Elsamed Senaj: Të realizosh një videoklip……

Në një vend muzikëdashës si Shqipëria, numri i këngëve dhe klipeve që shohim çdo ditë është relativisht i madh. Por ajo që na shfaqet është vetëm rezultati i një pune rigoroze. Secili nga ne e ka pyetur veten se si realizohet ai ‘minifilm muzikor’, sa kushton, sa kohë kërkon etj., ndaj për të qartësuar dilemat tona kemi intervistuar drejtuesin e studios ‘Fullmoon Production’, Elsamed Senaj, e cila së fundmi është bërë një nga më të frekuentuarat nga artistët.

Si lindi ideja e ndërtimit të një studioje e cila ka në fokus videoklipet dhe reklamat dhe pse e quajtët pikërisht ‘Fullmoon Production’?

Përshëndetje, faleminderit për intervistën dhe interesimin tuaj!

Në fakt, unë kam vite që merrem me produksion dhe me muzikë. Gjithashtu, e fejuara ime është regjisore dhe skenariste. Duke qenë pjesë e së njëjtës disiplinë artistike, sjellja e diçkaje ndryshe në Shqipëri frymë të re artistike, ka qenë gjithmonë qëllimi i të dyve.

Jemi menduar shumë gjatë për emrin e produksionit, ngaqë do të jetë gjithmonë imazhi dhe përfaqësuesi i punës sonë!

‘Fullmoon’ (Hënë e Plotë ) simbolizon mbarësi, dhe për më tepër nata kur e kemi vendosur, ka qenë me hënë të plotë. Në përputhje me emrin ne ofrojmë si produksion ‘Fullpackage’ çdo artisti.

Duke qenë se numërojmë disa studio klipesh në Tiranë dhe konkurrenca me ato, që kanë qenë më herët në treg normalisht është shumë e madhe, si arriti që emri i studios tuaj të bëhej i njohur për artistët?

Pikërisht konkurrenca bën ndryshimin. ‘Ndryshimi jemi ne’, kjo është dhe motoja jonë. Besoj kemi arritur deri këtu me punë dhe përkushtim ndaj çdo artisti. Ndryshimi ynë nga të tjerët qëndron në faktin se ne krijojmë dhe realizojmë skenarin 100%.

Ju realisht nuk keni shumë kohë në treg, por mes bashkëpunimeve tuaja gjejmë dhe emra si Young Zerka, Alban Skënderaj, Sabiani etj. Cili është avantazhi juaj pse figura të tilla të njohura të muzikës ua besojnë juve projektet e tyre?

Na i besojnë projektet sepse na besojnë ‘NE’, punës tonë dhe realizimit të tyre në formën më të mirë të mundshme për çdo artist .

Cili ka qenë klipi i parë që ka prodhuar studioja juaj?

Ne kemi realizuar dhe shumë klipe të tjera më parë, por pa emrin e kompanisë sonë. Mund të përmend emra si Greta Koçi, Kida, Fero ft Sparksi, Endri, Rina etj. Ndërsa klipi i parë nën logon e ‘Fullmoon – Production’ është ai i Dylan Reka -‘Ça i bone vetes’.

A mund të veçoni një projekt që ka rezultuar një sukses i vërtetë, duke rritur prestigjin e sipërmarrjes suaj?

Ne jemi të bindur se çdo videoklip ka pasur suksesin e tij, duke ditur se çdo artist ka një publik të ndryshëm që e do dhe e mbështet për një arsye apo një tjetër, por gjithsesi mund të bëj një veçanti. Një klip shumë artistik dhe që ka patur shumë vlerësime nga masa e gjerë ishte ai i bashkëpunimit të Alban Skenderaj me Young Zerka.

Në çfarë etapash kalon realizimi i një videoklipi dhe sa kohë merr mesatarisht ky proces?

Çdo punë ka lodhjen e saj dhe kjo e jona nuk përjashtohet, por pasioni me të cilin punojmë na bën që të mos e ndiejmë as lodhjen dhe as kohën. Për të realizuar një videoklip shumë të mirë nevojitet minimalisht 1 muaj kohë. Fillimisht duhet menduar saktësisht ideja e videoklipit, pastaj në bazë të skenarit do të gjejmë të gjithë komponentët e nevojshëm, që do të përdoren.

E rëndësishme është të vendosen ‘lokacionet’ e sakta dhe ku do bëhen xhirimet. Procesi i xhirimit zgjat mesatarisht 1 ose 2 ditë, në varësi të klipit me të cilin jemi duke punuar. Pas kësaj kalohet në montazh dhe në fund punohet me ngjyrat. Këto janë hallkat e zinxhirit nëpër të cilin kalon realizimi i një klipi.

Në intervista të këngëtarëve të ndryshëm kemi parë se shifrat e parave që duhen për të bërë një videoklip janë shumë të mëdha, në rendin e miliona lekëve të vjetër. Pse ky çmim? Çfarë kostosh ka një studio që punon për t’i realizuar ato?

Çdo videoklip ka kosto në bazë të skenarit mbi të cilin realizohet. Normalisht dhe skenari krijohet duke ditur paraprakisht buxhetin e klipit që kërkon këngëtari, por ato me miliona janë më të rralla në Shqipëri. Çmimet më të zakonshme variojnë nga 2000 deri në 5000 euro duke përfshirë shumë njerëz që do të paguhen brenda kësaj shume. Pas një videoklipi është një staf që punon dhe normalisht secili ka pjesën e tyre të fitimit. Ne si kompani punojmë me teknologjinë më të fundit për sa u përket pajisjeve, si: kamera, drone, ndriçim e shumë gjëra të tjera, por pajisjet janë shumë të kushtueshme dhe kjo është një tjetër arsye që justifikon çmimin.

Pajisjet janë posaçërisht për prodhimin e reklamave dhe videoklipeve. Por këtu në Shqipëri ndodh diçka, shumë kompani të tjera më të vogla e prishin tregun dhe sidomos cilësinë, duke punuar me aparate apo shpesh edhe me ‘smartphone’, gjë që nuk ka lidhje me realizimin e një videoje të mirëfilltë. Në një vend me dukuri të tilla urojmë që artistët të kuptojnë diferencën.

Sa e vështirë është të punosh me artistë që kanë shumë eksperiencë në muzikë e sidomos me femrat të cilat janë edhe më detajiste se gjinia tjetër? A keni patur ndonjë situatë ku këngëtarit nuk i ka pëlqyer rezultati dhe si veprohet në këto raste?

Realisht çdo këngëtar është detajist sepse imazhin e tyre na kanë besuar neve, dhe normalisht duhet patur shumë kujdes pasi çdo njeri që paguan, i ka pritshmëritë e mëdha për produktin që do të marrë. Deri tani, fatmirësisht, nuk kemi patur asnjë situatë pakënaqësie duke qenë se secilit prej artistëve i kemi kushtuar vëmendje maksimale në çdo pikë, deri në përfundim të videos sipas planifikimit tonë. Përgjithësisht, në produksion çdo person e bën punën vet dhe nëse organizimi është i mirë në ditën e xhirimeve asnjëherë nuk mund të ketë probleme me artistin pas kësaj faze shprehet Elsamedi për Mapo.al.

Për sa i përket mjedisit ku zhvillohet klipi, a është kjo një zgjedhje që e bën studioja apo këngëtari? A operoni jashtë apo vetëm brenda trojeve shqiptare?

Shiko, në shumicën e rasteve është këngëtari ai që e sjell këngën dhe ne i bëjmë skenografinë në bazë të saj. Më pas ia prezantojmë artistit dhe në momentin që është dakord, detyra jonë është të vazhdojmë punën për realizimin e projektit.

Duke qenë se ne luajmë më shumë me skenarë të mirëfilltë, përgjithësisht xhirojmë brenda trojeve shqiptare. Fokusi kryesor është Tirana, por mund të xhirojmë kudo në Shqipëri dhe jashtë saj.

Kohët e fundit shumë këngëtarë nga Kosova zgjedhin studiot shqiptare muzikore dhe të videoklipeve për këngët e tyre, po ju a keni bashkëpunime me ndonjë prej tyre? Nëse po, me cilin?

Disa nga artistët e Kosovës i kam përmendur edhe më lart dhe është kënaqësi që emrat më të preferuar të momentit na zgjedhin ne. Janë absolutisht dhe shumë të tjerë, personazhe të cilëve u kemi realizuar klipe, madje disa nga këngëtarët më në zë do të hedhin në treg klipet e tyre ditët në vijim. Përgatituni të shihni një punë dinjitoze.

Sa i madh është evolucioni që keni patur ju si studio që nga fillimet e deri tani dhe çfarë vizioni keni për të ardhmen?

Ata që kanë punuar me ne deri tani, e kanë parë të gjithë mënyrën e punës dhe kanë dalë shumë të kënaqur. Kemi pak kohë në treg, por kemi realizuar mbi 25 klipe për pak muaj. Vizioni ynë është, të sjellim ndryshim në Showbizin shqiptar.

Sa u përket videoklipeve apo bizneseve për reklamat, çdo artist duhet të shitet në video në mënyrën e duhur, të trajtohet në mënyrën e duhur dhe të ketë ide sa më kreative dhe atraktive. Normalisht edhe ne si produksion nuk kënaqemi kurrë me arritjet tona dhe kjo na bën të ecim përpara dhe të përmirësohemi, ndaj të ardhmen e parashikojmë shumë më të mirë se realitetin aktual sepse puna virtuoze dhe energjia e investuar s’kanë sesi të përkthehen ndryshe veçse në sukses

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤