Fahredin Spahija: Nudoja në kohën e akullit

Nudoja është një prej temave kryesore të fotografisë së tij. Por përtej syrit, reflektimit apo bukurisë së subjektit që fotografohet, e zhveshur, Spahija e ka sjellë në një teknikë krejt origjinale; akulli në nudo apo nudoja në akull.

Nudo 1

Picture 1 of 6

Përdorimi i akullit të vërtetë pa asnjë truk digjital, thotë Spahija, i jep fotografisë jo vetëm vlerë të veçantë grafike por edhe një filozofi krejt të re, për t’iu qasur nudos. Qëllimi i fundmë i artistit nuk është të ngacmojë epshet, porse të zgjojë estetin brenda kundruesit… 

Ju e sillni nudon femërore në një mënyrë krejt origjinale dhe të pa lëvruar më parë, ku imazhet duken si të ngrira në akuj. Çfarë është kjo  teknikë dhe prej sa kohësh e lëvroni?

Përpjekja e çdo artisti pra edhe e atij të fotografisë është të gjej mënyrën e të të shprehurit origjinal në artin e tij dhe ky rrugëtim drejt të veçantës nuk është aspak i lehtë dhe nuk ndodhë aq shpejt sa mendojnë shumica e atyre që kanë zgjedhur rrugën e artit.

 

Teknika me të cilën kam realizuar dhe po e realizoj ciklin tim më të ri të titulluar “Koha e akullit” është një gjetje autentike që vjen në artin tim fotografik pas një përvoje gati njëzet vjeçare në lëvrimin e fotografisë. Përdorimi i akullit të vërtetë pa asnjë truk digjital, përveç anës kuptimore dhe filozofike i jep fotografisë sime një vlerë të veçantë grafike duke krijuar kështu një atmosferë unike që bashkërisht e forcojnë më tej identitetin tim artistik.

Eksperimentimin me akull e kam filluar këtu e katër vite më parë dhe mund të them se është faza fillestare e këtij cikli,  i cili do të vazhdojë deri sa të ndjej ngopje emocionale në të…

Çfarë përçon kjo lloj fotografie?

Ngrirjen e imazheve si përpjekje për të treguar simbolikisht mbijetimin e artit tim edhe pas shuarjes sime fizike, por edhe si tendencë e kujdesit apo ruajtjes së personazheve të mia nga pjesa e ligë e kësaj bote në të cilën po jetojmë.

Cili është mesazhi kryesor i artit tuaj?

Arti im  nuk ka domosdoshmërisht ndonjë mesazh të veçantë. Mesazhi i përgjithshëm është se, unë jetoj dhe krijoj për të lënë gjurmën time artistike në këtë dimension ku jetojmë,  jetëgjatësia e së cilës nuk e di sa do të jetë…

 

Preokupimi im artistik ka në qendër Njeriun, që shpërfaqet në artin tim fotografik në forma të ndryshme. Natyrisht nuk do të doja që puna ime të mbijetonte vetëm si një lloj dokumentimi,  por edhe si vlerë komplekse artistike.

Sa kohë keni që fotografoni nudo?

Temën e nudos kam filluar ta trajtoj prej se artin fotografik e kam ba si mjet timin të të shprehurit artistik. Unë kam mbaruar studimet për grafikë dhe për dizajn dhe përvoja ime me studimin e nudos ka rrënjët qysh në fillimin e viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar kur lëndën e nudos dhe vizatimit në Akademinë e Artit në Prishtinë  e kishim ndër lëndët më të rëndësishme dhe gjithsesi, obligative!

A vazhdon ende tabuja këtu tek ne e të ekspozuarit të trupit lakuriq?

Mendoj se tabunë e fotografimit të trupit të zhveshur apo lakuriq tek shqiptarët e ka zhbërë Pjetër Marubi qysh në vitin 1878 kur merr guximin t’i fotografojë cicat e një gruaje shqiptare në studion e tij.

Por, sot, ne mund të flasim vetëm për vështirësitë që ka artisti për t’u marrë me një temë të tillë fort delikate shkaku i mentalitetit tonë të stërvjetëruar e të trashëguar nga të parët tanë, të cilin gjeneratat e reja akoma e mbajnë mbi supet e tyre pa mundur ta heqin qafe, përgjithmonë.

Si është pritur kjo lloj fotografie nga publiku fillimisht?

Natyrisht, ajo që thashë në përgjigjen paraprake vlen edhe për mua. As unë nuk e kisha fort të lehtë trajtimin e kësaj temë komplekse ku përveç njohurive artistike(kompozicionale) artistit i duhet edhe kujdesi që subjektin e trajtuar ta ruajë  nga degradimi.

Gjithmonë e kam frikën se ajo që unë krijoj në temën e nudos të mos mbizotërohet nga erotizmi, por nga elementet kompozicionale që e ndihmojnë publikun ta trajtojnë artin tim fotografik estetikisht e jo si ngacmim epshesh.

 

Mendoj se reagimi i publikut karshi asaj çka unë kam ekspozuar me temën e nudos, ka qenë mjaftueshëm pozitiv dhe shumë motivues. Ekspozita ime personale e hapur në vitin 2012 në Galerinë e Fakultetit të Artit pamor në Tiranë (FAP) e titulluar “(Un)censored” ishte ballafaqimi im i parë  me këtë lloj fotografie, me publikun.

Vizitorët e shumtë, qytetarë, student arti dhe profesorë arti por edhe mediat e shkruara dhe ato elektronike e vlerësuan ekspozitën si ngjarje unike në Shqipëri aq më tepër sepse  ajo ishte absolutisht ekspozita e parë personale e artit fotografik me temën nudo, në hapësirat shqiptare!

Fotografoni vetëm nudo femërore apo edhe mashkullore?

Deri tani kam trajtuar vetëm trupin lakuriq të femrës por në të ardhmen, mund të ndodhë që ta trajtoj edhe nudon mashkullore. Një artist duhet të jetë i çliruar nga të gjitha paragjykimet në mënyrë që ta bëj artin e vet sa më lirshëm dhe pa barrierë që krijohen gjatë rrugëtimit të tij krijues…

Një trup nudo femëror, simbol i erosit, dhe ftohtësia që përçohej prej akujve. Si qëndron ky bashkim?

Aspekti përmbajtësor dhe filozofik i artit tim fotografik, në veçanti ai nga cikli im “Koha e akullit”, preferoj që më shumë të diskutohet nga publiku i cili mund ta ndjej atë varësisht nga impakti që i jep komunikimi i  drejtpërdrejtë me fotografitë e kësaj serie.

Kritiku letrar dhe profesori ynë i mirënjohur dr. Nysret Krasniqi në parathënien e katalogut të ekspozitës “2×15” të hapur në Shkodër dhe në Asti të Italisë, ndër të tjera, thotë: “Vepra artistike fotografike “Koha e akullit” dëshmon filozofinë krijimtare të kombinimit të zjarrmisë dhe të acarit për ta fituar balancin estetik, të cilin Fahredin Spahija e sprovon dhe e provon me veprën e tij si markë autentike që sfidon kohën dhe si e tillë pasuron format e krijimit në kuadër të këtij zhanri artistik.”

Keni dashur të sillni të kundërtat bashkë apo për të thyer klishetë?

Të  dyja bashkë! Të kundërtat, siç e thoni ju, në fotografi  shprehen përmes elementit të kontrastit i cili fotografisë artistike, veçmas asaj në teknikën bardh e zi, i jep një dramë dhe dinamizëm të veçantë,  kurse thyerja e klisheve është “kryqi” të cilin duhet artistët ta mbajnë gjatë tërë rrugëtimit të tyre artistik!

“Koha e akullit” , kështu e keni pagëzuar këtë seri fotografish… Keni dashur të shkoni deri në fillesat e krijimit të botës me këtë temë?

Ideja e emërtimit të këtij cikli fotografik,  por edhe ideja e eksperimentimit me akull si teknikë e imja origjinale lindi nga thënia e njohur se, fotografia është imazh i ngrirë…

Ky është vetëm një cikël apo tashmë është bërë markë e dallueshme e punëve tuaja?

Cikli fotografik “Koha e akullit” shënon pikën kulmore të pjekurisë sime artistike si dhe të përvojës sime krijuese në fushën e fotografisë. Natyrisht, bëhet fjalë vetëm për një cikël jetëgjatësia e të cilit nuk mund të paragjykohet. Identiteti im krijues mendoj se është bërë i dukshëm dhe lehtësisht i identifikueshëm edhe me punët e mia të hershme si në temën e nudos poashtu edhe të portretit. “Koha e akullit” është rezultat i punës sime paraprake në të dy temat që i përmenda.

Nudoja nuk është i vetmi objekt i fokusit tuaj, por a është më i rëndësishmi?

Nudo dhe portreti janë dy temat qendrore të preokupimit dhe angazhimit tim artistik në fotografi. Duke qenë si tema më komplekse dhe më të rënda nga tjerat, jam provokuar të merrem me to me seriozitetin maksimal duke i studiuar thellësisht. Por, gjithsesi, nudo nga këto të dyja, më ngacmon më tepër për shumë arsye.

Ç’domethënie ka pasur dhe vazhdon të ketë për artin nudoje, prej antikitetit deri në kohët moderne?

Trupi i njeriut është krijimi më sublim dhe më kompleks,  por njëkohësisht edhe më i bukuri që ka ba Perëndia, ndër tana krijesat tjera kurse ai femërori është pasuruar me forma e linja për ta dalluar nga ai mashkullori.

Artisti qysh në fillimet e krijimit të njerëzimit, ka parapëlqyer që këtë bukuri hyjnore ta materializojë duke e dokumentuar përmes skulpturës dhe vizatimit. Dëshmia më e vjetër për këtë krijimtari artistike parahistorike është “Venera e Willendorf-it” e gjetur në Willendorf të Austrisë, këtu e 28000 vjet më herët. Bëhet fjalë për një skulpturë të gjatë 11cm që paraqet trupin lakuriq të një gruaje me forma të ekzagjeruara.

Ky interesim i artistit për lakuriqësinë njerëzore ka vazhduar pa ndërprerje pavarësisht rregullimeve shoqërore gjatë tërë historisë, deri në ditët tona! Nuk duhet të harrojmë se shumë kryevepra të artit botërorë kanë si temë pikërisht nudon femërore apo atë mashkullore.

“Davidi” i Mikelanxhelos, “Mendimtari” i Rodenit, “Lindja e Venerës” e Botiçelit, “Nudo që zbret shkallëve” e Duchamp-it një replikë të së cilës e ka realizuar edhe gjeniu i fotografisë shqiptare Gjon Mili, janë vetëm disa nga kryeveprat e artit botëror me temën nudo.

 

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤