paragjykime ka gjetur terren pjellor tek kjo revistë.

“Ne nuk kemi besim tek revista Spiegel dhe procesi i saj i filtrimit”.

Disa nga shkrimet e reporterit të shkarkuar janë bërë në SHBA. Për këtë arsye, ai është vlerësuar nga CNN me çmimin e ‘gazetarit të vitit’. Në një prej shkrimeve ai flet për një vigjilent amerikan, që ruan kufirin me Meksikën. Atë e quan ‘Gjahtari’, por në realitet ai nuk ka ekzistuar.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤