Alban Bala, Në kërkim të kohës  

 

alban bala

Mosha, durimi, dashuria, realiteti… të gjitha këto për poetin dhe ekspertin e marrëdhënieve publike, Alban Bala mblidhen në atë që ai do të donte të blinte dhe dhuronte: koha, së cilës i trembet më shumë se vdekjes. Sepse vdekja i mëson njeriut vlerën e kohës dhe vlera e kohës është një prej frikërave që i prodhon vetja

 

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Besimi dhe forca.

Po ai për të cilin jeni më pak krenar?

Ndjeshmëria,  shpesh më  e lartë.

 

Çfarë do të ndryshonit tek vetja nëse do mundeshit?

Moshën.

 

Terapia juaj kundër stresit?

Përmendja e Zotit dhe e madhështisë së Tij.

 

Tre detajet bazike të veshjes suaj?

Pastërtia e ngjyrave. Thjeshtësia e përjetshme e formës (konvencionalizmi).

Refleksi i çastit për të  cilin po zgjedh atë veshje.

 

Ç ‘është eleganca për ju?

Mendim i lartë,  i sjellë në stilin e jetesës.

 

Ç ‘marrëdhënie keni me pasqyrën?

Normale, por asnjë raport dashurie.

 

Cilët do ishin të ftuarit e një darke ideale në shtëpinë tuaj?

Ata që  trokasin me frymë  te porta e zemrës.

 

Cili personazh filmash apo librash ju frymëzon?

Sa faqe e keni ju revistën?! Kjo pyetje kërkon më  shumë  se aq…

 

Dhurata që ju pëlqen të bëni?

Koha.

 

Për ju, luksi është…?

Dobia është një cilësi që  bën kuptim. Standardi i vlerës, gjithashtu. Lux në  latinisht quhet drita. A duhet që  gjërat e mira të jenë medoemos gjëra që shkëlqejnë? Nuk e besoj.

 

Cila është gjëja më e mirë që keni marrë nga jeta?

Mësimet e dashurisë.

 

Talenti që do të doje të kishe?

Durimi.

 

Deri ku do të arrinit për dashurinë?

Do ta jetoja me çdo kusht.

 

Fjalët që ju hutojnë?

Janë zërat që më hutojnë, jo fjalët.

 

Cila janë fjalët që do të donit të dëgjonit prej të tjerëve?

Nuk ka një listë  dëshirash në komunikim. Ka raporte.

 

Në cilën epokë do kishit dashur të jetonit?

Padyshim gjendem në  kohën e duhur. Makina e kohës është një mjet shume qesharak për t’i ikur realitetit.

 

Bëni bilance në fund të ditës?

Padyshim.

 

Ju trembin vitet që ikin?

Jo nuk mund të të trembë realiteti,  as në  kohë, as në  hapësirë. Vitet që  ikin janë realiteti në kohë. Njeriun e tremb vetja, në çastin që njeh realitetin.

 

Frika duhet fshehur?

Jo. Frika jetohet, madje shpesh kaq qetësisht e hapur, nëse do ta kapërcesh. Nëse do ta trashëgosh, fshihe dhe e ke shndërruar në  tipar gjenetik.

 

Vdekja ju tmerron?

Aspak. Por vdekja i mëson njeriut vlerën e kohës. Vlera e kohës është një prej frikërave që më prodhon vetja.

 

Karrierë pastaj fëmijë apo fëmijë pastaj karrierë?

Këto receta i shesin ata që nuk kanë  përmbushur së brendshmi asnjërën prej këtyre aspiratave. Nuk mjafton të shumohesh për të  pasur fëmijë. Kompromisi i imazhit e vret thelbin. Dhe fama shpesh nuk quhet karrierë, por transaksion me shpirtin.

 

Po sikur të ishit  një film, si do të ishte titulli i tij?

Zotit i qofshim falë, nuk na ka shtrënguar të  jetojmë kaq vertikalisht sa projeksioni i një filmi mbi perden e kinemasë. Ka shume tituj filmash që do të përshkruanin fragmente të jetës sime. Por asnjë titull nuk mund të përmbledhë të  gjithë jetën e një njeriu. Rralle këtë e bën emri, kur njeriu di të investojë për të.

 

 

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤