Elvis Kita, skulpturat me një jetë të dytë

View Gallery
5 Photos
Elvis Kita, skulpturat me një jetë të dytë
IMG_2812-Edit

Elvis Kita, skulpturat me një jetë të dytë
IMG_2854-Edit

Elvis Kita, skulpturat me një jetë të dytë
IMG_2850-Edit

Elvis Kita, skulpturat me një jetë të dytë
IMG_2745-Edit

Elvis Kita, skulpturat me një jetë të dytë
IMG_2743-Edit

Të zbutësh metalin në art. T’i japësh fytyrë një cope druri. Të frymosh objekte pa shpirt. Është kjo filozofia e artistit të ri, i dedikuar ndaj një lloj skulpture urbane që merr jetë nga mbetjet. Riciklimi si mbrojtje e mjedisit, si shprehje e krijimtarisë artistike dhe si thirrje e natyrës. Dëshira për zgjimin e vetëdijes se gjithë mund të riciklohet, gjithë mund të ketë një jetë të dytë apo të tretë. Ja humanoidët prej metali industrial dhe druri të ricikluar të Elvis Kitës.

Foto:Jetmir Duraku

 

 Në natyrë  asgjë nuk krijohet,  nuk humbet asgjë,  gjithçka shndërrohet… Kështu do të thoshte kimisti i shquar frëng i shekullit të tetëmbëdhjetë Antoine Lavoisier, ndërsa kjo maksimë shkencore, me rrënjë të lashta të një filozofie orientale, zë vend fort edhe në artin modern.

Artistë, ambientalistë, njerëz me dhembshuri për planetin tonë blu gjithnjë e më shumë po shkojnë drejt riciklimit. Objektet nuk vdesin, edhe nëse e humbasin funksionin parësor me pak imagjinatë mund të shndërrohen në forma krejt të reja, duke ruajtur lëndën me të cilën janë krijuar fillimisht. Në një epokë ku konsumerizmi prodhon vetëm ndotje, nisma të tillë- edhe pse për të thënë të vërtetën ende të papërfillshme në botën e industrializuar që u krijon banorëve të botës bindjen e rreme se kanë nevojë të vazhdueshme të konsumojnë – çojnë drejt një pakësimi të ndotjes.

Elvis Kita është një prej tyre. Studioja  e tij – një magazinë e vjetër me tulla, me dysheme të shtruar me çimento dhe mure pa suva , kombinim mes urbanes dhe industriales – është e banuar nga personazhe të çuditshëm, të cilëve ai si një Xhepeto u ka dhënë  frymë.

Një palë pinca hekuri kanë marrë pamjen e një burri të menduar, ulur mbi një daltë, një shufër hekur është kthyer në çiklist, një copë e madhe druri është latuar në arlekin, e pranë tij një violinist po prej druri, bulona, çelësa anglezë, shufra , elementë ingranazhesh, sharra, tuba plastikë, degë pemësh, dru në forma asimetrike që marrin forma portretesh njerëzorë, e që rrinë ekzpozuar në mure pranë fytyrave gjigande të bëra prej metali apo argjile …

E nisi dy vjet më parë këtë aventurë artistike me këtë lloj  skulpture  urbane që i shndërron mbetjet në vepra arti, edhe pse nuk ka një formim akademik në asnjë degë të arteve.

Ishte dashuria për natyrën, kërkimi i shpirtërores edhe te objektet e paanimuar që e shtynë dy vjet më parë t’i dedikohej këtij lloji arti, duke i rrëmbyer kohë çdo ditë e më shumë punës së përditshme me krijimin e objekteve apo mobilieve që shërbejnë për arredimin e brendshëm të shtëpive, zyrave apo edhe mjedisesh të tjerë.

Si në punë ashtu edhe në art ka zgjedhur të mos përdorë lëndë të re, porse t’i japë jetë, formë dhe kuptim tjetër lëndëve të përdorura më parë, qoftë dru apo metal.

“Materialet i ble te ata që shesin materiale të përdorura” –tregon ai kur e pyesin se ku i mbledh gjithë ato pjesë ingranazhesh apo copa metali të cilat më pas i punon duke i lakuar e  u dhënë formë, që shpesh dalin nga imagjinata pa pasur ide fillestare.

“Ajo çka dua të përcjell është tek  unë pa ditur mirë ta shpjegoj”- thotë ai, ndërsa rrallë e nis me një ide konkrete në letër. Por edhe nëse e ka një të tillë, marrëdhënia që ka me copën e metalit apo të drurit është ajo e një metamorfoze, që shpesh udhëhiqet nga vetë objekti sesa nga duart e tij. Edhe ai vetë është i habitur kur sheh të përfunduar  një prej veprave të tij, duke lënë më shumë të pavetëdijshmen të punojë në vend të punës precize apo racionalitetit. “Më tërheq gjithmonë dëshira të zbuloj çfarë unë jam dhe të tejkaloj kufijtë e kreativitetit  tim”- vijon ai, duke shtuar se thuajse gjithmonë del një vepër paska surreale. Edhe mënyra e të punuarit nuk është gjithnjë e njëjta, sepse me zgjedhjen e formës së procesit të të punuarit ai zgjedh edhe mënyrën e të shprehurit. “Eksplorimi  në botën e pafund të artit nuk ka as fillim e as fund. Është një urdhër i brendshëm që s’të lë asnjëherë në paqe”.

Pas dy vitesh intensive krijimtarie, i influencuar edhe nga ata artistë që e kanë fokusuar punën e tyre në këtë lloj arti, Elvis Kita mendoi se ishte koha t’i prezantohej publikut me punimet e tij. Kështu erdhi ekspozita e parë në Muzeun Historik Kombëtar, ku së bashku me piktoren Albina Dhima ndanë mjedisin duke i propozuar dashamirësve të artit thuajse një botë të re, jashtë mënyrës madhështore të skulpturës klasike.

Nëse për mjeshtrit e gdhendjes së figurave njerëzore sekreti qëndron te përsosmëria dhe imitimi thuajse në besnikëri i anatomisë njerëzore, për Elvisin ishte përshtatja e elementit të vrazhdë që duket se nuk ka asgjë artistike të hekurit që vjen në formë pincash e bulonash, me graso apo edhe të pavajosura, në ngjyrë të errët e me aromë të fortë metali, në gjymtyrë gati njerëzore. Një frezë si një fytyrë, dy rondele si sy, dy sharra si një palë mustaqe e kështu fantazia duke se çlirohet nga brendia duke marrë forma të gjithfarëllojshme. Ishin dymbëdhjetë punime, ato më të spikaturat e krijimtarisë së tij, të cilati zgjodhi për t’u paraqitur në ekspozitën e dhjetorit. “Reagimet e para ishin inkurajuese dhe pozitive” – zbulon ai.

Sa u përket materialeve me të cilat punon, thotë se hekuri dhe druri janë materiale të forta e nuk tolerojnë gabime. “Duan më shumë vëmendje e përkushtim, po aq edhe vizion për të parë se ku do të të çojnë”. Mbase lehtësia e tij për të zbutur hekurin, e sidomos atë të përdorur për objekte industriale i vjen edhe nga pasioni tjetër për muzikën, veçanërisht atë të rrokut metal.

Mbase pavetëdijshëm funksionon i njëjti parim, se asgjë nuk krijohet veçse shndërrohet. Mbase skulpturat e tij fillimisht mbërthehen në imagjinatën artistike si tinguj, kur ai luan në bateri në studiot e nëndsheshme me bandën e tij, mbase janë shpirtrat e atyre objekteve që lëngojnë në landfille, me potencialin për të marrë një jetë të re, por jo çdokush e dëgjon thirrjen e tyre. Këtë Elvisi e mban për vete, por thotë se i lë kundruesit të marrë atë që sytë e tij shohin, pa dashur t’u sqarojë rrugëtimin, kuptimin apo titullin e një vepre. Ajo çka ai do është të ndikojë te sa më shumë njerëz në zgjimin e vetëdijes se gjithë mund të riciklohet, gjithë mund të ketë një jetë të dytë apo të tretë. Vetë natyra na e ka mësuar këtë…

 

 

 

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤