fbpx

Kryesore

Dhjetori i dytë do të ndodhë në janar





               Publikuar në : 14:45 - 01/01/19 |
mapo.al

Nga Mustafa Nano


I  dashur Zoran,



Tani që po të shkruaj, sapo është mbyllur një protestë e madhe studentore me kërkesa për ulje tarifash, rritje shpenzimesh për arsimin, një rol më të madh të studentëve në administrimin e universiteteve, etj. Është mbyllur për të vijuar në ditët e para të Janarit. Dhe duket që studentët e kanë seriozisht. Nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Ishte kjo vendosmëri e tyre që entusiazmoi shumë njerëz. Unë isha njëri prej tyre. Një ditë pasi nisi protesta, emisionin tim televiziv të radhës e hapa me fjalët: “Ky vend ka një nevojë dramatike për një shkundje të fortë, një shkundje që të jetë leksion për të gjithë, dhe se këtë shkundje nuk ka se kush tjetër ta bëjë, përveç jush. Shqiptarët e tjerë, duke filluar nga ata që janë pak më të mëdhenj se ju e duke përfunduar tek prindërit tuaj, e tek prindërit e prindërve, kanë kapitulluar përballë elitës sunduese, dhe në këto rrethana, u punon mendja ose të zhvasin ç’mund të zhvasin, ose të ikin në Gjermani, a diku tjetër në Europë. E kanë më të lehtë ta lënë këtë vend, sesa të provojnë ta bëjnë më të mirë. Nga një anketim i Gallup-it del se 60% e popullsisë do donin ta linin vendin në rastin më të parë. As në Siri, që është shndërruar në një tokë të djegur, nuk ekziston një dëshirë kaq e madhe për ta lënë vendin. Prandaj të dashur studentë, mos u largoni nga rrugët. Nxirreni këtë vend nga balta, ku e kemi futur ne të tjerët. Dilini zot këtij vendi. Kërkoni gjëra që i kapërcejnë interesat tuaja të momentit.”


Pati edhe të tjerë që e lëshuan këtë “britmë të dëshpëruar”. Mirëpo nuk u duk që studentët po ecnin kësaj ane. Ata, të paktën deri tani, janë të fokusuar tek hallet e tyre. “Nëse plotësohen kërkesat tona, ne kthehemi në auditorët e universitetit”, thonë ata, s’ka gjë se e demonstrojnë hapur që pakënaqësia e tyre shkon përtej kërkesave të bëra, dhe që klasa politike ua ka sjellë në majë të hundës. Kjo është edhe arsyeja që nuk pranojnë asnjë politikan që t’i bashkohet protestës. Nuk pranojnë të takojnë asnjë syresh. Kanë refuzuar çdo ide për të dialoguar edhe me kryeministrin Rama. Ky i fundit, në fakt, po kërkon t’ua prishë mendjen studentëve me një përunjësi të stisur. “Ju keni të drejtë, ju jeni heronjtë e kohës, ju më keni hapur sytë edhe mua, dhe për këtë arsye, edhe ju jam mirënjohës, edhe kam vendosur të bëj shumë më tepër sesa ju po më kërkoni”, po u thotë ai studentëve, me dëshirën për t’ua fituar zemrat. Sa nuk i shkojnë këto poza!  Veç të ishe këtu, Zoran, e ta shihje Edi Ramën se si është bërë. I është mbledhur fytyra dhe i është bërë sa një monedhë pesëdhjetë qindarkëshe. Ka të drejtë, i shkreti. Mendonte se i kishte punët në rregull, se kishte nën kontroll çdo gjë, median, biznesin, elitën kulturore, madje edhe opozitën. Dhe ja, sot është zgërlaqur e ligështuar aq shumë, sa nuk ngjan më me atë “udhëheqësin e madh”, për të cilin kanë folur simpatizantët e tij. Edhe shtatlartë nuk duket më. Sa do ta donte një negociatë me studentët! Kushedi sa herë e ka përfytyruar veten këto ditë në një takim me ta, mes të tyre, në qendër, shtatlartë (jo aq sa është sot; aq sa ishte para protestës), duke u “dhuruar” në fund atë që ata kërkojnë, apo edhe më shumë sesa kërkojnë. Do të dilte si magjistar, si njeri që ua gjen telat të gjithëve, ndoshta si babai i kombit. Mirëpo, studentët ia prishën festën e “ngadhnjimit” të përfytyruar. Ia prapsuan pa një, pa dy lutjet për një takim. Ramës në këto rrethana i duhet të marrë vendime të shpejta e t’i bindet ultimatumit të studentëve, ndryshe protesta mund të marrë përmasa të tjera. Mund të bëhet krejt politike. Mund të dalë jashtë kontrollit. Dhe nëpër sheshe mund të kërkohet koka e tij. Thuaja këtë gjë mikut të Ramës, Vuçiçit. Edhe aty te ju diçka po ndodh, ç’është e vërteta, por në Tiranë duket se është më e madhe. Dhe morali i fabulës në Tiranë është fare i thjeshtë: “Mund ta pësosh pikërisht atëherë kur mendon se je më i fortë se kurrë”.

Por nuk është vetëm Rama që është kapur nga frika se mund ta nxjerrin nga zyra. Janë edhe politikanët e tjerë të opozitës, që nuk guxojnë t’i afrohen protestës së studentëve. Sepse, siç thashë, studentët nuk i pranojnë. Studentët nuk duan që protesta e tyre të kapet prej politikës. Nuk kanë besim tek asnjë politikan. Nuk kanë besim as te njëri-tjetri. Është një klimë e madhe mosbesimi këtu te ne, që e ka burimin tek fakti që e gjithë shoqëria është e politizuar dhe e korruptuar. Studentët janë, me sa duket, të vetëdijshëm për këtë gjë, dhe prandaj nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të krijuar një grup të tyrin udhëheqës. Ata janë një trup i madh pa kokë. Edhe në studiot televizive shkon kush të mundet. Flasin, bërtasin, denoncojnë. Duket sikur jemi duke përjetuar një demokraci të hareshme athinjote. Por në të vërtetë, e gjitha kjo ndodh prej frikës së studentëve se një grup i vogël drejtues mund të blihet fare lehtë nga qeveria, apo nga politika. Nuk e kanë kot këtë frikë. Kanë ndodhur gjëra të çuditshme në Shqipëri. Në një moment të caktuar u ble deri edhe posti i Presidentit të Republikës, për të cilin më pas u tha se, nga pozicioni i kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zuri të shiste emërimet dhe promovimet brenda sistemit të drejtësisë. Ky ka qenë kulmi i çnderimit publik të institucioneve. Ishte një gjë pa precedentë në historinë tonë shtetërore. Kronika politike e shqiptarëve gjatë shekullit të fundit është e mbushur me akte e bëma korruptive, por kurrë më parë kjo gjë nuk ishte bërë kaq hapur. Dhe mund të merret me mend se ç’mund të ndodhte pas kësaj në nivelet e poshtme të administratës publike apo në shoqëri. Çdo gjë u bë e shitshme dhe e blejtshme. Dhe kështu kemi ardhur në pikën, ku secili ecën me idenë, se s’ka pse të jetë aq budalla sa të mos blihet. E prandaj njerëzit nuk e kanë për gjë të shohin një sjellje a llogari korruptive prapa çdo opinioni e qëndrimi publik. Siç po ndodh edhe me këtë protestë. Nëse një student del e thotë se duhet të ulen të negocjojnë me qeverinë, ai shpallet menjëherë si vegël e Edi Ramës. Ndërsa për studentët që po i mbahen qëndrimit për të mos bërë negociata, thuhet se po bëjnë lojën e opozitës.

E di, Zoran? Para disa muajsh, një numër aktorësh të Teatrit dolën në rrugë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për të prishur ndërtesën e Teatrit Kombëtar, pasi në vend të saj do të ndërtohej me PPP (Public-Private Partnership) një ndërtesë e re, moderne. Dhe bizneseve që u futën në lojën PPP për të ndërtuar një Teatër të ri Kombëtar u jepej leje të ndërtonin gjashtë qiejgërvishtës, ngjitur me ndërtesën e Teatrit, në qendër të Tiranës. Kuptohet, pjesa tjetër e aktorëve ishte në mbështetje të qeverisë. Dhe kur dukej se protesta po i gëzohej një momentumi të saj, ndodhi diçka e papritur. Tre nga zërat më të fortë të protestës, një aktor e dy regjizorë, ndërruan qëndrim krejt papritur, dhe dolën në mbështetje të vendimit të qeverisë për ta prishur ndërtesën e ngritur nga italianët gjatë Luftës II Botërore. Ata janë aktorë e regjizorë të rëndësishëm, janë ikona të jetës sonë teatrore, dhe unë personalisht e vë dorën në zjarr për integritetin moral të secilit syresh, por hamendja më e besueshme në këtë atmosferë të korruptimit të përgjithshëm është që ata janë blerë. E që unë jam leshko.

Ja dhe një ngjarje tjetër. Këto ditë, krahas protestës së studentëve, po mbahet edhe një protestë tjetër e disa banorëve të një lagjeje të Tiranës, të cilëve do t’u prishen shtëpitë (shumica e atyre janë ndërtime pa leje), ngaqë në atë zonë është planifikuar të bëhet një investim i rëndësishëm publik. Për ditë tëra, kamerat e televizioneve filmonin gra duke qarë, e burra që premtonin se vetëm të vdekur do të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Por në një moment, në edicionet e lajmeve të mbrëmjes u pa një nga banorët që, i kapur nga skrupujt e res publica-s, doli vullnetar dhe tha: Prishni shtëpinë timen të parën. Dhe si për të treguar se e kishte seriozisht, mori kazmën dhe zuri ta prishte vetë. Pas tij u shfaq një rruspë, që e rrëzoi të tërën për tokë në harkun e pak minutave. Ishte një shtëpi e bukur dykatëshe. Sikur ajo shtëpi të kishte qenë e imja, mua do të më kishte rënë pika. Mirëpo ai banori i Unazës së Re po e prishte shtëpinë e vet mes një hareje të pabesueshme, si të ishte një Lej Fen shqiptar i shekullit XXI (Lej Feni ka qenë një personazh i letërsisë kineze që i parapriu revolucionit kulturor; ai, në frymën e mësimeve të kryetarit Mao, vetësakrifikohej e vetëmohohej për kauzën komuniste, që ai e shihte si të mirën e përgjithshme). Në fakt, askush nuk beson se prishësi i shtëpisë së vet ishte një Lej Fen. Gjestin e tij të gjithë e morën për një lojë korruptive mes tij e qeverisë.

Kështu kanë bërë gjithnjë me protestat qeveritë në Tiranë. Mirëpo, me protestën studentore nuk ndodhi një gjë e tillë. Kjo është protesta e parë civile që një qeveri nuk ka mundur ta blejë. Dhe është kjo një nga arsyet që protesta ka ngjallur besim e shpresë. Ajo u ka dhënë një shkundje të mirë njerëzve, të cilët në këto rrethana do donin që protesta të vijonte, madje edhe të shndërrohej në një lëvizje të madhe kundër establishmentit politik e kundër këtij rendi të shëmtuar gjërash. Duke iu referuar lëvizjes së dhjetorit 1990, që solli përmbysjen e regjimit komunist, dikush shkroi këto ditë, se “na duhet një dhjetor i dytë, qoftë edhe në janar”. Dhe prandaj, të gjithë po presin muajin janar.

Shënim: Ky artikull është shkruar disa ditë më parë, e prandaj mungojnë konsideratat mbi zhvillimet e fundit, mes të cilave më të rëndësishmet janë ndryshimet në qeverinë Rama.

Ky tekst është pjesë e programit të shkëmbimit të artikujve mes gazetave Danas nga Beogradi dhe Mapo nga Tirana, me qëllim përparimin e komunikimit dhe mirëkuptimit më të madh të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, konkluzionet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorëve (letërkëmbimin e bëjnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviç) të shprehura në këtë artikull, nuk përfaqësojnë detyrimisht edhe mendimin apo qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo OSBE-së.


Etiketa: , , , , , ,

Pas