Ben Blushi përkthehet italisht, i ftuar i veçantë në Sallonin e Librit në Torino

Ben Blushi, një nga autorët më të njohur të letërsisë shqipe, do të jetë një ndër të ftuarit e veçantë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, që do të mbahet nga datat 10-14 maj.

Lajmi bëhet i ditur nga Botimet Mapo, që lajmërojnë daljen në gjuhën italiane të romanit “Otello Arapi i Vlorës”.

“Ka vetëm pak ditë që botimet ‘Mimesis’ në Itali kanë nxjerrë në librari botimin italisht të romanit “Otello Arapi i Vlorës” nën përkthimin e Elda Katorri. Botimi i një romani përfaqësues të letërsisë bashkëkohore shqipe është një ngjarje për letrat shqipe, duke patur parasysh hapësirën që kultura dhe letërsia shqipe ka pasur në tregun e librit të vendit fqinj”, thotë Alda Bardhyli drejtore e botimeve UET PRESS/Mapo edition.

Në promovimin e librit në gjuhën italiane, në ambientet e Sallonit Ndërkombëtar të Librit priten të marrin pjesë personalitete të njohura të kulturës e njerëz të librit.

Prezantimi i librit do të bëhet më 12 maj, ora 10.30 në sallën Internacionale. Ben Blushi do të prezantohet nga shkrimtarja shqiptare, e cila ka botuar disa libra në gjuhën italiane nga Einaudi, Anilda Ibrahimi dhe do të përkthehet për të pranishmit nga Benko Gjata.

Elda Katorri do të flasë për kohët e kaluara me përkthimin e këtij libri dhe atë çfarë proza e këtij autori përfaqëson. Në faqen e saj zyrtare “Mimesis” e veçon stilin narrativ, gjuhën e pasur dhe erudicionin e thellë të autorit, duke e konsideruar “Otellon” një nga veprat më të bukura të letërsisë shqipe.

”Otello, Arapi i Vlorës është një nga veprat më të mira të letërsisë shqipe pas viteve 90-të. Otello është një personazh që mishëron “tragjedinë” e kohërave moderne, shkruar me një stil që përfshin dhe lexuesin më të zakonshëm, drejt një leximi i cili lë shumë gjurmë. Ndryshe nga Arapi i Mauritanisë, të cilit Shekspiri i dha jetë më 1604, në shekullin e XXI, Otello i Blushit ruan të njëjtat cilësi të ndershmërisë por me sfida të reja”, thotë Bardhyli.

Ben Blushi është një ndër autorët më të lexuar shqiptar, I cili botohet nga Maopo edition dhe UET PRESS. Sipas Bardhylit, harta e gjuhëve ku letërsia e Blushit po përkthet po rritet, e kjo vjen nga impakti që veprat e tij kanë lënë tek kritika apo lexuesi.

Ndërkohë Ministria e Kulturës do të prezantojë gjatë ditëve të këtij panairi pesë autorët e rinj, fitues të fondit të mbështetjes së krijimtarisë letrare. “Histori shqiptare në Torino”, me këtë titull histori shqiptare do të rrëfehen në Torino dhe krijimtaria e autorëve të rinj.

Autorët e rinj janë: Saimir Muzhaka, përfitues i Fondit të Krijimtarisë Letrare me romanin “Qyteti plak”, Eris Rusi, me vëllimin me tregime “Ëndrra e fundit e natës”, Manjola Nasi me vëllimin me poezi “Një udhëtim e gjysmë”, Elona Çuliq me vëllimin me poezi “Rranjët e kangës” dhe Belfjore Qose me vëllimin me poezi “Aurat e natës”.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤