Elektra e Sofokliut, Lukrecia Borgia dhe së fundi Medea e Euripidit, gratë pasionante të Luiza Xhuvanit

Aktorja 54-vjeçare Luiza Xhuvani, në një tjetër rol tragjik. Pas Elektrës, Lukrecia Borgias tani Medea e Euripidit, një rol kontroversal, që thellon “pushtetin” e aktores, duke ngritur një raport kërkimi në teatër, por jo sa t’i përgjigjet një procesi organik çfarë ndodh sot me zhvillimet e teatrit shqiptar; sfida e skenës së pavarur vazhdon të bëjë dyshuese çdo projekt që rrjedh nga qeveria e jo tregu…

Elektra e Sofokliut, Lukrecia Borgia dhe së fundi Medea e Euripidit janë gratë pasionante dhe më të pushtetshme të antikitetit, vrasëse dhe dorase që mbulojnë krimet, të përziera me kontekste incestuale. A janë kërkime apo thjesht ambicie sporadike të aktores mbi teatrin?! Po t’i referohemi teatrit shqiptar, veçan atë që bëhet vetëm në një institucion, atë shtetëror, nuk mund të flitet në asnjë mënyrë se procesi i kërkimit të aktores ka ardhur si rrjedhojë e një zhvillimi organik të teatrit. Ose e një strukture tradicionale.

Vetëm në këtë dekadë me një vështirësi të madhe, Teatri Kombëtar apo edhe ai fqinj, Eksperimentali kanë mundur të bëjnë një kthesë të mundimshme, duke përfshirë në repertor pjesë nga antikiteti edhe pse një përvojë e tillë i ka gjetur të papërgatitur, qoftë regjisorët se aktorët po e po. Zakonisht daljet mediatike të regjisorëve kanë qenë skematike ose transmetime të ideve nga kërkimet mbi google dhe jo kërkime nga psikoza apo mentalja e një realiteti si yni.

Rasti: para disa viteve kur tragjedia Elektra u ngjit në skenë, as regjisori dhe as aktorja Xhuvani nuk arrinin të shpjegonin para mediave se çfarë ndodhte në botën e gruas dorase, dhe pse ky kontekst mund t’i vishej si një rrobë e prerë enkas shoqërisë sonë. Edhe në rastet e tjera, edhe pse provat janë bërë me të huajt, ka qenë pothuaj e pamundur të kapërdihej antikiteti si strukturë normal të në trup të aktorëve. Në këtë vështrim edhe rolet që ka patur Luiza Xhuvani është vështirë të konsiderohet si arritje teatrore apo proces kërkimi, qoftë edhe personal.

Sado të pushtetshme të ishin gratë antike, duket se Luiza Xhuvani e ka pasur të fortë impaktin e saj, sidomos pas lënies së mandatit si deputete duke iu rikthyer teatrit gati si sprovë pas heshtjes së gjatë. Për ta konvertuar këtë heshtje në role grash të fuqishme e potente, pavarësisht njohjes nga afër të një farë psikoze që ka patur aktorja me tragjeditë greke, konvencioni dhe patetikja vetëm se i kanë marrë energjinë për ta lënë në distancë këtë raport të teatrit tonë me antikitetin.

Medea që pritet premiera këtë fundjavë në Teatrin Eksperimental, është punë e regjisorit grek Dimitris Milonas, i cili është shprehur se vepra nuk ka kohë, dhe se nuk ka parasysh realitete të asnjë shoqërie, veçse asaj që lidhet me pushtetin, mashtrimin dhe krimin – si sot dhe dje. Me këtë afri regjisoriale, Milonas ka “mbrojtur” edhe aktoren shqiptare, Xhuvanin për ta parë thjesht si një repertor të saj edhe këtë shfaqje, kur shprehet se Medea për të “është maksimumi i sfidës për një aktore. Kërkon një potencial të jashtëzakonshëm.

Duke qenë sfidë është e rëndësishme që një krijues ta ketë në gjen antikitetin. Personazh që përjeton ekstremitet e jetës, një fenomen për të shpallur vetveten. Për këtë personazh jam përpjekur të shfrytëzoj gjithçka nga përjetimet e mia artistike apo personale”. A ka mjaftueshëm tragjizëm brenda saj aktorja Xhuvani për ta përballuar këtë sfidë? Regjisori e thotë se respekton veprën e Euripidit, në formë, se nuk kërkon as një punë klasike dhe as modern, por lojën e aktorit në këtë realitet. V.M

Premiera

Më 3 shkurt, me regji te Dimitris Mylonas në skenën e Teatrit Eksperimental vjen shfaqja Medea shkruar nga Euripidi, duke sjellë në skenë aktorët Luiza Xhvani, Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Gjergj Mena, Kristian Koroveshi, Adriana Tolka etj. Roza Anagnosti me rolin e Mëndeshës tha në konferencën për shtyp se “E kam lozur këtë shfaqje dhe para 12 vitesh në teatër. Por shfaqja Medea është një sfidë, sfidë për çdo aktor figura e Medeas.

Këtë herë desha një eksperiencë të një regjisori grek atje ku ka lindur kjo tragjedi dhe ndaj e desha këtë eksperiencë”. Ndërsa Viktori Zhusti, edhe si përkthyes i veprës, por dhe me rolin e Kleontit tha se “Për ta përkthyer veprën qe një rastësi, por që është me një vështirësi e jashtëzakonshme, kishte shqetësimet, pagjumësinë. Teksti dhe ideja arrin në një nivel të mirë intelektual”.

Medea njihet për aktin më makabër, që ka mundur të bënte një nënë: vrasjen e fëmijëve të saj, si hakmarrje për tradhtinë e të shoqit, Jasonit, i njohur për lakminë e tij për pushtet. Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 para Krishtit. Subjekti përqendrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤