Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara

View Gallery
9 Photos
Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara
elona-gjebrea-cover-cmyk

Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara
elona-gjebrea-foto-2

Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara
foto-3-cmyk

Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara
img_2928

Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara
img_2968

Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara
img_3000

Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara
img_3025

Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara
18557505_396465884082651_24123652004480320_n

Elona Gjebrea; Një zë i grave të pa përfaqësuara
18581742_396465680749338_8954839207429907631_n

Me një profil jo shumë mediatik, emri i saj  në  krye të listës së Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës zgjoi jo pak  kureshtje. Befas, të gjithë donin të dinin diçka më shumë rreth gruas që mban postin e zëvendësministres së Brendshme.

Po kush është aktivistja e shoqërisë civile, që erdhi në politikë si një “outsider” për të qenë në krye të kandidatëve për deputetë të forcës së majtë, në qarkun, ndoshta më të rëndësishëm të vendit?  

Me të ardhur në Parlamentin Shqiptar si deputete, ajo zbulon se së pari do të jetë një zë i grave të papërfaqësuara, në betejat për  fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë shqiptare…

 

 Nga Suadela Balliu

Foto: Jetmir Duraku

 
4 Tetorin e vitit 2013 e kujton si të ishte dje, madje edhe mesazhet që i mbërritën në telefon, ku miqtë e pyesnin  në ishte ajo Elona, emrin e së cilës kishte përmendur kryeministri teksa emëronte  zëvendësministrat e qeverisë së re, apo kishte një tjetër me të njëjtin emër që po merrte atë post në Ministrinë e Brendshme. E njëjta habi në mesazhet e pak ditëve më parë ku në krye të listës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e  2017 –ës ishte emri i saj.

“Që ishte mundësia të përfshihesha në listët e qarkut të Tiranës, isha në dijeni, por që ta kryesoja atë ishte një surprizë edhe për mua” – pranon Elona Gjebrea, ndërsa ka nisur të koordinojë angazhimet mes ministrisë dhe takimeve me elektoratin në ‘Njësinë nr:1’, ku ajo është zgjedhur për t’u përfaqësuar.

“Dua të theksoj –ashtu  siç e bëri të qartë edhe kryetari i qarkut të Tiranës, z.Tahiri – se nuk ka rëndësi renditja, por e rëndësishme është se do të funksionojmë si ekip në këtë sfidë të bukur, por edhe me shumë përgjegjësi”.

Edhe këtu bashkëpunimi me Saimir Tahirin, i cili deri pak kohë më parë mbante postin e ministrit të Brendshëm dhe epror i saj, vazhdon të jetë i ngushtë.

“Kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë me z.Tahiri në krye të Ministrisë së Brendshme dhe tani ky bashkëpunim vazhdon edhe në funksionin që ka ai si kryetari i listës dhe shpresoj se do të kemi mundësinë dhe atë besim që na dha Partia Socialiste dhe në këtë rast kryeministri Rama t’ia shpërblejmë me punë dhe fitore, me një rezultat sa më  të mirë”.

Me t’u bërë publike lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, nuk munguan titujt që e cilësonin Gjebrean gruan e hekurt të Ministrisë së Brendshme në krye të listës së PS. Qesh kur ia përmend, duke shtuar “Vetëm e hekurt që nuk jam”, ndërsa pozon përpara fokusit të fotografit. Një ditë më parë ka festuar ditëlindjen e dyzetenëntë dhe zyra është ende e mbushur me buqeta lulesh. Ajo që tërheq veçanërisht syrin është një kompozim stil bohem me bazë trëndafilash  ku dominon një rozë e çelët, brishtësia e të cilëve vihet më në pah nga lulet shoqëruese në nuanca vjollce, vendosur mbi një tavolinë të vogël të bardhë, në stil barok. “Janë lulet që më dhuroi kryeministri për ditëlindje” – plotëson ajo, duke shtuar se  do i marrë me vete në shtëpi këtë mbrëmje.

Kur e pranoi detyrën katër vite më parë – vite që i quan të mbushura me sfida –kishte nga ata që ia përmendën sesa hijerëndë duket ajo ministri për një grua, një grua si ajo që  në politikë ishte një “outsider” dhe i vetmi angazhim i saj publik vinte nga shoqëria civile.

“Janë katër vite të mbushura me sfida.  Them se bëra shumë mirë që pranova, pasi për hir të së vërtetës kam pasur hezitim kur kjo punë m’u ofrua. Është përgjegjësi e madhe  dhe mendoj se do të jetë eksperiencë unike në CV-në time, e cila mendoj  se do të jetë e gjatë” –shton  Elona, ndërsa thotë se pas pak ka një takim me gratë në lagjen “Ali Demi” e po ashtu edhe ditën e shtunë e të diel do të jetë në atë zonë me aktivitete, një ecje nga Shkolla “1 Maji” deri te shkolla “Kushtrimi i Lirisë”, për të biseduar me banorët e zonës mbi problematikat që hasin në jetën e përditshme në komunitet dhe jo vetëm.

“Mendoj se në profilin tim –dhe  me aq sa kam dhënë –do  të jap më të mirën, por sigurisht edhe për t’u përfaqësuar më mirë dhe për t’u dëgjuar zëri i grave, jo i  atyre që kanë mundësi që të jenë të përfaqësuara, por i  atyre të papërfaqësuara,  që mua më ka rënë rasti t’i has në punën time”.

Si zëvendësministre e Brendshme, Gjebrea ka drejtuar Zyrën e Koordinimit Kombëtar në luftën kundër trafikimit të personave. “Kam dëgjuar dhe vazhdoj të dëgjoj histori të trishta dhe në disa raste puna për të bërë më të mirën ka qenë shumë e vështirë. Më vjen keq që në 2017 –ën kemi ende raste të dhunimit, të trafikimit. Kjo na ndesh me sfida për të bërë të mundur që gruaja të jetë më e përfaqësuar dhe për të ndalur dhe parandaluar abuzimin e saj. Kështu që zëri im do të jetë zëri që do të përfaqësojë gratë e pamundura, gratë që kërkojnë një jetë të mirë, që janë gra dhe duhet të përfaqësojnë anën më të bukur të shoqërisë, që jo gjithmonë është kështu”.

Megjithë specifikat dhe vështirësitë që ka Ministria e Brendshme- gjë që e bëri të hezitonte në fillim për ta pranuar detyrën- thotë se nëse do të kish refuzuar do të kish bërë gabimin e jetës. “E mira ka qenë se kam pasur një punë specifike, një target që  kishte të bënte shumë me luftën ndaj trafikimit ë personave dhe kur e  mora detyrën Shqipëria ishte vendosur në  listën e zezë të vendeve trafikimit të personave; ajo që njihej si  kategoria dy e vendeve në vëzhgim”.

Nuk do të thoshte një pozicionim i keq për Shqipërinë, por më e keqja vinte prej sanksioneve financiare që lidheshin me pozicionimin. “Nëse Shqipëria , në vitin 2014, nuk do të dilte nga ajo listë, rrezikoheshim që ShBA të ndërmerrnin sanksione financiare kundrejt vendit tonë. Nuk ishin të lidhura detyrimisht vetëm me fushën e trafikimit, por edhe më gjerë” –tregon  ajo  mbi përgjegjësinë që kishte, së bashku me ekipin e ministrisë, për  bërjen e reformave dhe të luftonte fenomenin. “Edhe pse fenomeni nuk mund të eliminohej krejtësisht, ishte vullneti për ta luftuar dhe për të treguar se dimë të funksionojmë e të ngremë mekanizma për të bërë këtë luftë”.

Në qershorin e vitit 2014, Shqipëria doli zyrtarisht nga lista, duke u ngjitur një kategori më lart. “Ishte arritje e dukshme që më dha shumë emocion. Nuk ka të bëjë thjesht me uljen e numrit të personave të  trafikuar. Nëse flasim me  statistika ka një trend konstant me ulje të lehtë,  por janë rritur rastet e referimeve të policisë, si edhe dënimeve nga Prokuroria dhe Gjykata. Tani ka standarde që funksionojnë përmes qendrave si edhe kemi mekanizmin kombëtar shumë funksional që udhëhiqet nga zyra e koordinatorit kombëtar në Ministrinë e Brendshme, pra nga unë”.

Janë gjashtëmbëdhjetë institucione shtetërore, jo shtetërore dhe organizata jofitimprurëse të cilat janë mbledhur bashkë  duke koordinuar punën. Puna ka dhënë fryte në formën e informacionit më të shpejtë për ndihmë ndaj viktimave të trafikimit, strehëzat që ofrojnë shërbime, por edhe mundësitë konkrete për integrimin sërish të këtyre viktimave në shoqëri. Në sajë të punës së këtij mekanizmi është arritur t’u ofrohen karta shëndeti falas apo edhe përfshirja në skema të punësimit apo subvencionimi në skema të vogla biznesi, etj.

Një rrugë të mbarë, por të gjatë e quan Elona Gjebrea këtë segment të punës së saj, për të cilin flet me aq pasion dhe dëshirën e pamohueshme që do të donte ta çonte përpara edhe në katër vitet e ardhshme, nëse në qeverisje do të jetë sërish e njëjta forcë politike.

“Është  nga ato punë që do më pëlqente edhe një katërvjeçar, por  nga ana tjetër janë edhe përgjegjësi përsa i përket sfidave të reja që tashmë më presin,  dhe në këtë rast fakti që jam në  listë do të ma privojë mundësinë për të qenë zëvendësministre, megjithatë zëri im do të jetë në Kuvend, sa i përket fuqizimit të grave dhe patjetër do të jetë në fokus gratë e trafikuara dhe të dhunuara”.

Me një lidhje të ngushtë me botën akademike, kur prej më shumë se një dekade ajo lekton lëndë të shkencave të natyrës në Universitetin e “NewYork, Tirana”, Gejbrea e di se sa më shumë e arsimuar të jetë një vajzë apo një grua, aq më e vetëdijesuar është për të mos rënë pre e rrjetit të trafikut njerëzor.

“Më ka rënë rasti të takoj shpesh gra e vajza të dhunuara e trafikuara dhe kam biseduar me to, edhe pse biseda nuk është aq e lehtë me to për shkak të specifikës dhe asaj çka kanë kaluar, por është e nevojshme që pozita e gruas – veçanërisht e grave që vijnë nga zonat rurale e nuk kanë shkollim të mjaftueshëm – të forcohet. Kjo do të thotë të ofrojmë mundësi për  këtë target  grup dhe të kemi rritje të ndërgjegjësimit. Ky është aspekt i rëndësishëm i punës sonë. Patjetër një vajzë e shkolluar është një risk më pak në fushën e trafikimit, por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur raste kemi edhe raste të pakta, por shumica e rasteve është e grave pa shkollim të mirë. Një edukim i mirë do të thotë fuqizim i gruas dhe fuqizimi i gruas do të thotë më pak rrezik për ë rënë pre apo joshur për arsye financiare nga rrjeti i trafikimit”.

Një nga arritjet e fushatave ndërgjegjësuese është bërja e tetorit, muaj  të luftës kundër trafikimit të personave. “ …dhe na ka dhënë rezultate,  sepse kemi punuar me  disa strategji të njëjta, në nivel qarku,  dhe nuk kemi dalë nga fokusi i punës që bëhet në zonat urbane, por  edhe është punuar shumë në zonat rurale. Kemi fuqizuar komitetet  rajonale të luftës kundër trafikimit, që nuk kanë qenë shumë të vlerësuar, por  janë të rëndësishëm dhe pushteti lokal duhet të punojë më shumë për evidentimin e rasteve të trafikimit dhe parandalimin. Fokusi në të ardhmen duhet të jetë te parandalimi, për të pasur më pak raste të trafikimit. Është proces  i gjatë dhe jo i lehtë dhe kërkon bashkëpunim dhe koordinim të të gjithë strukturave,  nga pushteti qendror dhe lokal”.

Gjebrea shpreson që përtej fushatave, shkollave verore për ndërgjegjësim aplikacioneve që mund të shkarkohen lehtë në celularë për të raportuar rastet e dhunës apo të trafikimit, siç është “Raporto- shpëto” që gjendet në Google play, apo linja e dedikuar kundër trafikimit “116-006”, edhe Ministria e Arsimit të ofrojë paketa më të mira edukative, sa i përket rasteve të trafikimit.

…Ata që u çuditën katër vjet të shkuar kur dëgjuan emrin e saj të dekretohej si zëvendësministre e Brendshme, e kishin një arsye të fortë. Gjebrea nuk ka ardhur në postin që ka pas një angazhimi të gjatë në politikë.

Angazhimi i saj i gjatë, prej vitit 1991 – kur  edhe u diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës – ka qenë në fushën e Biologjisë.

Pasi u diplomua në Gjenetikë, apo siç njihej ndryshe  Biologjia 5-vjeçare , nisi punë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Asokohe ishte e vetmja biologe në spital.

E rritur në një familje, me të dy prindërit mjekë, ambicia e saj për formimin profesional ishte të ndiqte të njëjtën rrugë . “Asokohe doli një rregull, që i kufizonte fëmijët e mjekëve të aplikonin për Mjekësi. Fusha më afër mjekësisë ishte gjenetika, kështu u promovua Biologjia 5vjeçare dhe u detyrova me dhimbje të pranoja të studioja në këtë fushë të Shkencave të Natyrës dhe që në fakt është pasioni im. Nuk jam penduar asnjë moment që kam zgjedhur këtë profesion, ndoshta ishte edhe më mirë se të bëhesha mjeke”.

Qysh në vitet e para  ’90 i krijoi kontaktet me Perëndimin për të gjetur mundësitë e studimeve jashtë vendit apo aderimin në organizata ndërkombëtare.

“Falë këmbënguljes  arrita të anëtarësohem që herët në organizata ndërkombëtare që merreshin me punë kërkimore dhe arrita  të isha e vetmja aerobiologe në Shqipëri , një fushë shumë e veçantë dhe e bukur, që lidh biologjinë me  mjekësinë dhe merret me analizimin e grimcave të ajrit, të cilat mund të  bëhen shkak të fenomeneve alergjike.

Mundësi shumë e mirë për të kuptuar sa rol ka biologu në fenomene të caktuara dhe ndihmon mjekët për të diagnostikuar në kohë, rastet e alergjisë. Vendet europiane kanë investuar  shumë në këtë degë të re, por  fatkeqësisht në  vendin tonë  nuk ka pasur mbështetjen  apo promovimin e duhur. Mendoj se  pjesë e programit të Partisë Socialiste do të jetë dhënia përparësi akademisë dhe kërkimit shkencor. Kjo më ka detyruar, duke mos arritur dot të gjej mbështetjen e duhur për punë kërkimore, e cila duhet të funksionojë në punë grupi, të bëj një devijim për të parë një mundësi më të mirë, që nuk do të më lindte shumë të penduar për investimin afatgjatë në shkencë”.

Në fushën e saj, Elona Gjebrea, vazhdon të mbetet ende e vetmja aerobiologe në Shqipëri, disiplinë për të cilën është doktoruar në vitin 2008,  Universitetin e Worcester-it , në Britaninë e Madhe. “ Kam marrë bursën “Chevening scholar”  që jepet nga Ministria  e  Punëve të Jashtme  e Mbretërisë së  Bashkuar dhe ndihem e vlerësuar që arrita ta fitoja dhe e kam shpërblyer me punën time dhe i kam shërbyer më mirë vendit tim” .

Pasionin për shkencat e natyrës, me gjithë përpjekjet për të ndikuar, nuk arriti t’ia përcillte të bijave, binjake, të cilat zgjodhën të studionin Ekonomi. “Më vjen keq që fëmijët e mi nuk zgjodhën rrugën e mamasë apo të gjyshërve. Nuk ia dola dot t’i influencoja. Të rinjtë sot ndikohen më shumë nga interneti, bashkëmoshatarët apo edhe mundësitë që ofron tregu i punësimit” – rrëfen Elona, duke shtuar se keqardhja më e madhe është se dy vajzat e saj, nuk do ta shfrytëzojnë atë bibliotekë gjigante, të mbushur kryesisht me libra të shkencës, të cilën ajo e ka ndërtuar ndër vite.

Të lexuarit është nga ato pasione, që nuk i zbehen as me angazhimet që ka aktualisht. “Momentalisht kam në dorë një libër mjaft interesant “The selfish gene”, që shpjegon sesa rol ka gjenetika në formimin e karakterit”. Një tjetër interes po aq të madh  ka edhe për librat autobiografikë.

Kujton se kur studionte në Mbretërinë e Bashkuar kalonte me orë të tëra duke lexuar  në libraritë secondhand, ku edhe gjente libra të  vyer në fushën e saj dhe me pak para. Aty ka parë sesi anglezët janë jo vetëm të pasionuar pas librave, por edhe dhurojnë shumë të tillë. Këtë e bën shpesh, sidomos kur sheh njerëz nga grupe të caktuara që nuk munden t’i blejnë.

Britania ka pasur një ndikim në madh jo vetëm në formimin shkencor, por edhe në krijimin e rretheve të ngushtë shoqërore, ku ende ruan jo vetëm kujtime por edhe miq të mirë, të cilët i viziton shpesh dhe nuk humbet asnjë rast të udhëtimeve drejt Britanisë, edhe kur shkon për konferenca, sepse me t’u krijuar pak  kohë e lirë gjendet menjëherë në shoqërinë e miqve dhe mikeshave,  të cilët i quan miq të vërtetë dhe ka kënaqësi të ndajë biseda me ta, çdoherë.

Po ashtu stilin britanik e ka sjellë edhe brenda shtëpisë, me dekorin, mobiliet apo atmosferën.

Në shtëpinë e saj përveçse është një bashkëshorte dhe nënë , është shumë e dhënë pas kujdesit për qenin e familjes, një rodweiller, të cilin pranon se e do shumë dhe ndjeshmërinë ndaj kafshëve e ka të lartë.

Tashmë vajzat e saj janë të rritura, sapo kanë hyrë në të njëzetat dhe karriera e saj është e stabilizuar dhe ecën në ngjitje prej vitesh, por si çdo gruaje me ambicie profesionale  e pranon se rrugëtimi nuk është fort i lehtë dhe vetëm mund të arrihet me mirëkuptimin brenda familjes.  “Kam qenë me fat,  sepse kam pasur mbështetje  nga familja ime dhe e  bashkëshortit, si edhe nga vetë bashkëshorti dhe kurrë nuk janë bërë pengesë në rrugëtimin tim të vështirë, për të ralizaur detyrat që ka një grua dhe një nënë. Më vjen keq që nuk  kam qenë shumë prezente për vajzat e mia dhe familjen time gjatë këtyre pesë viteve që shkoja dhe vija në Angli,  por mendoj  se ishte mundësi e jashtëzakonshme për të më formuar dhe ndihmuar në vizionin më të hapur për t’iu qasur gjërave. Mendoj se familja është shtylla kryesore për t’ia dalë. Por në këto raste mendoj se nuk ka sekrete. Sigurisht mënyra si prindërit më kanë rritur mua dhe motrën, se me punë fitohet gjithçka, por edhe pikëtakimet me bashkëshortin…Ndaj nuk ka qenë surpriza për mua mbështetja e tij. E kam ditur qysh në fillim se do ishte në krah, ai dhe familja e tij”.

Njëlloj e përkrahën edhe kur zgjodhi të pranonte postin e zëvendësministres në një prej Ministrive më ën qendër të vëmendjes mediatike e të opinionit publik, sidomos vitin e fundit.

“Sigurisht që nuk më ka ardhur mirë që Ministria  e Brendshme ka qenë në fokus të kritikave dhe të gjithë oponencës që ka bërë opozita. Shumë here jam ndjerë edhe keq për akuza të pavërteta dhe shumë herë na është dashur të dalim në konferenca për  shtyp ndoshta të pazakonshme,  në historinë e politikës shqiptare,  për mënyrën  si është shënjestruar  dhe sulmuar Ministria e Brendshme, por jo të maturon për të reflektuar pozicionin që duhet të kesh dhe të bën të kuptosh se çfarë të pret në politikë,  në kuptimin e mirë të fjalës. Pra, duhet të jesh më i kujdesur të

mos marrësh çdo gjë me pasion, por në gjithë qëndrimet të mbizotërojë më shumë logjika dhe argumenti. Kjo është një nga gjërat që kam mësuar nga Ministria e Brendshme. Në fillimet e mia më bënin shumë përshtypje akuzat,  por me kalimin e kohës, duke qenë më në brendësi të punës dhe duke ditur gjithë dimensionin e asaj që bën ministria,  më kanë bërë të jem më e maturuar në pozicionin tim. Sigurisht që Ministria e Brendshme jo çdo gjë e ka bërë mirë. Ka pasur momente që po t’i shihnim tani jam e bindur se do i bënim ndryshe , por është një eksperiencë,  e theksoj këtë, unike për mua. Jam me fat që m’u dha mundësia në këtë periudhë të vendit tim, të kontribuoja”.

Një kontribut që pret ta vazhdojë më tej, në rolin e deputetes në Parlamentin Shqiptar , me vizionin e forcës politike që tashmë ka vendosur të përqafojë dhe me bindjet personale, për të qenë një zë i dëgjuar për çështje të rëndësishme të vendit.

 

Jetëshkrimi

Elona Gjebrea është lindur më  18 maj 1968 në Tiranë. Shkollën e Mesme e Kreu në Gjimnazin “Sami Frashëri”, ndërsa studimet e larta në  Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës,  për Biologji  5-vjeçare, diplomuar në vitin 1991. Në vitin 2004 përfundon studimet Master të Shkencave  në po të njëjtin fakultet dhe më  2008 merr titullin

Doktore e Shkencave nga Universiteti Worcester dhe Conventry, Mbretëri e Bashkuar në vitin 2008.  Prej vitit  1992 e deri në  vitin 2002  ka punuar si biologe, pranë klinikës së Alergologjisë, Qendra Spitalore Universitare  Nënë Tereza. Prej 2004 –ës është  Pedagoge në Universitetin e New York, në Tiranë. Ka qenë Drejtore ekzekutive e Qendrës shqiptare për popullsinë dhe zhvillimin, Tiranë  nga tetori   2005 deri në shtator 2013 dhe dy muaj më vonë, në nëntor të vitit 2013 bëhet Koordinatore Kombëtare e MARRI ( Iniciativë globale për migrimin, azilin dhe refugjatët, ndërsa aktualisht mban postin Zëvendësministre e Punëve të Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare kundër Trafikimit të Personave, në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në fushën profesionale ka kryer një sërë studimesh dhe kërkimesh shkencore si edhe është autore e publikimeve në fushën e aerobiologjisë. Për disa muaj në periudhën 1994-1995 ka kryer një studim shkencor në Stokholm. Është vlerësimin me  Çmimin për kërkimin shkencor  më të mirë të vitit, Universitetit i NewYork Tirana, 2011.

Angazhimet e saj shoqërore  nisin herët me anëtarësimin në disa  organizata dhe shoqata ndërkombëtare dhe shkencore. Nga vitet 1997 deri në  2012 –ën  është  anëtare e disa shoqatave ndërkombëtare, si edhe ka marrë pjesë në shumë takime ndërkombëtare.  Është Aktiviste e shoqërisë civile për promovimin e të drejtave të grave dhe barazinë gjinore si dhe organizatore e shkollës verore “Politikanet e reja” mbështetur nga Womenkind, Mbretëri e Bashkuar.

Prej korrikut të vitit  2015 ka qenë  anëtare e Këshillit Bashkiak  dhe nënkryetare e komisionit të sigurisë dhe emergjencave  në Këshillimin Bashkiak Tiranë.

 

 

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤