Bashkim Zahaj; Kur sillja modernen në  skenografi gjatë komunizmit

Karriera e tij, qysh nga dita kur hyri si stazhier në dyert e Radio Televizionit Shqiptar në vitin 1979  është e gjatë dhe janë me qindra skenat e  emisioneve televizive, shfaqjeve  teatrore, të operës e baletit,  festivaleve  të  këngës, teatrove të  kukullave, që mbajnë nënshkrimin “Zahaj”. Skenografi i njohur rrëfen sesi futi elementët modernë atëherë kur as nuk konceptoheshin dhe kur një dekor i guximshëm mund të të çonte drejt burgut…

8-1

Picture 1 of 11

 

Nga Suadela Balliu

Foto:Jetmir Duraku

 

“Unë jam imazh”, thotë Bashkim Zahaj ndërsa nis të rrëfejë rrugëtimin e tij të gjatë në skenografi, disa ditë pasi ka mbyllur ekspozitën e tij vetjake me veprat e thuajse të gjithë karrierës.

Karriera e tij, qysh nga dita kur hyri si stazhier në dyert e Radio Televizionit Shqiptar në vitin 1979  është e gjatë dhe janë me qindra emisionet televizive, shfaqjet teatrore, të operës e baletit,  festivalet e këngës, teatrot e kukullave, skenat e të cilëve mbajnë nënshkrimin “Zahaj”.

Për publikun dashamirës të artit kishte përzgjedhur njëqind syresh, ato që kanë lënë edhe shenjë në veprimtarinë e tij si skenograf.

Zbulon se ka qenë i vetmi student i diplomuar në Skenografi Televizive në brezin e tij.

“Më kish pëlqyer skenografia e televizionit qysh kur vizitova një studio televizive kur isha ende në Lice. U mrekullova nga gjendja dhe m’u ngulit në kokë. Madje bëra edhe një kompozim të vogël” , kujton Zahaj, ndërsa studimet e larta i kreu  më pas në Akademinë e Arteve në profilin e Skenografisë. “Por asokohe kishte një problem. Mirë që mbaruam, po ku do të punonim? Sepse mund të punoje vetëm aty ku të caktonin…”

Pas studimeve, rrëfen, se e dërguan të punonte në një fshat të Beratit. Me gjasë do të jepte mësime vizatimi për nxënësit e shkollës. “Por unë shfrytëzova një ligj. Thuhej se pasi studenti kryente arsimin e lartë duhet të bënte një vit stazh, në profesionin e tij. I binte që Ministria e Arsimit ta kishte shkelur këtë nen, sepse më kishin çuar në fshat dhe nuk kishte të bënte me profesionin tim. Çfarë bëra?! Zgjodha skenografi televizive që të futesha në televizion e ta bëja stazhin atje. Ashtu ndodhi”. Rrëfen se pas stazhit punoi edhe për dy vite të tjera pa rrogë në RTSh.

Nuk ishte i vetëm. Në mjediset e Radio Televizionit Shqiptar, i vetmi  medium në vend, ishin edhe dy skenografë të tjerë. Të rinjtë shihen gjithnjë me sy dyshues në një mjedis pune, por Zahaj thotë se ishte një detaj që shënoi hapin e tij të parë drejt dallimit të tij si skenograf brenda RTSh-së. “Po bëhej një emision me këngë popullore dhe më kërkuan të çoja edhe unë një bocet. U gjendëm të tre, bashkë me dy skenografët e tjerë, në zyrën e drejtorit, që ishte edhe anëtar i Komitetit Qendror, Çajup Rusmajli. Dy kolegët mbanin në duar fleta të bardha të mbështjella tub dhe kur drejtori kërkoi t’i paraqisnim propozimet ata nisën të hapnin letrat, ndërsa unë që e kisha punuar me ngjyra dhe vendosur në kornizë e vura mbi tavolinë. Aty ndodhi çudia. “ I lini, mos i hapni se nuk ka nevojë” – u tha drejtori dhe si përfundim u përzgjodh dekori im.”, rrëfen Zahaj, ndërsa rendit disa prej risive që futi në studiot televizive dhe skenat e festivaleve. “Kur shkova unë e gjeta tavolinën e studios së lajmeve të mbuluar me batanije. Futa syprinën e xhamit në vitin 1982. Futa ndriçimin në skenat statike e të ngurta të festivaleve. Futa të shkëlqyeshmen, lucido-n. Kam futur idenë e tredimensionales, kur akoma nuk njihej si koncept në skenografi. Vërtet sot është futur ndriçimi LED, atëherë ne nuk kishim por vendosnim neone. Efekti ishte i njëjtë. Apo dyshemetë lucido; sot bëhen me pleksiglas, atëherë përdornim një linoleum të zi që shkëlqente, të cilin unë e futa qysh herët në dekore. Të gjithë elementët bashkëkohorë që nuk mendoheshin se  mund të përdoreshin për skenografi, i futa menjëherë në skenografitë e mia. Sigurisht që ka pasur edhe dekore që nuk më janë pranuar dhe janë quajtur të guximshme” , tregon Zahaj.

Një prej këtyre dekoreve që skenografi i quan të guximshme aq sa mund t’i rrezikonin jo vetëm vendin e punës, por edhe lirinë ishte ai i një studioje televizive ku do të zhvillohej një bisedë me udhëheqësin e asaj kohe, Enver Hoxhën. “Unë prezantova një dekor që nuk kishte as flamuj të PPSh-së as fotografi të  Enver Hoxhës, as fabrika e uzina, as citate, asgjë. Ishte një holl shumë i bukur, me një ndriçim të fshehtë, duke përdorur elementin e  ngrohtë të  drurit, me dy volume të mëdha që futeshin ën studio dhe asgjë politike.  Çuditem dhe sot që u pranua!

Nganjëherë,  kur vlera estetike arrin maksimalen ne nuk shohin subjektin. Është si një femër, kur e sheh estetikisht, aq të bukur e harron cili është subjekti, Ishte aq e kuruar estetikisht dhe doli një emision shumë i bukur me puntata çdo javë dhe ka qenë nga dekoret më të bukur që kam realizuar” , kujton Zahaj, duke shtuar se ruan ende fotografitë dhe bocetin e dekorit mes punëve të tij.

Skenografi i ri Zahaj u pa me sy të mirë nga stafi i Radio Televizionit Shqiptar, pasi puna e tij krijuese spikati menjëherë. Rrëfen se atij i lejohej edhe të monitoronte televizionet e huaja, për të parë tendencat e tyre në skenografi. “Më mbanin pak me hatër, por jo në tejkalim. Sepse aty rrezikoje, pastaj”, shton Zahaj, duke zbuluar më tej se në RTSh sapo një i talentuar i bashkohej stafit, menjëherë përzgjidhej në atë që quhej mes tyre ‘klani i të mirëve’. “ Edhe ne bëmë grupin tonë. Vera Grabocka më tërhoqi menjëherë  për bashkëpunime dhe çdo spektakël që bënte, skenografinë ma besonte mua; festivalet, Miss Albania, emisione…Isha i preferuari. Mora shumë edhe nga përvoja e Verës”.

Megjithëse rrëfen se futi shumë elementë novatorë në dekoret e studiove televizive, në fund të ditës e dinte se publiku nga shtëpia do e shihte  në bardhezi dhe se puna e tij nuk do të mund të dallohej krejt ashtu siç dukej nga studioja apo pulti i transmetimit të televizionit.

“E ndjeja shumë këtë. Që unë e punoja me ngjyra dhe nga shtëpitë shihej bardhezi. Madje bërë edhe një studim vetë. Mora një tabelë të madhe me gamën e ngjyrave, i fotografova në bardhezi, i vura secilës një kod dhe bëra seleksionimet sesi dukeshin bardhezie kuqja, lejlaja, e verdha… a rrinin apo jo bukur nga ekrani dhe eliminova ato që nuk dukeshin bukur”. Kujton duke qeshur se as ai vetë në shtëpi nuk kishte televizor me ngjyra.

“Njëherë në studion e madhe kur po bëhej analiza vjetori erdhi Ramiz Alia. U ngrita në këmbë dhe iu drejtova: “Shoku Ramiz, një gjë do të kërkoja! Nuk ka kuptim që brigadieri në një kooperativë bujqësore apo një sekretar partie në një kooperativë bujqësore i jepet autorizim për televizion me ngjyra dhe skenografit të RTSh-së nuk i jepet”. Ishte i pranishëm i gjithë stafi i RTSh-së dhe u bë  një zhurmë e madhe në mbledhje. U çua Marash Hajati, drejtori Përgjithshëm dhe më përkrahu , duke thënë se skenografi duhet ta ketë një televizor  me ngjyra.

Autorizimet shpërndaheshin nga Komiteti i Partisë e megjithëse më dhanë të drejtë, nuk ma dhanë autorizimin për një TV me ngjyra. E gjeta me rrugë miqësie”, qesh ai, duke shtuar se ndonjëhërë i është dashur t’ua shpjegojë familjarëve apo miqve sesi dukej në të vërtetë dekori me ngjyra.

“Televizioni është magji dhe skenografi ka rolin kyç. Nganjëherë hahen regjisorët, skenaristët, kameramanët se  kush është i pari. Por  përderisa është ekran fiton imazhi, pastaj vjen fjala, regjia, ndriçimi e me radhë. Edhe po t’ia heqësh zërin, po ishte imazhi i bukur do rrish ta shohësh. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz shohin kanale të huaja edhe pa e ditur gjuhën, sepse i kanë imazhet skenografike të  përsosura. Por këtu tek ne nuk i është dhënë roli i duhur. Në gjithë këtë veprimtari që kam bërë, jetoj modestisht. Po të ishim në një vend matanë kësaj sipërfaqe do të ishim shumë herë më të vlerësuar”.

Pengesat për të realizuar një skenografi të tij, thotë se i ka hasur edhe pas ndërrimit të sistemeve, pas viteve ’90. “Nëse atëherë ishte nga një elitë partiake, sot kjo elitë partiake është zëvendësuar me pronarët. Një njeri i rastësishëm që ka qenë mekanik apo ka studiuar fizikë bërthamore mund të bëhet pronar i një medie dhe i di të gjitha; regji, skenografi, ndriçim, tekst, imazh…Epo,  nuk funksionon kështu!  Jashtë nuk ndodh kështu. Shpesh kam refuzuar të vazhdoj punën  në këto kushte. Nuk dal dot nga karakteri im”, zbulon ai.

Zemërohet shpesh me mënyrën sesi funksionojnë gjërat në Shqipëri.  “Nuk i bëjnë skicat deri në detaj siç i kërkoj dhe unë, por bëjnë sikur marrin vesh edhe ata, kurse  nëse do të ishte një i huaj do i çonin deri në fund. Kjo është arsyeja që Televizioni Klan shkëlqen. Skenografia është elementi kryesor dhe kërkesat e skenografit italian i zbatojnë një më një. Me ne nuk ndodh kështu. Ja përshembull, çova një skicë në TVSh, e marrin dhe pa më pyetur fare realizojnë vetëm gjysmën e dekorit dhe i vënë emrin Bashkim Zahaj”.

Në karrierën e tij thotë se ka pasur shumë përmbushje profesionale dhe personale dhe jeta e tij sot e quan të plotë, por nga të gjithë skenografitë që ka realizuar, festivalet mbeten të parapëlqyerit e tij. “ Në festival shpalosen shumë elementë. Nuk e imagjinon dot ç’mrekulli është! Lum ai që e ndjen. Ndaj them që kam marrë aq shumë nga puna ime, sa edhe po të vdes sot nuk e kam problem. E di çfarë kënaqësie është kur je në sallë dhe sheh sesi pjesë-pjesë montohet dekori, plotësohet me ndriçimin…Kur shkoja në festival nuk shihja skenën. Ulesha në një cep dhe shihja ekranet që vinim aty poshtë ose në pult. Dhe, nëse në ekran dukej bukur, në sallë padiskutim ishte e shkëlqyer. Festivali është një magji që nuk e ka studioja. Edhe stresi në festival është shumë i këndshëm. Të shijon shumë kur sheh se orkestra, ndriçimi, regjia, operatorët… gjithçka varet nga ti”.

Ndër festivalet që veçon janë ata  të pas ’90.

“Unë kam luajtur me kontrapunktin. Kur u hap Shqipëria, artet filluan u lëshuan të gjitha ndaj abstraksionit;  ekspozitat e   pikturës, muzika, baleti…Unë thashë jo.  Vetë skenografia është abstraksion dhe unë bëra Bukuroshen e Durrësit, mozaik. U bë edicioni i dytë i Miss Albania, bëra një arkitekturë neoklasike, me statuja, si Butrinti. Për të treguar se e bukura qëndron në kohë. Por duhet ditur diçka, se skenografia qysh në fillesat e veta mbetet art modern. Sepse janë forma të shpikura që japin një rezultante që quhet skenografi. Format bashkohen, harmonizohen, lidhen bukur, vishen me estetizëm dhe kjo quhet skenografi”.

Nga skenografitë me firmën e Bashkim Zahaj që ka mbetur gjatë në kujtesën e publikut është Festivali i Këngës në RTSh i vitit 1997,  ku e ktheu skenën e Pallatit të Kongreseve në një varrezë makinash dhe shtroi nën këmbët e këngëtarëve dhe moderatorëve fletë gazetash. “ Ishte e qëllimshme nga ana ime. Po të hapim arkivin do të shohim  se shtypi luajti rol negativ në atë vit. Mjaft të kujtoj gazetën “Albania” ku Ylli Rakipi e kishte në titull kryesor “Vlora në arkivol”. E imagjinon dot? Pra, këtë gjë kaq negative që kishte shtypi i asaj kohe që i futi njerëzit të vriteshin me njëri-tjetrin dhe çfarë bëra? I  shtrova gazetat në tokë, vajta te varrezat e makinave, mora makina të prishura, i përpunova, i sharrova ku doja unë dhe i futa në Pallatin e Kongreseve. Ajo goditi shumë, sepse në vendin e luksit unë solla mizerien. Aty ku organizoheshin spektakle bukurie, ku  gratë visheshin me fustane elegantë, me stoli, unë futa makina të djegura, goma, llamarina ndërtimesh, tuba”.

Kujton se të ftuarit e veçantë të atij edicioni të Festivalit, grupi i njohur italian “Ricchi e Poveri” u befasuan dhe e përgëzuan skenografin për atmosferën e pangjashme që kish krijuar. “Por nuk jepet e gjitha në regjistrim, sepse regjisori u frikësua dhe nuk i montoi në pult. Ata që kanë parë shfaqjen e kanë parë të gjithën”.

Kujton se pati përpjekje nga mediet për të penguar festivalin. “Erdhën e ndaluan festivalin që ishte live. Folëm dhe pati një përplasje. Pozitivja ishte se kur mbaruan të dy palët, median e fërshëllyen mua më duartrokitën”.

Thotë se kjo ishte një revoltë edhe personale e artistit, që i keqardhur shihte si gjymtohej Tirana dita ditës, me makina të braktisuara, llamarina që puhstonin Sheshin Skënderbej e Parkun Rinia, kioskat me qofte dhe kutërbimi i urinës… “Tirana u bë geto dhe unë këtë Geto e çova në festival. Ky ishte qëllimi. Më mori në telefon kryeministri i asaj kohe dhe më tha të hiqja gazetat. Iu përgjigja: “Do mundohem”. Natën e parë ishin gaztat origjinale dhe  meqë u bë e madhe e   më kërkuan  t’i hiqja, e leva sipërfaqen me bojë të bardhë dhe vizatova me penel gazeta, fjalë, fjali. “A jeni në rregull tani?!” – u thashë, Po,  tani po., më thanë. Ideja ishte e njëjta.  Ajo ka qenë një nga më të bukurat. Në skenografitë e mia e vëren se nuk janë skenografi për skenografi-që ka edhe të tilla- por  janë skenografi ku mbahet një lloj qëndrimi, është një gjë e fshehur aty.  E kam shkruar edhe në Facebook-un tim: “ Mos u mundoni të merrni vesh çfarë kemi bërë! Do të kuptohet nga një  brez që vjen”.  Është e vështirë të kuptohet në bashkëkohësi, si për keq si për mirë. Artisti është gjithmonë në atë ardhmen.

Kujton sesi e ktheu një dekor në estradën e Vlorës në një mizanskenë komike, duke futur elementin e tre dimensionale.  “Kishin problem me çfarë do të qeshte spektatori dhe u them që do bëj diçka në skenografi që spektatori do të shkrihet së qeshuri.  Bëj një gjysmëhark dhe i hap 12 dyer dhe harkun e mbusha me afishet e estradave në vite. Mora një bisturi dhe i çava në vendet ku hapeshin dyert. Nga brenda skenës aktori e shihte derën që të hynte në skenë, por dera mbyllej dhe kur mbaronte numrin, aktori  kur do të dilte nuk gjente dot dyert dhe kjo shkaktoi një të qeshur pa fund. Spektatori e mendonte se e bënte për rol,  por ata nuk gjenin dot dyert vërtet. Ishte një ekspozitë në volum, në 3D, nuk ishte skenografi që bënin estradat, dy perde, atë maskën, dhe shkruanin Estrada. Ishte gjë tjetër. Këto gjëra nuk i kanë verë as media e asaj kohe , janë gjëra qe do të vdesin brenda meje”, kujton Zahaj.

Të gjithë punën e tij në skenografi, ka në plan ta hedhë në një katalog voluminoz, ku çdo skenografi do të ketë poshtë edhe një përshkrim të shkurtër, të idesë që e kanë shtyrë autorin ta hedhë në skicë, kontekstin, kohën dhe vendin ku është realizuar, që brezat të shohin rrugëtimin e skenografisë në Shqipëri, ata breza që Zahaj  përgatit në auditorë, jo vetëm me njohuritë, por me mprehtësitë artistike për të sjellë në skenë dhe  në ekrane imazhin flet në gjuhë universale dhe tërheq si me magnet syrin e publikut.

 

 

 

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤