Ervin Bushati: ‘Jam ky që jam sot, sepse kam pirë ujë Shkodre’

Është identifikuar fillimisht si lideri i grupit me emrin ‘Mister’, ndërkohë që pas një suksesi të konsiderueshëm u shkëput nga ata për të bashkëpunuar në mënyrë të pavarur dhe solo gjithashtu. Bëhet fjalë për Ervin Bushatin, një nga këngëtarët më në zë që gjatë 25 viteve karrierë i është dedikuar me mish e me shpirt të kënduarit live. Një tjetër shkodran që i shtohet arkivës së gazetës Mapo, një tjetër sukses i radhës. Numëron plot 5 albume në repertorin e tij, videoklipe dhe këngë pafund e pjesëmarrje në spektakle të shumta në vendin tonë.

Është ngjitur në skenën e muzikës shqiptare qëkur ishte 17 vjeç, ka mbaruar liceun për kanto si tenor lirik dhe kjo padyshim që e ka diferencuar nga kolegët e tij. Është mjaft e qartë pse bëhet ky diferencim. Në çdo fushë do të ndodhë për sa kohë merr formimin e duhur për t’u bërë një specialist adekuat i asaj pjese. Bushati në këtë intervistë për ‘’Mapo’’-n foli rreth kujtimeve të para të ngjitjes së tij në skenën e muzikës, përshtatjen me udhëtimet e gjata deri në Amerikë dhe për dy djemtë e tij etj.

Bisedoi: Ada Kacmoli
Janë mbushur plot 25 vite që ju jeni angazhuar me muzikë. Nga ana tjetër keni arritur që në fillimet tuaja të publikoni hite. Sa e vështirë ka qenë për ta mbajtur status quo-n e një artisti të mirëfilltë?

Dalja ime e parë si i rritur ka qenë në Festivalin e Fundvitit të asaj kohe në vitin 93 e kur e kujtoj më duket shumë e afërt. Ka qenë periudhë realisht shumë e vështirë pasi më takoi që të kaloja të gjithë tranzicionet që ndodhën në muzikë asaj kohe pas viteve ‘90 kur ne guxuam me një rrymë ndryshe nga të tjerët. Për mua ka qenë shumë e vështirë, sepse që në fillimet tona u renditëm në artistët më të veçantë e të vlerësuar të momentit me vite me radhë si lider i grupit ‘Mister’.

Në fillimet tuaja ju ishit lideri i grupit ‘Mister’. A erdhi gradualisht shkëputja nga grupi, apo ishte zgjedhja juaj sepse dëshironit të eksploronit suksesin i vetëm?

‘Mister’ vazhdoi për gati 10 vite në tregun muzikor shqiptar, periudhë e cila u finalizua me një album ku ishin të përfshira këngët më të mira ndër vite, kompozime të reja si dhe këngë qytetare e popullore të moderuara. Pastaj secili nga ne mori rrugët e pasionet e tij individuale. Pas shkëputjes me ‘Misterin’ vazhdova ëndrrën time e cila më shoqëronte që në vegjëli. Nga një kompani muzikore asaj kohe mu kërkua një album solo duke ftuar në duete edhe emra të njohur si Bujar Qamilin e Artjola Toskën asaj kohe, si albumi i dytë i imi dhe i pari solistik. Që me daljen e tij krijova profilin tim tashmë i vetëm. Asaj kohe ishin në modë këngët e përpunuara, pjesa më e madhe e të cilave u kthyen në hite si “Jepma mollën” me grupin ‘Mister’, “Fort për ty nuk po ma ndie” me Bujar Qamilin si dhe “Lidhe qenin” me Irini Qirjakon, si dhe mjaft potpuri me këngë popullore të përpunuara me mjeshtëri nga Genti Lako dhe Edmond Zhulali etj. Sot numëroj 5 albume të miat, ndër to ka dhe këngë të muzikës së lehtë dhe turbo folk.

Kur e kuptuat që e ardhmja juaj do ishte muzika?

Që në moshën 8-vjeçare kam qenë pjesë e festivaleve për fëmijë deri në klasë të shtatë shumë herë me çmime të para e të dyta. Asaj kohe në vitin ‘86 mos gabohem përfaqësova Shqipërinë në një ‘Festival Ballkanik’ që organizohej në Greqi nga ku unë isha vetëm 10 vjeç.

A mendoni që dhe vendlindja ka ndikimet e saj në formimin e disa individëve të caktuar? Dua të them ju jeni nga Shkodra e bukur e cila njihet për dashurinë që ka për artin. Pra a kthehet kjo si një lloj tradite le të themi?

Besoj që çdo gjë kam sot është falë Shkodrës qytetit me tradita në muzikë e kudo. E them shpesh jam ky që jam sot, sepse kam pirë ujë Shkodre.

Ju keni studiuar për kanto. A ka bërë kjo diferencën midis shumë kolegëve të tjerë dhe a mendoni që është domosdoshmëri për t’u kualifikuar si një artist i mirëfilltë?

Liceun e kam mbaruar për kanto në Shkodër si tenor lirik, gjë e cila më ndihmuar shumë për të marrë ato mësimet e para të mënyrës së të kënduarit, të cilat më ndihmuan për të ecur më tej me këngën.

Çfarë mendimi keni për të kënduarit ‘Playback’, ndërkohë që ju jeni një artist i muzikës live? Po e dëmton disi ky trend?

Nuk më pëlqen të paragjykoj ato që e praktikojnë, secili artist e di vetë se çfarë bën. E rëndësishme është që publiku ka disa vite që di t’i diferencojë këngëtarët e vërtetë të muzikës live dhe kjo është gjë e mirë pasi dhe arma më e fortë e imja dhe e shumë kolegëve të tjerë është të kënduarit live kudo ku jemi të ftuar për të performuar.

Çfarë rrymash preferojnë ende shqiptarët nëpër botë dhe në vendin tonë? E duan muzikën live janë më selektivë apo jo?

Duke qenë se udhëtoj shumë shpesh pothuajse çdo fundjavë, për shkak të angazhimeve të mia kam vënë re që pëlqehet shumë muzika e folkut shqiptar, ajo popullore si dhe hite të cilat të evidentojnë si këngëtar. Baza është muzika popullore. Pëlqejnë muzikën e vërtetë live.

Keni një sërë bashkëpunimesh me këngëtarë të afirmuar. A mund të na veçoni ndonjërin dhe pse?

E vërtetë në karrierën time muzikore kam pasur shumë bashkëpunime dhe mendoj se bashkëpunimet kur vijnë natyrshëm e të ndërthurura bukur janë të destinuara për t’u kthyer në hite. Mund të kujtoj me Bujar Qamilin Irini Qirjakon dhe Anjeza Brankën “Shkojmë në Party”, si dhe bashkëpunimi i verës së kaluar me Blerina Brakën, kënga me titull “E jemja”.

Cilat janë anët pozitive/negative të një bashkëpunimi dhe të kënduarit solo?

Të dyja kanë ato veçoritë e veta si këndimi solo si duetet, por për mua këto të fundit kanë rezultuar më të suksesshme.

Me çfarë do merreshit në një kohë tjetër nëse s’do ishit angazhuar me muzikë?

E kam menduar shpesh këtë pjesë me çfarë do merresha nëse s’do isha përfshirë me këngën. Unë në fakt studimet e larta i kam mbaruar për letërsi si dhe për ca kohë kam provuar prezantimet jo me pak sukses besoj do kisha një show televiziv timin e mbase do isha një mësues letërsie.

Sa i zgjeruar është rrethi juaj miqësor dhe kush janë disa nga miqtë më të mirë të estradës me të cilët rastisni jo vetëm nëpër koncerte por kaloni kohë dhe në një ditë të zakonshme?

Rrethi i miqve muzikantë është shumë i gjerë dhe të them të drejtën kalojmë goxha kohë bashkë dhe kjo shikohet mjaft mirë dhe në profilet tona nëpër rrjetet sociale ku postojmë dhe momente pas punës edhe pas projekteve artistike siç kam dhe shumë miq e shokë që nuk merren me art. Nuk dua të përmend emra konkretë, sepse ato e dinë mirë cilët janë dhe që i kam shumë xhan.

Kush është një mik i mirë për ju? Çfarë cilësish duhet të ketë?

Një mik i mirë duhet të të dojë ashtu siç je nuk ka formula në këto raste. Jam me fat në këto kohë, që rrethohem me miq e mikesha pozitive por besoj që kemi investuar me vite në këtë marrëdhënie të ndërsjellë.

Në koncerte të ndryshme jashtë dhe brenda Shqipërisë apo nëpër dasma evenimente të ndryshme, me kë nga kolegët apo miqtë tuaj ndodh që të jeni bashkë shpeshherë?

Puna jonë nuk është në një vend fiks as me këngëtarë fiks mund të them se kam performuar e vazhdoj të performoj deri në USA Canada dhe UK me emra të ndryshëm të muzikës shqiptare nga ata më të rinjtë e deri tek ata që kanë vënë themelet në muzikën shqiptare s’mund të veçoj disa sepse janë shumë.

Padyshim ky lloj profesioni ju bën të udhëtoni thuajse çdo fundjavë madje edhe në destinacione përtej kontinentit si Amerika. A jeni përshtatur tani me një gjë të tillë? A ka qenë e vështirë në fillim?

Kam vite që merrem me këtë profesion. Udhëtimet janë gjëja më e zakonshme përveçse në Evropë përtej kontinentit kam pasur shumë ftesa që para 13 viteve e deri tani, madje për festa të flamurit isha përtej kontinentit kështu do ndodhë dhe për “New Year” do jem në Edmonto në Toronto të Kanadasë. Fillimisht është e vështirë që nga klima, orari dhe distancat e largëta por them se jam mësuar edhe pse është shumë e vështirë.

Cili është qyteti apo shteti që ju ka lënë më shumë mbresa nga mikpritja e bërë dhe pse?

Unë vlerësoj çdo vend ku jam i ftuar të performoj si në Shqipëri apo dhe jashtë saj po mbase dhe nga largësia në USA e në Kanada ndihet më shumë patriotizmi dhe një etje për muzikën e vërtetë shqiptare.

Cilat janë projektet tuaja të radhës?

Pasi të mbaroj mbrëmjet me rastin e festave të fundvitit si Krishtlindjet dhe Viti i Ri besoj se pas janarit do bëhem gati për një material të ri muzikor, i cili do shoqërohet dhe me video.

Çfarë është familja për ju?

Familja jo vetëm për mua, por për çdo njeri është shumë e rëndësishme.

Djali i vogël merret aktualisht me disa kurse për kitarë. A ka qenë dëshirë e juaja që ai të trashëgojë dashurinë për muzikën? Po djali i madh ka pasion ndonjë vegël muzikore?

Jemi bekuar me dy djem Anteo 13 vjeç dhe Bjorn 10 vjeç, të cilët janë kuptimi i jetës. I vogli ka ndjekur disa kurse private për kitarë por nuk është se ka dëshirë ta ketë profesion më tepër për qejf por më duket se nuk do ndjekin rrugëtimin tim janë shumë të apasionuar si madhi dhe i vogli pas sporteve.

Cilat janë cilësitë që ju dëshironi që të dy djemtë tuaj të kultivojnë gjatë rritjes së tyre që në të ardhmen t’ju bëjnë krenarë?

Si çdo prind kemi dëshirë që të bëhen sa më të mbarë në jetë, sepse dëshirojmë më të mirën për ta. Mendoj se ata duhet ta zgjedhin vetë rrugën që kanë dëshirë të ndjekin në jetë normalisht duke pasur disa sugjerime nga prindërit. Unë kam ndjekur vetë pasionin për muzikën dhe mendoj se ja kam dalë mbanë shpresoj dhe ato të ndjekin ëndrrat e tyre në jetë. Dhe shpresoj të na bëjnë krenarë.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤