Kryesore

Diabetikët: Ja si llogariten ushqimet me njësi sheqeri






               Publikuar në : 08:10 - 07/12/18 |
mapo.al

Është shumë e rëndësishme që të mos merret as më pak e as më shumë sheqer nga sasia e nevojshme, çdo ditë. Po kaq e rëndësishme është shpërndarja e sheqerit në 5-6 vakte në ditë dhe konsumi i tyre çdo ditë në të njëjtat orë, veçanërisht për ata persona që mjekohen me insulinë


Diabeti është një sëmundje kronike dhe kërkon trajtim përgjatë gjithë jetës. Kjo sëmundje karakterizohet nga rritja e sheqerit në gjak, si pasojë e mungesës së insulinës ose paaftësisë së saj për të ulur sheqerin. Diabeti ndahet kryesisht në 2 kategori të mëdha, diabet tip 1 dhe diabet tip 2. Personat me diabet 1 nuk prodhojnë fare insulinë. Personat me diabet tip 2 prodhojnë pak insulinë ose insulina që prodhojnë nuk ka rendiment, (ose të dyja bashkë). Kontrolli i sheqerit në gjak në sëmundjen e diabetit kërkon një koordinim të mirë të sheqerit nga ushqimi me mjekimin dhe aktivitetin fizik. Monitorimi i shpeshtë është aleat i rëndësishëm në arritjen e kontrollit të mirë të glicemisë në gjak.

Ushqimet

Nëse duam të kemi kontroll mbi sheqerin në gjak, duhet të kemi kontroll shumë të rreptë të sasisë në total të sheqerit në ushqim dhe shpërndarjes së tij në çdo vakt. Sasia ditore e sheqerit në dietë nuk duhet të jetë më pak se 130gr/ditë. Për një grua e cila nuk synon të rrëzojë peshë trupore, sasia e sheqerit varion nga 250–300gr/ditë, ndërsa për një burrë që gjithashtu kërkon të mbajë peshën konstante, sasia e sheqerit që nevojitet është nga 325–375gr/ditë. Këto sasi ndryshojnë në rastin e një diete hipo ose hiperkalorike, në rastin e personave me aktivitet fizik shumë të lartë dhe në rastin e grave shtatzëna apo në laktacion.

Është shumë e rëndësishme që të mos merret as më pak e as më shumë sheqer nga sasia e nevojshme, çdo ditë. Po kaq e rëndësishme është shpërndarja e sheqerit në 5-6 vakte në ditë dhe konsumi i tyre çdo ditë në të njëjtat orë, veçanërisht për ata persona që mjekohen me insulinë. Për ta thjeshtuar konceptin e shpërndarjes së sheqerit në vakte, e shprehim atë me njësi, ku 1 njësi = 15gr sheqer. 1 njësi sheqer është ajo sasi e ushqimeve që përmban 15 gr sheqer. Nisur nga sasitë ditore të sheqerit të lartpërmendura, një grua nevojitet përafërsisht 15 njësi sheqer në ditë ndërsa një burrë mesatarisht 20 njësi sheqer në ditë. Këto njësi duhet të shpërndahen në 5-6 vakte sipas madhësisë së tyre. Vaktet kryesore duhet të përmbajnë më shumë njësi ndërsa vaktet e vogla (të ndërmjetme) më pak.

 

Shembull i përbërjes ushqyese për një dietë me 2000 kalori/ditë:

Proteina: 75gr/ditë

Sheqerna: 250gr/ditë (nga të cilat sheqer i shtuar jo më shumë se 25gr/ditë)

Yndyrna: 67gr/ditë

 

Shembull Ushqimi ditor = 1800kcal, i shpërndarë në 6 vakte, 15 njësi sheqer (225gr)

Mëngjes: 3 njësi

Paradite: 1 njësi

Drekë: 5 njësi

Pasdite: 1 njësi

Darkë: 4 njësi

Para gjumit: 1 njësi

 

Shembull Ushqimi ditor = 2500kalori, i shpërndarë në 5 vakte, 18 njësi sheqer (275gr)

Mëngjes: 4 njësi

Paradite: 2 njësi

Drekë: 6 njësi

Pasdite: 2 njësi

Darkë: 4 njësi

 

Ushqimet, ja sa sheqer përmbajnë

(Brumëra (drithëra & perime me amidon) 1 njësi = 1 racion)

1 fetë bukë e thekur (15gr)

4 krakera të mëdhenj

2 friganja (15gr)

2 biskota me kripë (20gr)

1/3 kupë oriz, grurë, elb, thekër, kuinoa (kokërr, të ziera)

1 lugë e madhe trahana (15-20gr)

½ kupë tërshërë e zier

1 lugë e madhe miell (15gr)½ kupë fasule, thjerrëza, qiqra (të ziera)

1/3 kupë fasule të pjekura

1/3 kupë bizele

½ kupë misra

1 kupë kungull dimri

1 patate e vogël e zier (60gr)

½ kupe pure patateje e ëmbël

 

Fruta (1 njësi = 1 racion)

12 qershi (90gr)

17 kokrra rrush i vogël (90gr)

2 fiq të vegjël (90gr) ose 2 të thatë

2 kivi të vegjël (150gr)

1 banane e vogël (90gr)

1 mollë, dardhë mesatare (120gr)

Ananas (120gr) ¾ kupë

4 kajsi të freskëta (150gr), ose 4 të thata

1 nektarinë (150gr)

1 pjeshkë mesatare (150gr)

¾ kupë boronica, manaferra, mjedër, (150gr)

2 kumbulla të mëdha, me tul, (150gr)

3 kumbulla vishnje, të thata

1 portokall mesatar (190gr)

2 mandarina të vogla (240gr)

2 kupa luleshtrydhe ose 15 kokrra mesatare ose 10 të mëdha, (200gr)

1/3 pjepër 1 ¼ kupë (150gr)

1 fete shalqi, 1 ¼ kupë (200gr)

Hurma Arabie 3 copë

Qitro, ½ e një të madheje (330gr)

Lëng frutash të shtrydhura, ½ kupe

 

Bulmet (1 njësi = 1 racion bulmet)

 

1 gotë qumësht 240ml (me ose pa yndyrë)

1 kupë kos (180ml), me ose pa yndyrë

1 ½ kupë dhallë

Kakao me 1 lugë sheqer, ½ kupe

 

Perime pa amidon (1 njësi = 3 racione)

½ kupe perime të gatuara (spinaq, pazi, mashurka, karota, lakër etj.)

1 kupë perime –gjethe të freskëta, të pagatuara

1 kupë brokoli (100gr)

1 panxhar i vogël ose ½ panxhari mesatar (50gr)

1 domate mesatare (100gr)

Patëllxhan, 1 kupë e prerë në kubikë (80gr)

Qepë të kuqe, 1 e vogël (70 gr)

Mashurka 2/3 kupë

Spec i kuq, 1 copë (45gr)

Lëng perimesh të shtrydhura, 1 kupë

 

Ëmbëlsira

½ kupë akullore

2 biskota rrumbullake

1 lugë e madhe mjaltë

1 lugë e madhe sheqer

Kek 1 copë, (25gr)

1 lugë e madhe reçel, liko

1 lugë e madhe shurup

Burimi: Blerina Bombaj, dietologe klinike


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas