Entela Binjaku: Një tragjedi, dy familje dhe një shoqëri e tërë - Madame

Entela Binjaku: Një tragjedi, dy familje dhe një shoqëri e tërë

Ditën e djeshme në periferi të një qyteti bregdetar dy familje shqiptare humbën fëmijët: njëra prej tyre përjetësisht, tjetra si të ndaluar për vrasje…Ditën e djeshme dy djem humbën përballjen me jetën: njëri prej tyre në mënyrë të pakthyeshme, tjetri për shkak se “nuk kontrolloi dot gjaknxehtësinë”. Nga dje një tragjedi bëri që të dy djemtë i ikën realitetit e një shoqërie që është po aq bashkëfajtore në këtë indiferencë të krijuar.

Aktualisht disa nga dukuritë që po shfaq brezi i ri në vendin tonë janë: dhuna fizike dhe verbale, vjedhjet, sjelljet kriminale, prirjet për të shkelur ligjin. Sigurisht…kjo “nuk ndodh vetëm tek ne”, meqë shumë e pelqejnë këtë mendim mbështetës, por ne për këtë shoqëri tonën po flasim… Sot janë me mijra prindër shqiptarë që shantazhohen nga kërkesat e fëmijëve të tyre, që intimidohen nga shprehjet “dua” dhe “tani”.

Janë me mijra prindërit shqiptarë që jetojnë të dhunuar nga fëmijët e tyre që rebelohen pasi i kanë shantazhuar në mënyrë të përditshme. Prindërit shqiptarë sot janë në kushtet kur autoriteti ju shantazhohet, nuk ju njihet dhe janë shndërruar thjesht në sponsor të pretendimeve të fëmijëve. Siç ka shumë prindër shqiptarë që lëshojnë nga autoriteti për shkak se nuk kanë asnjë mundësi të jenë sponsorë të fëmijëve të tyre.

Prej vitesh të rinjtë tanë janë pjesë e një sistemi arsimor dhe edukues konfuz, të pasigurtë me një paaftësi të shpërndarë në mënyrë të frikshme, një sistem arsimor që nuk të shpërblen asnjëherë dhe që po degradon edhe familjen.

I kujt është faji? Si erdhëm deri këtu? Sot jemi në pikën kur të rinjtë tanë ose duan tja mbathin ose ëndërrojnë të bëhen si disa që për shoqërinë nuk janë askushi.

Të rinjtë e sotëm nuk i sheh ndonjëherë të hedhin plehrat, të pastrojnë dhomën ku rrinë, nuk i sheh të shkojnë te blejnë bukën, të thonë faleminderit nënës për tavolinën e përditshme. Fëmijët shqiptarë sot nëse nuk ju pëlqen diçka shndërrohen në të dhunshëm duke i shantazhuar prindërit me kërcënimin e largimit nga shtëpia, duke refuzuar çdo formë komunikimi të ngrohtë e njerëzor, të atij komunikimi që ju dha jetë.

Atëhëre i kujt është faji që erdhëm deri këtu? Ku i gjejnë modelet të rinjtë tanë në këtë kohë që jetojmë ku nëna dhe babai me formimin e tyre kanë mbetur në vend ose pas, shumë pas? Fajtorë jemi të gjithë ne për dhunën e promovuar në mass-media, për vrapin pas modeleve absurde dhe negative që jua kultivojme dhunshëm duke jua përplasur në fytyrë përçmimin tonë, për të ndershmin, për të lexuarin, për të diturin, për të vetëpërmbajturin.

Sot për të rinjtë tanë vlerë kanë ata që shfaqen të dhunshëm dhe ndjellin frikë. Më i miri i shkollës për të rinjtë është objekt talljeje. Nëse një djalë është i sjellshëm edhe vajzat nisin tallen me të. Nëse është më i çmuari i shkollës, ai që e ngre rating-un e gjithë të tjerëve me vullnetin dhe pasionin e tij për dijen, vajzat nuk dashurohen me të. Sepse ato dashurohen me atë të fortin, që braktis mësimin që preferon kick boxin dhe jo vrapin në natyrë. Nëse më e çmuara e shkollës është vajzë ajo të përfshihet në një grup virtual ku të tjerat do ta vënë në lojë, kur do ta përjashtojnë prej zilisë dhe ku ajo e vetmuar, do ta kalojë edhe ketë fazë të jetës.

Duke u kthyer tek rasti i djeshëm…le të mendojmë për një çast se do të jepet vendimi për të riun vrasës. Pasojat për të do të jenë dramatike! Në burg ai do të mësojë dhunën, të skajshmen tashmë, në vitet e para do ta poshtërojnë, do të abuzojnë dhe do ta nënshtrojnë në mënyrë cnjerëzore. Ai nuk di të as të shkruajë artikuj, që ta dëshmojë atë që po i ndodh. Edhe nëse do të dinte, kush do tja botonte?!

Ai është thjesht një i ri i dalë nga kontrolli familjar dhe i shoqerisë, që më së shumti është modeluar nga një muzikë që ndjell dhunë, frymëzuar nnga modele që për shoqërinë nuk kanë pikë vlere. Ai është një i rritur mes dramës familjare që kush e di sa revoltë ka ushqyer…

Tani ai po rritet dhe po ndërton rolin i tij si individ në kushte qelie, me shkelësit më të dhunshëm të ligjit. Pasi ti kete kryer disa vite, është ai që do të ushtrojë rregullat e ashpra të mësuara aty, ndaj të sapoardhurve me mendjet e turbulluar nga bari. Kur të vijë koha do të dalë! Me siguri me shumë brerje ndërgjegje por me gjasa i rekrutuar dhe ndoshta jashtë do të nisë të vjedhë, do të dhunojë dhe ndoshta…edhe do të vrasë.

Për ngjarjen e djeshme por edhe të te tjerave me parë, apo të atyre që do të vijnë, fajtorë janë të gjithë: prindërit që mendojnë se fëmija edukatën e merr në rrugë, ndërsa ata kanë për detyrë tjua plotësojnë pretendimet. Shkolla me paaftësinë e saj për ta mbajtur në mjediset e ngrohta dhe mikpritëse, për ta nxitur drejt dijes e drejt besimit te vetja…

Prindërit e djalit që vrau dje janë vetëndëshkuar duke mbajtur gjithe jetën përgjegjësinë e mospërfshirjes së tyre. Nëna dhe babai do të duhej të komunikonin me djalin, të kuptonin a ka ndërgjegje kriminale i biri, ajo zbrazje e dhunshme energjie, nuk lindi dje! Ajo kishte qenë aty kohë para se të gjendej edhe një thikë. Ata prindër dje u ndëshkuan për herë te dytë…

Fajtorë jemi të gjithë për dhunën e promovuar në mass-media, për vrapin pas modeleve absurde dhe negative që jua kultivojme dhunshëm duke jua përplasur në fytyrë përçmimin tonë, për të ndershmin, për të lexuarin, për të diturin, për të vetëpërmbajturin.

Me kolegët e Qëndresës Qytetare nga takimet me të rinj në shkolla kemi kuptuar që rruga që parandalon përshkallëzimin e konfliktit në dhunë është edukimi i nxënësve me kulturën e ndërmjetësimit. Disa ditë më parë në një nga shkollat e vendit në një takim me gati 100 fëmijë të moshës 12 vjec biseduam rreth burimeve të zenkave mes tyre, rreth keqkuptimeve, rreth mosmarrëveshjeve. Të mësuar me edukatën e të shprehurit në atë mënyrë që “ne nuk kemi probleme”, sikur “problemet I kanë të tjerët”, fëmijët me të drejtë u shprehën se mes tyre nuk kishte asgjë të tillë.

Kur ju kërkua të imagjinonin se pse lindnin këto probleme tek të tjerë, ata nuk reshtën së përgjigjuri…dhe ato nuk ishin me vetëm shqetësimet e bashkëmoshatarëve të tyre, por ishin mbi të gjitha shqetësimet që ata kishin thjesht nevojën e njerëzve të duhur për tjua thënë!

Për këtë arsye nisëm fushatën tonë “Ndërmjetësit e Rinj”, dhe në bashkëpunim me Programin e Ambasadës Suedeze për Forcimin e Policimit në Komunitet, si rruga e vetme që i i kthen nxënësit në ndërmjetës dhe jo nxitës së konflikteve mes shokëve dhe u shërben atyre për të kapërcyer konfliktet.

Ditën e djeshme një tragjedi preku dy familje dhe një shoqëri të tërë…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤