Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës

View Gallery
20 Photos
Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
madame-cover

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7741

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7827-edit

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
14907168_10209659475217584_1252590135408182842_n

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
14915317_10209659478097656_1232435099871623263_n

Eda Zari dhe Elina Duni

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
14568205_10209659498338162_7382057015871159752_n

Alban Nimani

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7872

Eda dhe Elina gjatë koncertit në Valbonë, më 28 tetor 2016

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7638

Rrugës për Valbonë

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7567

Pamje nga Valbona

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
elina

Elina Duni

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
14570435_10209659518658670_3057503830408098659_n

Elina Duni

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
14853291_10209659491537992_8176376241694322793_o

Linda Rukaj

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
14907168_10209659475217584_1252590135408182842_n

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
14915317_10209659478097656_1232435099871623263_n

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
14925783_10209659532819024_4709272151309334742_n

Sokol Çunga

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7860

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7848

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7550

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7545

Dragobi

Eda Zari & Elina  Duni; Valbona dhe xhazi i protestës
img_7534

Janë përkushtuar ta mbrojnë me zë dhe tinguj vendin e legjendave nga zëfillin këngët e xhazit të tyre. Dy këngëtaret e njohura rrëfejnë si vendosën të bëhen udhëheqëset e dy koncerteve protestë kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë dhe importit të plehrave. Nga fushat me pambuk revolta e xhazit  jehoi mes  bjeshkëve. Ajo që nisi si preludi i një himni për natyrën mbërrin në kulmimin e një   arti të angazhuar…

 Nga Suadela Balliu

Foto: Jetmir Duraku

Aroma e dheut, veshur me gjethnajë kuqaloshe prej bujarisë së gështenjave dhe aheve si  një qilim i  brishtë që kriset lehtë pas çdo hapi, përzihet me ajrin e kthjellët e të butë, dhe si një shkulm të mblidhet fuqishëm në stomak, një ndjesi e ngjashme me atë të trazimit të dashurisë . Veshët nuk dëgjojnë tjetër veç gurgullimën e ujërave të lumenjve. Rrezet e diellit të pakursyer të këtij fund tetori vijnë si ledha për fytyrën e pelegrinit, që rënduar prej jetës urbane ka vendosur të kapërcejë portën e tempullit.

Gjashtë orët e rrugëtimit bëhen hiçgjë kur lugina e mirë shtrihet përpara atij që vendos të shkelë mbi të – pa e ndotur – e për t’iu dorëzuar përqafimit prej  kreshpave të maleve.

Një valle e lashtë duket ajo që ka vendosur të hedhë natyra, ndërsa një këngë bareshash  dëgjohet tutje… Malet presin tingujt e ia kthejnë fuqishëm  Orëve –që sot kanë dalë prej legjendave, janë bërë prej mishi e ia britin fort për t‘kumtuar jo bukurinë, porse gjëmën që i kanoset atyre anëve.

…Eda Zari dhe Elina Duni  kanë mbërritur në Valbonë një natë përpara se koncerti-protestë  t’ia nisë, aty në lëndinën ende të gjelbër – edhe pse vjeshtë- të bujtinës “Jezerca”.

Veç këngëve, fjalët  nuk ia dalin kur ngrenë sytë lart e duket se prekin qiellin. Duket sikur kanë dëgjuar rënkimin e Valbonës dhe të dyja i kanë ardhur në ndihmë, me zërin, me xhazin, me folkun, me etnosin…

Grupi i artistëve shoqërues –ata që iu përgjigjen   kësaj  thirrme  qytetarie – pasi kanë pirë kupën e qiellit me bulëza yjesh, që në orët e para të mëngjesit bëjnë gati instrumentet.

Mjafton checksound-i, improvizimi i dy këngëtareve që kuptohen vetëm me  vështrime me njëra-tjetrën që  pelegrinët e tjerë – ardhur nga Prishtina e Tirana ( por jo vetëm) të mblidhen me të zbritur nga autobusët  e agjencive turistike që u vunë në dispozicion të nismës.

Malet të zhveshin jo vetëm nga ndotja urbane, por edhe nga kostumet formalë. Gjithçka ia fillon vetiu, më së miri, nën tingujt e xhazit të Elinës, Edës, Ilir Bajrit, Emiljano Dhimos, Ermal Rodit, Armend Xhaferrit, Alban Nimanit, Gent Rushi, dhe DJ. Oda-së.

E bukura More, sot nuk mund të quhet veçse E bukura Valbonë, ndërsa dy këngëtaret  i zotohen maleve dhe lumit dhe luginës dhe florës dhe faunës dhe kafshëve që  prej së largu mbajnë vesh ç’po ngjet në tokën e tyre …Ja ku na ke!

Bashkë me katërqind a më shumë njerëz që e kanë mbajtur vesh thirrjen dhe e kanë ndjerë vuajtjen e tokës që duan t’ia rrëmbejnë lumenjtë, siç prej amës kërthiu.

Mos ma prek Valbonën!  është fjalëkalimi që nuk pëshpëritet si prej anëtareve të një rendi sekret, porse  oshtin prej shpirtit.

Përkatësia qëndron aty, në ato fjalë të zgjedhura për sloganin që  përfaqëson dhe shoqëron lëvizjen. Janë fytyra qortuese, gishtërinj të ngritur dhe  zëra që thërrasin . “Valbona është e imja” duket sikur del pas çdo brohoritje njëzëri.

Është e atij që e sheh për herë të parë, është e atij që ia ka shëtitur pëllëmbë për pëllëmbë lugjet dhe majat e maleve, që i ka shkuar deri në çarjen shkëmbore ujëvarave, është edhe e atij që peizazhi i duket si e një vjeshte japoneze – jo më shumë për  tablonë që duket si e huaj, sesa për kulturën e ruajtjes së natyrës si më të çmuarën prej xhevahireve që ka populli i urtë i Lindjes më  të largët.

Muzikë, ajër i pastër, zjarr dhe dashuri është ajo që shoqëron koncertin deri në buzëmbrëmje. Preludi i një himni për natyrën mbërrin në epilogun e  veprimi të angazhuar.

Për Edën dhe Elinën ishte përmbushja e një muaji që i përfshiu të gjitha në mbrojtje të Valbonës, në kundërshti të ndërtimit të HEC-eve, që do ta shfytyronin dhe dhunonin bukurinë e virgjër  ruajtur me fanatizëm – i vetmi rast ku fanatizmi do të shihej me sy të mirë .

“Më 2 tetor nisëm të shkruhemi,  sepse të dyja po shkruanim statuse për Valbonën dhe ç’po ndodhte atje ” – thotë Eda Zari, ndërsa ishte vetëdijesimi i natyrshëm dhe i atypëratyshëm i të dyja këngëtareve.  “Në një moment Elina më thotë: “Ej, a e bëjmë një gjë të dyja?”.  Menjëherë thashë: Po do bëjmë!”. Asgjë nuk ishte e kristalizuar në fillim të muajit, veç besimit të tyre te kauza dhe te njëra-tjetra.

“Nëse do të bëja diçka  për këtë çështje, e dija që Eda ishte partnerja ideale. Ishte ajo e duhura”- shton Elina.

Pasi i kanë lënë pas të dy koncertet, pasi kanë mbjellë edhe dy rrënjë ulliri në Tiranë, veprim që i bashkëngjitet kauzës,  ndihen të përmbushura.

Padyshim që ka qenë muaj i lodhshëm, i shoqëruar edhe nga stresi  edhe i vogëlsirave… “Jemi marrë edhe me logjistikën, me biletat e autobusëve. Edhe kemi negociuar për uljen e çmimit. Duke qenë se njerëzit po vinin për mbështetje dhe jo thjesht  për turizëm…” , sqarojnë ato.

Për kë i ka paragjykuar si divat që vijnë nga jashtë, e gjejnë skenën gati dhe detyra e  vetme është të  këndojnë përpara publikut që ka ardhur t’i dëgjojë.

Por e vërteta qëndron krejt ndryshe. Askush nuk i shtyu, as i ftoi të linin angazhimet e tyre – turne koncertesh a promovime albumesh. Ranë njëmendi të dyja, prenë biletat – njëra nga Zvicra e tjera nga Gjermania dhe u kujdesën që çdo detaj i kësaj proteste në formë koncerti të ishte i përsosur.

“Ajo që ka  ndodhur në Valbonë dhe Tiranë…Nuk ka pasur kurrë  gjë aq të pastër…Ishte një mbushje shpirti” – thonë njëzëri. “Ne flasim rreth kësaj dhe i kemi lotët në sy. Edhe në skenë ishim të përlotur. Ata që erdhën në Valbonë, por edhe ata në Tiranë u mbushën me këtë idealizëm në zemër” – vijon Elina, ndërsa Eda shton “Shihnim sesi vinin na takonin pas skene vajza e djem, çifte me fëmijë, të moshuar. Ishte e gjitha dashuri dhe një mesazh. Sikur thoshin: Guxoni! Guxoni!  Se nuk ka asgjë për të humbur. Ne të humbur jemi. Bëhet

për shëndetin, natyrën, fëmijët, fqinjin,  bëhet fjalë për të gjithë ne”.

Për ata që kanë hequr gjithnjë vija paralelizmi dhe  i kanë vendosur në kandarin e krahasimit dy artistet, Eda dhe Elina zbulojnë se nuk është hera e parë që bashkëpunojnë.  E jo vetëm një planin artistik, siç ishte Festivali Ndërkombëtar i Xhazit në Berat, “Njëmijë ëndrrat e një nate dimri”  tre vjet të shkuar, por edhe video-mesazhi disa muaj më herët, në të njëjtin vit – 2013- kundër importit të Armëve Kimike. Ishte ky hapi i parë i bashkimit në një kauzë.

“Ideja për të bërë diçka bashkë ka nisur në Paris më 2013-ën, për 80 -vjetorin e Nexhmie Pagarushës. Na bashkoi Nexhmia!” –kujton Elina, ndërsa Eda shton: “Elina tha atëherë diçka të bukur. Na krahasojnë me njëra-tjetrën. Ka nga ata që ndahen në anën e njërës apo tjetrës. Por të vendosësh egon artistike mënjanë, të paktën në këto nivele artistike që ne jemi…Këtë nuk e bën kush”.

Elina thotë se në këtë zhanër ku të dyja zhvillojnë artin e tyre, Eda është ajo që ka hedhur farën e parë. “Unë mund të jem e dyta apo e treta. Unë them jepi Cezarit,  çfarë i takon. Eda e ka bërë e para”.

Në art, mendon Eda, se nuk ka të parë a të dytë.  “Njeriu ka nevojë për një konkurrencë të shëndetshme. Sa më shumë të ketë si ne, aq më mirë i bën xhazit, muzikës etnike. Secila nga ne ka shanset e veta, prapë do na krahasojnë” .

Ajo çka i bën bashkë veç xhazit dhe këngëve folklorike, është ideali. Realizimi i këtij koncerti e vërteton”.

“Kur kanë dashur të na krahasojnë , u jam përgjigjur: “ Ej, po ne luftojmë për të njëjtën gjë. Po luftojmë për më shumë bukuri në botë. Diçka që frymëzohet nga këngët burimore dhe secila e bën  në mënyrën e vet, jetën  vet, me atë çka e rrethon… Dhe kjo është e bukura. Ç’interes do t’kishte po ta bënim njësoj?!” , është e mendimit Elina Duni.

Besimin se muzika e tyre do të kishte një fuqi, përtej së zakonshmes e merrnin nga pionierët e këtij zhanri, që lindi bash ashtu, si vajtimet e zëshme dhe revoltat e të shtypurve nga padrejtësitë. “Xhazi  është vëllai i madh i revolucionit. Revolucioni e ndjek atë pas” – kështu mendonte Mile Davis, shumë vite më  parë e kështu mendojnë edhe ato të dyja.

“Kjo është shumë e vërtetë. Revolucioni ka  nisur qysh në fushat e pambukut. Është një lloj paralelizmi që hiqet edhe në këtë rast. Kur bën xhaz nuk është për paratë, kjo është e sigurt”- shtojnë ato.

Ideja e një arti të angazhuar për Edën dhe Elinën i kalon mediumet, virtualitetin, mbështetjen në distancë apo një firme hedhur diku… Arti i angazhuar është t’i shkosh problemit në zemër dhe të përpiqesh ta ndryshosh me një veprim konkret.  Keqardhja më e madhe  ishte përgjigja e pakët nga ana e artistëve shqiptarë.  “Bëmë ftesa për shumë artistë. U shkruam madje edhe mesazhe private, por shumë pak iu përgjigjën pozitivisht” –zbulojnë.

Artistët që performuan live në të dy koncertet – Valbonë dhe Tiranë – ishin Ilir Bajri, Emiljano Dhimo, Ermal Rodi, Armend Xhaferri, Alban Nimani, Olsa Papandili, Marsela Çibukaj, Genci Salihu, Gent Rushi, Kamela Islamaj dhe Dj Oda.

Keqardhje ndjejnë edhe për ata që nuk e kuptuan nismën apo hodhën baltë mbi të, pa dashur të dinë më shumë. “Duket sikur vijmë ne nga jashtë dhe po u marrim meritën. Askush nuk i merr kujt meritat. Ngrihu dhe bëj tënden! Nuk mjafton një status në Facebook, as një #hashtag. Duhet menduar se cili është hapi tjetër. Eja të bëjmë diçka konkrete. Sepse virtualisht zëri nuk dëgjohet. Do ketë gjithnjë zëra që nuk debatojnë mbi çka është thelbësore. Duan të minimizojnë përpjekjet tona. Në fund të fundit, ne morëm paratë tona, blemë biletat, thamë do shkojmë dhe u morëm me të gjithë procesin”.

Për realizimin e këtij koncerti- protestë vendosën të mos pranonin asnjë biznes apo markë komerciale që iu qas për sponsorizimi. “Nuk deshëm logo komerciale. Thamë: O bëhet kështu, o nuk bëhet fare! Mund ta kishim bërë edhe në formën e një flashmob-i përshembull, por nuk do të kishte të njëjtin efekt. Duhej një skenë, një podium për zërin e atyre që ishin pjesëmarrës. E kishim vendosur që ishte një koncert-protestë dhe jo një koncert i yni. Prandaj nuk morëm as grupet tona. Ishte një kauzë. Këtë deshëm t’ia shpjegonim publikut. Nuk është se po investonim për famë apo imazh. Kemi investuar për lumturinë tonë të tejskajshme. Mes nesh ka pasur vetëm dashuri. Asnjë problem nuk kemi hasur në komunikimin tonë, për asnjë moment. Nuk ka qenë një lojë porse një proces. Gjatë një muaji kemi kontaktuar dhe folur me njëra-tjetrën të paktën për dy orë” –rrëfejnë  duke qeshur.

…Atje në Valbonë ndërsa pozonin shkëmbinjve, me shpatullat e veshura malesh dhe harlisur gjethnajash, ngjasonin me dy malësore të vërteta që me vështrim dhe zërin e tyre mbrojnë me çdo kusht trojet.  Atje lart, në luginë, këngët që ato i kanë bërë të famshme në të gjithë botën, duket sikur ende gurgullojnë të gjalla prej shtratit të atij lumi. Nëse ai lumë do të burgoset i veshur me tentakulat e një përbindëshi të zi plastike që ia gjerb gjallninë, gjithë do kthehet në një legjendë.

Na ishte një herë Valbona… Për të mos u kthyer kështu, si të ishin vise të një mbretërie përrallash porse një prehje e prekshme   e natyrës, protestohet.

“Ato këngë do të kthehen në një lloj legjende apo përralle,  sepse nuk do ketë njerëz që do i shohin ashtu siç i kanë parë brezat para nesh apo siç i kemi parë ne. Një masakër është në prag.

Nuk ka rëndësi sa do të ndërtohen;  njëmbëdhjetë apo dy. Valbona është një lumë i brishtë. Jeta e tij është në varësi të motit; borës, reshjeve…natyrës. Nëse këto hidrocentrale do të burgosin ujin, ajo luginë pa lumin nuk do të kishte më kuptim. Jo vetëm nuk do kishte atraksione turistike, por do të vdisnin edhe gjallesat…Trofta e mrekullueshme e Valbonës, fama e së cilës i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe gjendet në Bibliotekën e Ekosistemit të Ballkanit . Ç’do të bëjmë tani, të hapim rezervate për rritjen e troftës?” –shprehet  Eda, ndërsa me aq sa është informuar në këtë Park  Natyror Kombëtar , me një sipërfaqe prej   tetë mijë hektarësh , banorët që kanë investuar në infrastrukturën e turizmit i janë përmbajtur udhëzimeve dhe sinjalizimeve të shtetit për ndërtesa miqësore me natyrën prej guri dhe druri, mbi mirëmbajtjen, rrugët, akomodimin, pranimin e turistëve ,etj. “Ata  janë kaq të përpiktë. Mundohen ta çojnë para biznesin  me ndërgjegje të gjelbër  dhe nëse ky lumë resht së ekzistuari  i gjithë reputacioni i Valbonës vdes. Ky është dënim me vdekje.  E kam thënë dhe e përsëris” – vijon  Eda Zari

…Prej  ujëvarës  në bashkimin me Drinin, Lumi i Valbonës përshkon 65 kilometra  dhe përbën zemrën e zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Zona e mbrojtur apo  Parku Kombëtar konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare.  E jo vetëm kaq, Revista prestigjioze “National Geographic” e ka renditur si të nëntin mes destinacioneve që duhen vizituar patjetër një herë në jetë.

…Strehuar në ato çka njihen si “malet e nëmura” malësitë janë një zonë tejet e egër. Kështu e përshkruan revista e huaj atë që më pas e pagëzon si “Sioni  i Shqipërisë” , ku ende ka plot vende dhe pika për t’u zbuluar në dritën e eksploratorëve.

Majat e thepisura janë formuar prej një shkëmbi të bardhë përrallor, ndërsa pyet me bredha dhe ahe krijojnë një kontrast të thellë të së gjelbrës. Lugina që është zemra e Alpeve është zgjatim i asaj shtrirje e quajtur Maja e Ballkanit. Shtegu – që mund të përshkruhet me një ecje mesatarisht 10 ditore – ngjitet në majat  e pjerrëta dhe erërat përgjatë luginave të  qeta të  lumenjve, në zonat e kullotave  verore dhe liqenet akullnajore.

Nga Bajram Curri, qyteti i lënë disi pas dore, në zhvillime urbanistike dhe infrastrukturë, për të mbërritur në mrekullitë e Valbonës do duhet të  përshkruash 25 deri 30 kilometra.

Lugina nis nga Qafa në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare, pas luginës së Thethit.

Veç lumit,  pasuria e këtij parku janë  edhe akullnajat.  Nëpërmjet bllokut të lartë malor të Jezercës në veri, Zhaborreve dhe Grykave të Hapta në Jug, formohet një govatë tipike akullnajore. Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës e Rrethit të Bardhë shikon borë të përhershme dhe ngjitja në to, do të ishte një sfidë për çdo alpinist profesionist. Ujëvara e Rragamit që ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, sipër Valbonës, është një tjetër mrekulli e natyrës alpine që nuk duhet lënë pa vizituar. Valbona gjatë 4-5 muajve të dimrit është krejtësisht e izoluar nga bora kështu që në këtë kohë është e pamundur të vizitohet.

Biodiversiteti është i larmishëm . Aty takohen pyje të ahut, pishës, rrobullit, bredhit, livadhe alpine apo të famshmet bjeshkë , pyje të gështenjës, përrenj e lumenj malor, etj.

Aty  gjenden  gjitarë të mëdhenj e të mbrojtur si ariu, ujku , rrëqebulli, kope me dhi të egra, kaprolli (Capreolus capreolus), etj.,  ndërsa nga shpendët gjendet ajo që i jep lavdi alpeve shqiptare si shqiponja.

“Janë  një grup shumë i vogël njerëzish që thonë se  ç’do të bëhet me ketë ujë e  si do të ndahen paratë. Ejani na tregoni çfarë keni hartuar, ku është transparenca, cilat janë këta  dy hidrocentrale. Përse nuk i bëjnë transparente?  Është e drejta jonë legjitime të dimë. Jemi përballur me shumë të papara . Kemi dëgjuar edhe politikën të thotë se kanë gabuar.   Institucionet nuk janë artikuluar e as e kanë gjetur fajtorin e kësaj. Nuk është e ndershme të luajnë ping-pong deklaratash e përgjegjësish. Faji është këtu. Duhet të vlejnë për Valbonën ato që vlejtën për Thethin” – ngulmon Eda Zari.

Megjithatë, kryeministri i vendit, Edi Rama e ka qetësuar opinionin publik duke deklaruar se nuk janë njëmbëdhjetë hidrocentralet që do të ndërtohen në Valbonë, porse vetëm dy.

“Gjashtë HEC e Theth janë anuluar nga ne, duke ndjekur rigorozisht procedurat pasi nuk është hap e mbyll sytë asnjë procedurë anulimi.  Po ju sqaroj se kemi mbajtur rigorozisht në vëmendje dhe procedurën për Valbonën dhe dy HEC vetëm dy jo 11, të cilat kanë marrë dritën jeshile për shkak pamundësie të plotë ligjore për të bërë anulimin janë kaluar në filtra njëri pas tjetrit për të garantuar me ekspertizë ndërkombëtare standarde mjedisore dhe cilësi projektimi inxhinierik të njëjtë me ata që vazhdojnë të ndërtohen në Evropën e veriut”- është shprehur kryeministri Rama, duke e këshilluar publikun të mos trembet nga termi hidrocentral.

“Mos parafytyroni diga. Nuk do të ndërtohen diga. Nuk do ndërtohen strukturat që secili i imagjinon kur flitet për një hidrocentral,  sepse teknologjia e përdorur është krejt tjetër, dhe peizazhi është krejtësisht i pacenuar.  Vetëm dy nga 15 janë dy kulla tradicionale të asaj zone”.

Kjo nuk i ka qetësuar banorët, të cilët siç thotë një banore e Tropojës, studente e Degës Gjeografi në Universitetin e Tiranës , kur pat ardhur para pak kohësh me kolegët e kursit dhe pedagogët për të anketuar banorët e zonës nëse ishin informuar apo jo mbi ndërtimin e hidrocentraleve, pak ishin ata që kishin ndonjë informacion të vagullt e shumë prej tyre në terr informativ.

Disa prej tyre e morën vesh ç’po ndodhte krejt rastësisht. Ndërsa kryeministri flet për ndërtimin e dy hidrocentraleve, njëri syresh në zonën e Dragobisë ka  nisur punën për ndërtim.  Ajo çka banorët dinë, është se lumi do të devijohet rreth 7 kilometra përmes tubave dhe tuneleve. E nëse lumi cenohet, e gjithë natyra cenohet me të.

Pak turistë, veçanërisht ata të huaj që çdo ditë e më shumë dëgjojnë për famën dhe bukurinë e Valbonës e të cilëve Eda Zari dhe Elina Duni u flasin me krenari në koncerte, do të guxojnë ta shkelin luginën që dikur përshkohej nga lumenj.

Pikërisht për këtë, artistët dhe shoqëria civile, organizata si “Aleanca Kundër Importit të Plehrave” dhe “Nisma Thurje” protestojnë.  Kundër ndërtimit të hidrocentraleve, kundër importit të mbetjeve.

“Qytetarët që dashurojnë Shqipërinë, natyrën e saj të mrekullueshme, e cila sot vuan nga pakujdesia dhe papërgjegjshmëria, por që kërcënohet edhe më shumë nga arbitrariteti dhe dritëshkurtësia e politikës, të gjithë atyre individëve që duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri, me tokë, ujë, ajër dhe jetë të pastër, pa plehra, pa ndotje, u bëjmë ftesë që të jenë me ne. Koncerte, ekspozita pikturash, ekspozita fotografike, instalacione, lexime poezish, mbrëmje vallëzimesh të llojeve të ndryshme, e ç’t’i dojë shpirti secilit e secilës, do t’i gjejnë me ne. Të gjitha këto nën moton: Të mbrojmë tokën, ujin, ajrin jetën”, thuhet në kumtesën e përbashkët të qytetarëve që organizuan protestën.

Zëri i tyre duket sikur është shpërfillur fare nga politika, nga qeveria. “Asnjë prej tyre nuk n është afruar e as nuk na kanë thënë asgjë” – shprehet Elina.

Për t’u përfshirë në këtë kauzë, dy artistet janë informuar nga burime të ndryshme informacioni e pasi kanë marrë të dhëna mjaftueshëm dhe i qartë, kanë pranuar të qëndrojnë në ballë të kësaj.

“Sigurisht që duhet marrë informacion. Shpesh më kanë ftuar të përfshihem në kauza  të ndryshme, por kur u kam kërkuar të më japin informacion askush nuk më është përgjigjur. Unë jam e gatshme të përqafoj një kauzë qëllimmirë, por kur nuk jam brenda me informacion. Edhe për çështjen e plehrave ka opinione të ndara; disa janë kundra e disa pro, disa thonë se do përfitojmë ne, do përfitojë shteti, do zhvillohet vendi…Pastaj ka nga ata që thonë se shtetin e kanë zënë në pranga …Më duken justifikime.” – bien dakord të dyja.

Pasi e kanë përmbushur këtë detyrë qytetare, por edhe shpirtërore, më gati se kurrë për të bashkëpunuar për të tjera kauza të ngjashme,  Eda Zari dhe Elina Duni i rikthehen veprimtarive artistike dhe jetës profesionale.

Eda sapo ka publikuar në Gjermani albumin e saj më të ri, titulluar “Entropy” – një martesë e këngëve bizantine me muzikën xhaz . “Është si libri, që nëse e hedh nga një lartësi, do të humbasë strukturën, rendin, kronologjinë dhe ndërsa sh[përndahet në kaos, energjia e përftuar vjen në një formë të re. Ashtu ndodh edhe me këtë album. Të sjellësh Bizantin, ta nxjerrësh nga laboratorët asketë dhe ta çosh te njerëzit. Dhe kjo bëhet pa ia hequr vlera dhe pa ia cenuar autenticitetin. E përveçmja është se këngët vijnë me përkthimet e Fan Nolit” –zbulon  Eda, duke shtuar se po planifikon një koncert për promovimin e albumit këtu në Tiranë, në fund të vitit.

Ndërsa Elina Duni sapo ka realizuar një projekt solo. Pas  mëse 11 vitesh që luan me bandën e saj  ka vendosur të shfaqet vetëm, me një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun përmes muzikës dhe poezisë, duke e futur publikun në të thella. “Janë nëntë këngë, të kënduara në nëntë gjuhë të ndryshme të botës, mes tyre edhe në jidish apo edhe arabisht. Janë histori që flasin për mërgimin, shkuljen. Jo vetëm nga një vend  por nga një dashuri, shkulja nga vetvetja, shkulja si një pemë që fluturon me rrënjët… Në fund ngre pyetjen se çfarë kalon njeriu kur i duhet të shkulet nga diçka? Kur thyhesh, si i ngjit pjesët? Japonezët kanë një art poçarie  të njohur si kintsugi, i cili është arti i ngjitjes së porcelanit me ar. Enët bëhen më të bukura, pas ngjitjes. Kështu jemi ne të gjithë. Jemi enë porcelani dhe ajo që na bën të bukur janë thyerjet. Leonard Cohen e ka thënë shumë bukur: “ There  is a crack on everything, that’s hoë the light gets in”. Ky është thelbi i këtij projekti. Dua t’u them njerëzve: Duajini plagët! Është e vetmja mënyrë për të ecur më tej, e vetmja mënyrë për shërim”, përfundon Elina.

“Daja im, Remzi Lela thoshte: të ndjesh privilegjin e dhimbjes. Ai e konsideronte vuajtjen si privilegj”, shton Eda.

Por pas dehjes me aromë bjeshkësh gjithçka tjetër i duket e largët. “Kemi ra n’dashni të dyja” thonë duke qeshur, ndërsa komentojë se i gjithë ndërveprimi, në skenë e pas saj, sesi improvizonin në moment ç’donte njëra apo tjetra, ishte veçse një copëz përsosurie. “Ky është besim. Kemi ndjekur me instinkt intuitën e njëra-tjetrës”, thotë Elina, ndërsa Eda shton se i druhet kësaj përsosmërie, sepse më mirë se kaq nuk mund të shkonte. “Ishte aq e përsosur sa nuk besoj se ka diçka më të përsosur se kam. Kjo më frikëson pak. Secila prej nesh ka një  ego profesionale , por ne u zhveshëm nga të gjitha këto dhe tani jemi pa mburoja, jemi lakuriqë…”- thotë Eda, ndërsa shpalos brishtësinë prej artisteje, e sjell ndërmend atë ditë me diell, më 29 tetor në fushat e luginës së mirë…sesi Elina me fundin e saj të gjelbër, punuar me motivet e grave të Malcis’ , i bie kitarës, këndon dhe hedh valle plot ngazëllim, përqafuar prej maleve, aq monumental e po aq të ngrohtë, ndërsa mbrëmja për ata që nuk deshën të dalin prej rrethi magjik të kurorës së maleve ishte shpërthim pluhuri  yjesh.  Mos ma prek Valbonën bëhen kështu vargjet e një himni të ri. Natyra i ka falur njeriut qysh prej fillesave. Është koha e tij ta mbrojë atë.  Është ky tempull i natyrës, ajo brishtësi dhe forcë e fshehur në gurgullimën kaltëroshe që na bën të vetëdijësohemi se kemi harruar të jemi fëmijë. Të ndjejmë aromën e dheut të vesuar, nën gjethnajën kuqaloshe,  të ngremë kryet drejt qiellit e të hapim flatrat.  Ndaj e bukura nuk duhet prekur.

*Disa prej fotografive i përkasin fotografit Shkëlzen Rexha 

 

 

 

 

 

 

 

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤