Arkiva 2

Ceremonia e diplomimit, flasin studentet e 10-ve







               Publikuar në : 09:49 - 18/07/16 |
mapo.al

Ceremonia e diplomimit, flasin studentët ekselentë. Fatjona Brahimi nga cikli bachelor dhe Odeta Cacaj nga masteri ndajnë eksperiencat, emocionet dhe kujtimet e tyre për vitet e studimit në UET. Të dyja nga dega e psikologjisë, të dyja me rezultate maksimale.


fatjona ibrahimi - studenteFatjona Brahimi: Tre vite në UET, vite sfide, njohjesh dhe zbulimesh

Pranon se ka nota të shkëlqyera, por nuk i pëlqen ta cilësojnë si studente ekselente. E sapo diplomuar në psikologji, Fatjona Brahimi është studentja me mesataren më të lartë ndër studentët e bachelorit. “Tre vite në UET nuk kanë qënë vetëm studimi. Tre vite në UET kanë qenë vite sfide, njohjesh, zbulimesh. Nga eksperienca në UET kam mësuar se ekziston një mundësi e dytë për çdo rast. Është një nga ato mësime që duhet ta provosh para se ta besosh. Pas tre vitesh studimi në UET, e vetmja gjë e sigurt është se ndihem e lumtur me zgjedhjen që kam bërë. Rrugëtimi im akademik sigurisht që nuk mbaron me kaq. Dhe dija nuk është asnjëherë e tepërt. Do ishte naive nga ana ime të thoja se jam e plotësuar nga ana akademike, por mund të them që jam përpjekur të përvetësoj sa më shumë nga ajo që më është ofruar, dhe do jetë mjaftueshëm për të vazhduar rrugën më tej. Nga ana sociale, klubet studentore, shkollat verore dhe pranverore, aktivitetet jashtë kurrikulës, të gjitha këto janë mundësi që mbase në të gjitha universitetet në Shqipëri, vetëm UET i ofron. Një tjetër arsye pse jam e lumtur me zgjedhjen. Ndërsa rrugëtimi shpirtëror, ai është krejtësisht individual. Përvoja në UET ka qenë pjesë e rrugës sime, dhe unë kam bërë të pamundurën të nxë sa më shumë mësime në këtë rrugë. Por UET-i ka edhe një gjë: di të të bëjë për vete. Ja, për shembull tani që po kryej këtë intervistë, ndjej ngazëllim, sepse mundi i tre viteve nuk ka kaluar pa u vënë re. Punon dhe shpërblehesh. Kjo ta mban shpirtin gjallë”, thotë Fatjona. Por studimet nuk kanë pasur vetëm çaste arritjesh, por edhe vështirësi. Një moment të tillë Fatjona e mban mend. “Ishte detyra e parë e dorëzuar. Isha në ankth. S’ia kisha idenë si mund të bëhej vlerësimi. Kisha dëgjuar nga studentë të tjerë përpara meje që ‘në universitet zor se të jepet nota që meriton’. Plus isha edhe me bursë, pasi kisha marrë bursë ekselence që në vit të parë nga rezultatet e maturës, dhe domosdo, pritshmëritë rriten. Presion pa fund. E megjithatë, ky moment i vështirë, u kthye pikërisht në një nga momentet më të bukura të eksperiencës në UET. Isha vlerësuar me pikë maksimale në detyrën e parë. Në atë moment kuptova se në UET, puna e mirë shpërblehet”, kujton ajo. Studimet i do shumë, ndaj do që të eksplorojë mundësitë e tregut të punës. Ndoshta, në këtë rrugëtim, do të zbulojë edhe hapin e ardhshëm akademik që do të ndërrmarë.

odeta cacaj- studenteOdeta Cacaj: Kam arritur të bëj investimin e jetës sime

“Të studiosh në UET do të thotë të bëhesh pjesë e një familjeje të madhe. Gjatë këtyre 5 viteve jeta ime studentore ka qënë e larmishme dhe e pasur nga ana akademike, marrëdhënieve sociale dhe shpirtërore. Tashmë unë jam pjesë dhe produkt i UET, i cili më ka shoqëruar, mbështetur dhe udhëhequr në arritjet e mia akademike. Momenti i diplomimit për mua është mbyllja dhe hapja e një kapitulli të ri në rrugëtimin drejt karrierës”, shprehet Odeta Cacaj, studentja ekselente e programeve të studimeve master. Por si është të jesh ekselente? Ajo thotë se: “Ndryshimi vjen nga edukimi i brezave. Kërkesat duhet të fillojnë njëherë tek ty si individ dhe më vonë të kërkosh nga të tjerët. Të jesh pjesë e rrjetit të ekselencës është një sodisfacion i madh, të qënurit ekselent nuk përfshin vetëm arritjet personale akademike, por gjithashtu aktivizim dhe angazhim të studentit në aktivitete, programe, projekte, konferenca dhe nisma duke kontribuar në përmirësimin dhe në arritjet që janë në funksion të të gjithë universitetit. Të gjitha këto mundësi UET i ofron, ekselenca vetëm duhet të zgjedh.”

Për të kanë qenë të shumta momentet e bukura në universitet gjatë këtyre pesë viteve, por mbi të gjitha vlerëson cilësimin si studentja me arritjet më të larta akademike në të dyja ciklet e studimit. “Arsimimi është absolutisht një investim për të ardhmen dhe jo një shpenzim dhe mund të them se me cilësinë e mësimidhënies dhe me arritjet e mia të larta akademike kam arritur të bëj investimin e jetës sime. Studimet në nivelin master janë të domosdoshme për tregun e punës, nuk mund të thuhet luks, pasi studimet në master janë ato që kanë në fokus praktikën dhe përgatitjen profesionale për një konkurrim sa më cilësor në tregun e punës”, thotë Odeta.

Përfundimi i masterit për të nuk do të thotë përfundim i studimeve, por nisja e një rruge tjetër shumë të bukur por të vështirë. Ajo do të fokusohet në një kërkimin shkencor në fushën e psikologjisë për të ndërtuar një karrierë akademike.



CLOSE
CLOSE
Pas