Arjola Shehu; Ylli i ri i televizionit

View Gallery
6 Photos
Arjola Shehu; Ylli i ri i televizionit
Arjola Shehu7

Arjola Shehu; Ylli i ri i televizionit
Arjola Shehu6

Arjola Shehu; Ylli i ri i televizionit
arjola shehu2

Arjola Shehu; Ylli i ri i televizionit
Arjola Shehu3

Arjola Shehu; Ylli i ri i televizionit
Arjola Shehu4

Arjola Shehu; Ylli i ri i televizionit
Arjola Shehu5

Të gjithë e kemi parë dhe jemi habitur me moderatoren e emisionit më të ri në TVKlan “Kush vjen për drekë”. Ajo quhet Arjola Shehu dhe ka rrëmbyer menjëherë ekranin televiziv dhe vëmendjen e atyre që e ndjekin. Në këtë intervistë për Madame Mapo që vendosi t’i kushtojë kopertinën e muajit nëntor, ajo zbulon fillimet e karrierës, sesi kaloi shpejt nga modelingu në televizion. Përvojën në kanalin “InTV” , suksesin me emisionin “Tek Unë nga Arjola” , aventurën e re të mesditës dhe  emocionet e “Kënga Magjike”, e zgjedhur si një prej prezantueset e netëve të festivalit…

Nga Suadela Balliu

Foto:Jetmir Duraku

E qeshura e saj, e shpenguar dhe që përsëritej me frekuenca të rregullta , më tërhoqi menjëherë vëmendjen, dhe pse deri në ato çaste vetëm e kisha dëgjuar, pa mundur t’i hidhja një sy televizorit, kureshtare për të parë se prej nga vinte gjithë ajo hare.

Përpara se të dilja nga apartamenti për t’u nisur drejt redaksisë ndalem pak çaste përballë ekranit të vogël, pa mundur ta identifikoj portretin e hijshëm që vazhdonte të qeshte me të ftuarit e saj,  që zbulonin receta gatimit  si të ishin as nën mangë në një duel, ku armë do të kishin tiganë e tenxhere.

Isha e bindur se ajo e qeshur ishte një nga pikat e forta që kishte  tërhequr vëmendjen drejt emisionit më të ri në TV Klan, “Kush vjen për drekë”.

“Në fakt ka nga ata më kanë kritikuar për këtë të qeshur”, rrëfen  Arjola Shehu, duke e shoqëruar fjalinë me të qeshurën e saj të pamungueshme.

U desh vetëm pak kohë në këtë sezon të ri televiziv, që emisioni i ri, besuar moderatores së re të kthehej në sukses.

Vërtet që të ftuarit vijnë të përgatitur, përveshin mëngët dhe vënë përparëset ndërsa fërgojnë, ziejnë, zënë brumë e bëjnë petë, por Arjola –e  cila për vete e ka deklaruar shpesh që nuk ia thotë të gatuajë – gatuan recetat e saj të intervistave, duke e bërë emisionin të shkrihet natyrshëm

në një bisedë të ngrohtë, por edhe në një garë argëtuese mes personazheve, gatimin e të cilëve Arjola e gjykon fitues.

“Kur e ndërtuam këtë projekt së bashku me drejtuesit e TvKlan, menduam të krijonim tamam atë që  do të  ishte një moment i improvizuar në kuzhinën e çdonjërit prej nesh. Dhe në kuzhinë ka biseda, ka një gote verë, ka muzikë, ka të qeshura, ka edhe gatime të shijshme, edhe më pak të shijshme, siç historia e ka treguar edhe në studion time, ku hera herës kemi provuar oriz të djegur, ëmbëlsira të papjekura apo ku është thyer ndonjë tenxhere, e derdhur ndonjë kile qumësht!” –tregon  Arjola, e cila pasi iu përgjigj pozitivisht ofertës nga televizioni i ri, nuk deshi t’i largohej përfare natyrës së emisionit që drejtoi në “InTV”.

Ishte pikërisht në këtë televizion që emri i saj u bë i njohur ( ata më të vëmendshmit do e kenë fiksuar në billboard-e apo reklama televizive ku Arjola ka qenë imazh), ku ishte mikpritësja e emisionit “Tek Unë nga Arjola” . Shpesh rrëfimet e të ftuarve të saj kanë qenë tituj lajmesh në portale dhe medie online, veçanërisht kur kryeministri i vendit, Edi Rama, pak përpara mbylljes së fushatës elektorale pranoi ftesën  për t’u intervistuar prej saj.

Kështu  e reja e diplomuar në Ekonomi, me një pasion për volejbollin, në hapat e parë të karrierës si modele, u shndërrua në gazetare. “Jeta është ajo që ndodh, teksa ne jemi shumë të zënë duke bërë plane”, thotë ajo duke cituar një nga shprehjet,  që i rri për shtat asaj çka i ka ndodhur. Edhe pse nuk ishte synim i saj kur u paraqit në audicionin e televizionit që asokohe pritej të hapej “InTV”, thotë se ka qenë një ndër gjërat që i ka pëlqyer më së shumti. “Të futesh në botën e personit që ke përballë dhe të futesh ëmbël, pa bezdisur, është ndjesi e bukur, sidomos kur i ftuari ikën me shijen e mirë të një interviste që e bëri të ndihet i vlerësuar dhe jo i sulmuar. E them dhe e rithem: “Është e rëndësishme të kuptohet se ai që kemi përballë është njeri pikësëpari, pastaj subjekti i portaleve”. Dhe unë, këtë e respektoj shumë”.

Me të qeshurën e shpenguar , duket se i bind personazhet të shkojnë në emisionin e saj. “ Të ftuarit thonë: Do vijmë patjetër tek Arjola, sepse ka një aftësi për të na bërë të ndihemi lirshëm.”

Ky sezon ka rezultuar vërtet i frytshëm për të, pasi përpos emisionit u zgjodh si një prej prezantueseve të festivalit “Kënga Magjike” në krah të Ardit Gjebreas

“Është emocion i madh, edhe i shumëpritur për të qenë e vërtetë dhe e sinqertë deri në fund. Megjithatë, me detyra të rëndësishme, vijnë edhe përgjegjësi shumë të mëdha… Kështu që, pasi mbaroi emocioni i bukur, filloi të rrihte në mendjen time ideja se kjo është sfida ime e radhës!”.

Megjithëse duket se rruga e saj në televizion sapo ka nisur, Arjola rrëfen se të ardhmen nuk e sheh të ndarë prej profesionit të saj, Ekonomisë. “Besoj se do të jetë një miksim i bukur mes të dyjave, ose të paktën kështu shpresoj! Disa studime që kam lexuar, thonë se nëse i thua planet e tua, ke më pak motivim për t’i realizuar, kështu që po i mbaj për veten time”…

 

Qysh kur nisi emisioni më i ri në TV Klan “Kush vjen për drekë” ti je kthyer në figurat më të dashura televizive të momentit. Si të bën të ndihesh ? A e merr feedback-un nga njerëzit që të njohin apo të ndalojnë në rrugë? Ç’efekt të jep ?

Mendova se e dashur për publikun isha kthyer qysh kur bëja “Tek Unë nga Arjola” . Hahaha!

Ndihem shumë mirë me të gjitha arritjet që kam pasur në këtë (për aq sa mund ta quash) karriere timen. Por po, qyshse kam filluar punë në TV Klan, është e vërtetë janë shtuar komentet dhe reagimet e njerëzve, që më përshëndesin dhe më urojnë për programin. Te bëjnë të ndihesh mirë padyshim, ndoshta edhe sepse për mua vijnë si risi dhe akoma nuk jam “ngopur” me këtë anë deri tani të bukur të të punuarit në ekran.

Nga një televizion me karakter rinor dhe një emision ku ti kishe rolin jo vetëm të mikpritëses, por edhe intervistueses, në një televizion kombëtar dhe një emision mesdite me target grup më të gjerë ose të një grupmoshe më të rritur, si ka qenë përshtatja për ty?

Për hir të së vërtetës, mamatë dhe amvisat më kanë dashur që kur isha pjese e “InTv”, ndoshta sepse isha figura më “klasike” e atij televizioni kaq modern dhe u vija kështu pranë edhe atyre. E ndërsa e kotë është të them se në Klan, unë po ndihem shumë komode dhe jam përshtatur me një lehtësi që më ka habitur mua të parën, për faktin se jam një natyrë që nuk i kam fort përzemër ndryshimet. Është i bukur emisioni, është e mirë fryma dhe mendoj se këto janë dy elementet që e bëjnë emisionin “Kush Vjen Për Drekë”, të ndjekur dhe të dashur për publikun edhe audiencën.

Megjithatë nuk i je larguar shumë natyrës së emisionit të mëparshëm. Edhe pse të ftuarit duken të angazhuar me përbërësit e gatimeve, tiganë e tenxhere, ti e gjen mënyrën për t’i futur në brazdën e një bashkëbisedimi, t’i intervistosh e të marrësh edhe lajme të reja nga jetët dhe karriera e të ftuarve. A ka qenë këmbëngulja jote me autorët e emisionit për ta gërshetuar një emision gatimi me një mini talk shoë , le të themi?

Rolin e autores së programit ma kanë besuar mua dhe kjo është diçka që më bën të ndihem shumë e vlerësuar. Kur e ndërtuam këtë projekt së bashku me drejtuesit e TvKlan, menduam të krijonim tamam atë që  do të  ishte një moment i improvizuar në kuzhinën e çdonjërit prej nesh. Dhe në kuzhinë ka biseda, ka një gote verë, ka muzikë, ka të qeshura, ka edhe gatime të shijshme, edhe më pak të shijshme, siç historia e ka treguar edhe në studion time, ku hera-herës kemi provuar oriz të djegur, ëmbëlsira të papjekura apo ku është thyer ndonjë tenxhere, e derdhur ndonjë kile qumësht!

Si është të punosh me vëllezërit Laço? A je ambientuar me vendin e ri të punës ? Ndihesh tashmë si në shtëpi?

Në fakt më vjen mirë që më jepet rasti të sqaroj se në fakt vëllezërit Laço ishin në fillim pjesë e këtij projekti, por më pas u mendua më e udhës që ata të angazhoheshin me projekte të tjerë dhe këtë program ta linin në dorën time dhe të të gjithë stafit që është kaq i përkushtuar, sepse padyshim është fat të punosh në televizionin Klan, me të gjithë lehtësitë që na janë krijuar.

Megjithëse e thua shpesh në emision se nuk ia thua shumë për të gatuar, a ke mësuar ndonjë recetë këto kohë?

Kam mësuar një recetë fantastike nga Iva Tiço –një  kek me çokollatë –dhe  së fundmi role me çokokrem, një recete që e bëri në studion time producenti e kantautori Kledi Bahiti. Jam shumë e dhënë pas ëmbëlsirave, kështu që të dyja këto receta i bëj shpesh në shtëpinë time. Më vjen mire që dalëngadalë po integrohem edhe unë në artin e të gatuarit!

Buzëqeshja duket se është një nga markat dalluese të tuat. A ke ndonjë tjetër armë apo sekret tëndin që e përdor në televizion?

Gjithmonë përpiqem ta bëj të ftuarin të ndihet sa më komod me bisedën, me studion, me pyetjet. Besoj se prej kohësh, ky është kthyer në fakt, në një lloj çelësi suksesi. Kam zbuluar se qenka një kënaqësi e jashtëzakonshme kur të ftuarit të thonë: “Do vijmë patjetër tek Arjola, sepse ka një aftësi për të na bërë të ndihemi lirshëm. ”

Vetëm pak ditë më parë t’u komunikua live në një tjetër emision në televizionin Klan se je e përzgjedhura për të prezantuar Festivalin “Kënga Magjike” në krah të Ardit Gjebresë. Si e prite këtë lajm, aq më tepër të komunikuar live?

Është emocion i madh, edhe i shumëpritur për të qenë e vërtetë dhe e sinqertë deri në fund. Megjithatë, me detyra të rëndësishme, vijnë edhe përgjegjësi shumë të mëdha… Kështu që, pasi mbaroi emocioni i bukur, filloi të rrihte në mendjen time ideja se kjo është sfida ime e radhës!

Duhet thënë që suksesi yt televiziv ka qenë thuajse i menjëhershëm ose në një kohë relativisht të shkurtër. Ka nga ata që janë kureshtarë për të të njohur më shumë. Kush është Arjola Shehu? A mund të na zbulosh diçka nga jeta jote, përtej asaj që shohim çdo mesditë në ekran?

E thjeshtë, ashtu siç më shohin në ekran! Studimet i kam përfunduar për Ekonomiks dhe ishte një degë që e shijova shumë në të pesë vitet e studimit; Bachelor dhe Master në të njëjtin profil. Shkolla për mua ka qenë e para gjithmonë. Më pëlqen të lexoj, romane kryesisht, ose libra me tema psikosociale. Përpiqem edhe të jem aktive fizikisht, duke realizuar hera-herës ndeshje volejboll me shoqërinë time… Kjo është CV-ja ime. Hahaha!

Ke studiuar Ekonomi. Je shkëputur për një kohë nga profili për të cilin je diplomuar apo tashmë të ardhmen tënde e sheh në televizion?

“Jeta është ajo që ndodh, teksa ne jemi shumë të zënë duke bërë plane”, është një nga shprehjet më të vërteta që kam dëgjuar. Megjithatë, unë ekranin e shoh në një plan afatgjatë, ndërsa sigurisht Ekonominë nuk do e lë pas dorë assesi, kam plane edhe në atë aspekt.

Po familja, si e ka pritur kalimin tënd drejt televizionit? A kanë qenë përkrahës në këtë zgjedhje tënden?

Nuk më kanë ndaluar asnjëherë të bëj gjërat që kam dashur në jetë. Megjithatë, unë nuk kam qenë ndonjëherë rebele në natyrë dhe asnjëherë nuk kam abuzuar me dashamirësinë e familjes sime. Çdo gjë është bërë me bashkëbisedim. Pastaj, unë mendoj se njeriu duhet të bëjë në jetë atë çka e plotëson dhe e bën të ndihet mirë… Kjo është me e rëndësishme se gjithçka.

Televizioni përtej të qenit magji dhe një nga mediumet që mbërthen pranë vetes audiencat më të mëdha, shpesh duket edhe diskriminues. Flitet për imazhe televizive, jo të gjithë mund të jenë apo jo? Por përtej kësaj, përtej imazhit – duhet thënë që ti je një vajzë e bukur dhe i plotëson më së miri kriteret e kërkuara –ajo çka ka spikatur tek ti ka qenë edhe zhdërvjelltësia, oratoria, artikulimi i qartë por edhe një përgatitje gazetareske. A është gazetaria një nga pasionet e tua? Si je ndjerë në rolin e gazetares, kur të është dashur të përgatitësh vetë pyetjet për të ftuarit? Kujtojmë këtu që në televizion InTV ti ke drejtuar një emision mjaft të suksesshëm…

Roli i gazetares më ka ardhur papritur, pra nuk ishte ndër synimet e mia, por e kam shijuar tej mase dhe është një ndër gjërat që më pëlqen më shumë të bëj. Të futesh në botën e personit që ke përballë dhe të futesh ëmbël, pa bezdisur, është ndjesi e bukur, sidomos kur i ftuari ikën me shijen e mirë të një interviste që e bëri të ndihet i vlerësuar dhe jo i sulmuar. E them dhe e rithem: “Është e rëndësishme të kuptohet se ai që kemi përballë është njeri pikësëpari, pastaj subjekti i portaleve”. Dhe unë, këtë e respektoj shumë.

Si mendon se i ke bërë të ndihen të ftuarit që pranonin ftesën për të qenë “Tek Arjola” ? Si arrije të ngacmoje me pyetje – që shpesh bëheshin më pas edhe lajme portalesh – të ftuarit, por edhe t’i mbaje ata të relaksuar, të ndiheshin rehat në studion tënde?

Asgjë me paramendim, vetëm me dashuri dhe respekt për figurat që më kanë respektuar duke ardhur në studion time. Jo të gjithë më njihnin përpara se të vinin në studio, por kam pas një të fshehtë të madhe… Ajo quhet Nensi dhe ishte bashkëpunëtorja ime më e afërt, e cila kishte një aftësi të jashtëzakonshme bindëse. Pasi ajo i sillte në “InTv”, duhet t’i bindja unë përmes intervistës se ajo nuk ishte një kohë e shpenzuar kot. Përkundrazi!

Përpara se aventura jote televizive të niste në InTV, duhet thënë që ti fillimet e karrierës apo të spikatjes së figurës tënde i ke pasur në modeling. E ke nisur me reklama apo jo? Si kanë qenë ato përvoja për ty?

Një kohë që unë e kujtoj me shumë nostalgji, sepse edhe pse nuk ka zgjatur shumë, ka qenë e bukur. E kam shijuar.

Më the se sheshxhirimi i reklamave të është dukur pak si sheshxhirim i ndonjë filmi. Kinemaja është një tjetër pasion i yti? A ke marrë ndonjë ofertë nga regjisorë ? Do të pëlqente ta eksploroje edhe botën e kinemasë?

Kinemaja është dashuria ime më e madhe, por që deri tani akoma nuk ka ardhur në jetë. E kam parë këtë botë vetëm përmes ekranit!. E kotë të them se është një eksperiencë që mezi pres ta provoj dhe ta shijoj.

Nga ajo që përçohet në ekranin e vogël, për ty televizioni ka mbetur po njësoj në perceptim? Siç e shihje si teleshikuese ashtu edhe kur je pjesë e anës tjetër të tij?

Është i bukur tani që e kam prekur nga afër. Për mua është vërtet magji. Nuk di të them për prapaskena të shëmtuara me të cilat, për fat, deri tani nuk jam ndeshur.

Megjithëse jetëshkurtër, je përfshirë edhe në fushën e modës, me sfilata dhe photoshooting. Si je ndjerë në këtë përfshirje, sa e ke gjetur veten? Je tërhequr plotësisht nga bota e modës? Me të dhënat fizike që ke, mund të kishe pasur një karrierë të gjatë në këtë fushë.

Mund të kisha pasur një karrierë të mirë ndoshta, por jo në Shqipëri sepse këtu nuk ekziston as si profesion. Ka qenë bukur aq sa ka zgjatur, por mendoj se tani është një kapitull i mbyllur se edhe modelingu e ka një afat skadimi.

Meqë jemi në fushën e modës, a mund të na e përshkruash pak stilin tënd në jetën e përditshme? A je ndjekëse e tendencave të fundit apo siç quhen “fashion addict” ? Po ndonjë sekret bukurie do të na zbulosh? Cila është rutina e kujdesit për fytyrën dhe trupin? U kushton shumë kohë dhe vëmendje?

Atlete, xhins dhe T-shirt. Jam natyrë shumë sportive, kështu që në një zgjedhje mes të bukures dhe rehatisë, fatkeqësisht ndoshta, zgjedh këtë të dytën. Megjithatë më pëlqen që të dukem mirë , sepse siç thotë edhe ajo shprehja e famshme: “Nuk të jepet një rast i dytë, për të dhënë një përshtypje të parë. ” Kështu që, përpiqem të jem e rregullt, por pa ekzagjeruar.

Ku e sheh të ardhmen tënde? Ekonomia dhe televizioni, në dukje të largët në qasje, a do të mundesh t’i bësh bashkë e të rrugëtosh me të dyja?

Besoj se do të jetë një miksim i bukur mes të dyjave, ose të paktën kështu shpresoj! Disa studime që kam lexuar, thonë se nëse i thua planet e tua, ke më pak motivim për t’i realizuar, kështu që po i mbaj për veten time. Hahaha!

 

 

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤