Çfarë tregojnë turinjtë e varur në dashuri?

Nga Klementin Mile
“Pse është dashuria më e pasur se të gjitha përvojat njerëzore të tjera dhe barrë e ëmbël për ata që goditen prej saj?”, pyeste filozofi Heidegger në një letër dashurie që ia dërgonte Hannah Arendt. “Sepse ne bëhemi çka dashurojmë dhe, megjithatë, mbetemi vetvetja”. Ky tension ndërmjet dëshirës për t’u zgjuar të ndryshuar nga njëra anë dhe përgjumjes në zakonet e vetes nga ana tjetër, është përgjegjës për të gjitha përvojat acaruese të dashurisë. Por si mund të pajtohen këto dy pole të kundërta që e tërheqin njeriun dhe e bëjnë të vuajë?

Filozofi Alain de Botton e trajton këtë çështje duke u fokusuar te fenomeni më i zakonshëm dhe më i çuditshëm ndërmjet të dashuruarve: varja e turinjve. Sipas tij, në thelb të varjes së turinjve është një përzierje ngatërruese e inatit intensiv me një dëshirë po aq intensive për të mos e thënë për çfarë je inatosur. Turivaruri edhe ka nevojë dëshpërimisht që personi tjetër ta kuptojë, por edhe mbetet tërësisht i angazhuar për të mos bërë asgjë që ta ndihmojë tjetrin të kuptojë. Është në fakt nevoja për të shpjeguar që e fyen atë: nëse partneri kërkon shpjegim, ai ose ajo nuk e meriton shpjegimin. Madje duhet shtuar se është privilegj të të rrinë me turinjtë varur; kjo do të thotë se partneri na respekton dhe na beson aq sa të mendojë se duhet ta kuptojmë lëndimin e tij të pathënë. Ajo është njëra nga dhuratat më të çuditshme të dashurisë.

Varja e turinjve, thotë De Botton, lind nga një formë mendimi magjik, nga besimi se e pamundshmja është e mundur. Varja e turinjve i bën homazh një ideali të bukur dhe të rrezikshëm, i cili mund të gjurmohet pas në fëmijërinë tonë të hershme: premtimi i të kuptuarit pa fjalë. Në barkun e nënës neve nuk na duhet të shpjegoheshim dhe nevojat tona plotësoheshin për mrekulli. Edhe në vitet e para të jetës nuk na duhej ta flisnim çdo kërkesë tonën: të rriturit i hamendësonin ato dhe na i plotësonin. Ata shihnin përtej lotëve tanë, përtej belbëzimeve dhe pështjellimeve tona: ata gjenin shpjegimet për parehatitë që ne nuk kishim aftësi t’i shprehnim me fjalë.

Kjo mund të jetë arsyeja që në raportet intime, edhe ata më elokuentët ndër ne, mund të preferojnë instinktivisht të mos i thonë gjërat kur partnerët ka rrezik të mos na lexojnë si duhet. Vetëm leximi pa fjalë i mendjes mund të ndihet si shenjë e vërtetë që partneri është një person që duhet besuar; vetëm kur s’na duhet të shpjegohemi mund të ndihemi të sigurt se na kuptojnë me të vërtetë.

Edhe pse mund të jetë i rritur e trupmadh, turivaruri jep mesazhin: “Thellë brenda meje unë mbetem fëmijë dhe pikërisht tani kam nevojë të jesh prindi im. Kam nevojë ta hamendësosh saktësisht se çfarë po më mundon, ashtu si bënin njerëzit kur isha fëmijë, atëherë kur u formuan për herë të parë idetë e mia të dashurisë”.

Ne u bëjmë nderin më të madh të mundshëm të dashurve tanë turivarur kur jemi në gjendje t’i shohim shpërthimet e tyre të inatit si ato të një fëmije. Zakonisht ne nuk duam të na konsiderojnë më të vegjël se ç’jemi; por harrojmë se ndonjëherë privilegji më i madh është të shohësh përtej vetes së rritur për të prekur – dhe falur – fëmijën e zhgënjyer, të inatosur dhe të paartikuluar brenda nesh.

Supozimi më irracional, më i marrë, por megjithatë më i zakonshëm i dashurisë, është se personi që i kemi përkushtuar veten nuk është vetëm qendra e ekzistencës sonë emocionale, por është gjithashtu, si rezultat, edhe përgjegjës për gjithçka që na ndodh, për të mirat dhe të këqijat. Këtu qëndron privilegji i veçantë dhe i sëmurë i dashurisë. Maturimi fillon me kapacitetin për ta ndjerë dhe për ta pranuar marrëzinë tonë. Po të mos vihemi në siklet rregullisht dhe thellësisht nga kush jemi, udhëtimi drejt njohjes së vetes nuk fillon.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤