Esmeralda Topuzi: Të krijosh mundësi për të realizuar qëllimet e tua

Historia e suksesit të Esmeralda Topuzit, ish-studentja e UET, e cila ekselencën e shtrin përtej arritjeve akademike.

Nga Elda Dedja – Një student i suksesshëm nuk është vetëm ai i cili arrin rezultate të larta akademike, por edhe ai i cili ekselencën e tij e shtrin përtej notave dhe mësimeve. E angazhuar në shoqëri dhe në kërkim të suksesit në jetën profesionale edhe përtej auditorit të shkollës, Esmeralda Topuzi, sot pjesë e Alumni të UET, është ndër shembujt më të mirë se një student i shkëlqyer nuk kufizohet vetëm te rezultatet e larta në mësime.

Ka studiuar në degën Financë-Bankë, në ciklin Bachelor, dhe shprehet se e ka zgjedhur UET për shkak të cilësisë dhe filozofisë së tij.

“Nisa studimet e larta menjëherë pas përfundimit të studimeve në shkollën e mesme profesionale ‘Harry Fultz’. 5-vjeçari në një kolegj me kulturë amerikane më shtyu të kërkoj në treg një universitet në të njëjtën linjë sa i përket kulturës, kurrikulës dhe stafit akademik. Dëshira ime ishte të jem pranë më të mirëve, pedagogëve apo profesionistëve, që krahas dijeve akademike do të mund të më frymëzonin me shembullin e tyre”, thotë Esmeralda.

Me një dinamikë dhe këmbëngulje karakterizuese, Esmeralda ishte pjesë aktive e jetës studentore në universitetin në të cilin zgjodhi që të studionte. Që në vit të parë, krahas angazhimeve të shumta në klube apo iniciativa studentore, ajo u zgjodh Presidente e Qeverisë Studentore të UET.

“Për mua të ishe student nuk mjaftonte një orë leksioni, disa detyra dhe një sezon provimesh. Studenti dinamik kërkon hapësirë dhe mundësi për të zhvilluar talentet, pasionet dhe proklamuar idetë. Që në vitin e parë të studimeve u zgjodha Presidente në Qeverinë Studentore, themeluam klube studentore, nxitëm debatin dhe.. FUN!

E kush mund të kundërshtojë moton e studentit ‘Work hard, party harder’. Universiteti që kisha zgjedhur ishte i ri për nga eksperienca, por premtues në atë që ofronte. Një ndër aspektet më pozitive ishte edhe shkëputja nga mentaliteti i vjetër “qendërzim të institucionit” dhe kalimi në “qendërzim të studentit” që e bënte kurrikulën mësimore më praktike duke nxitur bashkëbisedimin”.

E angazhuar në një shumëllojshmëri aktivitetesh dhe mundësish që UET ofronte për studentët e tij Esmeralda zgjodhi të përmirësojë veten edhe me anë të angazhimeve përtej universitetit. Shpejt impenjimi në mësime por edhe eksperiencat e shumta praktike, e bën atë të hyjë suksesshëm në tregun e punës, ende pa u diplomuar.

“Tentativat e mia për të qenë pjesë e tregut të punës kanë nisur ende pa mbaruar studimet në ciklin Bachelor. Fillimisht me eksperiencë vullnetare në një organizatë ndërkombëtare studentore të quajtur AIESEC, si presidente lokale e një prej degëve të saj në Shqipëri. Në përfundim të vitit të dytë Bachelor fitoj të drejtën për të realizuar një internship të plotë profesional në Drejtorinë e Përgjithshme të një prej bankave më të mëdha të vendit.

Gjithashtu, në universitet m’u krijua mundësia e angazhimit në Qendrën e Projekteve. Studimet por edhe dinamizmi si studente e UET më ndihmuan të përshtatem lehtësisht me eksperiencën profesionale, duke u punësuar më pas menjëherë pas mbarimit të ciklit Bachelor”, tregon ajo.

Ndërkohë që fillimet ishin të mbara, vrapi i saj drejt suksesit nuk ka të ndalur. Esmeralda është sot pjesë e stafit të Bankës së Shqipërisë.

“Kur je në universitet arritjet më të mëdha janë notat, më pas të gjesh një punë, e më pas të gjesh një tjetër edhe më të mirë, e në fund të ditës, pas përpjekjeve dhe punës së parreshtur kupton se nesër do të duhet të bësh edhe më shumë që të ndihesh i plotësuar. Arritja më e madhe është ajo që nuk ka ardhur ende, por sukses është çdo përpjekje që ti bën për të shkuar drejt saj. Ajo që jam përpjekur të bëj gjatë studimeve është të maksimizoj kohën.

Krahas universitetit, çdo vit kam provuar eksperienca vullnetare në organizata jofitimprurëse, qendra projektesh, forume studentore, internshipe profesionale, konkurse biznesi etj., për të njohur dhe përmirësuar atë që mund të bëj më mirë. Unë i përkas një brezi që është edukuar me parime si “Mëso shumë të bëhesh si..”, apo “Fokusohu te mësimet (detyrat) e jo tek aktivitetet”. Në fakt, modelet shërbejnë për inspirim, por qëllim duhet të bëhet vlera që gjen brenda vetes, ajo që di të bësh më mirë, ajo që të jep më shumë kënaqësi.

Maksimizimi i kohës maksimizon vlerën në tregun e sotëm tejet konkurrues. U diplomova rreth një vit më parë, por eksperienca profesionale në fushën për të cilën kam studiuar ka hyrë në vitin e tretë. Pas 2 vitesh si analiste e riskut financiar në Raiffeisen Bank, aktualisht punoj si Specialiste në Departamentin e Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë”, shprehet optimiste Esmeralda.

Filozofia e Esmeraldës, për të qenë një student ekselent jo vetëm në mësime, e ka bërë të jetë vajza e suksesshme që është sot, vajza e cila lufton fort dhe me pasion për të realizuar ëndrrat e saj.

Mesazhi i saj për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta kenë suksesin pjesë të jetës së tyre është i thjeshtë.

“Shfrytëzojeni kohën dhe t’i krijojini mundësi vetes edhe kur ato duket se nuk janë. Sot nuk mjafton të marrësh një diplomë. Ato çfarë të mëson universiteti janë aftësi teknike, por pas klasës sot bashkoju forumit më të afërt në universitet, dhe nxit mendimin kritik. Aty do të gjesh më shumë si ti, që ndajnë të njëjtat vlera dhe interesa dhe në bashkëpunim do të nxiten ide të reja.

Hyr në portën e madhe të UET, dhe “thyej” të gjitha portat me idetë në të cilat beson. Periudha e studimeve është periudha më e mirë që njeriu të njohë veten, të kërkojë ta përmirësojë me eksperienca, të rrisë vetëvlerësimin, të zhvillojë aftësi si puna në grup. Eksperiencat ekstrakurrikulare janë vlerë e shtuar që plotëson figurën e intelektualit dhe qytetarit në vend”.

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤