Anxhela Çikopano: Ajo që të frymëzon është vetëm ‘e vërteta’…

Anxhela

1. Mendon se rinia shqiptare ka potencial për të ndryshuar realitetin? Pse? (Pikat e forta dhe të dobta)
Rinia është motori shtytës i lëvizjeve më të mëdha në botë. Është një shkëndijë që po lind, por shkëndija ka filluar të duket dhe kjo na jep më shumë shpresë. Rinia sot flet gjuhë të huaja, komunikon në ambiente ndërkombëtare, ka hapësira të pamata, duhet vetëm të ndërgjegjësohet pak më shumë për fuqinë e saj, por fatmirësisht ky është një proces që po ndodh çdo ditë e më shumë.

2. Nga eksperienca jote, sa e kënaqshme është pjesëmarrja në tubime a protesta për kauza qytetare?
Në një vend ku politika ende e mban popullin të mbërthyer për fyti me bukën e gojës, nuk është e thjeshtë të ngrihesh për kauza qytetare. Megjithatë, në ndryshim nga lëvizje të një shoqërie civile false me rrogë siç ishte “Mjaft” dikur, lëvizjet për kauza qytetare sot janë spontane dhe pavarësisht se pjesëmarrja lë ende për të dëshiruar, tregon që njerëzit janë gati të lënë jetën e rehatshme për të drejtën e tyre si qytetarë. Natyrisht që çdo lëvizje qytetare varet nga kauza, nga palët e interesuara, nga rrezja e komunikimit dhe e kthjelltësisë mbi kauzën.

3. A vazhdojnë protestat të organizohen vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale?
(Qesh) Në Shqipëri protestat organizohen fatkeqësisht ende në rrjetet sociale (por jo vetëm). Unë si qytetare e ndjeshme, nuk para u besoj mediave, unë u besoj njerëzve që kanë ideale e vizione të qarta mbi një shoqëri të ndërgjegjësuar mbi të drejtat e saj. Më mjafton të bisedoj me ta, qoftë edhe online për të kuptuar dhe për të vendosur t’u gjendem krah. Dhe një pjesë të qytetarëve aktivistë i kam njohur online ose “në shesh të betejës”.

4. Kush merret me logjistikën në protestat ku keni marrë pjesë? Po me ideimin e tyre?

Duke qenë lëvizje spontane, edhe idetë janë të tilla, ashtu si edhe kontributet. Kush mundet kontribuon, secili është i mirëpritur dhe i duartrokitur, sidomos nëse idetë janë krijuese.

5. Çfarë duhet të ketë një protestë që të konsiderohet e mbyllur me sukses?
Ndërgjegjësimi është arritja më e madhe. Unë mendoj se Shqipëria nuk do të ketë më hedhje bustesh, para nesh shtrohet detyra e rëndësishme e luftës për kauza të vogla të njëpasnjëshme, që sjellin precedentë të mirë për një të ardhme, që disa do ta quanin “si të vendeve evropiane”, kurse unë e quaj “normale”.

6. Cila ka qenë protesta më e rëndësishme qe keni marrë pjesë?
Natyrisht ajo e armëve kimike. Më gëzonte zemra kur shikoja njerëzit që kërkonin të pyeteshin për fatet e tyre, kur shikoja të rinj që vetvetiu prodhuan maska “Anonymous” për fytyrat, me simbole të njeriut që lufton për të drejtën që i takon.

7. Cfare cilësish duhet te ketë një aktivist i mirë?
Mua më frymëzon një zjarr i brendshëm që lidhet me të drejtën e të vërtetën, me çdo kusht!

8. Për çfarë kauzash proteston? Pse mendon se ato janë të drejta?
Kauza nuk është një qëllim në vetvete, kauza është prodhim i ngjarjeve, rrethanave e kushteve historike. Nuk di të ta them cila do të jetë kauza e radhës. Po padyshim do të lidhet me përgjigjen e pyetjes paraprake dhe me dashurinë për vendin tim. Dashuria ime për Shqipërinë nuk është patetike me flamuj e këngë patriotike, por një dashuri me kontribute mirëfilli në heshtje, që shkon krah luftës për të qenë qytetar i denjë i vendit tim.

Anxhela1

9. Sa efektive është veprimtaria e shoqërisë civile në Shqipëri? Çfarë mund të bëhet në të ardhmen në këtë pikë?
Shoqëria civile është një term që ca shembuj pararendës padyshim e kanë përçudnuar, duke i lënë një damkë. Ajo që shohim sot janë qytetarë të angazhuar, të cilët edhe nëse nuk sjellin dot në çdo rast ndryshime rrënjësore, vendosin piketën për ta çuar më tej. Çfarë mund të bëhet në të ardhmen?! T’u mësojmë fëmijëve se duhet të ngrihen kur shteti u shkel dinjitetin, se janë të barabartë para ligjit dhe se një e ardhme e mirë nuk vjen vetë, ajo ndërtohet.

10. Cfare mesazhi ke për ndërtimin e Këndit të Lojrave në Parkun e Liqenit? A ështe kjo tashmë një kauzë e humbur ndaj Bashkisë apo ende ka shpresë?
Mesazhi është ai që themi prej kohësh: Ndaluni dhe bëjeni sipas ligjeve të shtetit shqiptar, sepse betonierët tani nuk po hedhin beton vetëm mbi natyrë, por edhe mbi barazinë tonë para ligjit, mbi demokracinë dhe mbi të drejtën e qytetarit për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Kurrsesi kjo kauzë nuk është e humbur, Bashkia nuk qëndron përmbi ligj dhe përmbi të drejtë. Për sa kohë ne luftojmë të mbrojmë ligjin para atyre që e shkelin, arroganca anadollake shtetërore ka humbur para zërit të qytetarit evropian, një qytetari vërtet të denjë. A ka fitore më të madhe se kjo?!

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤