Faik Konica ‘katolik’

Nga Ilir Ikonomi
Pjesë nga libri: “Faik Konica: Jeta në Uashington”

Në vitin 1933 Zogu mbylli ose shtetëzoi të gjitha shkollat private dhe të huaja në Shqipëri. Këtu përfshiheshin shkollat jezuite dhe françeskane në Shkodër, ato të pakicës serbe në veri dhe të asaj greke në jug si dhe shkollat teknike amerikane dhe italiane. Goditja e Zogut në fakt drejtohej ndaj shkollave italiane me shpresën se do të frenohej italianizimi i vendit dhe arsimi kombëtar do të forconte ngjyrat patriotike bashkë me kontrollin shtetëror.

Faikut nuk i pëlqeu politika e re e Zogut. Ai ruante kujtime të bukura nga kolegji Saverian i Shkodrës, ku pat shkuar në vitin 1883 dhe kishte kaluar dy vjet. Në atë kohë ishte vetëm 7 vjeç por mbresat nuk i ishin shlyer. Vite më vonë Faiku do të shkruante: Shkolla e madhe e Jesuitëve në Shkodër është porsi një ishull mësimi në mjedis të padijes që e gjen rreth e rreth në Shqipëri… Mësimet, italisht, latinisht, frëngjisht e gjermanisht, jipen prej Etërve Jesuitë, me atë dije që as armiqtë e tyre s’ua mohojnë. Të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës, munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë të barazohet me to… Pra, le t’ia dimë të mirat që i bëri Shqipërisë kleri i huaj e na duket detyrë që t’ia dimë më tepër Etërve Jesuitë.

Kolegji jezuit i kishte dhënë Faikut fillimet e një botëkuptimi properëndimor. Më vonë, jeta sa në Francë, Belgjikë dhe Angli ia përforcuan këtë botëkuptim dhe këtu duhet shtuar se Faiku ishte pagëzuar si katolik.

Në autobiografinë e tij, ai tregon se në vitet e shkollës, e vetmja çlodhje për të ishte të dëgjonte muzikën e bukur të organos në kishat katolike të Francës. Tregon se kisha katolike e tërhiqte edhe nga një tjetër pikëpamje: nga rëndësia që u jep problemeve shoqërore. Revista Albania (1896 – 1909) që ai nxori për 13 vjet radhazi me ndihmën e austriakëve, ishte e lidhur ngushtë me klerikë katolikë shqiptarë, të cilët botonin aty poezi, prozë dhe artikuj gjuhësorë. Kur shpërbërja e Perandorisë Turke filloi të dukej gjithnjë e më sheshit, u shtuan prirjet e Faikut për t’i hyrë një polemike delikate fetare në favor të katolicizmit.

“Kam thënë e do të thom se pjesa katolike e popullit shqiptar ka rrëfyer, nën zgjedhë të sulltanëve, më tepër forcë shqiptarësie se pjesët e tjera”, shkruante Faiku në vitin 1904.

Në artikullin “Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë”, të cilin e shkroi në vitin 1909, gjatë udhëtimit me traget nga Doveri i Anglisë për në Ostend të Belgjikës, Faiku u kërkonte hapur muslimanëve të konvertoheshin në të krishterë. “Dëshiroj t’ju them ca të vërteta të ashpra po të ftohta dhe të matura dhe t’ju bëj armiqtë e mij sado që nuk më njihni; po të tillë armiq, që, në pak vjet, të thoni: ‘Ah ç’na këshillonte mirë! Ah sa të drejtë kish!’”

Këshilla e Faikut për muhamedanët shqiptarë ishte kjo: “Në mos idealizmi, të paktën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni njërën nga dy gjëra: a të ktheheni te feja e stërgjyshërve tuaj, a të mbeteni muhamedanë po duke u lidhur me aq vërtetësi dhe zemër me të krishterët nga gjaku juaj sa t’i jipni kombit tuaj një karakter gjysmë të krishterë… Të kthyerit tuaj në fe të vjetër do të sillte menjëherë bashkimin e kombit”.

Tre vjet më vonë, më 18 nëntor 1912, së bashku me Nolin dhe At Naum Ceren, Faiku i dërgonte nga Bostoni një letër Papa Piut X, ku i lutej të ndikonte për të shmangur copëtimin e Shqipërisë, “vendin që i ka dhënë Kishës një shenjtor si Shën Jeronimi, një papë si Klementi XI dhe mbrojtësin e lavdishëm të krishterimit, Gjergj Kastrioti Skënderbeun”.

Serbët dhe grekët, të cilët tani duan ta ndajnë Shqipërinë, shkruante Faiku, janë pasardhës të atyre që e detyruan pjesën më të madhe të popullit shqiptar të largohej nga Kisha e Shenjtë Romake.

Pas pak javësh, Faiku i lutej Asamblesë Kombëtare të krijuar në Vlorë të zgjidhte një princ të krishterë. Mos e bëni Shqipërinë një shtet oriental si Khiva, Bukhara, Afganistani, Tunizia e të tjera, por kini për ideal një Shqipëri evropiane si Norvegjia, Danimarka, Holanda e Belgjika, këshillonte ai në emër të Vatrës. Në letër Faiku u kërkonte, sidomos deputetëve muslimanë, që ta tregonin patriotizmin e tyre duke zgjedhur një princ të krishterë. Ndryshe, paralajmëronte ai, do të ishte një faj që nuk ndreqej më.

Në vitin 1913, kur çështja e kufijve të shtetit të ri të pavarur shqiptar ishte në tryezë, Faiku përpiqej të bindte me anë të një letre ministrinë e jashtme britanike se, në qoftë se katolikët shqiptarë do të ndaheshin nga Shqipëria dhe do t’i aneksoheshin Serbisë dhe Malit të Zi, “e gjithë puna e bërë për pesëmbëdhjetë vjet për të përgatitur kthimin gradual të krejt Shqipërisë në Kishën Katolike do të shkonte kot. Duke humbur popullsinë e saj katolike, shkruante Faiku, Shqipëria do të humbiste një shembull të gjallë dhe një kujtesë të vazhdueshme të fesë së saj stërgjyshore”.

Në Uashington, Faiku gëzonte emër si njohës i mirë i çështjeve të katolicizmit. The Chicago Daily Tribune, ndër gazetat kryesore të Amerikës, shkruante në vitin 1933 se “Zoti Faik Konica, ministri shqiptar, është muhamedan, por shihet si një autoritet i tillë përsa i përket Kishës Katolike, saqë është një mik shumë i mirëpritur në legatën e Shtetit të Lirë Irlandez”.

Faiku kishte disa miq të ngushtë katolikë në Uashington dhe njëri prej tyre ishte delegati apostolik i Vatikanit në Amerikë, arkipeshkvi Pietro Fumasoni-Biondi. Në vitin 1933 Fumasoni-Biondi u emërua nga Papa në krye të Zyrës për Përhapjen e Fesë, një ndër postet më të larta në hierarkinë e Vatikanit. Me rastin e largimit të klerikut për në detyrën e re, Faiku shtroi një darkë të madhe, sepse Fumasoni-Biondi do të ishte këtej e tutje shef i një zyre që përfshinte edhe çështjet e kishës katolike në Shqipëri. Ministri mbajti një fjalim ku foli për historinë e katolicizmit në vendin e tij.

Dy miq të tjerë të tij ishin latinisti i Universitetit Katolik të Uashingtonit, Joseph Patrick Christopher dhe teologu i njohur, Imzot John K. Cartwright, që predikonte në Kishën Immaculate Conception jo shumë larg apartamentit të Faikut. Shkëmbente shpesh vizita me latinistin Christopher, i cili ishte njeri me kulturë po aq të gjerë. Christopher e ftonte ministrin në universitetin e tij për të mbajtur ndonjë ligjëratë ose për të parë dramat që vinte në skenë trupa studentore. Imzot Cartwright, i cili jepte historinë e kishës në të njëjtin universitet, ishte ndër ata që e çmonin vlerën e librave për Shqipërinë që kishte grumbulluar Faiku.

Në një kryeartikull të shkruar me ndihmën e fakteve të dhëna nga Faiku, Dielli deklaronte se historia e Shqipërisë nuk mund të kuptohej në qoftë se harrohej karakteri katolik i saj. Kisha katolike, – thuhej në kryeartikull, – ka qenë kisha e gjithë shqiptarëve në Kohën e Mesme. Kur merr njeriu këto në mend, i vjen një farë habie të shohë se në Shqipërinë e sotme muhamedanët dhe ortodoksët, ata që kanë lënë fenë e stërgjyshërve, t’i quajnë shqiptarët katolikë si fëmijë të gjetur, sikur këta e kanë njerkë dhe jo nënë Shqipërinë. “Katolikët janë jo vetëm shqiptarët më të kthjellët e më të patundur, po janë dhe ata që e kanë shpëtuar Shqipërinë”.

“Një tjetër shenjë që Kisha Katolike është lidhja jonë me Perëndimin është dora fisnike që Papa Benedikti XV i zgjati kombit shqiptar kur u përmendi fuqive të mëdha pas Luftës së Përbotshme të drejtat e Shqipërisë. Katolikët si grup kudo kanë folur mirë për Shqipërinë”, thuhej në kryeartikull.

Pastaj Dielli i kthehej mbylljes nga Zogu të kolegjit jezuit dhe shkollave françeskane në Shkodër, duke e quajtur këtë një gabim të madh, i cili mund të gëzojë vetëm armiqtë e Shqipërisë. “Jemi të bindur – deklaronte kryeartikulli me gojën e Faikut – se Mbreti ynë, patriot dhe i mençur, kur t’i rikqyrë një nga një punët dhe ngjarjet, do t’i verë katolikët në atë shkallë fuqie dhe nderi që meritojnë”. Shkollat u rihapën në vitin 1936.

Faiku dhe At Gjergj Fishta, dy miq të vjetër, ishin ndër përkrahësit e zellshëm të idesë se Mbreti Zog duhet të martohej me një vajzë katolike. Faiku e kishte bërë të qartë këtë gjatë vizitës në Shqipëri. Ndërsa Fishta e kishte biseduar çështjen me Zogun dhe kishte marrë konfirmim prej tij se nusja e ardhshme do të ishte e fesë katolike. “Nuk ka kuptim të shohim drejt Lindjes. Interesat tona janë drejt detit prandaj duhet të shikojmë nga Perëndimi”, i kishte thënë ati françeskan ministrit amerikan në Tiranë, Hugh Grant (Hju Grant), në një bisedë private.

Në fillim të vitit 1937 një gazetë e Budapestit njoftonte se mbretëresha e ardhshme do të ishte kontesha hungareze von Mikes, por plani kishte dështuar sepse, sipas gazetës, Mbreti Zog kishte kërkuar që ajo të konvertohej në fenë islame. Faiku i dërgoi një letër kryeredaktorit të gazetës New York Times, e cila u botua pjesërisht. “Ky lajm, – shkruante Faiku, – ka të gjitha tiparet e një shakaje. Ideja e ndryshimit të fesë për shkak të martesës është e huaj për mendjen shqiptare”.

Faiku shpjegonte më tej se Mbreti Zog rrjedh nga një familje katolike, e cila për shkak të rrethanave të kohës u shtrëngua të përqafonte fenë islame në fund të shekullit të 16. “Megjithëse Mbreti, sikurse shumica e shqiptarëve, nuk është as fetar e as jofetar, ai anon më tepër nga Kisha Katolike dhe gjithnjë ka ngulur këmbë që katolikët të përfaqësohen në kabinet. Adjutanti i tij kryesor është katolik”, shkruante Faiku.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤