Don Zhuani dhe Kazanova, Mes sadizmit dhe altruizmit seksual

don_juan_triumphant_by_msblake-d3ifdph

Në mendjet e publikut, Don Zhuani dhe Kazanova janë të dy burra që bredhin pas fustanit të grave, që admirohen nga burrat për sukseset dhe në dënohen nga gratë. Në ditët e sotme ata janë të dy simbole të virilitetit dhe identifikimit mashkullor. Don Zhuani është një karakter imagjinar i sajuar në literaturën spanjolle të shekullit 17 nga shkrimtari Tirso de Molina, ndërsa Kazanova ishte një burrë real nga Venecia që jetoi gjatë shekullit të 18-të. Jan ë bërë të famshëm në sajë të pasionit dhe joshjes. Këta dy personazhe edhe pse ngatërrohen me njëri-tjetrin, janë radikalisht të ndryshëm. Ndërsa njëri josh për të poshtëruar femrat, tjetri dashuron për t’i kënaqur

Dr. Kim Drasa
Shpesh janë orvatur të përshkruajnë kontrastin e fshehtë midis këtyre dy mjeshtërve të joshjes. Më së miri ia ka arritur Oscar-A. -H. Shmitz), por përballja e dy figurave themelore të erotikës vazhdon të ngjallë debate. Edhe pse të dy turren në të njëjtin drejtim si dy gjahtarë femrash duke sulmuar pa reshtur kopenë e llahtarisur e pakëz të trembur, nga mënyra e të qenit dhe vepruarit, ata i përkasin racave të ndryshme.

Don Zhuani, ndryshe nga Kazanova ishte kokorroç e mendjelehtë që nuk njihte parime, as vetëpërmbajtje, pjesë e një kaste të çimentuar, një hidalgo, një fisnik spanjoll dhe një katolik i betuar e fanatik. Si spanjoll “pur sangre”, gjithë ndjenjat e tij lidhen me nocionin e nderit; si katolik i Mesjetës, pa kuptuar as vetë, ai mbështet qëndrimin e Kishës, sipas të cilit çdo dëshirë trupore është mëkat. Dashuria jashtëmartesore, parë nga ky këndvështrim fetar i krishterë (që është dyfish ngacmues) është diçka djallëzore, kundër vullnetit të Perëndisë, një mollë e ndaluar, një herezi e trupit, ndërsa femra, gruaja është shtegu drejt mëkatit, shqisat dhe qenia e së cilës janë vetëm në shërbim të së keqes” –mendime këto që do ta gajasnin së qeshuri mendimtarin e lirë Kazanova, në damarët e të cilit vërshon i nxehtë gjaku i Rilindjes. Natyra dhe jeta e Don Zhuanit janë joshje dhe rrezik. Për të, edhe virtyti më i përsosur i gruas nuk është tjetër veçse një lustër, një iluzion, vetë maska e gjarprit. Don Zhuani nuk beson në dëlirësinë dhe sinqeritetin e asnjërës prej këtyre bijave të djallit; ai e di që secila prej tyre është lakuriq nën rroba, duke fërgëlluar nga tundimi. Ti çjerrësh maskën tre shembujve te brishtësisë së grave, të dëshmosh para vetes, para botës dhe para Zotit që të gjitha këto që duken të paarritshme, këto bashkëshorte besnike në pamje, këto “fëmijë” të ngazëllyer, të fejuarat që Krishti i premtoi Zotit, të gjitha pa asnjë përjashtim, jepen një ditë. Ato që duken si “Engjëj në kishë” janë veçse “bushtra në shtrat” -dhe ky mendim që i rreh si çekan në kokë e nxit këtë joshës mizor grash të mos reshtë së joshuri deri në vdekje.

S’ka gjë më absurd sikur të mendosh se Don Zhuanin, këtë armik të betuar të seksit femëror, ta shndërrosh në një amoroso, në një mik të grave. Asnjë dashuri a ndjenjë e sinqertë s’ka mundur ta gozhdojë pas një gruaje të vetme, ndërsa një urrejtje primitive prej mashkulli e shtyn në tërbim demoni drejt çdo gruaje. Nuk i shtie në dorë thjesht për qejf, por me qëllimin për t’i rrënuar, për t’u zhvatur gjënë më të çmuar që kanë: nderin. Ndryshe nga Kazanova, kënaqësia e Don Zhuanit, nuk lind nga organet seksuale por nga truri. Kjo ndodh sepse ky sadist i shpirtit të femrave, kërkon të poshtërojë secilën grua, ta turpërojë , ta lëndojë në feminitetin e saj. Kënaqësia e tij është e tërthortë, ashtu si një parandjenjë e keqe dëshpërimi që ndien guraja e përdhosur, e çnderuar, e përçudnuar në epshe të ulëta dhe të fëlliqura si një shërbyese e rëndomtë. Vendosmëria e gruas ia shton Don Zhuanit ethet e gjuetisë, ndryshe nga Kazanova, për të cilin gruaja më e mirë është ajo që zhvishet më shpejt. Don Zhuani mendon se sa më e paarritshme të jetë një grua, sa më e paepur, aq më ngulmues dhe tundues bëhet mendimi i tij për ta shtënë në dorë. Don Zhuanin se ngacmon dorëzimi pa naze; është e pamundur ta takojmë, si ndodh rëndom me Kazanovën, te një lavire. Atë e eksiton marrëzisht vetëm akti djallëzor i poshtërimit, mëkati fatal që bëhet një herë në jetë dhe jo vesi, tradhtia bashkëshortore, zhvirgjërimi i një vajze të dëlirë apo çnderimi i një murgeshe.

Te ai çdo gjë merr fund me zotërimin e gruas; gruaja e shtënë në dorë është thjesht një numër në regjistrin që i ka besuar një llogaritari të veçantë, Leporelos. Kurrë s’denjon t’i hedhë një vështrim të fundit të ëmbël, dashnores së natës së shkuar –të natës së vetme –sepse ashtu si gjahtari s’humbet kohë pas presë së vrarë, ashtu dhe ky mjeshtër i joshjes nuk qëndron pranë viktimës së tij pasi mbaron punë me të; ai duhet të shkojë larg, gjithnjë e më lart, në gjueti, drejt preve të panumërta. Kjo ndodh sepse instinkti i tij themelor e shtyn për t’u karikuar me një detyrë dhe pasion të pashtershëm për të vënë në provën e zjarrit të gjitha gratë, teksa ka vërtetuar në mënyrë absolute që seksi femër ka lindur të humbë. Erotizmi i Don Zhuanit as kërkon e as gjen paqe dhe kënaqësi. i shtyrë nga ndjenja e shpagimit që i rrjedh ndër deje, si burrë, ai është përjetësisht në luftë me çdo grua, ndërsa djalli e ka pajisur me armët më të përkryera për betejën e tij si: pasuria, rinia , sera e lartë, bukuria dha ajo që është më e rëndësishmja: gjakftohtësia e akullt dhe e kulluar.

Gratë pasi mashtrohen nga këto marifete të përllogaritura, shohin te Don Zhuani: djallin, dora vetë. Ato e urrejnë atë armik të hershëm dhe hileqar me gjithë forcën e dashurisë së një nate më parë, atë që të nesërmen e një pasioni të çmendur, përplas mbi zjarrin e tyre erën e acartë të një të qeshure qesëndisëse (ashtu si na e ka paraqitur Moxarti në mënyrë të pavdekshme). Ato turpërohen për dobësinë e tyre, çmenden, tërbohen, marrosen në inatin e tyre të pafuqishëm kundër këtij kodoshi që i ka mashtruar, zhvatur e yshtur në mëkat dhe urrejnë bashkë me të, gjithë meshkujt e botës. Të gjitha, Anat, Elvirat…, 1003 gratë që ranë pre e përgjërimeve të tij të përllogaritura, mbeten të helmuara për gjithë jetën në feminitetin e tyre. Përkundrazi, gratë që i jepen Kazanovës e falënderojnë atë si një zot, duke kujtuar me ëndje përkëdheljet e tij të zjarrta, sepse ai jo vetëm si ka cenuar aspak ndjenjat e tyre dhe as që i ka lënduar në sedrën femërore por përkundrazi, i ka shërbyer si kurrë më parë në jetë. Pikërisht atë që sataniku Don Zhuan e paraqit si poshtërimin më të lartë, si një ndërzim kafshëror, si një çast djallëzor, si një dobësi femërore, atë pra, ngërthimin e zjarrtë të trupave dhe braktisjen në flakët e epshit, Kazanova e paraqit si i ëmbli “magister artium eroticarum”, ua shërben atyre si çmendurinë e vërtetë, si detyrën më të ëmbël të natyrës femërore. Të mos jepesh dhe jo të bësh dashuri –kështu u predikon me bindje ky prift “engjëllor”(Don Zhuani) , epikurian hamshor –është mëkat kundër shenjtërisë së trupit, përdhosje e natyrës së dhuruar nga zoti dhe nga adhurimi për dhuratat e perëndisë, të magjepsura nga trallisja e tij, ato ndihen të shfajësuara nga çdo gjynah dhe të çliruara nga çdo peng.

I dashuruar dhe si me magji, Kazanova , u heq këtyre gjysmë grave (sepse ato bëhen gra të plota vetëm në shtrat), së bashku me rrobat e tyre, çdo droje dhe frikë; i lumturon duke u lumturuar dhe vetë; i shfajëson kënaqësitë e tyre me ekstazën e tij mirënjohëse. Kjo ndodh sepse Kazanova kënaqet plotësisht me një grua vetëm kur ndan kënaqësinë me të, vetëm kur e ndien qejfin tek rrjedh në damarët dhe nervat e dashnores së tij. Shprehja e tij kuptimplote ka qenë: “Katër të pestat e kënaqësisë për mua kanë qenë gjithnjë kënaqësia e grave” . Për t’u kënaqur, Kazanova, ka nevojë për kënaqësinë e përbashkët, ashtu si i dashuruari ka nevojë të ndihet i dashuruar, ndërsa bëmat e tij herkuliane kanë si qëllim, më shumë se të çlirojnë dhe kënaqin trupin e tij, t’i bëjnë qejfin gruas që mban në krahë. Me një erotizëm kaq vetëmohues, do të ishte një marrëzi të përdorte dhunë apo dredhi, thjesht për një kënaqësi trupore, prandaj Kazanovës kurrë si ka pëlqyer, siç ndodh rëndom me rivalin e tij spanjoll, dëshira e ulët dhe e dhunshme për t’u zotëruar, e kundërta, gjithnjë ka dëshiruar të dhurojë.

Ndaj nëse duam të mos ia hamë hakun, nuk duhet ta quajmë thjesht ngadhënjyes, por nismëtar të një loje të re, magjepsëse, në të cilën ai do ta dëshironte, po të ishte e mundur të përfshinte gjithnjë botën e kërrusur nga vështirësitë, të plogështuara nga pengesat, zakonet dhe morali- duke kërkuar te dashuria si në çdo gjë tjetër, veç moskokëçarjen dhe dehjen e së resë. Vetëm mungesa e skrupujve morale na çliron nga barra tokësore. Në fakt, çdo grua që i është dhënë Kazanovës është bërë një grua e plotë, sepse në fund ka dalë nga kjo lidhje më e mençur, më epshndjellëse dhe më e lirë. Ajo ka zbuluar trupin e saj, për të cilin ishte mospërfillëse si dhe të fshehtat e magjishme të kënaqësisë. Pas vellos së drojës, ajo shquan për herë të parë, bukurinë e lakuriqësisë së saj dhe zbulon thesarin e të qenit femër.

Kazanova kishte lindur për të qenë zemërgjerë, të dhuronte qejf për qejf dhe të mos kërkonte asnjë arsye tjetër përveç kënaqësisë së shqisave. Ndaj të themi të drejtën, ai si ka shtënë në dorë gratë vetëm për qejfin e tij, por për t’u zbuluar atyre një formë kënaqësie të ndërsjellë, ndaj dhe ato fillojnë të kërkojnë dishepuj të rinj të lumturisë. Motra e madhe shpie motrën e vogël në altarin e këtij blatimi të magjishëm; nëna shpie vajzën në krahët e këtij mësuesi engjëllor; çdo dashnore nxit tjetrën të përzihet në ritin dhe vallen e këtij zoti përdëllyes. Me të njëjtin instinkt të pagabueshëm të miqësisë femërore, me të cilin çdo grua e mashtruar nga Don Zhuani u hap sytë shoqeve të saj, të cilave ai u vardiset, kundër armikut të seksit femëror (e megjithatë pa dobi), dashnoret e Kazanovës shpërfillin xhelozinë dhe ia këshillojnë atë njëra –tjetrës si një hyjni të seksit. Ashtu si Kazanova dashuron te secila grua, femrën në përgjithësi, po kështu dhe gratë e duan atë si simbolin e mashkullit dhe mjeshtrin e pasionit.

Pra Kazanova nuk mishëron ngadhënjimin e një magjistari a të një ngadhënjyesi mistik të dashurisë, por fitoren e natyrës me fuqinë e saj të dobishme dhe të shëndetshme: Burrëria. Ja kjo është gjithë e fshehta e Kazanovës. i natyrshëm në dëshirat e tij, i sinqertë në ndjesitë e tij, ai sjell në dashuri një common sense, ekuilibrin e drejtë e të saktë jetësor. Ai nuk i ngjit gratë në piedestalin e shenjtërisë; nuk sheh tek ato demonët e ndjenjave, thjesht i dëshiron e i dashuron në një mënyrë tokësore, si partnere në lojë, si pjesa që i mungon fuqisë dhe kënaqësisë mashkullore, e bekuar dhe e dhuruar nga zoti. Dhe pse më i rrëmbyer dhe më gjaknxehtë se të gjithë lirikët, për të dashuria s’është kuptimi i jetës, për të cilën yjet sillen përqark botës sonë të vockël, për të cilën ndërrohen dhe zhduken stinët, për të cilën njerëzimi merr dhe jep frymë; për të, dashuria s’është “amini i universit” siç e quan besimtari Novalis, por është thjesht një ndjenjë e shëndetshme, e çiltër dhe me shpengimin e frymës antike. Ai e sheh erosin si mundësinë më të brishtë dhe më të madhe të kënaqësisë tokësore.Kazanova e rrëmben dashurinë nga qielli dhe sferat hyjnore, ku e kishin degdisur lirikët për ta sjellë në gjirin e njerëzisë, ku secili mund ta takojë te çdo grua, boll të ketë guximin dhe dëshirën për t’u kënaqur. Teksa Rusoi shpiku dashurinë platonike për francezet dhe Uertheri shpiku melankolinë e pasionit për gjermanët, ashtu dhe jeta e dehur e Kazanovës, i thur himne qetësisë pagane të dashurisë, si mjeti më i mirë për shfrimin e universit.

S’ka gjë më absurd sikur të mendosh se Don Zhuanin, këtë armik të betuar të seksit femëror, ta shndërrosh në një amoroso, në një mik të grave. Asnjë dashuri a ndjenjë e sinqertë s’ka mundur ta gozhdojë pas një gruaje të vetme, ndërsa një urrejtje primitive prej mashkulli e shtyn në tërbim demoni drejt çdo gruaje. Nuk i shtie në dorë thjesht për qejf, por me qëllimin për t’i rrënuar, për t’u zhvatur gjënë më të çmuar që kanë: nderin

I dashuruar dhe si me magji, Kazanova , u heq këtyre gjysmë grave (sepse ato bëhen gra të plota vetëm në shtrat), së bashku me rrobat e tyre, çdo droje dhe frikë; i lumturon duke u lumturuar dhe vetë; i shfajëson kënaqësitë e tyre me ekstazën e tij mirënjohëse. Kjo ndodh sepse Kazanova kënaqet plotësisht me një grua vetëm kur ndan kënaqësinë me të, vetëm kur e ndien qejfin tek rrjedh në damarët dhe nervat e dashnores së tij. Shprehja e tij kuptimplote ka qenë: “Katër të pestat e kënaqësisë për mua kanë qenë gjithnjë kënaqësia e grave”

loading...
No Comments Yet

Comments are closed

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤