Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë

View Gallery
14 Photos
Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5317

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5316

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5567

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5559

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5547

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5504

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5482

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5479

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5414

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5407

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5401

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5385

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
img_5378

Egla Harxhi; Të zhvishesh për lirinë
egla-cover

Tërheqja ndaj femrave, marrëdhënia treshe. Refuzimi i kategorizimeve si lesbike apo biseksuale, zbulimi pa drojë i trupit të zhveshur, seksi i çliruar nga egoja dhe pronësia…Bukuroshja Egla Harxhi ka provokuar jo pak opinionin publik kohët e fundit. Por me ç’qëllim?  Ajo thotë se gjithçka e bën për lirinë…atë të femrës.

 

Intervistoi: Suadela Balliu

Fotografia : Jarl Ale de Basseville

 

Kishin kaluar plot dhjetë vite,  kur pesëmbëdhjetë a  gjashtëmbëdhjetë vjeçare buzëqeshte e lumtur me një kurorë bukurie të Miss Albania-s mbi krye. Ndryshe nga paraardhëset a pasardhëset e saj nuk pat zgjedhur një karrierë që do ia shfaqte portretin dendur nëpër ekranet e televizioneve. Por ja ku ishte tani,  pikërisht në një studio televizioni e shndërruar në një kuqalashe me vështrim të thellë e të mistershëm e sigurt në ato çka artikulonte e shoqëruar me një prej fotografëve më në zë të celebriteteve ndërkombëtarë.

Një shërbim fotografik që e shfaqte në poza erotike me një vajzë ( Ishin fotografi për të evokuar poza të ngjashme të dy ish-modeleve që fotografi Ale de Basseville i pat realizuar vite të shkuar, ku një prej tyre do të rezultonte as më shumë e as më pak sesa zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump. Atëherë qe fare e re dhe në hapat e para të karrierës e askush nuk  do kishte vënë bast për të ardhmen e saj si zonjë presidenciale. Por përtej zhurmës dhe scoop-it që i kërkon t’i zhveshë në -kuptimin e parë të fjalës – me doemos figurat politike dhe ata që të lidhur ngushtë me ta, lajmi do të qe një tjetër ).

Pra bukuroshja e ëmbël bionde kishte nisur një karrierë si modele në Paris?  Prej sa kohësh jetonte atje? A i kishin shërbyer vitet në kryeqytetin e lirive për t’i dhënë këtë personalitet të fortë, gati moskokëçarës për tabutë dhe kufijtë e asaj çka duhet dhe nuk duhet kur vjen puna te morali në vendin e saj të lindjes? Egla Harxhi do të tërhiqte edhe kërshërinë e moderatorit të një emisioni që mëton të thyejë tabutë si “Zonë e Lirë”, kur u shpreh se kishte preferenca seksuale për femrat. Po, kështu artikuloi ajo. Por jo vetëm. Në të njëjtën mënyrë dhe intensitet ndjente po aq tërheqje edhe për meshkujt. Kaq do të duhej që të nesërmen të vërshonin telefonatat nga gazetarë të ndryshëm që donin të merrnin prej saj një intervistë ekskluzive me më shumë hollësi – pse jo edhe dëshmi intime – të deklaratës së saj. Nuk do të shkaktonte vetëm debate e kundërshtim, por do të përkthehej në shitje dhe klikime ( për të cilat të gjithë mediet sot janë në luftë të paepur).

Pasi u shfaq sa kurrë më parë në këta dhjet vjet në media,  Arian Çani e mendoi se një intervistë e dytë me Eglën nuk do të ishte aspak ide e keqe. Aty ajo foli edhe më gjerë rreth përvojës së saj të parë seksuale me një vajzë, për marrëdhënien treshe, për lakuriqësinë, pushtetin e femrave…deri edhe te një nismë për ndërgjegjësimin e të gjitha vajzave dhe grave shqiptare.

“Arsyeja pse kam dashur të shprehem lidhur me lakuriqësinë ka pasur dy motive. E para, bëra një dallim midis vulgares dhe artit dhe e dyta  ishte rikthimi i vlerave dhe traditës pagane. Sot jemi të bombarduar nga një imazh mediatik i femrës, e cila na shfaqet si një kukull e objektivizuar seksualisht dhe i kërkohet të luajë një rol prej “bimboje”. Nuk jam e para që po dal zhveshur në formë publike, por mënyra sesi unë dua ta shfaq është në një formë natyrale ku në sy nuk na bie më nuditeti por natyraliteti, forca e vështrimit, forca e karakterit dhe ndershmëria shpirtërore”- rrëfen Egla.

Arti pagan, mbretëresha Teuta, femra e lirë që nuk i friket kurrgjëje…shumë larg perceptimeve që krijoi publiku, por edhe mediat që nxituan ta intervistonin ku gjithçka rrihte në planin seksual dhe mishtor.

Ata që nuk e njihnin dhe e dëgjonin për herë të parë  në intervistat e saj televizive, kishin përballë parafytyrimin e një vajze që ka jetuar për vite në shoqëritë artistike e libertine të Parisit dhe pikërisht për këtë artikulon një stil jetese që për shoqërinë shqiptare bën ende habi. Por Egla ka vetëm një vit që jeton në Parisin e lirive. 

Po përse  vendosi  pikërisht tani t’i artikulojë mendimet  e saj  për jetën, lirinë, seksualitetin?

“ Arsyeja pse nuk jam shprehur publikisht më përpara vinte nga mungesa e besimit që do ndryshonte diçka dhe njëkohësisht nuk ndihesha gati për të dalë përpara mediave mbas 10 vjet shkëputjeje. Kur vendosa të flas në publikisht mbi mendimet lidhur me jetën, lirinë, seksualitetin erdhi si pasojë e një diskutimi që pata me dikë në Paris ku po përpiqesha t’i tregoja realitetin shqiptar dhe arsyet pse u largova”.

E vetëdijshme se ato çka artikuloi do e trazonin opinionin publik, Egla e pranon se ishte pikërisht ajo çka po kërkonte. “Nuk ka ndryshim nëse nuk ka debat. Uji duhet të trazohet që të pastrohet! Nëse nuk ka lëvizje ndotet”.

Por Egla nuk ishte  thjesht modelja apo aspirantja për një karrierë si aktore në Paris. Në dhjetë vitet e saj me profil të ulët iu kushtua e gjitha arkitekturës. Duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera, edhe në nivelin Master. Përkushtimi dhe serioziteti i saj profesional e bënë të fitonte një vend pune në një studio të madhe projektimi në Tokio. Ofertë të cilën e refuzoi.

“Në fund të fundit nuk dua të quhem as arkitekte, as aktore, regjisore, modele… Dua të jem një femër universale”.

Por përtej hapjes së një debati, vendosjes së vetes në mes të skenës publike – ku vërshojnë ftesat për emisione televizive, reklama apo kopertina revistash, çfarë dobie ka në debatin publik të  shprehësh hapur se je një femër e lirë, e cila i ka rrëzuar tabutë e shoqërisë, është çliruar nga egoja dhe e jeton jetën ashtu siç  ka dashur gjithmonë – edhe në harmoninë e trekëndëshit, baraspeshën e përsosur të të cilit e ka mësuar nga gjeometria?

“Forma artistike ishte vetëm një fillim pasi këto deklarata publike nuk mund të kenë vlerë nëse nuk ka vazhdimësi. Hapi i radhës që kam ndërmarrë me disa partnerë është ngritja e një OJF-je  dhe krijimi i një lëvizjeje, ku do nënshtrohen disa çështje esenciale mbi femrën. Aktualisht jemi duke ndërtuar strukturën, sa më shumë na bashkohen aq më shpjet mund të përparojmë”- rrëfen Egla. A do ia dalë një  njëzetepesë vjeçare t’u japë lirinë e saj edhe shumë vajzave e grave të tjera?  A është seksualiteti hapi i parë që të çon drejt hapësirave të pafund ku mund të hapësh krahët e të jetosh?

 

Kohët e fundit ke trazuar ujërat e opinionit publik dhe medieve në Tiranë. Nuk ka qenë për shkak të fotografive, më shumë sesa për atë çka ke artikuluar. Si ndodhi kjo famë gati e papritur?

Është interesant fakti që fjalët kanë tronditur më shume se fotografitë, mbasi sot jetojmë në një botë imazhi dhe mbikonsumizmi të imazhit dhe nuk ndalemi asnjëherë për të ngritur pyetje rreth asaj që shohim. Qëllimi ishte pikërisht të provokoja përmes fotove dhe artit një debat, i cili është sot shumë i rëndësishëm për mua dhe aktualisht shumë i rëndësishëm për shumë vajza apo gra që më kontaktojnë përditë. Unë i jam larguar gjithmonë famës dhe botës së mediave në moshën e adoleshencës, sepse kisha nevojë të jetoja jetën time dhe sigurisht publiku më kishte harruar që nga “Miss Albania”. Për mua, të jesh i famshëm apo person publik duhet ta meritosh dhe duhet të bësh diçka për të ndryshuar shoqërinë, pasi ke një përgjegjësi shumë të madhe ndaj atyre që të mbështesin dhe të ndjekin. Sot jemi në një periudhë historike ku i japim vlerë mediokritetit dhe anti-vlerave dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por është një fenomen global. Kur vendosa të vij në vëmendjen e publikut nuk e bëra se doja të bëhesha e famshme me çdo kusht, nuk është kjo që më intereson. Ishte një dëshirë shumë e fortë e brendshme për të luftuar pikërisht këto fenomene dhe mediumi përmes të cilit unë mund ta bëja këtë janë pikërisht mediat, të cilat janë po aq përgjegjëse në ndërgjegjësimin e publikut. Për mua kjo famë e papritur dhe e menjëhershme tregon faktin se ajo çfarë po deklaroj dhe po përpiqem të luftoj është një debat dhe ka nevojë të hapet si debat. Këtë mund ta bëjë çdo intelektual apo artist, për të nxitur debat mbi çështje thelbësore. Tregon qarte gjithashtu se fama nuk është vetëm për të treguar gjërat e shtrenjta dhe çdo gjë që hamë apo pimë në rrjetet sociale, por është një mjet shumë i rëndësishëm ndryshimi dhe frymëzimi.

 

Ata që nuk e njihnin dhe e dëgjonin për herë të parë  në intervistat e saj televizive, kishin përballë parafytyrimin e një vajze që ka jetuar për vite në shoqëritë artistike e libertine të Parisit dhe pikërisht për këtë artikulon një stil jetese që për shoqërinë shqiptare bën ende habi. Por Egla ka vetëm një vit që jeton në Parisin e lirive.  

 

Pra,  mënyra jote e të menduarit nuk është se është zhvilluar në një shoqëri më mendjehapur, por ka ndodhur këtu. Pse vendose pikërisht tani t’i artikulosh mendimet e tua për jetën, lirinë, seksualitetin? Nuk kishe pasur hapësira mediatike apo publike më parë ? A e mendove se do trazoje pak opinionin publik në Shqipëri?

Mendoj interesi për artin dhe dëshira për lirinë ka lindur me mua dhe sigurisht mënyra si jam rritur ka ndikuar. Tek unë ky perceptim i lirisë nuk erdhi gjatë kohës që fillova të jetoj në Paris, por shumë më herët. Mamaja kur ishte shtatzënë me mua, lexonte poezi dhe dëgjonte përditë muzikë. Me ka thënë se dëgjonte çdo ditë “Wind of change”, të grupit gjerman Scorpions dhe mbasi linda kërkoja ta dëgjoja përditë, çuditërisht kisha një lidhje shumë të fuqishme me atë këngë. Ndoshta kjo shpjegon dhe shpirtin tim rebel. Më duhet të them që momentin kur kam lidhur, ngjarje të rëndësishme historike po ndodhnin në Shqipëri dhe Europë; rënia e komunizmit në Shqipëri, rënia e komunizmit në vendet e Lindjes, rënia e murit të Berlinit. Një valë ndryshimi po përfshinte të gjithë Europën dhe këto ndryshime u përcollën në familjen time si një dëshirë për të marrë frymë, për t’i dhënë fëmijëve lirinë që nuk kishin pasur mundësi ta jetonin, ku arti, sidomos ai perëndimor ishte i ndaluar dhe librat, muzika, filmat i ndiqnin në fshehtësi ekstreme. Dëshira e prindërve të mi ishte që të kisha akses në çdo gjë. Në shtëpinë tonë dëgjohej gjithmonë muzika më e mirë e të gjitha kohërave dhe të gjitha zhanreve, shkrimtarët më të mëdhenj, filmat autor dhe librat mbi historinë e artit dhe filozofisë. Kjo sigurisht më ka dhënë një ide shumë ndryshe të lirisë dhe mënyrës së menduarit. Kjo do të thotë që nuk kemi nevojë të jetojmë në Paris për të pasur një vizion ndryshe të lirisë dhe jetës, por ajo që mora nga ambienti parisien ishte pikërisht përkrahja nga shume njerëz artistë, të cilët thoshin se mendimet që kisha në kokë kishte ardhur koha t’i shprehja publikisht. Arsyeja pse nuk jam shprehur publikisht më përpara vinte nga mungesa e besimit që do ndryshonte diçka dhe njëkohësisht nuk ndihesha gati për të dalë përpara medieve pas  10 vjet shkëputjeje. Vendosa të flas publikisht mbi mendimet lidhur me jetën, lirinë, seksualitetin pas  një diskutimi që pata me dikë në Paris ku po përpiqesha t’i tregoja realitetin shqiptar dhe arsyet pse u largova. Më tha: “Shqipëria nuk është as vendi i parë as i fundit me probleme sociale. Ka dy zgjidhje; ose mund të ankohemi dhe të themi sa keq është, ose të bëjmë diçka për te ndryshuar. Nuk jemi artistë nëse nuk jemi të ndjeshëm rreth shoqërisë dhe problemeve të saj, ndaj duhet të luftojmë politikisht, pasi arti është një revoltë shpirtërore kundrejt një sistemi dhe tabuve të shoqërisë”. Këto fjalë më ngelën në kokë për disa muaj deri sa mora vendimin të bëj diçka. Isha e ndërgjegjshme që kjo do të trazonte opinionin publik, por kjo ishte pikërisht ajo që kërkoja. Nuk ka ndryshim nëse nuk ka debat. Uji duhet të trazohet që të pastrohet! Nëse nuk ka lëvizje ndotet.

 

Të bombarduar nga imazhe gjithfarëlloj,  bukuri  tipike e atipike, bukuri mesdhetare, nordike, aziatike, afrikane, androgjine, hiper-seksuale…Por për secilën kategori stereotipi mbetet po ai; pas imazhit, këto vajza të bukura nuk kanë ç’ofrojnë më përtej. Me flokët e saj të kuq, vështrimin e ngulmët  sa sensual aq edhe të mistershëm  ( një pamje që të evokon aktoren australiane Nicole Kidman në rininë e saj ) me guximin për t’u shfaqur shpesh e zhveshur në fotografi, Egla i ka të gjithë elementet e bukurive që na serviren çdo ditë përmes botës së imazhit. Por gjithashtu rrëzon, ose të paktën trondit fort paragjykimet. Ajo mban një diplomë në Arkitekturë e gjithashtu ka kryer edhe studimet Master me rezultate maksimale. Duke i tronditur edhe shtyllat e mirëprojektuara të kësaj të fundit. Një arkitekte me hire apo një modele që ka një diplomë në arkitekturë?  Por ishte bota e së bukurës që e pat joshur qysh herët, kur ishte vetëm  15 vjeç dhe konkurronte për kurorën e më të bukurës së vendit e më vonë, përpara se të udhëtonte drejt Parisit qe pajtuar jo rrallë si modele me agjenci të ndryshme në Tiranë.

 

Si ka qenë flirti mes modës dhe arkitekturës? E keni ditur thellë-thellë se në fund nuk do i dedikoheshit arkitekturës si profesion? Nuk pate keqardhje që edhe pasi kreve masterin ia nise nga e para në një shkollë aktrimi?

Fatkeqësisht ky stereotip është deri diku i vërtetë, pasi vajzat e paraqitshme dhe jo vetëm ato që merren me modeling, janë të vetëdijshme për bukurinë që kanë dhe mendojnë se mund të kenë dhe arrijnë çdo gjë vetëm me pamjen fizike. Kjo ndodh kur janë shumë të reja, por sa kalojnë të njëzetepestat  vjen një më e re që merr vendin tënd e nuk mbetet më asgjë. Ato që qëndrojnë gjatë janë vajza të cilat dinë të luftojnë dhe dinë të ndërtojnë diçka më pas. Ka nga ato vajza që dalin dy-tri herë në kopertina apo revista dhe pastaj nuk dëgjon më për to, sepse vërtet nuk kanë më ç’të ofrojnë dhe kjo fatkeqësisht është pjesa më dërrmuese. Ky stereotip është thyer disa herë me figura si Christy Turlington, Cindy Crawford, Lilly Cole, Iman etj., që përpos modeling-ut te gjitha kane studiuar në dege si; Filozofi, Inxhinieri Kimike apo Shkenca Politike. Edhe pse nuk i kanë vënë asnjëherë në praktikë këto njohuri janë gra sot të forta e të angazhuara në disa aktivitete biznesi dhe aktivitete humanitare. Kjo tregon që përjashtime ka, por për fat të keq ky nuk është rregulli, sepse imazhi që ofrojmë sot sidomos me rrjetet sociale, vajzat e bukura nuk kanë nevoje të kenë kulture dhe edukim pasi çdo gjë është e lehtë për to. Kur hyra në arkitekturë u shkëputa plotësisht nga çdo gjë që kishte të bënte me modeling-un apo botën e miss-eve. Mendoj se çdo gjë e kam bërë për t’u argëtuar po asnjëherë nuk e mora veten shumë seriozisht në këtë fushe, mendoj që edhe sot jam po njëlloj, jam profesionale në atë që bëj, por nuk më merr koka erë (siç më thoshte gjyshja). Ndërsa gjatë viteve të studimit isha tërësisht e fokusuar dhe shumë serioze në atë që bëja, ndoshta më shumë seç duhet, gati kisha harruar të jetoja. Madje dhe stili im i të veshurit ishte këmishë, xhins dhe converse, nuk kishte më asnjë flirt me modën apo bukurinë fizike. Kur erdha në Paris m’u desh të rinovoja të gjithë gardërobën.

Në atë periudhe nuk e dija akoma që do ndryshoja jetën time rrënjësisht, sepse isha shumë e përfshirë në atë që bëja, por kur mbarova studimet Master ndjeva një boshllëk shumë të madh, pasi kuptova nuk po jetoja jetën ashtu siç doja. U bëra e ndërgjegjshme që nuk mund t’i dedikohesha vetëm një disipline  dhe sot kam kuptuar që më duhet të kaloj cikle të ndryshme,  pasi nuk mund të qëndroj në një gjë të vetme. Ndoshta pas aktrimit do kaloj në produksion apo regji, nuk e di, por mendoj që kam aq shumë për të eksploruar dhe nuk dua t’i vë vetes kufizime. Në fund të fundit nuk dua të quhem as arkitekte, as aktore, regjisore, modele… Dua të jem një femër universale. Kam alergji ndaj kategorizimeve. Fati i të studiuarit arkitekturë, që është një disiplinë shumë komplekse më hapi mendjen në shumë drejtime. Nuk pata keqardhje kur u shkëputa pasi është pjesë e asaj që  jam sot. Çdo gjë që bëj sot, ka një bazë dhe  strukturë mendimi,  që vjen pikërisht nga arkitektura.

Lexova që të ishte ofruar një vend pune në një studio projektimi në Tokio. Nuk pate asnjë tundim për ta pranuar?

Kjo ofertë më erdhi nga një prej studiot më të mëdha të projektimit në Tokio nga Kengo Kuma, i cili është një arkitekt i njohur ndërkombëtarisht. Kjo ishte diçka shumë e madhe që po më ofrohej për zhvillimin e karrierës sime si arkitekte. Të gjithë, familjarët dhe  profesorët, më nxisnin dhe më përgëzonin për këtë dhe ishte e qartë për ta se  do të kisha një karrierë në arkitekturë tashmë dhe çdo gjë ishte vendosur në rrugë të mbarë. Pata tundim sigurisht në momentet e para. Nisa menjëherë të bëj plane dhe madje nisa edhe përgatitjen e letrave dhe dokumenteve, por kjo zgjati shumë pak, pasi shumë shpejt më lindën dyshime dhe pikëpyetje ekzistenciale. Brenda meje lindi dilema: “A është kjo që unë vërtet dua?” Zakonisht kur kam dyshime për diçka bëj mirë të ndjek instinktin, pasi deri më sot më ka treguar gjithmonë të vërtetën. Kur u gjenda përpara kompjuterit dhe duhet të ktheja një përgjigje përfundimtare, mora frymë thellë dhe i falënderova për ftesën, por që më duhej ta refuzoja. Sigurisht të gjithë që më mbështetën u habitën nga ky vendim dhe më quajtën të çmendur që po lija një mundësi të tillë të ikte. Nuk dija si të përgjigjesha, por e dija thellë brenda vetes që nuk ishte vetëm arkitektura ajo çfarë doja të bëja në jetë.

Parisi, parajsa e artistëve siç na është servirur nga letërsia, kinemaja, historia, artet pamore…. po për t’ia dalë mbanë, a është e vështirë?

Parisi është vërtet ashtu siç e përshkruani, edhe pse vitet e fundit ritmi artistik nuk është më njëlloj siç ka qenë të paktën deri para 20 vjetësh. Gjithsesi ngelet një qytet ëndërr për të gjithë botën. Në çdo cep të qytetit ndjen peshën e historisë dhe pasurinë artistike kulturore. Kjo e bën një vend me konkurrence shumë të fortë dhe sigurisht nuk është e lehtë t’ia dalësh sidomos kur vjen nga Shqipëria, ku pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë asnjë informacion përveç imazheve që kanë parë nga filmi “Taken”. Elita parisiane dhe ajo ndërkombëtare që mblidhet në Paris është një rreth tejet i mbyllur dhe është shumë e vështirë të imponohesh dhe të hysh brenda. Në këtë rast të hap dyert vetëm edukimi dhe kultura që ke si individ, e cila shkon përtej kombësisë që ke. Në fillim për mua ishte tejet e vështirë, por tashmë mund të them që kam hyrë në këtë rreth dhe në çdo event, në çdo darkë apo mbledhje,  përpiqem të jap një tjetër imazh të Shqipërisë. Kjo do të thotë se nuk është e pamundur për këdo që dëshiron t’ia dalë, pasi ajo që të duhet është vetëm edukata, vullneti për të punuar dhe mbi të gjitha dashuria për njerëzit. Duhet kuptuar që njerëzit intelektualë apo artistët kanë arritur një nivel mendimi, ku ajo çfarë vlerësojnë mbi të gjitha është sinqeriteti dhe që nuk je aty për interes apo të ndihesh inferior ndaj tyre. Duan të ndjejnë që edhe ke një vizion të jetës, të ngjashëm me ta.

Si vendose të ikje në Paris për t’ia nisur nga zeroja? Cilat ishin kontaktet e para? Me çfarë po merresh aktualisht atje?

Vendosa të shkoj në Paris, në verën e 2015-ës. Nuk kisha vendosur asgjë, biletën e preva një ditë para se të nisesha. Nuk e dija ende nëse do të qëndroja. Shumë shpejt kuptova që kisha gjetur veten në atë qytet dhe vendimin për të qëndruar nuk e mendova gjatë. Pata një fat shumë të madh, sepse tezja ime e cila jeton prej vitesh në një qytet afër Parisit, Saint-Germain-en-Laye, një qytet chic dhe më shumë histori. Ndihma dhe këshillat para se të nisja të jetoja në Paris ishin shumë të vlefshme. Nuk është e lehte kur ia nis nga zeroja dhe nuk ke asnjë njeri që të mbështet në një vend të huaj. Sot, shumë vajza më thonë që duan të vijnë në Paris, unë i kam thënë që i mirëpres dhe jam e gatshme t’i ndihmoj, sepse e di sa e vështirë është në fillim. Pata shumë fat dhe për këtë jam shumë e ndërgjegjshme pasi qysh në javët e para rastësia më çoi afër shkollës “Cours Florent” dhe instinkti më tha të hyja dhe të shihja. Kur dola prej aty kisha tashmë një datë audicioni. Bëra audicionin dhe u pranova menjëherë. Aty filloi aventura, sepse tashmë ky pranim konfirmoi dhe qëndrimin tim në Paris. Kontaktet e para i pata nëpërmjet shkollës, më pas në evente të ndryshme fillova të krijoja kontakte të ndryshme deri sa një ditë, përmes agjencisë që më përfaqëson, takova Ale de Basseville nga ku nisi një miqësi shumë e fortë. Ale-ja ka një eksperiencë shumë të gjatë në botën e showbizz-it dhe ka menaxhuar shumë yje të kinemasë në Los Anxhelos. Më prezantoi me shumë njerëz të fushës dhe shumë shpejt hyra në kontakt me njerëz intelektualë, njerëz që kanë jetuar me Serge Gainsbourg, Patty Smith, aktorë të famshëm francezë dhe ndërkombëtarë si Gilles Louluch, Beatrice Dale, Gabriella Wright, producentë filmash në Los Anxhelos, piktorë, stilistë si Herve Leger, Stephane Rolland e shumë të tjerë. Për habinë e Ale-s dhe timen këta njerëz më pranuan menjëherë në rrethin e tyre, zakonisht janë njerëz që nuk i pranojnë lehtë ata nga jashtë. Mendoj se ndryshon shumë kur këta njerëz i takon nëpër festa apo evente,  pasi ke mundësi të komunikosh më lirshëm. Zakonisht në këto aktivitete lindin dhe bashkëpunimet më të mëdha. Aktualisht përpos këtij stili të jetesës merrem me shkollën, aktivitete të ndryshme, përfaqësohem nga një agjenci talentesh, menaxhoj revistën “Utopian”, të cilën e drejtoj me partnerë ndërkombëtarë dhe po ndërtoj një seri intervistash me video me gjithë personalitetet që takoj përditë, të cilat do i publikoj së shpejti.

Je shprehur për lirinë e vajzave dhe grave për të shfaqur lakuriqësinë, në formën e saj më të pastër, natyrale. Pse mendon se ende shoqëritë si e jona, por jo vetëm, kanë frikë nga lakuriqësia e femrës ? Mendon se është ky një lloj emancipimi jo vetëm i shoqërisë, por edhe i vetë femrës? Të qenit e lirë për t’u shfaqur ashtu siç natyra apo zoti e ka krijuar?

Arsyeja pse kam dashur të shprehem lidhur me lakuriqësinë ka pasur dy motive. E para, bëra një dallim midis vulgares dhe artit dhe e dyta ishte rikthimi i vlerave dhe traditës pagane. Sot jemi të bombarduar nga një imazh mediatik i femrës, e cila na shfaqet si një kukull e objektivizuar seksualisht dhe i kërkohet të luajë një rol prej “bimboje”. Nuk jam e para që po dal zhveshur në formë publike, por mënyra sesi unë dua ta shfaq është në një formë natyrale ku në sy nuk na bie më nuditeti por natyraliteti, forca e vështrimit, forca e karakterit dhe ndershmëria shpirtërore. Mendoj se njerëzit që eksitohen seksualisht përpara fotove të tilla, kanë vërtet një problem mendor, sepse nuk ka asgjë seksuale në to. Imazhi i femrës që unë dua të shfaq është i frymëzuar nga arti pagan ku kemi statujat antike të shfaqura në formën më të pastër natyrale. Kemi statujat e mbretëreshës Teuta, të cilat janë të zhveshura, të cilat simbolizojnë femrën e lirë, të pushtetshme dhe që nuk ka frikë nga asgjë. Gjithmonë kam qenë në kërkim të traditës dhe vlerave. Si popull kemi  identitet të lashtë, i cili na është mohuar gjithnjë. Çdo traditë tjetër që na është imponuar nga jashtë për mua nuk ka vend në identitetin tonë. Fanatizmi mbi femrën dhe mbi nuditetin e saj, për mua,  ka ardhur pesë shekujt e fundit, të cilët krijuan një ndrydhje shumë të madhe në shoqërinë tonë dhe rrjedhimisht e ka futur femrën në një kuti,  ku e vetmja gjë që duhet të bëjë është të rrijë në shtëpi dhe të rritë fëmijët, të bëjë çfarë thotë burri, i dashuri apo i fejuari. Këtu nuk u vë faj perëndimorëve, të cilët na quajnë arkaikë dhe të prapambetur në mendësi. Për mua është shumë lënduese kur na identifikojnë me një shtet mysliman. Jo, ne nuk jemi një vend mysliman dhe këtu nuk kam asgjë kundër besimtareve, por për mua nuk është identiteti i popullit tim.

Për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm, nuk jemi vendi ku gratë mbulohen apo janë të nënshtruara ndaj burrit. Jo, nuk jemi dhe nuk duhet ta pranojmë! Jemi vendi i Mbretëreshës Teutë, Pirros së Epirit, i Skënderbeut, nuk duhet ta harrojmë këtë. Vendi ynë është me tradita pagane, duhet t’u kthehemi këtyre traditave dhe për mua dalja lakuriq është pikërisht revolta ime ndaj këtij imazhi që na është vendosur. Unë dua të krijoj imazhin e gruas së fortë të pavarur po që në të njëjtën kohë ndihet femër, është përgjegjëse për seksualitetin e saj dhe nuk pyet njeri për zgjedhjet që bën.

Kjo fatkeqësisht e tremb seksin tjetër, ku ky i fundit përpiqet me çdo kusht ta nënshtrojë femrën dhe të mos e lejojë ta krijojë këtë pavarësi, sepse kështu thotë shoqëria dhe morali. Personalisht mendoj që kjo është patetike dhe jam e bindur që është një nga pengesat kryesore të shoqërisë sonë që nuk e lejon të zhvillohet. Unë do vazhdoj të provokoj derisa vajza të tjera të më bashkohen dhe kjo të mos jetë më tabu, por diçka normale.

Te Çani dëgjova intervistën tënde ku u shprehe se nuk e quan veten feministe. Mendon se feministet i urrejnë burrat? Ndërsa ti the se je për një ndarje të barabartë vlerash e meritash ? Nuk mendon se si maskilizmi ashtu edhe feminizmi janë lojëra pushtetesh dhe se nuk mund të ketë kurrë barazi gjinore?

Lëvizja feministe në fillimet e saj ka pasur në thelb luftën për të drejtat e gruas dhe kulmin e arriti në vitet ’70;  kohë kur  e drejta e votës dhe  e drejta për punë nuk ekzistonte. Shumë probleme janë zgjidhur nga kjo lëvizje. Çështja është që kjo lëvizje mori një tjetër dimension,  pasi kaloi në një luftë kundra meshkujve dhe mori trajtat e një loje pushteti ku femrat pretendonin barazi në çdo gjë. Unë nuk pretendoj që femrat dhe meshkujt janë njëlloj, jo. Ne kemi ndryshime shumë të mëdha, por si qenie njerëzore kemi të njëjtat të drejta për të zgjedhur jetën që duam të jetojmë. Unë nuk flas për të drejtat e femrës, por në thelb flas për të drejtat e njeriut, nuk ka rëndësi seksi, sepse kemi të drejta të njëjta. Nuk jam për zhdukjen e vlerave dhe edukatës. Unë dëshiroj të trajtohem si femër, dua që mashkulli që kam në krahë të më hapë derën e makinës dhe të më bëjë komplimente. Nuk dua barazi në sjellje, dua barazi në lirinë e të jetuarit dhe respektimit të tjetrit, mendoj se ka ndryshim të madh. Para disa ditësh mora disa mesazhe nga vajzë veriore, e cila më tregonte jetën e saj. Ishte fejuar në moshën 16 -vjeçare dhe i fejuari e kish  ndaluar të vazhdonte shkollën. Nëse ajo ndahej prej tij,  prindërit nuk do e pranonin më në shtëpi. Për mua,  kjo është e papranueshme dhe këtë po luftoj. Jam e ndërgjegjshme që raste si kjo ka me mijëra dhe nuk është vetëm në zonat e prapambetura të Shqipërisë, por  edhe në qytetet e mëdha. Për momentin pushtetin që meshkujt kanë mbi femrat duke i shtypur  seksualisht, psikologjikisht dhe duke u bërë presion. Jam kundra kësaj.  Dua liri dhe respekt në zgjedhjet që bëjmë!

Si mendon se mund të fuqizohen vajzat dhe gratë në vendin tonë? Ç’këshillë mund të japësh për moshataret e tua ,por edhe për brezat më të rinj?

Për mua çelësi është arsimimi. Jetojmë në kohën ku si asnjëherë tjetër kemi një akses të paimagjinueshëm mbi informacionin. Nëse vajzat dhe gratë në Shqipëri duan të fuqizohen, e vetmja rrugë është rruga intelektuale. Fatmirësisht si popull kemi një kapacitet për të mësuar që as në Perëndim nuk e kam parë. Flasim më shumë se dy gjuhë të huaja dhe kemi një bazë kulture të mirë. Çështja është se vajzat apo gratë në Shqipëri kanë një vetëvlerësim shumë të dobët dhe nuk arrijnë të dalin prej kësaj. Përpiqem t’u them vajzave , që më kontaktojnë përditë në rrjete sociale apo në telefon,  se duhet ta marrin jetën e tyre në dorë. Kemi vetëm një jetë dhe nuk duhet të jetojmë nëpërmjet të tjerëve. Jeta është e jotja dhe e jeton vetëm një here. Do ishte një tragjedi nëse zgjohesh një ditë dhe kupton se nuk ke jetuar jetën që ke dashur. Që femrat të fuqizohen dhe të marrin pavarësinë që u takon duhet të bëhen bashkë, sepse vetëm në grup janë më të forta dhe kanë mundësi të mbrojnë njëra-tjetrën. Në planin individual u këshilloj vetëm të arsimohen dhe t’u rikthehen traditave të vërteta dhe jo ato që janë bërë enkas për të shtypur femrën. Mendoj se brezi i ri duhet të reshtë së ankuari, por të vihet në veprim sepse asgjë nuk ka për të ndryshuar nëse nuk janë ata vetë që marrin jetën e tyre në dore dhe nuk i shkojnë deri në fund asaj që besojnë thellë brenda vetes.

 

Ajo çka tërhoqi të gjithë prozhektorët e vëmendjes tek Egla Harxhi, bukuroshja flokëkuqe që shoqërohej nga  fotografi i njohur  Ale de Baseville në studion e emisionit “Zonë e lirë”, nuk ishin vetëm imazhet fotografike , ndërsa shfaqej në poza erotike me një vajzë në mjedise intime, por ajo çka artikulonte publikisht. Duke folur mbi seksualitetin, ajo u shpreh se ndjente dashuri dhe tërheqje fizike si për fermat, ashtu edhe për meshkujt. Kjo nuk mund të kalonte pa u vënë re. Media menjëherë u bë kureshtare dhe e kontaktoi  për të ditur diçka më shumë rreth deklaratave të saj. Në një vend si Shqipëria  gjesti “coming out”  apo bërit të zëshëm prirjen tënde seksuale bën ende sensacion. Ajo çka morën si përgjigje nuk i kënaqi pritshmëritë e të bërit  scoop me lajme  ku vazhdon ende të pretendohet aksioma e famshme se “seksi shet”. Në një botë ku nuk u shpëtojmë dot kategorizimeve – ( dikush i ka shpikur për të thjeshtuar jetën në tokë qofshin këto raciale, moshore, formimi, intelekti, klasore, seksuale e kështu lista vazhdon e gjatë) – Egla u shpreh se asesi donte të kategorizohej si  biseksuale – edhe pse deklaroi publikisht se i pëlqenin femrat dhe e kish pasur përvojën e saj të parë me një vajzë gjatë adoleshencës e as të quhej gay apo të dilte në mbrojtje të ndonjë axhende që bën pjesë në listën e komuniteteve lgbt. 

 

Kjo do të thotë se tërheqja për femrat dhe meshkujt është më shumë shpirtërore dhe platonike apo është edhe në planin seksual?

Kur flas për dashurinë për mua është në planin shpirtëror dhe seksi është një rrjedhë e natyrshme. Për mua, seksi është diçka e tejkaluar. Nuk më intereson dhe nuk e mendoj në plan të parë. Kam pasur fatin të kem  lirshmëri seksuale qysh  në adoleshencë, ku asnjëherë nuk e kam menduar si tabu, por gjithmonë jam dashuruar me njeriun dhe intelektin. Një vajzë e zgjuar dhe me kulturë më bën të dashurohem me të si njeri, po ashtu dhe një mashkull. Për mua është shumë e rëndësishme të jem në të njëjtin nivel shpirtëror dhe intelektual që të krijoj një marrëdhënie me dikë. Nuk jam person i lehtë në zgjedhje dhe nuk kam tundime seksuale, sepse nuk është ajo që më përmbush. Ndaj dhe jam kundra kategorizimeve, sepse për mua në dashuri nuk mund të vendosësh etiketa; është e kotë,  nuk do të thotë asgjë. Nuk më shqetëson kur më thonë, “të pëlqejnë femrat”. Po, më pëlqejnë, por nuk jam dakord kur më përkufizojnë gay apo biseksuale sepse nuk kam pse të vendos kujt kategorie do i përkas. Jam e lirë dhe nuk jam e detyruar të zgjedh.

Ke rrëfyer madje edhe për eksperiencën tënde të parë ku ke ndjerë tërheqje për një vajzë, që në mos gaboj ka qenë në vitet e adoleshencës. Si e kuptove dhe çfarë është ajo që ndjeve dhe përjetove? Droja, komplekset, frikërat …nisur nga konteksti kulturor i shoqërisë patriarkale ku jetoje….

Po,  ka qenë në periudhën e adoleshencës. Në atë moshë ku jemi të paqartë mbi seksualitetin. Mbaj mend që nuk pata frikë apo kompleks, sepse ishte diçka që ndodhi krejt natyrshëm. Kjo eksperience ka ndodhur jashtë Shqipërisë, ndaj kontekstin kulturor të shoqërisë nuk e ndjeva. Ajo që kuptova dhe ndjeva më pas ishte që kjo nuk më kishte ndikuar në zgjedhjen time seksuale ndaj meshkujve. Kjo eksperiencë më bëri të kuptoj që kam dashuri për njeriun në thelb- femër apo mashkull qoftë, nuk ka rëndësi. Për mua kjo nuk tejkalon seksin apo çdo përfytyrim tjetër që shoqëria mund të vendosë. Për mua është lidhje shpirtërore shumë e fortë, e cila lind nga dashuria që ndjejmë pa kushte për dikë. Në Shqipëri e kam pasur të vështirë të kem të njëjtën eksperiencë jo prej meje, por nga presioni që njerëz rreth meje ndjenin nga shoqëria.

Ç’do të thotë të jetosh në marrëdhënie treshe? Pra të jesh e dashuruar dhe në një marrëdhënie të njëkohshme me një femër e një mashkull? A është e vështirë të pranohet nga partnerët respektivë kjo? Nisur nga natyra njerëzore që ka dëshirë të ketë ekskluzivitetin apo ndjenjën e “pronësisë” ?

Problemi me një marrëdhënie treshe është te fakti që pjesa më e madhe e njerëzve përfytyrojnë diçka pornografike dhe perverse. Për pjesën më të madhe të meshkujve mbetet një fantazi seksuale e vazhdueshme, por që duhet të mbetet vetëm te seksi, ndërsa për femrat si diçka që duhet provuar të paktën një herë në jetë. Një marrëdhënie e tillë nuk ka asnjë lidhje me këtë imazh të krijuar, është mënyrë të jetuari. Nuk them se kështu duhet të bëjnë të gjithë. Them vetëm se është diçka që duhet ta pranojmë se ekziston dhe nuk duhet të jetë tabu. Në arkitekturë apo në gjeometri kam mësuar se trekëndëshi është forma më statike dhe në jetë kam provuar që është formula më e mirë drejt balancës dhe ekuilibrit. Interesante në një marrëdhënie të tillë është fakti që nuk ka më drama, probleme dhe kjo arrihet vetëm nga njerëz, të cilët janë të çliruar nga egoja. Nuk është e lehtë të gjesh njerëz që kanë të njëjtin koncept si ty, por unë kam pasur fatin t’i takoj. Kur jemi në kërkim të diçkaje, një ditë apo një tjetër e gjen. Mendoj se natyra njerëzore, sidomos sot, është shumë e kushtëzuar nga egoja e vogël personale e vendosur nga vetë shoqëria apo që feja ka imponuar. Kjo nuk e lejon pjesën më të madhe të njerëzve të jetojnë deri në fund, por shohin gjithmonë majtas, djathtas çfarë bën tjetri. Ndjenja e pronësisë vjen nga egoja dhe këtu flas në një koncept filozofik. Asgjë nuk është prona jote, jeta është një kalim dhe asgjë nuk ka rëndësi veç të jetuarit çdo sekondë të së tashmes. Jemi një grimcë rëre në të gjithë universin, është absurde të mendosh që kemi kurrfarë rëndësie. “E imja”, “I imi” është një gënjeshtër e madhe dhe një iluzion. Ky nocion filozofik mbi njerëzimin që nga Platoni deri te Gëte ka sjellë një valë lirie, për të dalë nga konceptet burgosëse të mediokritetit.

Realizove edhe një set fotografik me  Jarl Ale de Basseville, ku u shfaqe në foto provokuese me një vajzë, duke evokuar fotot e Melania Trump. Përtej artit dhe fashion-it që provokojnë me imazh, në rastin tënd, a ishte edhe pak mënyra sesi ti i jeton dashuritë e tua? 

“Fotoja nuk gënjen asnjëherë” thotë një shprehje. Mund të them se fotoja pasqyron shumë nga mënyra sesi unë e jetoj dashurinë. Mendoj që ajo butësi, lehtësi dhe energji që transmetohet në foto është diçka që e ndjej thellë brenda vetes. Mendoj që është shumë e vështirë të nxjerrësh në foto apo aktrim, sepse edhe fotoja është një formë aktrimi,  diçka që nuk e ke jetuar. Sot nga shumë foto që shoh dhe nga leximi vizual që bëj, kuptoj shumë nëpërmjet shprehisë së syve. Sytë tregojnë çdo gjë në një imazh. E besoj vërtet që janë pasqyrë e shpirtit dhe është i vetmi vend ku nuk mund të fshehësh atë që ndjen. Ajo që përpiqem të shpreh në këto foto vjen nga mënyra sesi e ndjej dhe e jetoj dashurinë.

A i ke shprehur këto mendime të tuat në mjedisin që të ka rrethuar?  Me miqtë, në  familje… Si kanë reaguar ata? A ke gjetur vajza e djem që mendojnë si ty,  që ndjehen të lirë apo të çliruar nga çdo lloj kompleksi?

Familja më ka mbështetur gjithmonë dhe sot më mbështet më shumë se kurrë, pasi ndaj çdo gjë me ta. Miqtë gjithashtu edhe pse ka pasur nga ata që më kane thënë, je duke shkuar shumë larg, këto mendime janë shumë të avancuara për mentalitetin shqiptare. Kjo më bën të qesh, sepse ekziston një fryme e përgjithshme ku njerëzit shprehen se në Shqipëri gjërat funksionojnë ndryshe, nuk jemi aq të përparuar për të pranuar këto deklarata. Nuk na pëlqen që është kështu, por s’kemi ç’bëjmë. Nuk bëjnë asgjë për ta ndryshuar. Duhet të pushojmë së menduari që Shqipëria është qendra e botes, nuk jemi të vetmit. Jo, ne Shqipëri nuk funksionojnë gjërat ndryshe, pasi marr mesazhe përditë nga djem dhe vajza që e mendojnë si unë, por nuk gjejnë hapësirën për t’u shprehur. Habia në këtë mes qëndron te fakti që pjesa më e madhe e të rinjve që më kontaktojnë vijnë nga veriu apo qyteza të vogla dhe provinciale. Pretendohet nga “të qytetëruarit” që ata janë më të prapambetur. Nuk është e vërtetë. Janë njerëz me një botë shumë të pasur shpirtërore dhe këto kushtëzime i vuajnë çdo ditë. Një ditë, mamaja e një vajze që më kontaktoi, më tha: “Ti nuk e kupton, nuk është se unë nuk dua ta lë vajzën time të dalë e të jetojë jetën e saj, më dhemb në shpirt ideja që ajo mund të ketë të njëjtën jetë si unë, por nuk di ç’të bëj. Pjesa mashkullore e familjes më vë në presion. Ti e ke mirë në atë që thua, por ti e ke vuajtur në formë intelektuale dhe prapë ke bërë ç’ke dashur, ne e vuajmë në kurriz, çdo ditë”. Këto ishin fjalët e një nëne nga veriu, nga Tropoja, të cilat i kam çdo ditë në koke dhe më japin shpresë që gjë rat mund të ndryshojnë, sepse thellë brenda vetes këto gra janë lodhur së vuajturi dhe nuk duan që vajzat e tyre të kenë të njëjtën jetë. Çështja është që nga diku duhet të filloje dhe aktualisht po shoh gjithmonë e më shumë nëpër media, të rinj që po shprehen dhe duan të jetojnë në një shoqëri të lirë nga dogmat dhe absurditeti i mentalitetit arkaik që mbizotëron në Shqipëri.

 Si kanë reaguar familjarët dhe miqtë pas deklaratave të tua? Duke qenë në qendër të vëmendjes bëhesh edhe qendër e shënjestrimeve? i prisje komentet negative apo ata që do të skandalizoheshin nga kjo?

Familjarët e dinin paraprakisht , sepse kam qenë gjithmonë transparente me ta. Mamasë i vinte të qeshte kur të njohur i thoshin: “Mos u mërzit, çdo gjë do rregullohet, është diçka kalimtare”.

Ime ëmë është e ndërgjegjshme që unë kam nevojë për një ekuilibër femëror afër vetes dhe e di se çfarë më bën të lumtur dhe gjithmonë më ka shtyrë drejt lirisë.  Sigurisht ajo është person tejet diskret dhe me daljen time publike, nuk kam vënë në shënjestër vetëm veten, por edhe familjen. Megjithatë ata e dinë se po bëj gjënë e duhur dhe kanë bërë kompromisin për të më mbështetur. Ajo që më ka bërë përshtypje ka qenë mbështetja që kam marrë nga artistët dhe moderatorët e medieve. Personalitetet mediatike më kanë shkruar mesazhe ku më përgëzonin për guximin dhe se duhet të vazhdoja. Ndërsa komente negative kam marrë nga njerëz të pakulturuar dhe fanatikë.  Por kam një parim, nëse nuk ekzistojnë komente negative apo debat mbi atë që bëj dhe them, do të thotë që nuk jam duke bërë gjënë e duhur.

Përtej lirisë që e gjen në art, si mendon se do i vije në ndihmë vajzave dhe grave , por jo vetëm, edhe djemve e burrave të çliroheshin nga komplekset nga normat e “moralit’ apo moralizimet për të jetuar të lirë?

Forma artistike ishte vetëm një fillim pasi këto deklarata publike nuk mund të kenë vlerë nëse nuk ka vazhdimësi. Sidomos sot kur, çdo ditë, marr me qindra mesazhe nga vajza dhe djem, që më shprehin problemet e tyre. Pjesa më e madhe janë vajza nga mosha 15-23 vjeçare dhe ndjej përgjegjësi shumë të madhe, sepse tashmë kam hapur një portë dhe nuk mund t’i zhgënjej gjithë këta të rinj që besojnë tek kjo çështje. Hapi i radhës që kam ndërmarrë me disa partnerë është ngritja e një OJF-je  dhe krijimi i një lëvizjeje, ku do nënshtrohen disa çështje esenciale mbi femrën. Aktualisht jemi duke ndërtuar strukturën, sa më shumë na bashkohen aq më shpjet mund të përparojmë. Problemi i normave të “moralit” qëndron te fakti që gjithmonë përshkallëzon në dhunë. Numri i femrave që dhunohen çdo vit është i frikshëm. Me qindra e mijëra gra në një përqindje të lartë –dhe  këtu nuk flas vetëm për Shqipërinë, por fus Kosovën dhe Diasporën –u  ndalohet e drejta në arsim, punësim apo vendimmarrje. Sipas statistikave dhuna ndaj grave, sa vjen e rritet dhe ligjet nuk janë të forta për t’u  dalë në mbrojtje. Sfida më e madhe do jetë ndërgjegjësimi i institucioneve përkatëse si dhe zhvillimi i një platforme ku siguron një stabilitet financiar për të fuqizuar gratë, të cilat kanë nevojë për mbështetje dhe duan të krijojnë një pavarësi nga burrat që i dhunojnë. Mendoj se nëse kjo kthehet në një lëvizje ku intelektualët do ngrenë zërin e tyre dhe media do t’u japë vëmendjen e duhur, kjo mund krijojë një ndryshim në  mendësi. Jam e ndërgjegjshme se  Shqipëria ka shumë probleme si;  varfëria apo  korrupsioni, por mendoj se liria e gruas është po aq e rëndësishme. Mendoj se  është një nga shkaqet që ka krijuar një shoqëri të pa baraspeshuar.

Mendon se baza për të jetuar një jetë të lirë nis me lirinë seksuale?

Fuqia energjike që nga lindja e njerëzimit deri  në ditët e sotme bën që bota të rrotullohet rreth seksit dhe po,  mund të jetë baza nga ku nis liria e të jetuarit një jetë të lirë. Nëse seksualiteti duhet parë si çlirim dhe si energji në nocionin filozofik,  nuk e gjejmë sot në apogjeun e vet.  Është përpirë nga pushteti dhe paraja,  që shkatërron simbolin e absolutes. Këtë të vërtetë absolute disa qenie të veçanta e kanë kuptuar se cili është thelbi i seksualitetit, edhe pse mendoj se kjo qenie është te gjithsecili. Nëse të gjithë do bënin një punë të vazhdueshme me veten e tyre dhe do dilnin përpara pasqyrës dhe do ishin të sinqertë, do ishte fillim i mbarë. Të jesh në gjendje të hapesh sytë dhe të kuptosh brenda vetes se  seksi nuk është ai pesë minutëshi apo imazhi pornografik, për mua është liria më e madhe.

Në momentin që njerëzimi do çlirohet nga fiksimi ndaj seksit, fiksimi më i madh i njerëzimit, do të kenë mundësinë të shohin një vizion më të gjerë të jetës. Liria seksuale nuk është të kryejmë marrëdhënie seksuale me këdo që del përpara, nuk është e drejta për të tradhtuar apo gënjyer. Është e kundërta. Liria seksuale është pikërisht njohja në thelb e vetes dhe qenia në harmoni dhe i sinqertë me veten dhe rrjedhimisht i sinqertë me ata që të rrethojnë. Kur shoh vajza, të cilat përdorin seksin që të marrin atë që duan, për të blerë çanta të kushtueshme apo udhëtime falas,  nuk e shoh këtë si liri seksuale, përkundrazi e shoh si një burgosje.

Në Paris po e jeton jetën ashtu të lirë siç ke dashur? Në mënyrën tënde të të menduarit jetën e lirë, e kam fjalën?

Lirinë sot e jetoj në formë universale. Parisi është thjesht vendi ku banoj momentalisht, por të njëjtën jetë do kisha bërë kudo të isha. Liria është një koncept brenda meje. Nuk e shoh më veten të lidhur me një vend. Sigurisht Parisi është një qytet që në kuadër të jetës artistike të jep shumë mundësi të shprehesh dhe rrjedhimisht të vë në kontakt me njerëz shumë mendjehapur me një koncept lirie si ty.

Sa i përket karrierës si aktore, a kanë nisur ofertat e para apo  audicionet për role ? 

Po,  kanë nisur si në Paris po ashtu edhe në Shqipëri. Së shpejti do të luaj një rol kryesor në një film, por nuk mund ta bëj ende publik filmin. Kam pasur oferta të ndryshme për reklama, editoriale,  që do të publikohen së shpejti. Aktualisht kam një menaxher dhe avokate, të cilët e dinë se çfarë dua dhe kërkojnë atë që më përshtatet më mirë për karrierën. Mendoj se deri tani ka qenë një fillim i mbarë dhe e di se tani është momenti të punoj më fort se kurrë për t’u zhvilluar më tej.

Duke e njohur kinematografinë edhe prej babait tuaj kineast, a jeni fanse e kinemasë franceze, personalisht apo ëndrra juaj si e shumë e shumë aktorëve ?

Kinemaja ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. Babai gati më ndalonte të shihja filma komercialë apo filma “limonadë” siç i quan ai. “Mos humb kohën kot!” më thoshte gjithmonë. Çdo film që kam parë me të gjatë gjithë jetës time ka qene një leksion. Nuk mund të shihja një film rehat dhe për kënaqësi, sepse në çdo plan do të kishte nga një koment, sesi ishte realizuar filmi, vlera e planit, drita, koncepti, etj. Nuk mund të them se jam fanse vetëm e kinemasë franceze, por jam fanse e kinemasë cilësore. Është e vërtetë që kinemaja ka lindur në Francë me vëllezërit Lumiere dhe ka pasur kulmin e saj gjatë periudhës Nouvelle Vague me regjisorë si François Truffaut, André BazinJean-Luc Godard, Jacques Demy, Jacques RivetteAgnès Varda që kanë vendosur kodet e kinemasë që sot i gjejmë në filmat hollivudianë. Çdo lëvizje tjetër kinematografike gjenezën e ka pasur pikërisht nga kjo periudhë. Sot kinemaja franceze nuk është ne shkëlqimin e saj, por ngelet gjithsesi një frymëzim i madh dhe është ëndërr të luash një rol në filma të atij niveli.

 

 

 

 

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤