AKADEMIKË ME PUPLA/ Mendime për një Fakultet të ri në UET

Nga Rudolf Marku
Krijimi i një Fakulteti të ri të Letërsisë në UET është ndër ato pak lajme të mira që vijnë nga Shqipëria. Jo sepse nuk kemi Fakultete të Letërsisë në Universitetet e tjera të vendit tonë, dhe, po ashtu, jo sepse nuk kemi Universitete të tjera në vendin tonë, veç UET-it. Paradoksalisht, pikërisht ngaqë kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi Fakultete Letërsie dhe Filologjie, na vjen mirë që krijohet edhe një Fakultet tjetër, me shpresën se ky Fakultet i ri do të jetë ndryshe nga këto ekzistuesit, duke shpresuar se do dijë të mësojë nga mangësitë dhe dështimet e sivëllezërve të vet të mëparshëm, ashtu siç do të dijë të vlerësojë edhe ato pak shkëndija që reflektojnë herë pas here si një premtim shpresëdhënës.

Ta fillojmë me strukturimin e një Fakulteti letërsie. Departamentet që do ketë ky Fakultet dhe Qendrat brenda tij. Departamentet: p.sh.: Departamenti i Letërsisë Krahasimore; i Shkrimit Krijues; ai i Letërsisë së Vjetër dhe Moderne Shqipe; Letërsia Moderne Evropiane e Shekullit të XX, Departamenti i Letërsisë Ballkanike- etj. Si dhe: Qendra e Filozofisë dhe e Mendimit Kritik; Qendra e leximit dhe e kuptimit të Poezisë, e plot të tjera.

Është e kuptueshme se krijimi i Departamenteve dhe i Qendrave brenda tyre janë të kushtëzuar nga Pedagogët që mund të grumbullojë rreth vetes ky Fakultet, në përputhje me idiomën e njohur ‘One cannot bite off more than one can chew’. Nuk mund të krijohen Departamente thjesht për hir të ambicies për të pasur këso Departamentesh me emra joshëse- siç ka ndodhur shpesh herë në Universitete të tjerë – kur nuk ke pedagogë të aftë për t’i mbuluar këto Departamente. Do ishte më mirë të kishim me pak departamente dhe më shumë cilësi, se të kundërtën e kësaj.

Që në fillim, Fakulteti duhet të përcaktojë qartë strategjitë e veta për Mësimdhënien Efektive (Effective Teaching)- raportet mes dijes dhe kuptueshmërisë, inkurajimi i dijes së thellë në kundërvënie me dijen sipërfaqësore-e plot gjëra të teknikalitetit të mësimdhënës. Dhe kësisoj vijmë tek pedagogët e këtij Fakulteti të ardhshëm. Çdo të thotë Pedagog i Aftë? Është ai indogjeni i mbuluar me pupla titujsh akademikë, që u thotë studentëve të vet se Balzaku nuk është për t’u lexuar sot, sepse është një autor që nuk të mëson gjë? Është ai akademiku që, pa i bërë syri tërr, të thotë se De Rada dhe Fishta janë autorë të vjetruar, arkaikë, se Fedor Tjutçev është një poet mediokër rus, se letërsia moderne shqipe ka veç një autor, se më kot shkrimtarët bashkëkohës shkruajnë, sepse nuk kanë lexues? Është ai ciniku materialist që, tek lekturon për letërsinë, thotë se letërsia dhe shkrimësia kanë vdekur në kohën e kibernetikës, thjesht sepse ai vetë ka të paktën 20 vjet që ka lexuar librin e fundit; janë ata kritikë që flasin për veprat pa i lexuar kurrë? Janë ats studiues të certifikuar që nuk kanë të botuar as dhe një libër të vetëm me studime, dhe që bash kjo mungesë u jep më shumë trimëri për të sharë dhe për të mohuar çdo autor të botuar?

Në vitet e hershme, kur studioja Letërsi dhe Filologji në USHT, kam pasur fatin e madh të kem pedagogë Shaban Demirajn, Mahir Domin dhe latinistin e shquar, Henrik Lacajn. Parapëlqimi i atyre që kishin filluar të botonin në shtyp krijimet e para qe natyrisht letërsia, dhe si rrjedhojë, pedagogët e letërsisë. Dhe, sipas një tradite të hershme snobiste letrare të moshës, ata që ëndërronin të bëheshin shkrimtar, detyrimisht duhej të mos pëlqenin lëndët gjuhësore. Por pedagogët e lartpërmendur qenë personalitete të tillë të Linguistikes, sa ne, që kishim filluar të botonim shkrimet e para, të ishim para dilemës nëse na duhej të pëlqenim edhe lëndët e Morfologjisë, të Sintaksës dhe Latinishten, lëndë tradicionalisht të konsideruara në atë moshë armike të letërsisë!

Është kthyer tek ne në një si besim fanatik, një lloj religjioni, besimi se pedagogë të mirë janë vetëm ata që kanë tituj akademikë, që janë Profesorë a Doktorë a Profesor-Doktor, a Doktor-Profesor, a ku di unë çfarë. Tek ne ekziston kultura e vlerësimit të letrës së ambalazhit, dhe jo e mallit që është brenda. Nuk është se unë jam kundër titujve akademikë. Por titulli akademik duhej të shkonte natyrshëm me krijimtarinë akademike të titullmbajtësit. Vetëm shoqëritë totalitare krijonin Medalje të Heroit të Luftës për ata që nuk kishin marrë pjesë në asnjë betejë.

Nuk besoj të ketë për metër katrorë më shumë njerëz me pupla indogjenësh akademikë se sipërfaqja e Kuvendit Popullor (Parlamentit shqiptar). Dhe besoj se asnjë shqiptar i kthjellët nuk ka asnjë iluzion që të dyshojë për injorancën dhe harbutllëkun agresiv dhe barbar të këtij institucioni. Po të ishte për kriterin e titujve shkencorë, do i takonte që shumica e politikanëve të jenë dhe profesorët dhe lektorët më të lakmueshëm akademikë. Në përzgjedhjen e Pedagogut të Fakultetit, kërkesa akademike duhej të shkonte përkrah me kërkesën e krijimtarisë shkencore të Pedagogut të ardhshëm. Dhe vendi ynë ka njerëz impresionues kur vjen fjala për veprimtarinë e tyre krijuese, qoftë kjo shkencore apo akademike. Bardhyl Demiraj është një akademik shqiptar në Munich, titujt akademikë të të cilit më vijnë natyrshëm në mend, për shkakun e krijimtarisë autoritare Albanologjike dhe Filologjike të botuar deri më tash prej tij. Dhe titujt akademikë ai i ka aq të natyrshëm, sa nuk ke nevojë t’ia vendosësh përpara emrit. Në Universitetin e Shkodrës, një pedagog i Letërsisë së Huaj, Vinçens Marku, zgjedh dhe përkthen për studentët e vet të Shkodrës me qindra artikuj studimorë dhe kritikë për veprat më të mëdha të letërsisë botërore. Kam qenë dhe jam impresionuar nga puna këmbëngulëse dhe gjithë pasion erudit të këtij pedagogu.

Shifti i dijes së vërtetë akademike universitare ka kohë që duket se është zhvendosur nga USHT në Universitetet e provincave të dikurshme. Në Shkodër dhe në Elbasan më ka rënë rasti të njoh pedagogë të dijshëm dhe pasionantë të letersisë. Gjë që më ka dhënë shpresë. Dhe ne, shqiptarët, tek krijojmë Fakultete a Universitete të rinj, duhet të dimë të shkëputemi një herë e mirë nga mentaliteti provincial se të gjithë të këqijat ndodhin veç në shtëpinë tonë. Boris Xhonson, ish-Kryebashkaku i Londrës dhe ish- Ministër i Jashtëm i Qeverisë aktuale Britanike, pat thënë njëherë se, në qoftë se Britania e Madhe do të dëshironte shkatërrimin e një shteti të huaj, do mjaftonte që të ndikonte që të vendosej në atë vend si kryeministër një ekonomist që ka marrë Doktoratën e LSE (London School of Economics). Derisa para ca vitesh, në këtë shkollë prestigjioze ka dhënë leksione ekonomie një ish-anëtar i Byros Politike të Polonisë Komuniste! Dua të them se lektorët që ftohen nga Universitetet e huaja me pompë dhe shpesh herë, edhe me inferioritet, nuk është e thënë të jenë gjithmonë më të mirë nga vetë pedagogët a lektorët shqiptarë.

Për vetë natyrën e vet, Fakultetit të Letërsisë do t’i shkonte për shtat rekrutimi i pedagogëve të jashtëm- i lektorëve të jashtëm, i shkrimtareve, kritikëve dhe studiuesve polemizues të ditës, i përkthyesve të letërsisë dhe i figurave të spikatura nga letërsia dhe arti bashkëkohor shqiptar. Të kujtojmë se Josef Brocki nuk ishte as për një ditë të vetme akademik. Por, në SHBA ai është ftuar të jap mësime në Universitetet më prestigjioze të botës, në Yale, Columbia dhe Cambridge. Poeti Osip Mandelshtaim- pa asnjë pretendim akademik gjatë jetës së vet të shkurtër – ka shkruar njërin ndër studimet më të mrekullueshme për subjetin më të vështirë letrar të gjithë kohnave- Dante Aligierin dhe veprën e tij. Ndërsa poeti ynë Arshi Pipa pat shkruar, ndër të parët, shumë më parë nga vetë kritikët italianë, një studim të jashtëzakonshëm për poezinë e italianit Eugjenio Montale, atëherë kur askujt nuk i shkonte ndërmend se Montale do laureohej me Çmimin ‘Nobel’. Ky fakultet i ri i UET nuk do ta kishte dhe aq të vështirë ftesën e shkrimtarëve dhe krijuesve të tjerë të ditur si lektorë të jashtëm, sepse tashmë ka krijuar një traditë të mirë të bashkëbisedimit të studentëve të vet me figurat e njohura të krijimit dhe mendimit estetik bashkëkohës.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤