Diana Kastrati: Një darkë me Montalen dhe Moravinë…

Diana Kastrati, shqipëruese dhe profesore zgjedh tre burra të rëndësishëm të letërsisë italiane, nëse do t’i jepej mundësia të ftonte për darkë personazhe të njohur të letrave. Andrea Camilleri, Eugenio Montale dhe Alberto Moravia do ta bënin të paharrueshëm një mbrëmje. Vetëm dy javë më parë ambasadori italian Alberto Cutillo, i dorëzoi medaljen e nderit “Ordine della Stella d’Italia” në rangun e Kalorësit, Diana Kastratit, akorduar me dekret të Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella me motivacionin: “Profesoresha Kastrati është shquar për angazhimin e pashoq nëpërmjet përkthimeve të shumta nga gjuha italiane të veprave të shkrimtarëve më të rëndësishëm italianë si klasikë ashtu edhe bashkëkohorë, duke kontribuar kësisoj në njohjen e letërsisë italiane nga lexuesit shqiptar, në përhapjen e kulturës italiane në Shqipëri dhe në formimin e një grupi solid përkthyesish të specializuar në gjuhën tonë.”

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Më ngjan shumë absolutiste si pyetje ndaj, edhe përgjigja më bëhet e pamundur. Përpos që personalisht nuk mendoj se ka një roman që mund ta klasifikoj, si, “më të mirin e të gjitha kohërave”. Ka një pafundësi veprash që më kanë përfshirë të tërën kur i kam lexuar, edhe në ditët në vijim e në vite e dekada, kjo po. Do të doja të përmendja “Bashkë me erën” të Margareth Mitchell-it. Mbaj mend që e kam pas lexuar në italisht në fillim të studimeve universitare. Botimi, i fillim shekullit të kaluar, i bibliotekës familjare, ishte me një kopertinë të trashë kartoni, ngjyrë tullë e hapur dhe me fletë shumë të holla. Këto karakteristika editoriale, ma vështirësonin paksa leximin në shtrat, por unë nuk kuptoja ku isha dhe me kë: për 4 ditë rresht, me krejt pak pushime ndërmjet, e mbarova. Akoma sot ma mvesh qenien ndjesia e gjithëpërfshirjes time kur e mbylla faqen e fundit. Nuk ia përngjiste asgjëje. Isha diku tjetër. Isha një tjetër.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Me plot bindje, për aq sa unë kam lexuar e për aq sa njoh, do të vija krijimet e Nikolaj Vasilievic Gogolit me “Tregime të Shën Pietërburgut”; Anton Cehovin me “Novela”; Stefan Cvajgun po kështu me “Novelat” e tij.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

I vetmi që mendoj se i përfshin të gjitha këto profile, është Umberto Eco.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Që e vogël kam shkuar drejt prozës, roman, tregim a përrallë të ishte. Vetëm vonë e kam kuptuar se unë i afrohesha me ndruajtje poezisë. Ishte një mekanizëm i çuditshëm psikologjik a psikanalitik nuk e di saktë, në kokën time; duhet të kem patur aq veneracion për poezinë, si më elitarja gjini në letërsinë artistike, sa që kjo më bëhej pengesë t’i qasesha me shkujdesje. Më ngjan si në rastet e dashurive të mëdha e të adhurueshme, kur tjetri/tjetra ka marrë për ty përmasat e adhurimit hyjnor e ti ndjehesh si e paralizuar t’i afrohesh. Me kalimin e kohës kam mësuar ta shijoj, por I kam mbetur “standardit” të vendosur në mënyrë të pandërgjegjshme që herët. Nëse dua të lexoj poezi, shkoj vetëm tek majat. Nuk kam bërë kompromis e, mendoj se vështirë mund të bëj tashmë një të tillë.

Çfarë nuk lexoj? Si në vogëli, ashtu edhe tani, nuk kam lexuar thuajse asnjëherë libra me superheronj, ose ajo që rëndom quhet letërsi popullore. Por, jeta të përplas në fytyrë “mangësitë e tua”: ndër librat e fundit që kam përkthyer, akoma i pabotuar, ishte edhe përmbledhja me studime e Umberto Eco-s “Mbinjeriu i masës: midis retorikës e ideologjisë së letërsisë popullore”. Për të satën herë në jetë, vërtetova bindjen tashmë, se asnjë lloj gjinie artistike nuk duhet nënvlerësuar apo gjykuar a priori, apo paragjykuar. Përkthimi i kësaj vepre ma ndezi llambushkën e ndërgjegjësimit dhe, atë që nuk kisha bërë në kush e di sa vite të jetës time, u detyrova ta bëja në një vit pak a shumë, me gjithë vështirësitë e brerjet e ndërgjegjes.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Nuk e di, besomëni. Nëse çudi mund te quhet, raftet vetë janë çudia: 100 vjeçare dhe të pafund. Ngjitur aq fort me murin, sa po të heqësh njërin do e heqësh bashkë me tjetrin. Pastaj aty ka botime të shekullit te XVIII, me ilustrime me dorë, me lidhje lëkure. Por këto jo për “fajin” tim. Për pjesën që më takon, librat që kam blerë që e vogël më kanë pëlqyer shumë që në atë moment në librari. Kam vite që, edhe për arsye profesionale, blej shumë më pak letërsi artistike e në pjesën më të madhe marr libra të fushave e interesave të mia si ato historikë, antropologjikë apo sociologjikë filozofikë. Shkurt, me karakter kulturologjik. Si rrjedhim, kam përshtypjen se nuk duhet të ketë edhe aq “çudira” brenda bibliotekës time. Që do të thotë se i rrinë për shtat asaj që unë jam. Nga ana tjetër, mund të jetë edhe tregues i një stabiliteti linear timit, paksa i mërzitshëm mbase???

Gjithsesi, për t’iu përgjigjur më qartë pyetjes tuaj: ka qenë viti 1997 besoj. Unë po udhëtoja me një tren nate nga Italia në Francë. Me këtë rast, mendova të blej një libër, si të themi, jo aq impenjativ. Mora diçka nga Daniel Steel. E kam akoma aty në raft, diku.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Nuk kam një të tillë prej shumë vitesh. Ama, Rossella O’Hara më mahnit akoma sot.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Me sa e kujtoj veten që e vogël, mund të përkufizohem si lexuesja gjysmë e “çmendur”; librin e parë që kam blerë me paratë e mia, keni parasysh ato lekët që na jepeshin nga prindërit për të na vlerësuar për sjelljen tonë si “si fëmijë të mbarë”? Ja pra, me këtë farë “pasurie” ndër duar, bleva “Arushi kërkon një llullë” të Gaqo Bushakës, besoj. U ndjeva e rritur, autonome. Nuk ishte kush me mua…

Lexoja në vijimësi, kudo e kurdo. Shpesh, libra që ishin për më të rritur e që, normalisht, nuk mund t’i kuptoja. Më vjen ndër mend një rast që u shndërrua më pas në “anekdotë” në familje: shkoj me bujtë tek një I afërm I imi, njerëz shumë të mirë e të dashur, por pa shumë pretendime intelektuale. Nuk kisha marrë libër me vete dhe, pas nja një ore, pasi I kisha hedhur sytë gjithandej e nuk shihja ndonjë libër, me shumë ndroje meqë rigoroziteti I edukatës të sime mëje ma kishte ndaluar, iu kërkoj nëse kishin një libër për të më dhënë për të lexuar. E zonja e shtëpisë, një grua engjëllorë, me një siklet që nuk po ma bënte qejfin, më tha: Kemi instruksionin e lavatriçes, e don?

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Dy herë kam pasur telashe që e kishin zanafillën tek të lexuarit e një libri me çdo kusht. Rasti I parë ndodhi kur isha në klasën e shtatë dhe, po bënim mësim. Ishte ora e zoologjisë, në mos gabohem. Kisha me vete një roman, titulli I të cilit më rrëshqet tani, por që besoj ishte kështu “Mallkuar qoftë dita që të linda”. Ngjante si i ndaluar, për ishte thjesht me një subjekt paksa melodramatik mbi dallimet raciale. Ndërkohë që mësuesja po pyeste dikë në dërrasën e zezë, e bindur që nuk do të më shihte pavarësisht se kam qenë gjithmonë më e gjatë se mosha, nxjerr nga poshtë bankës romanin. Më kap. E merr librin dhe, hapu qiell. Pasi bën një koment zhvlerësues për mua, ma “sekuestron” dhe…librin ia shpie hallës time, mësuese edhe ajo. Halla, një natyrë libradashase, por tejet e rreptë, më thërret në audiencë në katin e poshtëm të shtëpisë tonë ku banonte edhe ajo. Bëhet gjyqi tete a tete…Prindërit nuk e morën vesh.

Rasti dytë dhe më I vështiri, por që më ka shërbyer potencialisht në rritjen e vetëvlerësimit, ishte kur isha pak a shumë 14 vjeçe. Ishte verë, isha me pushimet e shkollës. Çdo ditë ruaja rastin kur im atë bënte pushimin kanonik të drekës dhe, me qetësi I afrohem njërit prej rafteve të librave. Kisha individualizuar një libër që në fakt ishte studimor, me titullin “Sesso e amore”. Një botim I vjetër në italisht. Titulli ishte fort ndjellës për një që është në adoleshencë. Por nuk kisha bërë llogaritë me nivelin e italishtes time goxha të dobët për atë nivel vepre. Duke ndenjur afër raftit, me sytë e veshët tek dërrasat e njërës prej dhomave që I takonte pjesës së vjetër të shtëpisë të cilat ishin “alarmi” më I mirë për të më lajmëruar se babi ishte në këmbë, filloj të lexoj. Mbaj mend Akoma sot frazën që po lexoja: “…durante il coito, basta un minimo rumore e l’incantesimo si rompe…”. Nga tetë fjalë, më dilnin jashtë kompetencave gjashtë… E përhumbur, nuk I ndjej zhurmat e të bekuarave dërrasa dhe, në derën e hapur shfaqet im atë, I cili nuk afrohet por që nga dera ndjej një zë të shtruar e pa asnjë ndryshim me të përhershmin: Shpirt, kam përshtypjen se italishtja jote nuk ashtë aq e mirë sa të arrish ta kuptosh tamam. Ma mirë lene dhe e lexon një herë tjetër. Vene edhe nji herë ku e more”. Dinte saktësisht ku e kisha marrë… E ngrirë, e paralizuar, pa ngritur as sytë, e vë në vend edhe një herë. Pas shumë vitesh e kam falënderuar me mijëra herë tim atë që nuk mori qëndrimin moralistik të më kritikonte rëndë për veprimin tënd.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Janë disa syresh. Nuk mbaj mend një të vetëm. Siç thotë Calvino “e gjithë dija është një bibliotekë e madhe…”. Mund të veçoj në vogëli “Aventurat e Tom Sojerit”, e pak më vonë “Komedinë Hyjnore” të Dante Alighierit, “Ana Kareninën” të Tolstoit, Carls Dikens me “David Koperfild” dhe “Oliver Tuist”, apo Camajn me morinë e poezive e prozës, e në veçanti “Dranja Madrigale”, Moravia patjetër, Umberto Eko, etj etj.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Unë nuk shkruaj letërsi artistike. Nuk e di a do ta kem atë shtysë ta bëj ndonjëherë në këtë pjesë të dytë të jetës, por ca sinjale më thonë që edhe mund ta bëj. Kur? Nuk e di.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Presidentit të Republikës? Jo vetëm këtij që është aktualisht, por në përgjithësi, pavarësisht së është përgjegjësi e madhe, si dhe duke u nisur nga roli përbashkues i figurës institucionale të tij, nëse nuk e ka lexuar, do t’i sugjeroja “Presidenti” të Georges Simenon.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Ah, do të ishte darka e darkave për mua, nëse në të njëjtën tryezë, në një natë dimri me erë e të ftohtë, të gjendesha e rrethuar nga Andrea Camilleri, Eugenio Montale dhe Alberto Moravia. E din pse këto të tre? Sepse rrëfimi, të treguarit lyps ritëm të pasforcuar nga koha, nga tik taket, nga ndërprerjet: kërkon qetësinë e mbushur me fjalë të mençura. I pari Camilleri, është par excellence afabulatori. I dyti, Montale, ka velin e fjalës së pazbuluar plotësisht, hermetiken, trishtimin si dhe, pafajësinë e “bizzarrinë” e njeriut që jetën e sheh pas “I cocci aguzzi…”.I treti, Moravia, qartësinë e lëbyrtë të psikës.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Paraprakisht kërkoj ndjesë për këtë që do të them, por parapëlqej të jem e sinqertë. Para disa vitesh, më së fundi, mora të lexoj romanin e Nobelisti serb Ivo Andric, “Ura mbi Drin”. Akoma sot nuk e di pse nuk arrita ta shijoj. Me turp mbase, por më duhet ta them që e lashë përgjysmë. Ka shumë të ngjarë që të jetë plotësisht “faji” im, nëse për faj mund të flitet. Jam e bindur a priori për vlerën e veprës e të autorit, por çasti, ky kërcënim real I ekzistencave tona, më diktoi për keq. Mbase, në një të ardhme do ta rimarr. E, uroj të mos jetë “çasti” I keq I imi.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Nëse do të shkruhej ndonjëherë më së pari… Të gjithëve iu ngjan se jeta e tyre është me interes për t’u rrëfyer. Gjithsesi, nëse nuk ia dal unë ta shkruaj, për aq interes sa mund të ketë…, e kam shumë të qartë se cila do ta bëjë: mbesa ime, Arnisa, ose më mirë alter egoja ime, ajo që ka ditur që e vogël të më lexojë edhe regëtimat më të fshehta të trurit e shpirtit tim, ajo që më ka bërë më të mençur që kur e vogël sa një “gishtëz” më drejtonte në hullinë e të menduarit edhe më në thellësi se ç’e kisha bërë deri më atëherë, ajo që Akoma sot më bën “farin cerebral” timin.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Zakonisht nuk i rikthehem letërsisë artistike, ose shumë rrallë. Normalisht, mund t’i rikthehem atyre studimorë. Një prej tyre është Zygmund Bauman me veprat e tij.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Marcel Proust-in me “Në kërkim të kohës së humbur”. E kam vënë në një plan relativisht afatshkurtër.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Gjithçka tjetër që nevoja dhe dëshira do të më diktojë.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤