Bujar Qamili: Kur nuk kam koncert, këndoj nëpër shtëpi

E kush ka mbetur ndonjëherë i zhgënjyer nga shkodranët? Në fakt për të thënë të vërtetën rastet janë të rralla. Janë qytetarë artdashës, mikpritës e me një zemër të madhe. Për një personazh të muzikës popullore Shkodra duhet me qenë krenare. Bëhet fjalë për Bujar Qamilin. Jemi rritur me këngët e tij, kemi kërcyer e dëfryer nëpër koncerte e dasma. Nuk numërohen vitet që ka në skenën e muzikës shqiptare. Një personazh që përcjell vetëm pozitivitet, që ka publikuar hite, të cilat janë preferuar nga publiku gjithmonë. Bilbili i Shkodrës meriton të quhet.

S’po e quaj kot më koti kësisoj për sa kohë cilësia e projekteve muzikore dhe këngëtarëve shqiptarë ka rënë në një nivel që të vjen për të ardhur keq. Dhe ndihesh mirë ti si një qytetar i thjeshtë i vendit tënd kur dëgjon ende këngë cilësore, kur dëgjon një zë të vërtetë të një këngëtari të mirëfilltë, thua me vete ende ka mundësi të bëhet ky vend, ende ka mundësi të bëhet një art aq i pëlqyer sa muzika.

Me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë që përcjell aq mirësi e tillë ishte dhe intervista e tij për Mapo-n. Ai u shpreh së fundmi për këngën e tij me Luana Vjollcën që realisht bëri shumë bujë në momentet e para të publikimit e sot numëron plot 10 milionë klikime. Nga ana tjetër, foli mbi muzikën shqiptare, gjendjen e saj, si e kanë mbështetur fansat ndër vite, si arriti deri këtu që të gjithë e duan dhe e mbështesin etj.

Bisedoi: Ada Kacmoli

Si keni arritur të mbijetoni kaq gjatë në një profesion të tillë me kaq shumë prurje?

Të mbijetosh kaq gjatë sa kam mbijetuar unë si këngëtar i këngës popullore shqiptare dhe në veçanti asaj shkodrane duhet të jetë e vështirë për disa të tjerë. Këtu nuk është problemi vetëm t’i mbijetosh, por të qëndrosh gjithmonë në majat më të larta dhe të fitosh me dhjetëra çmime e festivale, të bësh disa koncerte recitale dhe të vlerësohesh shumë nga populli yt si dhe të marrësh vlerësime nga Presidenti i Republikës. Kjo ka bërë që unë të jem gjithmonë i freskët duke sjellë herë pas here këngë të bukura te publiku nuk kam ndaluar asnjëherë, por kam bërë gjithmonë atë që këngëtarët e tjerë nuk e bënin dot sa më afër këngës popullore asaj kënge që unë u rrita dhe që vazhdoj të kem obligime ndaj saj.

Çfarë është muzika për ju?

Muzika për mua është ushqim ose oksigjen. Unë pa të nuk mundem. Edhe kur nuk kam koncert, këndoj nëpër shtëpi aq sa gruaja me thotë boll pash Zotin tash e 35 vjet të kam dëgjuar boll akoma vazhdon hahaha…

Çfarë mbani mend në fillimet e karrierës? Sa e vështirë ka qenë për të mbërritur në një ditë si kjo e sotmja ku të gjitha moshat të duan tashmë?
Çdo fillim është i vështirë dhe njeriu kur hyn në këtë valle nuk e di se si do vijë jeta por kur shef sukseset njëra pas tjetrës atëherë thua që po bëhesh dikushi. Ka qenë shumë e vështirë të mbërrij këtu ku jam sepse kohë më përpara kanë qenë këngëtarët shumë të mirë dhe ka qenë shumë e vështirë për të çarë përpara e sidomos në qytetin e Shkodrës ku ka shumë talente por talenti dhe zëri im, repertori i bukur i këngëve të mia bëri që mua të më duan jo vetëm brezat e mi por edhe brezi më i ri i cili po e tregon veten nga dita në ditë duke dëgjuar shumë këngët e mia, pse jo duke i mësuar ato.

Çfarë vlerësimi do t’i jepnit muzikës aktuale shqiptare?

Muzika popullore shqiptare si çdo gjë tjetër në Shqipëri ka mangësi dhe për këtë kanë faj institucionet që duhet të merren me muzikën e festivalet popullore sidomos bashkitë me koncertet brenda qytetit, por në Shkodër kjo nuk mungon të jemi realistë ndërsa në qytetet e tjera nuk ekziston.

A mendoni që cilësia e një arti që bën të të këndojë shpirti, të dërgon dhe në nivelet e një aktori, një interpretuesi ka rënë apo është përmirësuar?

Jo, ka rënë sepse ne dikur kemi patur shumë koncerte me Këngën Popullore të organizuar nga RTSH, TV7, Klan, ka patur teatër, ka patur komedi dhe kur nuk ka të tilla premiera edhe artisti bie.

A merrni shumë mbështetje nëpër koncertet tuaja? Si e shfaqin këtë gjë fansat tuaj?

Kudo që shkoj një masivitet njerëzish duartrokasin, më thërrasin në emër dhe qeshin dhe më e bukura këndojnë të gjithë me mua kjo më gëzon shumë dhe këtë gjë fansat e mi e shfaqin shumë duke më duartrokitur pafund, duke kënduar ata këngët e mia dhe duke më shoqëruar gjatë gjithë kohës.

Cila është kënga më e preferuar e fansave që shpesh ua kërkojnë dhe pse?

Unë kam shumë këngë që ata kërkojnë për shembull, ‘Nuk jam ma sikur atëherë’, ‘Zemër mbas gjerdanit ke një emër’, ‘Mos u largo, mos u largo’, ‘Fati i zi’, ‘Hej goce çfarë po ban’, ‘M’i dhe flakë mallit tim’, ‘Qefi bahet me shkodran’, ‘Ah pranvera, pranvera’, ‘Rrak, tak zemra m’bani’.

Nga bashkëpunimet e ndryshme me këngëtarë të estradës a mund të veçoni njërin dhe pse?
Unë kam bashkëpunuar në shumë këngë dhe do të veçoja Artiola Toskën dhe Rovena Ibrahimin.

Nëse përmendim rastin e Luana Vjollcës pse zgjodhët të bënit një këngë me të? A ishte e lehtë të përshtateshit në një fushe që ju tashmë jeni profesionist dhe ajo sapo ia ka nisur?

E para propozimi ishte interesant, m’u duk i gjetur, kënga ishte bombë, shifet dhe sot po një këngë e vjetër jemi të hapur për çdo bashkëpunim, por gjithmonë kur ia vlen dhe është i bukur bashkëpunimi dhe i frytshëm dhe këtë po e tregojnë klikimet e njerëzve të cilët e duan përditë.

A është preferuar më shumë kënga e fundit me Luanën sesa projektet e tjera muzikore? A janë më të prirur spektatoret drejt produkteve më ritmike?

Kënga me Luanën nuk mund ta përmbushë gjithë karrierën time artistike, ai ishte një hit veror dhe kaq, unë kam tani të tjera pikësynime dhe bashkëpunime sepse duhet t’i qëndrojmë korrekt pyetjes së parë që ju bëtë se si kam mbijetuar, ja kështu këngë të reja e koncerte të tjera.

Si do e përshkruanit veten?

Jam një njeri i thjeshtë, një këngëtar që gëzon të gjitha gjërat që mund të rrethojnë një individ. Nuk më mungon asgjë as familja, as shoqëria, as respekti dhe reputacioni shumë i madh që kam në popull.

Si jeni ju në një ditë të zakonshme, pa kamera, pa koncerte?

Në një ditë të zakonshme pa kamera gjë që ndodh rrallë, jam një njeri shumë normal. Kur dal nga shtëpia marr makinën, parkoj, dal tek ambientet e bukura shkodrane me shokët e mi, pi kafen, ka raste nuk shkoj në shpi por shkoj për një tavë krapi në Shirokë këtë e kam ndonjë ditë javë. Meqenëse të gjitha ditët e shtuna dhe të diela i kam me koncerte jashtë shtetit.

Cili do jetë projekti i radhës?
Projekte kam shumë sinqerisht vetëm tani që jemi në prag të Vitit të Ri jam shumë i zënë. Sapo kam ardhur nga Italia ku isha me dy koncerte, më datë 16 dhjetor jam në koncert në Pescara, pastaj kam xhirimet e Vitit të Ri në televizione të ndryshme. Më 22 po në Itali është koncerti ‘Sofra e Shqipes’ nga ‘Bly Skye’, më 23 do nisem për në Athinë në koncert më 24 dhe 25 do jem atje kurse më 28 në Shkodër në “Sofra shkodrane”, më 31 në natën e Vitit të Ri në Londër, më 1 në Birmingham, më 2 në Glazgou në Skoci e me radhë.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤