Botohet Isuf Luzaj, Agron Tufa: Më në fund filozofi po hyn në Shqipëri nga “dera ballore”…

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) lajmëron botimin për së afërmi të 6 librave filozofikë të filozofit, shkrimtarit e poetit Isuf Luzaj (1913-2000), një ndër personalitetet më të shquara të mendimit shqiptar.

I anatemuar gjatë diktaturës dhe i mërguar, Luzaj qëndroi dhe shkruajti veprën e vet kryesisht në Argjentinë. Hartues i Dekalogut të Ballit Kombëtar, Isuf Luzaj ishte ndër intelektualët antikomunistë, që dëshironte të realizonte idealin kombëtar të Rilindasve për një Shqipëri të Bashkuar e Demokratike. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i ISKK, shkrimtari Agron Tufa i cili ka shpjeguar se gjashtë librat me ese filozofike e interpretative (metafizika dhe metalogjika) botohen për herë të parë dhe janë organizuar brenda 2 vëllimeve me mbi 400 faqe secili nën titullin “Kujdesjet e Bletës”.

“Këto janë fillimi i një publikimi në vazhdimësi i të gjithë trashëgimisë filozofike të Isuf Luzajt, të mbetur në dorëshkrime dhe që përbëjnë dhjetra vëllime. Falenderojmë me këtë rast dhe znj. Zyba Hysa për punën e madhe në përgatitjen e teksteve për botim, redaktimin dhe korrektimin. Më në fund Isuf Luzaj hyn në Shqipëri nga “dera ballore” e jo nga “dera e fshehtë”.”, ka ndarë Tufa në një postim mbi botimin e Luzajt.

Isuf Luzaj lindi në Kaninë e Vlorës më 21 shkurt 1913 në një familje fetare, i ati ishte hoxha i fshatit, ndërsa gjimnazin e vazhdoi në Shkodër, ku e kreu më 1933. Në vitin e dytë fitoi bursë nga gjimnazi për të studiuar jashtë vendit, aplikoi për bursë por iu refuzua. Për të shkuar me studime u detyrua ta shesë pjesën e vet të tokës me ullinj.

Me 1933 vajti në Paris. Pasi ishte regjistruar dhe kreu liceun u regjistrua pranë Universitetit të Sorbonës. Nga pamundësia ekonomike u detyrua të tërhiqej nga studimet në Francë.

Në Shqipëri kthehet me 1936. Pas betimit para mbretit Zog fillon punën në Normalen e Elbasanit si mësues frëngjishteje, drejtor i së cilës ishte Aleksandër Xhuvani. Mandej u transferua në liceun e Korçës po si mësues frëngjishteje në periudhën 1936-1938, ku asokohe punonte dhe diktatori i ardhshëm Enver Hoxha, dhe bashkë me Sotir Kozmon ishin të vetmit profesorë shqiptarë. Pas Protestës së Bukës të mbajtur në Korçë më 28 nëntor të vitit 1938, e kalojnë në Institutin Tregtar të Vlorës ku jep letërsi. Në vitin 1938 botoi përmbledhjen e parë poetike me titull “Rrëfime”. Pasi botoi këtë përmbledhje, e cila nuk arriti as të shpërndahet si duhet, u burgos, dhe si shkas ishte poezia “Neroni”. Pasi u hodh në gjyq dhe pas 94 ditëve burg u lirua si i pafajshëm.

Me 120 studentë kishte vendosur të luftojë kundër trupave italianë të cilët zbarkonin më 7 prill të vitit 1939 bashkë me Hysni Lepenicën, Skënder Muçon dhe fshatarët e Sevasterit, Tragjasit dhe Lepenica dhe Kuçi i udhëhequr nga Rrapo Çeloja. Fshatarët e Labërisë arritën disa herë t’u kthenin varkat e italianëve. Me pushtimin u mbyllën shkollat, Isuf Luzaj merr pjesë ndër protestat e djalërisë dhe qytetarisë vlonjate më 28 nëntor 1939 me flamurin shqiptar pa shenjat e liktorit. I dyshuar për vrasjen e një polici italian burgoset në Vlorë, transferohet në Durrës nga ku, pas disa muajve, transferohet në Brindisi të Italisë me 12 studentë të Institutit Tregtar të Vlorës.

Mandej në Gaeta e prej andej në Ventotene (ishull). Aty kishte takuar Abaz Ermenjin e Llazar Fundon. Këtu mbahet deri në 1942. Mandej nga këtu transferohet në kështjellën e Cortona D’Arezzo për shkak të disa poezive kushtuar Luftës së Vlorës. Aty ra në kontakt me Ali Këlcyrën i cili kishte formuar Ballin Kombëtar, me Mit’hat Frashërin, Fuad Bej Dibrën e Lef Nosin. Në kështjellë kishin shkruar Dekalogun e Ballit Kombëtar. Propozoi që në Dekalog të hynte pika e shtatë: “Organizata e Ballit Kombëtar do të zbulojë vlerat e vërteta, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike”.

Me ndërhyrjen e Ali Këlcyrës te ministri i Arsimit Ernest Koliqi lirohet nga burgu dhe kthehet në Shqipëri në tetor 1942. Më vonë merr pjesë në themelimin e Partisë Social-Demokrate në rrethet Shkodër, Tiranë dhe Vlorë me Musine Kokalarin dhe av. Skënder Muço me 12 tetor 1943.

Ndërsa viti ’44 nuk e gjen në Shqipëri, duke lënë në Kaninë gruan më 5 fëmijë të mitur. Djali i madh nuk kishte veç 7 vjet, i dyti 5, i treti 3 dhe vajzat 2 e 1 vjeçe. Vajza e vogël vdiq në Kampin e Përqendrimit në Fushë Krujë për mungesë të ilaçeve kundër tuberkulozit, ndërsa për të tjerët as që dinte se a jetojnë apo edhe ata kanë vdekur ndër torturat komuniste. Ndërkohë që ishte vendosur në Itali, autoritetet komuniste e kërkojnë për ta riatdhesuar për t’ju nënshtruar “gjyqit të popullit për krime lufte”. Më 1948 largohet drejt Argjentinës, ku fillon punë në Ministrinë e Arsimit si përkthyes i frëngjishtes, italishtes, latinishtes, në spanjisht.

Përveç kësaj punë ai përgatiste edhe lajmet për radion Europa e Lirë, dhe gazetën “Laprensa”, ku njihet me shkrimtarin Jorge Luis Borges. Më 1957 diplomohet në letërsi e filozofi, dhe po këtë vit fillon punë në Universitetin e Buenos Airesit, ndërsa më 1960 emërohet drejtor i institutit francez, “La France à l’étranger”, i cili përshëndetet dhe vizitohet personalisht nga ish-presidenti i Francës De Gaule. Në vitin 1961-1962 emërohet këshilltar i Ministrit të Arsimit në Argjentinë, ku përgatiste programet akademike për universitetet e Argjentinës. Derisa për kontributin e tij, më 1965 dekorohet me medalje ari nga Universiteti i Buenos Aires.

Pas këtij viti, shkon në Amerikë, pasi stabilizohet fillon punë si profesor i filozofisë dhe gjuhës frënge, në Universitetin e Neë Hampshire (Nju Hempshajer), e më vonë emërohet shef katedre në këtë universitet. Një karrierë e jashtëzakonshme akademike e ndjek në Amerikë, derisa del në pension në vitin 1980, duke vazhduar të jetë në krye të katedrës së filozofisë në Universitetin e shtetit të Illinoisit ku ishte emëruar që nga viti 1979. Profesor Isuf Luzaj vdiq në vitin 25 nëntor 2000 në Chicago dhe, sipas amanetit që la, u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri.

Veprat

Në vitin 1938 ai botoi librin “Rrëfimet”. Në këtë periudhë libri me vargjet lirike konfiskohet dhe ai dënohet me 94 ditë burgim. Bashkëpunon me revistën “Përpjekja shqiptare”. Në vitin 1946 përfundon librin “Ideoligjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë. Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë.

Në vitin 1954 boton novelën politike-shoqërore filozofike kundra komunizmit “Lumejt derdhen të kuq” në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), shtëpia botuese Ultramar. Në vitin 1965 boton “Metodologjinë për studimet e filozofisë” që është përdorur për shkollat e mesme. Ndër vitet 1963-1990 boton artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi filozofinë e Historisë së Markzizmit në teori dhe praktikë. Ka lënë 32 vëllime shqip në dorëshkrim. I janë botuar “Gloria e çmendje”, Tiranë 1995 dhe “Lamtumira e yjeve”, Tiranë 2001.

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤