Edi Rama- Trumpi shqiptar

Ai ka qenë si Trump edhe përpara se presidenti amerikan të dilte në skenë. Por gjithmonë e më shumë, Edi Rama po ndjek rrugën e Donald Trump me qëndrimet e tij nacionaliste, fushatën ndaj establishmentit, sulmet ndaj medias dhe intelektualëve, huazimin e teorisë “Deep State” dhe përdorimin mjeshtërisht të medias sociale, në funksion të një qëllimi të caktuar

Nëntë marrëveshjet e nënshkruara me aq pompozitet nga dy qeveritë Shqipëri-Kosovë nuk kishin ndonjë përmbajtje thelbësore edhe pse dy burra shtetesh e një tabor ministrash, shoqëruar me një qerre harxhimesh, zbarkuan në Pejë. Pikëpyetjet për ata që preken direkt nga marrëveshjet si shoqatat e tregtisë dhe biznesit mbetën sërish. Por kjo nuk mori rëndësinë e duhur sepse kryeministri Edi Rama e çoi debatin aty ku donte. Ai shpartalloi median shqiptare dhe kryesish atë të rajonit me deklaratat e tij kundër Serbisë ndaj qasjes që kjo e fundit ka për Kosovën, doli jashtë verbit politik të një kryeministri me shprehje si; “What dhe Fu*k”, foli për pataten e nxehtë të ndërkombëtarëve për bashkim kombëtar Shqipëri-Kosovë në 2025, nuk kurseu gazetarët kur donte të korrigjonte veten për korrigjim kufijsh Serbi-Kosovë dhe në fund qershia mbi tortë kur foli për Hashim Thaçin se, kush mendon se ai është tradhtar është gomar.

***

Verbi politik i kryeministrit Edi Rama nuk është se çudit. As edhe kur shton tonet nacionaliste që shkojnë maksimumi deri në Serbi. Kjo tezë po përdoret bollshëm sot sa herë kur vëmendja duhet çuar gjetkë. Rama po shikohet gjithnjë e më shumë si një “Trump i dytë” edhe pse ngjashmëritë me këtë të fundit duket se i pati do kohë para se t’i futej detyrës së kryeministrit, qoftë për mënyrën se si e shihte politikën dhe median ashtu edhe për debatin që nxiste për tema të caktuara.

Sot pas pesë vitesh në pushtet, Rama po huazon gjithnjë e më shumë strategjitë e atij që do uronte të mos zgjidhej president dhe që në SHBA kanë hapur debat të madh dhe kanë polarizuar ndjeshëm elektoratin. Si Trump, edhe Rama flet me nota nacionaliste, ka shtuar të folurën në publik për të promovuar një debat të caktuar, ka rritur notat kritike ndaj medias duke i cilësuar kazan media, ka futur në zhargonin e ditës dhe mendjen e njerëzve termin “Fake News” apo “lajm i rremë” me qëllim goditjen e besueshmërisë, ka ngritur një grup pune të drejtuar nga një ish-agjent i FBI-së, sipas një teze të përdorur edhe nga Trump me teorinë e vjetër dhe të famshme të ‘Deep State’, i drejtohet direkt njerëzve me shprehje të njësuara me ta, si dhe i kushton rëndësi audiencës, paçka se sa efektive rezulton.

Por, ndërsa përpjekja e Trump (me strateg të efektshëm) ndaj një tjetër audience nga ne, ka marrë përmasa globale dhe shkon drejt asaj që vetë Trump ka synuar që ditën e parë të Presidencës se, ai udhëhiqet nga idetë e tij me synime të mirëmenduara dhe aspak të momentit, ato të Edi Ramës duhen parë gjetkë. “Si një njohës i mirë i estetikës së pushtetit dhe përqendrimin te pjesa e imazhit si instrument politik, Rama arrin t’i mbulojë mjaft mirë deficencat thelbësore në pjesën përmbajtësore të ushtrimit të pushtetit. Ndërsa si vëzhgues sipërfaqësor i sistemeve politike, ai arrin të ‘vjedhë’ me saktësi atë që është trend gjetkë dhe e përkthen shqiptarçe duke i dhënë ngjyresa lokale që tingëllojnë të kuptueshme për votuesin mesatar…”, – thotë analisti Ilir Kalemaj në një intervistë për gazetën “Mapo”. Por pse ngjisin kaq shumë këto teza në Shqipëri? “Mungesa e një kulture politike dhe dobësia institucionale që kanë kushtëzuar transformimin demokratik të Shqipërisë dhe kanë parandaluar konsolidimin demokratik, janë një terren pjellor për populizmin efektiv të Ramës”, – përgjigjet Kalemaj.

Fitim Zekthi në anën tjetër nuk sheh asgjë të ngjashme në strategji mes Trump dhe Ramës. Sipas Zekthit, “verbi politik i Ramës është totalitarist, me fajësim të tjetrit, me mospranim të asnjë dështimi, me përgjithësime në dëm të logjikës, me tone triumfaliste në trajtë monologu…”. “Tonet nacionaliste të Ramës janë vetëm lojëra të tij për të tërhequr vëmendjen, për të shtyrë opinionin të merret me gjëra të parëndësishme për të. Tonet nacionalise te Trump nuk janë çështje të përdorimit politik të rëndomtë siç i ka ato Rama. Te Trump nacionalizmi është vetëdije e fushatës së tij, e ekipit që drejtoi në fushatë, është vetëdije e një grupi të madh republikanësh që e mbështetën, është zemreku i tërë politikës së presidencës së tij…”, shpjegon Zekthi. Ashtu si Trump edhe Rama përdor mjeshtërisht faqet e mediave sociale kryesisht me postime goditëse, tallëse, të diskutueshme ose kundërthënëse, duke tërhequr një angazhim shumë më të madh se çdo gjë tjetër. Por sa efekt ka kjo te njerëzit? A është kjo një strategji e momentit për të mbuluar një problematikë të caktuar apo kjo do të jetë afatgjatë, sa kohë që edhe njerëzit pëlqejnë të “ushqehen” në mënyrë simpliste për çka ndodh në vend?

“E kuptoj që tiparet e jashtme dhe të sipërfaqshme të Ramës mund të tingëllojnë si ide të ngjashme me Trump që ka një përpjekje nga vetë Rama dhe njerëzit e tij për t’u dukur sikur Rama ka një harmoni të vetvetishme me Trump. Kjo është një gënjeshtër e plotë dhe bëhet më së shumti për shkak të kompleksit të thellë që ka Rama. Ai nuk është si Trump por si Lady Gaga… Ajo madje nuk bën dot fare muzikë por bën thjesht një show. Dhe Rama këtë punë bën…”, thotë Zekthi duke nënvizuar se Trump ndryshe nga Rama ka mbajtur çdo premtim këto dy vjet. “Rama as ka bërë ndonjë gjë në ekonomi, borxhi është rritur me 1, 7 miliardë euro, papunësia është dramatike, eksportet dhe importet janë më keq se sa ishin, në parlament dhe zyrat e tjera të shtetit ka lloj-lloj njerëzish të lidhur me krimin, vendi u mboll gjithandej me hashash etj. Në këto kushte Ramës i duhet të injektojë pa ndalur mesazhe në popull, i duhet të bëjë përpjekje gjigante të ndryshojë këtë realitet, duhet të prodhojë një realitet të ri dhe përdor gjerësisht rrjetet sociale, ERTV-në dhe të gjithë mediat e tjera. Trump përdor fuqimisht Twitter-in, por ai është edhe i detyruar sepse mediat më të mëdha, gati të gjitha i ka fuqimisht kundër…”, thekson ai.

Ndërsa, Ilir Kalemaj e sheh situatën në një tjetër kënd duke theksuar se, “media sociale është jashtëzakonisht e efektshme në ndërtimin e përfytyrimeve dhe narrativave të caktuara politike, si dhe në teknikat e konfuzionit të lexuesit që aplikohen me mjaft efektshmëri nga ‘spin doctors’ afër Kryeministrit”.

“Natyrisht duke dobësuar njëkohësisht apo të paktën rivalizuar median tradicionale me media kryeministrore si shembulli i ERTV. Kjo e fundit po na shpallet si antitezë e KazanTV-ve që godet nën media rivalët mediatikë dhe shtuar dhe zhurmën e portaleve proqeveritarë, krijohet një disonancë konjitive kolektive”, nënvizon Kalemaj.

Ndryshe nga sa mund të kuptohet gjerësisht ata që e njohin mirë politikën amerikane dhe presidencën dyvjeçare të Trump shohin një dallim të madh mes asaj që ndodh në SHBA dhe Shqipëri. “Ajo që z. Trump arriti të kuptonte intuitivisht, por edhe nëpërmjet strategjistëve të tij mjaft të efektshëm si Steve Bannon që tashmë po drejton një strategji populiste, nacionaliste paneuropiane, ishte se tashmë betejat ideologjike të së tashmes kanë kapërcyer ‘ylberin’ liberal-konservator apo libertarian/progresist dhe janë kryesisht në përplasjen mes ‘Globalistëve’ dhe ‘Nacionalistëve’…”, -thotë Ilir Kalemaj. Fitim Zekthi shkon më tej me tezën e tij: “Pak a shumë bota po hyn ose ka hyrë në një Epokë të re. Idetë politike të liberalizmit që u kthyen në fondamentalizëm të plotë duke i lejuar vetes të drejtën absolute të përcaktojë ai se cila është një ide që duhet ndjekur dhe cila është një ide që duhet eliminuar, që e shtyu me forcë botën drejt shtetit të madh, drejt zhdukjes ose mënjanimit të metafizikës, që e dobësoi kulturën lokale dhe atë kombëtare, që shkatërroi traditën, që rriti borxhet publike në një masë të pamendueshme, sot po pësojnë mospranim dhe në mjaft vende ato po përbuzen”.

Edi Rama ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e më shumë trumpist

Ilir Kalemaj: Me imazh, Rama mbulon mjaft mirë deficencat thelbësore të pushtetit

Analisti Ilir Kalemaj shpjegon arsyet se pse Rama po ndjek verbin politik të Trump dhe efektin që ajo ka te njerëzit

Në një situatë krejt të ndryshme nga pesë vite më parë kur mori pushtetin, kryeministri Edi Rama ka vendosur që të përdorë pa hesap verbin politik e deri diku edhe strategjitë e Presidentit amerikan Donald Trump. Ashtu si Trump, edhe Rama ka shtuar ndjeshëm tonet nacionaliste (siç ishte rasti i fundit në Pejë) nuk kursen kritikat ndaj medias e politikës, si dhe ka paralajmëruar përdorimin e një teorie të famshme të Trump e ashtuquajtur “Deep State”… Pse Rama po ndjek rrugën “mot a mo” të një presidenti ndaj të cilit me nota euforike, emocionale dhe jo diplomatike uroi që të mos zgjidhej president i SHBA?

Kryeministri Rama është tashmë një politikan i regjur që ka kaluar disa beteja elektorale të vështira dhe shpesh ka triumfuar duke ndërruar strategji në varësi të situatës. Si një njohës i mirë i estetikës së pushtetit dhe përqendrimin te pjesa e imazhit si instrument politik, Rama arrin t’i mbulojë mjaft mirë deficencat thelbësore në pjesën përmbajtësore të ushtrimit të pushtetit. Ndërsa si vëzhgues sipërfaqësor i sistemeve politike, ai arrin të “vjedhë” me saktësi atë që është trend gjetkë dhe e përkthen shqiptarçe duke i dhënë ngjyresa lokale që tingëllojnë të kuptueshme për votuesin mesatar.

Duke qenë një vëzhgues sipërfaqësor i realiteteve politike globale, z. Rama nuk mori kohë të thellohej mbi dialektikën e zgjedhjeve në SHBA apo nuk pati këshilltarët e duhur që t’i shpjegonin kompleksitetin e procesit elektoral atje, por e pa si një mundësi basti të mirë politik mbështetjen e kandidates së establishmentit, znj. Klinton të cilën media kryesore e nxirrte fituese të padiskutuar.

Duke parë zhvillimet e mëpasshme, Rama e shfrytëzoi mjeshtërisht fushatën e z. Trump ndaj establishmentit mediatik në SHBA dhe kopjoi “mot a mo” fushatën ndaj “lajmeve të rreme”, natyrisht duke i dhënë ngjyresat e duhura lokale, p.sh. “kazan” për median, “tepsi” për pushtetin etj. Duke parë suksesin e këtyre metodave përtej Atlantikut, bën sens që pritshmëria të jetë e njëjtë në Shqipëri, ndonëse si z. Rama ashtu dhe z. Trump kanë qenë produkte të mirëfillta të establishmentit mediatik në karrierën e tyre para-politike.

Në një shtet jo të fortë si ne, me një elitë politike të korruptuar, a mendoni se tezat e Edi Ramës po ngjisin bash aty ku i rrinë fort për shtat kësaj shoqërie apatike e populiste?

Mungesa e një kulture politike dhe dobësia institucionale që kanë kushtëzuar transformimin demokratik të Shqipërisë dhe kanë parandaluar konsolidimin demokratik, janë një terren pjellor për populizmin efektiv të Ramës. Për më tepër, kjo e fundit po kombinohet me një kontroll regjimi politik të cilën synon ta konsolidojë akoma më tepër me paketën e propozuar antishpifje. Kjo natyrisht nuk i shkon për shkak dialektikës demokratizuese të vendit dhe kanë rrezikun e rritjes së anomisë apo indiferencës së publikut që në mungesë dhe të katalizatorëve të fortë si aktorët efektivë të shoqërisë civile, mund të rrisë dhe më tepër hendekun llogaridhënës. Kjo natyrisht i shkon për shtat qeverisë, por është në kurriz të të qeverisurve, siç ndodh rëndom kësaj mëhalle.

Ashtu si Trump edhe Edi Rama përdor mjeshtërisht faqet e mediave sociale kryesisht me postime goditëse, tallëse, të diskutueshme ose kundërthënëse, duke tërhequr një angazhim shumë më të madh se çdo gjë tjetër. Sa efekt ka kjo te njerëzit? E shikoni si një strategji të momentit për të mbuluar një problematikë të caktuar apo kjo do të jetë afatgjate, sa kohë që edhe njerëzit pëlqejnë të “ushqehen” në mënyrë simpliste për çka ndodh në vend?

Media sociale është jashtëzakonisht e efektshme në ndërtimin e përfytyrimeve dhe narrativave të caktuara politike, si dhe në teknikat e konfuzionit të lexuesit që aplikohen me mjaft efektshmëri nga “spin doctors” afër Kryeministrit. Natyrisht duke dobësuar njëkohësisht apo të paktën rivalizuar median tradicionale me media kryeministrore si shembulli i ERTV. Kjo e fundit po na shpallet si antitezë e KazanTV-ve që godet nën media rivalët mediatikë dhe shtuar dhe zhurmën e portaleve proqeveritare, krijohet një disonancë konjitive kolektive. Kjo e fundit qëllimisht dhe e orkestruar nga lart pasi konfuzioni u shërben pushtetmbajtësve si mjeti perfekt i zgjatjes së pushtetit politik.

Shumë prej opinionistëve që kanë analizuar figurën e Presidentit amerikan, janë shprehur se vetë Donald Trump synon dita-ditës përmbysje të establishmentit, kthim në vlera nacionaliste, duke bindur një popull të tërë se udhëhiqet nga idetë e tij. Qasja e tij ndaj emigrantëve, apo vetë institucioneve ndërkombëtare (deri dy vjet më parë të padiskutueshme për rolin e tyre) është kthyer tashmë në një lëvizje globale. Eksperienca tregoi se tezat e tij u përshtatën fort në vende të Europës si Itali, Rumani e deri diku edhe në Britaninë e Madhe. Në gjithë këtë vorbull ndryshimesh, ku e shihni Shqipërinë?

Strategjia e Presidentit Trump bazohej pikë së pari, nga një intuitë e fortë e një kandidati tipik apolitik që vinte nga establishmenti financiar dhe që kishte një lidhje të hershme me ulje-ngritjet e saj me establishmentin mediatik në SHBA. Ajo që z. Trump arriti të kuptonte intuitivisht por edhe nëpërmjet strategjistëve të tij mjaft të efektshëm si Steve Bannon që tashmë po drejton një strategji populiste, nacionaliste paneuropiane, ishte se tashmë betejat ideologjike të së tashmes kanë kapërcyer “ylberin” liberal-konservator apo libertarian/progresist dhe janë kryesisht në përplasjen mes “Globalistëve” dhe “Nacionalistëve”. Këta të fundit shpesh janë quajtur edhe identarianë, populistë, antiglobalistë dhe terma të tjerë që synojnë shkrirjen në një entitet të aktorëve dhe faktorëve që mund të jenë aq të ndryshëm dhe që variojnë nga ekstremi i majtë në të djathtë. Madje kjo ka arritur dhe në “state of art” apo të kthehet në normë qeverisëse në vende si Italia ku radikalët e majtë të Cinque Stelle janë bashkuar me nacionalistët e djathtë të Lega-s për të krijuar një qeveri populiste mjaft të efektshme elektoralisht. Në Britaninë e Madhe kjo amalgamë arriti të impononte agjendën e vetë politike nën parullën e Brexit dhe të krijonte një realitet krejt të ri politik jo vetëm për këtë vend por edhe për vetë BE-në.

Fitim Zekthi: Pse Rama është si Lady Gaga dhe jo si Trump

Analisti Fitim Zekthi sjell një këndvështrim ndryshe të mënyrave se si i përdorin strategjitë Trump dhe Rama

Në një situatë krejt të ndryshme nga pesë vite më parë kur mori pushtetin, kryeministri Edi Rama ka vendosur që të përdorë pa hesap verbin politik e deri diku edhe strategjitë e Presidentit amerikan Donald Trump. Ashtu si Trump, edhe Rama ka shtuar ndjeshëm tonet nacionaliste (siç ishte rasti i fundit në Pejë) nuk kursen kritikat ndaj medias e politikës, si dhe ka paralajmëruar përdorimin e një teorie të famshme të Trump e ashtuquajtur “Deep State”… Pse Rama po ndjek rrugën “mot a mo” të një presidenti ndaj të cilit me nota euforike, emocionale dhe jo diplomatike uroi që të mos zgjidhej president i SHBA?

Mendoj se në thelb, Rama nuk po bën asgjë si presidenti Trump. Rama është sjellë këto pesë vite e gjysmë në pushtet njësoj dhe nuk ka ndryshuar as dy vitet e fundit, që ka ardhur në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump. Edhe verbi politik i Ramës është ai i pari, një verb politik totalitarist, me konstruktim armiku me fajësim të tjetrit, me mospranim të asnjë dështimi, me përgjithësime në dëm të logjikës, me tone triumfaliste, në trajtë monologu ku gjithkush është audiencë e Ramës etj.

Tonet nacionaliste të Ramës janë vetëm lojëra të tij për të tërhequr vëmendjen, për të shtyrë opinionin të merret me gjëra të parëndësishme për të. Tonet nacionaliste te Trump nuk janë çështje të përdorimit politik të rëndomtë siç i ka ato Rama. Te Trump nacionalizmi është vetëdije e fushatës së tij, e ekipit që drejtoi në fushatë, është vetëdije e një grupi të madh republikanësh që e mbështetën, është zemreku i tërë politikës së presidencës së tij. Nacionalizmi te Trump vjen nga një bindje e filozofisë së historisë marrë nga historiani Neil Houe i cili e sheh historinë si ciklike. Steve Bannon që ndërtoi narrativën e fushatës së Trump i mori tezat e Neil Houe dhe i përshtati ato për mendimin politik dhe zgjidhjet duhet të kërkohen prej tij.

Rama as e ka idenë se ç’do të thotë histori ciklike dhe as ka idenë se cili është ky historian që ka artikuluar këto teza. Rama nuk ka asnjë bindje, ai është vetëm një makinë e ftohtë thuajse metalike që nuk prodhon asgjë veç propagandës dhe merr çfarë t’i duket e vlefshme. Edhe për kritikat ndaj medias Rama ka vite që është kritik. Rama që kur ishte ministër Kulture dhe më pas kryetar bashkie ka përdorur dhe drejtuar mediat dhe atë pjesë që nuk e ka drejtuar dhe përdorur e ka sulmuar. Presidenti Trump nuk drejton ndonjë media, nuk paguan ndonjë media apo ndonjë analist dhe kryeredaktor, nuk i shpërndan kaseta, nuk zhvillon takime me kamera që transmetohen direkt duke përcaktuar agjendën e medias si Rama.

Presidenti Trump përdor gjuhë kritike me disa media si CNN, New York Times dhe media të tjera liberale sepse ato që para se ai të zgjidhej kërkuan (siç bëri Rama në CNN që Trump të mos fitojë pasi sipas tyre ai do të ishte një fatkeqësi. Këto media nuk po lënë gur pa lëvizur dhe janë bërë aq luftarake në luftën ndaj Trump sa ky i fundit i sulmon si media që prodhojnë lajme të rreme. Ndërsa Rama përkundrazi drejton dhe kontrollon media, përcakton agjendën e mjaft prej tyre, ka në përdorim analistë dhe kryeredaktorë. Lufta e Ramës ndaj medias është një gjë kot sa për ta tallur atë dhe për ta bërë atë të pabesueshme edhe pasi keqqeveris është kaq e thellë sa ajo nuk mund të fshehë dot trafikun, vrasjet, krimin në parlament, korrupsionin etj.

Por nuk ka asnjë lidhje sjellja e Trump me mediat dhe sjellja e Ramës me to. Ndërsa çështja e Deep State është një çështje krejt tjetër. Së pari, nuk është një teori që do ta përdorë “Trump”. Në SHBA thuhet se ka elementë, punonjës, struktura, rrathë apo rrjete të FBI-së, medias, departamentit të Drejtësisë, gjykatave etj., të cilët punojnë në thellësi, undërgroun që të minojnë presidencën e Trump. Këto çelin hetime, nxjerrin lajme në media në mënyrë që presidenti Trump të diskreditohet dhe më pas të kemi shkarkim të tij. Tërë kjo strukturë thuhet se është e vjetër dhe ka marrë emrin Deep State. Nuk dihet nëse ekziston apo jo.

Në Shqipëri askush nuk flet për “Deep State” por n.q.s. ka ai duhet të jetë mbështetësi më i madh i Ramës. Njerëz të sigurimit të shtetit që janë në gjykata dhe polici, njerëz të pushtetit të vjetër që janë në media dhe botën universitare, njerëz të rrjeteve dhe rrathëve të komunizmit që janë në pushtet mund të kenë në pronësi media dhe biznese dhe këto mund të jenë një lloj “deep state” që ndihmojnë doemos Ramën. Unë nuk e di n.q.s. ekzistojnë dhe janë të organizuar por n.q.s. janë ato janë me Ramën. Pra, edhe këtu nuk ka asnjë ngjashmëri të Ramës me Trump.

Në një shtet jo të fortë si ne, me një elitë politike të korruptuar, a mendoni se tezat e Edi Ramës po ngjisin bash aty ku i rrinë fort për shtat kësaj shoqërie apatike e populiste?

Është e vërtetë që ne kemi një shoqëri apatike dhe që ka humbur besimin te politika dhe në pamje të parë duket sikur idetë kundër establishmentit mund të ngjisin. Unë mendoj se në Shqipëri tani për tani nuk mund të ketë një lëvizje që do të jetësonte atë që po bën Trump. Unë shoh vetëm PD-në si forcë që ka mundësitë duke qenë e djathtë që mund të marrë disa ide konservatore të Trump si ajo për taksa e ulëta, ato për familjen, ato për liritë fetare etj., dhe t’i jetësojë në një masë të caktuar. Edhe idetë kundër shtetit të kapur politikisht, kundër kënetës së establishmenit dhe kundër krimit dhe trafikut janë ide të afërta të PD-së me Trump. Erërat po fryjnë në këtë drejtim.

Ashtu si Trump, edhe Edi Rama përdor mjeshtërisht faqet e mediave sociale kryesisht me postime goditëse, tallëse, të diskutueshme ose kundërthënëse, duke tërhequr një angazhim shumë më të madh se çdo gjë tjetër. Sa efekt ka kjo te njerëzit? E shikoni si një strategji të momentit për të mbuluar një problematikë të caktuar apo kjo do të jetë afatgjatë, sa kohë që edhe njerëzit pëlqejnë të “ushqehen” në mënyrë simpliste për çka ndodh në vend?

E kuptoj që tiparet e jashtme dhe të sipërfaqshme të Ramës mund të tingëllojnë si ide të ngjashme me Trump që ka një përpjekje nga vetë Rama dhe njerëzit e tij për t’u dukur sikur Rama ka një harmoni të vetvetishme me Trump. Kjo është një gënjeshtër e plotë dhe bëhet më së shumti për shkak të kompleksit të thellë që ka Rama. Ai nuk është si Trump por si Lady Gaga. Lady Gaga këndon një herë thuajse e zhveshur, një herë mbulohet me mish ose sallam, një herë vishet me fustan prej proshute, një herë këndon e varur nën një litar ku ajo rri lakuriq, një herë tjetër vishet me rroba llastiku, një herë tjetër vishet me brekë perimetri i të cilave lidhet vetëm një rrip të hollë që kalon para dhe prapa trupit (pra gati s’ka brekë fare) etj. Të gjitha këto Lady Gaga i bën që të tërheqë vëmendjen, që të shesë në këtë mënyrë sepse ajo këngë si Janis Joplin apo Aretha Franklin apo Senead O Conor nuk bën dot. Ajo madje nuk bën dot fare muzikë por bën thjesht një show. Dhe Rama këtë punë bën. Duhet të kemi parasysh se presidenti Trump për dy vite ka mbajtur çdo premtim.

Mbajti premtimin për reformën e taksave, për reformën në kujdesin shëndetësor, për marrëveshjet e Tregtisë me Meksikën dhe Kanadanë, rriti ekonominë dhe e çoi rritjen në mbi 4%, e ka çuar papunësinë në nivelin më të ulët historik etj. Sipas analistëve në SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore ky është Presidenti me premtimet më të mëdha të realizuara. Ndërsa Rama as ka bërë ndonjë gjë në ekonomi, borxhi është rritur me 1, 7 miliardë euro, papunësia është dramatike, eksportet dhe importet janë më keq se sa ishin, në parlament dhe zyrat e tjera të shtetit ka lloj-lloj njerëzish të lidhur me krimin, vendi u mboll gjithandej me hashash etj. Në këto kushte Ramës i duhet të injektojë pa ndalur mesazhe në popull, i duhet të bëjë përpjekje gjigante të ndryshojë këtë realitet, duhet të prodhojë një realitet të ri dhe përdor gjerësisht rrjetet sociale, ERTV-në dhe të gjithë mediat e tjera. Trump përdor fuqimisht Twitter-in, por ai është edhe i detyruar sepse mediat më të mëdha, gati të gjitha i ka fuqimisht kundër.

Shumë prej opinionistëve që kanë analizuar figurën e Presidentit amerikan, janë shprehur se vetë Donald Trump synon dita-ditës përmbysje të establishmentit, kthim në vlera nacionaliste, duke bindur një popull të tërë se udhëhiqet nga idetë e tij. Qasja e tij ndaj emigrantëve, apo vetë institucioneve ndërkombëtare (deri dy vjet më parë të padiskutueshme për rolin e tyre) është kthyer tashmë në një lëvizje globale. Eksperienca tregoi se tezat e tij u përshtatën fort në vende të Europës si Itali, Rumani e deri diku edhe në Britaninë e Madhe. Në gjithë këtë vorbull ndryshimesh, ku e shihni Shqipërinë?

PO, pak a shumë bota po hyn ose ka hyrë në një Epokë të re. Idetë politike të liberalizmit që u kthyen në fondamentalizëm të plotë duke i lejuar vetes të drejtën absolute të përcaktojë ai se cila është një ide që duhet ndjekur dhe cila është një ide që duhet eliminuar, që e shtyu me forcë botën drejt shtetit të madh, drejt zhdukjes ose mënjanimit të metafizikës, që e dobësoi kulturën lokale dhe atë kombëtare, që shkatërroi traditën, që rriti borxhet publike në një masë të pamendueshme, sot po pësojnë mospranim dhe në mjaft vende ato po përbuzen. Gradualisht bota do të hyjë në një fazë të re ku idetë konservatore, shteti i vogël dhe taksat e ulëta, vlerat kombëtare dhe respekti për lirinë dhe fenë do të rriten.

Në qendër të shtysave që i bënë fondamentaliste, idetë liberale ka qenë agjenda e Xhorxh Sorosit i cili që në vitet ‘80 kërkonte të ndërtonte një botë ku vendimmarrja ndërkombëtare të ishte më e konsoliduar, ku sovranitetet lokale zbeheshin, ku vlerat e familjes dhe të fesë zhbëheshin plotësisht dhe ku elitat kulturore dhe ato politike dominojnë gjithçka dhe prodhojnë një sistem që jeton në paqe. Kjo gjë ka dështuar dhe shumë ndjekës të vetë Sorosit e kanë kuptuar këtë gjë. Ajo kohë mbaroi. Erik Raig një ish-këshilltar i afërt i Soros thoshte pak ditë më parë që Soros dështoi dhe ajo që ai donte të realizohej nuk bëhet më. Raig, një teoricien i politikës thoshte se tashmë e djathta konsevatore do të ketë një rol më të madh. Në këtë kuptim shumë vende do të preken nga këto zhvillime. Edhe Shqipëria do të preket në mënyrën e saj por se në ç’masë nuk dihet. Siç edhe e thashë vetëm PD ka mundësinë që në Shqipëri të mund të krijojë një qasje afër asaj konservatore. Ato që bën Rama apo ato që duan të bëjnë faktorë të tjerë janë gjëra qesharake sepse këto nuk janë çështje instrumentesh por bindjesh dhe besimi ku ai fetar ka rol të madh.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤