Brikena Smajli, Në romanin e Romeo Çollakut… një festë e gjuhës

Në romanin e Romeo Çollakut teksti rrjedh si përroi, madje gurgullon po si ai. Vetë ngjarja, ngjarjet që e përbëjnë vendosen në një fshat jugor të Shqipërisë, jeta e të cilit merr zë, nga tërësia e shumëllojtë e personazheve që përsillen në të në një kohë kritike të fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe vitet e para të vendosjes së komunizmit

Pa rrëfim jemi shurdhë ose të verbër… (Pinardi, 2016, 172)

Nga Brikena Smajli

Në romanin e Romeo Çollakut teksti rrjedh si përroi, madje gurgullon po si ai. Vetë ngjarja, ngjarjet që e përbëjnë vendosen në një fshat jugor të Shqipërisë, jeta e të cilit merr zë, nga tërësia e shumëllojtë e personazheve që përsillen në të në një kohë kritike të fundit të Luftës së ytë Botërore dhe vitet e para të vendosjes së komunizmit. Personazhet sa janë të shumëllojtë aq janë edhe të ndryshëm, secili një mikrobotë dinamike ballkanase me huqet e veta. Kështu na dalin para personazhe si: Papateo, Qeasari, Arqilea, Mëhillengjëlli –( apo Milo, shoku Milo), Tatjana, Stillua, Dhimitër Jeshili – famullitari, Gogoja, Zahoja ( Papateo e quan më pas Pavli), Andoni , Galinia…gjithsecili prej tyre një mikrobotë njerëzore e kuptimit dhe e moskuptimit.

Në katundin e izoluar, si një Makondo shqiptar apo ballkanas, i cili flet një gjuhë të veçantë, personazhet sillen e përsillen mundimit të gjuhës dhe jo më kot, është një vëmendje e pikëzuar e autorit drejt një gjuhe të fëmijërisë, që kështu risjell në përmasën vetë të një bote që nga ky mall merr frymë merr jetë si për t’i dhënë kuptim frazës “Pa rrëfim jemi shurdhë ose të verbër…” (Pinardi, 2016, 172) Pikërisht i yshtur nga rrëfimi autori në kërkim të përhershëm ka sjellë gjallërisht një gjuhë të fëmijërisë, që përmasohet e merr frymë në qenësimin e personazheve.

Në këtë sfond sugjerimet nga “Ungjilli sipas Gjonit”, tekstet nga “Këngë dashurie e Jr. A. Prufrock”, (“Nëpër dhoma grate ven’ e vin’/ Llafosen për Mëhillengjëllin (Eliot., Prufrock)).vetëm sa formësojnë e riformësojnë përmasën e një bote, që rastësisht e ka vendndodhjen në një katund shqiptar… Përmasës së një gjuhe të gjallë e plot kolorit shqiptar jugor, i shtohet edhe ndjeshmëria prej të cilit gjuha e rrëfimit fiton përmasën metaforike dhe vetë personazhet sa lexohen në gjendjet e tyre, persiatjet, veprimet, aq edhe sugjerojnë lexime të tjera reflektuese e shumëplanëshe pa një përmbyllje përfundimtare. Fshati është si një stereotipi, e gjendjes njerëzore në udhëkryq dhe izolim prej një makrokozmosi, leximi nga këndvështrimi i të cilit, prej kohës sonë, kohëve, apo kohës së ngjarjes shtjell dinamikën narrative të romanit.

Mokondoja i Njëqind vjet vetmi dhe katundi i Çollakut, janë të izoluar, ndërmendja e të parit dhe leximi i të dytit krijon mikrokozmosin metaforik të botës lokale dhe universale të Çollakut. Izolimi i katundit vjen prej izolimit të personazheve, shumicës së tyre, të cilët në këtë njëfarë ngurtëzimi kohor e vendor rreken të thellohen në vehtet duke u përimtuar në gjuhë shenjuese e gjithsecilit edhe në heshtjet e tyre, pagojësinë, (rasti i italianit Andon që s’mund të flasë) në kërkim të ruajtjes së një qenësie të mirëfilltë.

Pikërisht për këtë personazhet zhvillohen me peshë të shumëfishtë kuptimore. Frika nga bota e madhe “bota e madhe fillon këtu e mbaron në Kserokam, në qafë të breshërit” përthellon personazhet në botët tyre duke thelluar më tepër një qasje personale individuale me jehona të gjithbotës, në ciklin e tyre natyral, njerëzor, si një mbrojtje ndaj tëhuajëzimit që po përballin. Ata ndihen mirë brenda një serie dokesh të katundit. (Gogoja dhe Mëhillengjëlli largohen dhe pastaj kthehen sërish, e shkaktojnë hutim në veshjet, emrat e ripagëzuar ( Milo, shoku Milo dhe gjuhën e tyre ). Lexuesi ndien dinamikën e këtij rrëfimi, naivitetin, hutimin e personazheve në qasje me kohën që ka trokitur forcërisht, të cilin e përcjell me të qeshur ngazëllyese, ironike.

Çollaku ka krijuar personazhe që jehojnë si Njëqind vjet vetmi të Markezit, një Prusti apo Ruzhdie… Jehonat letrare kanë të bëjnë me përmasën e shtresëzimet kuptimore që fiton romani megjithëse është i ngulitur në lokalen. Kështu vijnë në mendjen e lexuesit Kondia, gruaja që as flet e as dëgjon, por që ka zhvilluar një kuriozitet agresiv për të përthithur gjithçka të saj … Mëhillengjëlli, apo edhe Stillua, Andoni, Gogoja…

Ajo që mbi të gjitha shijon lexuesi është një festë e gjuhës. Gjuha e personazheve në dinamikën e tyre, gjuha e rrëfimit, kur rrëfen narratori, gjuha e sugjerimeve ndërtekstuale e sjellë nga personazhet ndërtojnë një botë që i jep zë rrëfimit. Vetë rrëfimi fillon me një fëmijë që ka gëlltitur gjuhën dhe mbyllet me Priftin që po dorëzon çelësat e kishës dhe “Ungjilli sipas Gjonit“ fjalia e parë e tij është ajo që ai lexon më së fundi.

“Kërreje përjashta mahlulen!” është fjalia e parë me të cilën përballet lexuesi. (Çollaku, 2016, 5)

“Te parvazi, plaku arriti të lexonte edhe fjalinë e parë të Ungjillit sipas Gjonit, e mbylli Biblën, e futi në valixhe bashkë me kryqin, ngriti jakën e xhaketës kadife dhe doli të dorëzonte çelësat e kishës. Nga honi frynte një erë shumë e ftohtë” (Çollaku, 2016, 141)

Fundi i romanit është pa dyshim edhe fillimi i leximit, sepse ndërsa autori tërhiqet në vetminë e tij fajtore, për gjithçka ka shuar e vrarë brenda qenësisë së tij, lexuesi kupton se rrëfimi vazhdon…personazhet, vetë gjuha e sjellë nëpërmjet tyre vijonë të përsillen vëmendjes së lexuesit si një përshpërimë për të hyrë në thellësi jehuese të Fjalës.

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤