Edison Ypi: Maksi shkau!

Rrugët, sheshet, ngrehinat, zyrat, shkollat, burgjet, dhe gjithçka tjetër, duhej të ishin të gjitha të njëtrajtshme si budallallëku, të rrafshët si qelqi, lineare deri në infinit, monotone deri në vdekje, nuk duhej të bënin asnjë përshtypje, nuk duhej të linin asnjë mbresë, nuk duhej të mbahej mend asgjë çfarë ndodhte brenda tyre, jashtë tyre.

Vetë ndodhitë, sidomos intervalet reflektive mes ndodhive, ndaloheshin të ndodhnin. Asgjë nuk duhej të ngadalësohej, përshpejtohej, aq më pak të ngecte. Madje asgjë pra nuk duhej të “ndodhte”. Gjithçka duhej të “rridhte” si një lëng i trashë brenda një tubi të madh që s’dihej nga vinte, ku shkonte, kujt i duhej. E vetmja gjë që duhej të merrte vëmendje ishin halucinacionet e Diktatorit. Gjithçka tjetër që bënte sadopak përjashtim nga ky rregull i hekurt, cilësohej “shkarje”. Autori i “shkarjes”, ishte një “i shkarë”, një i çmendur që e priste çmendina, një hije që e priste internimi, burgu, pushkatimi.

Ishullarët i klithnin njëri-tjetrit shkarje me tu ngjeth mishi. Por shkarjet e tyre nuk i dëgjonte kush. Ishin të shurdhëta. Aty shkisnin, aty vdisnin. Pas shkarjeve vajtimtare të ishullarëve, lëngu i trashë në tubin e madh njësoj vazhdonte të rridhte; punëtorët tejkalonin planin, ushtarët parakalonin, traktorët buçisnin, fshatarët korrnin, populli duartrokiste, mjelëset milnin për vitin 3 mijë.

Asgjëje nuk e tmerronte Diktaturën më tepër se “shkarja”. Shkarja, duke mos mundur të ekzistonte e vetme, shkarje pas shkarje, shndërrohej në ortek dhe rrezikonte fitoret, fatet e vendit, revolucionin. “Shkarja në kulturë”, “shkarja në art”, “shkarja në ekonomi”, “shkarja në mbrojtje”, “shkarja nga vija”, “shkarja nga parimet”, “shkarja nga morali”, ishin disa nga shkarjet. “Shkarja”, ekuivalente me çmendurinë, ishte herezia më e rrezikshme që mund të ndodhte.

Por “shkarje” nuk mund të mos kishte. Pa shkarje diktaturat do ishin të përjetshme.

Një nga më të mëdhatë, më të famshmet e më të bujshme “shkarje”, ishte një pallat në qendër të Tiranës në fillim të Rrugës së Dibrës.

Shkarjen arkitektonike kubiste që thyente monotoninë e skëterrshme ndërtimore, e kishte projektuar arkitekti Maks Velo.

Shkarja arkitektonike avanguardiste e Maksit, të cilën sado gjatë ta këqyrje nuk mund t’i konstatoje asnjë rregull, asnjë simetri, ishte e hatashme. Të gjithë i mahniste. Të gjithë i zbaviste. Të gjithëve u pëlqente.

Sot e kësaj dite shkarja arkitektonike e Maks Velos në Rrugën e Dibrës është shkarja më e shkarë në tërë Historinë e Shqipërisë së shkarë dhe të pa shkarë.

Si ja arriti Maksi ta realizonte atë shkarje në ato kushte të skëterrshme ? është nga ato mistere që shkarësit gjenialë nuk i tregojnë, i marrin me vete.

Brenda uniformitetit lemeritës të gjithçkaje, ishullarëve nuk u interesonte Maksi. Ishullarët nuk merreshin me Maksin. Ishullarët merreshin me shkarjen. Për ishullarët shkarja e Maks Velos ishte më magjepsëse se ekzistenca, më sugjestive se Natyra, më misterioze se vdekja.

Pse nuk e shembin shkarjen e Maksit ?!

Përgjigja e turbullt që vinte nga fundi i Ferrit, ishte; Mund të shembim llaç e tulla. Nuk mund të shembim shkarjen e brendshme të Maksit. S’jemi aq budallenj. Kaq gjë e dimë. Le të rrijë shkarja e një të shkari. Në atë rrugë të ngushtë, ajo shkarje borgjeze mund të shihet vetëm po të ngresh kryet përpjetë. Shqiptarët janë kryelartë nëpër epe, balada, libra, filma, jo në rrugë, jo në jetë. E ka thënë armiku Kadare, “mbi supë nuk mund të shihen yjet”. Që do të thotë se shqiptarët që sytë i mbajnë mbi tasin e supës, shkarjen në Rrugën e Dibrës nuk mund ta shohin. Le të bëjnë pijanecat shurrën mbrapa shkarjes së Maksit ku banon borgjezi Kadare.

Shumica e shqiptarëve që donin por nuk mund të bënin asnjë shkarje, shkarja e Maksit i mjaftonte dhe tepronte për ta konsideruar Maks Velon e shkarë një hero të shkarë që me diktaturën e shkarë i kishte qëruar hesapet.

Të mos e shembnin shkarjen, dhe të shkarin e shkarjes ta linin të livadhiste për të bërë të tjera shkarje, s’mund të ndodhte. Maksit i vunë pas ca spiuna dhe e burgosën.

Të burgosurit ishin shumë. Shkarjet ishin të rralla. Para shkarjes së Maksit, burgosja e Maksit nuk bëri përshtypje. Mes rënkimeve të të gjithëve, si dhe për shkak të ftohtësisë proverbiale të shqiptarëve ndaj më të mirëve të vet, me vuajtjen e Maksit nuk u muar askush. Me shkarjen e Maksit, po. Shkarja e Maksit u shoqërua me pëshpërima të frikshme dhe solemne si muzikë funebre. Për shkarjen e Maksit pëshpërimat thoshin;

Shkarjet e modernistit Maks janë inxhinieri letrare. Shkarjet e realistit kozmik Kadare janë letërsi inxhinierike. “Pallati i Kubeve” dhe “Pallati i Ëndrrave” lidhen me llagëme të nëndheshme me dalje në Vatikan. Revizionisti Kadare brenda “Pallatit të Kubeve” të Maksit, dhe i shkari Maks brenda “Pallatit të Ëndrrave” të dekadentit Kadare, përbëjnë një simbiozë ekzistencialiste që nëse këqyret me kujdes në formë dhe përmbajtje dhe nëse vlerësohet si duhet nga pikëpamja ideore, mund të nxirren konkluzione që duhen shqyrtuar në një mbledhje të posaçme…mjaft se më çmende.

Pa absolutisht asgjë meskine, mediokre, autoreferenciale, shkarja arkitektonike e Rrugës së Dibrës dhe të tjera shkarje, do mbeten dëshmi madhore të sakrificës sublime të Maks Velos që bëri sa mundi për të mos e lënë Shqipërinë të ngordhi.

Me shkarjen që e përgjaku por nuk e vrau, Maks Velo u tregoi të dobëtëve, frikacakëve, llafazanëve, se me bishën mund të luftohej, bisha nuk ishte e pamposhtur, nuk ishte e pavdekshme. I pamposhtur dhe i pavdekshëm ishte dhe është Maksi që bishën e mposhti.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤