Ardian Kyçyku: Brenda këmishëve të mia.

A.-Ch. Kycyku - Portrait - Credits to Iulia Enkelana

Ndonjë çamarroku a të çarturi, në Pogradecin e dikurshëm, plakat i bërtisnin: Iksh nga këmishët! Më tepër se një mallkim plot dhimbsuri të fshehur, ishte njëfarë çmësyshjeje dhe dëshire që njeriu të kthehej në trajtën e tij më të mirë. Mund të them se ndihem mirë brenda këmishëve, ngjyrat e të cilave duhet t’i zgjedhë mosha e letërnjoftimit, jo ajo e poezisë.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?
E paparashikueshmja.

Po ai për të cilin jeni më pak krenar?
Hidhërimi i herahershëm, jo shkatërrimtar, por as shërues, i disa përgjigjeve.

Çfarë do të ndryshonit tek vetja nëse do të mundeshit?
Të marr sa më rrallë përsipër gjëra që mund t’i bëj shumë mirë, por që më marrin kohë nga letërsia.

Terapia juaj kundër stresit?
Thellimi i heshtjes.

Tre detajet bazike të veshjes suaj?
Mënyra si vishen njerëzit sot dëshmon se sa të zhveshur janë nga brenda dhe se sa shpejt mund, ose duan të zhvishen. Në thelb, siç ndihet shpirti brenda trupit, ashtu vishet trupi. Ndonjë çamarroku a të çarturi, në Pogradecin e dikurshëm, plakat i bërtisnin: Iksh nga këmishët! Më tepër se një mallkim plot dhimbsuri të fshehur, ishte njëfarë çmësyshjeje dhe dëshire që njeriu të kthehej në trajtën e tij më të mirë. Mund të them se ndihem mirë brenda këmishëve, ngjyrat e të cilave duhet t’i zgjedhë mosha e letërnjoftimit, jo ajo e poezisë.

Ç ‘është eleganca për ju?
Aftësia për të fshehur bukur plagët e tua dhe mangësitë e të tjerëve, dhe anasjelltas.

Ç ‘marrëdhënie keni me pasqyrën?
Si e një të verbëri.

Cilët do ishin të ftuarit e një darke ideale në shtëpinë tuaj?
Gjyshërit.

Cili personazh filmash apo librash ju frymëzon?
Nga pikëpamja letrare, gjatë fakultetit, Andrei Bollkonski i epopesë ‘Luftë dhe paqe’ më dukej njëfarë sivëllai, sidomos para se të ndërrojë shpirt përbri njeriut që i pat shkatërruar jetën. Janë disa nga faqet më të bukura që ka shkruar ndonjëherë njeriu. Në atë kohë, secili prej nesh mund të jepte shpirt pranë shkatërrimtarit të vet, sepse përçarja e brendshme kish arritur kulmin, gjë që u pasqyrua qartë e frikshëm pas viteve ’90. E meqë në letërsi fare pak gjëra janë të rastësishme, shumë vjet më vonë, një stërnip i Bollkonskit, doktori dhe poeti Sasha Volkonski, që pat mërguar nga Rumania në Gjermani, ku edhe vdiq para pak kohësh, u bë njëri nga lexuesit më të thellë dhe gati i përkushtuar i librave të mi.

Dhurata që ju pëlqen të bëni?
Gjëra, ose kujtime, të cilat ai / ajo që i merr s’ka pse t’ua tregojë të tjerëve. Janë dhurata që zakonisht i bëjnë njerëzit e varfër, por të cilëve nuk u mungon asgjë.

Për ju, luksi është…?
Përkthimi i fjalëve ‘dritë’, ‘ndriçim’, ‘shkëlqim’ në latinisht.

Cila është gjëja më e mirë që keni marrë nga jeta?
Ajo që kam qenë i aftë ta fal me gjithë shpirt, të plotë, në kohën e duhur.

Talenti që do të doje të kishe?
Kësaj pyetjeje t’i përgjigjen ata që s’janë të kënaqur me dhuntitë e tyre dhe ata që rropaten të përvetësojnë sadopak emër e bujë nga dhuntitë e të tjerëve.

Deri ku do të arrinit për dashurinë?
Kam arritur shpesh gjer atje ku gjërat i bën të besueshme vetëm letërsia. Ndonjëherë edhe më tej.

Fjalët që ju hutojnë?
Nuk kam hasur ende.

Cila janë fjalët që do të donit të dëgjonit prej të tjerëve?
Heshtja; sepse përmes fjalëve shpesh i njoh më tepër nga sa duhet

Në cilën epokë do të kishit dashur të jetonit?
Dikur më joshnin vitet ’30. Tani jam mbledhur i tëri në kohën e duhur.

Frika duhet fshehur?
Frika ndaj vdekjes – jo. Shpesh njerëzit shpalosin vetëm frikën ndaj jetës dhe kjo i përçan, i vetmon.

Vdekja ju tmerron?
Jo.

Karrierë pastaj fëmijë apo fëmijë pastaj karrierë?
Varet nga përkushtimi, sepse të dyja kanë të njëjtën forcë për të ta shkatërruar jetën dhe përsosur shpirtin dhe e kundërta. Shumica dërrmuese e çikërrimave të tjera, – që shpesh na duken thelbësore, – i venë fëmijët dhe karrierën në njëfarë mëdyshjeje të sforcuar të tipit o këtë – o atë, a thua se ndonjë ligj i pashkruar i detyron të përjashtohen medoemos mesveti. Ata që kanë zgjedhur Zotin dhe janë çliruar nga zbrazëtia e termave të sotëm e dinë se si duhet vepruar.

Po sikur të ishe një film, si do të ishte titulli i tij?
S’mund të jem film, sepse në mbarim të tij do të vdes unë dhe jo personazhi kryesor.

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤