Anila Basha: Pasagjerja e preferuar? Vetja

 

MAKINA-basha

Gazetarja e njohur rrëfen marrëdhënien me timonin, e cila ka nisur 16 vite të shkuar, kujton makinën e parë, udhëtimet e gjata dhe rregullat brenda makinës , episodet e frikshme dhe komunikimin me policët rrugorë dhe zbulon pasagjeren e preferuar që e merr gjithmonë me vete…

 

 

Makina  e parë, të cilën e bleu fill pasi u pajis me lejen e drejtimit të automjeteve  ishte një Renault  Clio, me targa Elbasani. “Dhe për dreq nuk ia ndërrova asnjëherë ato targa” – kujton gazetarja e njohur Anila Basha aventurën e saj mbi timon,  që nisi  16 vjet më parë, kohë kur vajzat në timon ishte ende të rralla dhe të ngisje me marshe manuale ishte sipërmarrje jo fort e lehtë

E vogël dhe komode, me gjithë kujdesin si drejtuese e përgjegjshme me të bëri jo pak por gjashtë vjet udhë.  “Derisa një ditë, m’u dogj kamio…e kisha lënë pa vaj…” – vijon ajo. Krahasuar me  Benzin e vjetër të  tipit 240,  me të cilin praktikonte rrugëve të zbrazëta për të mësuar reflekset me timonin dhe pasqyrat, Renoja e saj ishte shumë e rehatshme. Ndërsa vozitja i dukej…argëtim.

Makina që përdor tani është Benz A Class 220.  E mirë dhe komode, e përkufizon Basha dhe mbi të gjitha më e madhe se ajo e para.

“E mirëmbaj, e çoj shpesh te mekaniku, edhe për kontrolle rutinë, e për më tepër për ndërrim vaji, filtrash, gominash…”.

Tanimë me një përvojë të gjatë në timon e përfshin veten te njerëzit e kujdesshëm në timon.

“Për më tepër, lëvizjen me makinë e kam hobi. Më pëlqen shumë të udhëtoj. E kam thënë edhe herë tjetër, nëse do të më duheshin para ekstra, do të më duheshin vetëm për naftë” –thekson  ajo.

Udhëton shpesh dhe nëse profesioni do i linte pak më shumë kohë në dispozicion, betohet se do e shfrytëzonte vetëm për t’i rënë cep më cep Shqipërisë dhe kur të mbaronte brenda territorit do dilte në eksplorim të rajonit. “Përpiqem të bëj pushim ndonjëherë…për shkak të ndonjë shqetësimi të mesit…Dhimbje profesionale, mendoj edhe nga qëndrimi gjatë përpara kompjuterit”- pranon me keqardhje.

Makinat nuk i ndryshon shpesh, kjo mbase di të kujdeset mirë për to, por kur vjen puna te zgjedhjet mbetet te Mercedez Benz. “Mendoj se tani ka ardhur momenti që të marr një makinë të re. Mbetem sërish te Benz-i. Ndoshta marr një avangardë. S’e kam vendosur akoma. Ose më saktë, s’kam pasur shumë kohë në dispozicion për ta menduar”.  Nuk e fsheh se i adhuron makinat sportive, mendon madje se i përshtaten me tipin e saj dhe kur vjen puna te përmasat, parapëlqen makinat e bollshme.

Sapo pozicionohet në timon, e reflekset nisin të funksionojnë thuajse në mënyrë automatike, sytë te pasqyrat… “Kanë ardhur kohëra të këqija…Edhe kur ti je në rregull, dikush tjetër mund të të prishë shumë punë”. Këtu bie disi dakord me atë shprehjen që qarkullon shumë ndër meshkuj se femrat në timon… bëhen të rrezikshme. “ Po, nuk e thonë vetëm meshkujt, e themi edhe vetë ne vajzat apo gratë. Janë shumë të shkujdesura, jo të përqendruara, e kanë mendjen te celulari, te portofoli, çanta…po nuk më duket se e kanë mendjen te pasqyrat, marshet apo timoni”.

Ajo që e nervozon më shumë në timon është … “ kur shoferët e tjerë përpiqen të parakalojnë pa shkak, duke bllokuar trafikun. Nuk jam tolerante, nuk i lejoj. Makinat afrohen, unë afrohem…Nuk është e thjeshtë për mua të të hap rrugë”- pohon Basha. Ndaj nëse e hasni në situata të tilla, më mirë bëni kujdes!

bashabashaMadje edhe muzika që  preferon të dëgjojë në makinë si house apo dance… “hard music” e quan ajo,  ia shton edhe më shumë adrenalinën për sfida të tilla. “Nuk jam tip romantikeje që të më pëlqejnë love songs. Kur kam shumë punë, kufjet në vesh, dhe më ke vetëm për telefonata. Është koha e përshtatshme për të biseduar dhe për të zgjidhur punë”.

Megjithatë konfrontimet në rrugë apo trafik mundohet t’i ketë sa më të rralla.

“Nuk i dihet…si kanë ardhur kohët…Ç ‘nuk kemi dëgjuar, sherre dhe vrasje edhe për një pasqyrë!”.

Kujton sesi para disa kohësh pati një konfrontim nga ato që nuk të lënë pa pasoja “

Në autostradën Tiranë – Durrës, e cila në anën që duhet shkuar për në Durrës, në disa zona është e rrezikshme kur ka pellgje uji,  makina edhe mund të të shkasë nëse je me pak shpejtësi. Kur frenova njëherë, dikush tjetër më qëlloi nga pas. M’u prish prapakolpi.”

Janë të tilla episode që e bëjnë ta limitojë shpejtësinë në makinë, edhe pse rrëfen se nuk i shkel kurrë shpejtësitë e lejuara. “ Më pëlqen shpejtësia, por jo tej ndonjë limiti. Aty pastaj ndjej frikë. Mund të provoj me 140, por kur sapo e kam nxjerrë makinën nga servisi. Them që e keqja bëhet në moment. Sidomos kam frikë për gomat”.

Si drejtuese e kujdesshme dhe zbatuese e përpiktë e rregullave, për pasojë edhe marrëdhënien me policët rrugore e ka shumë të mirë. “I adhuroj…Janë shumë të sjellshëm, sidomos ky kontigjenti i ri i policëve që kanë dalë nëpër rrugë. Kur jam në udhëtime të gjata, dhe më ndalojnë, i pyes, sidomos për shëndetin. Më vjen keq që qëndrojnë me orë të tëra në rrugë mes pluhurit, shiut…Janë të parët për mua që duhet të bëjnë grafi mushkërish në mënyrë permanente dhe falas, nga shteti” –përfundon Basha, ndërsa i pëlqen që të makinë të jetë në shoqërinë e pasagjeres së preferuar…vetes.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤