Ajo çka mbetet nga jeta urbane …është art  

 

1Piktori që krijon duke mbledhur atë çka të tjerët hedhin pamenduar në tokë… Njihuni me Adi Shehun,  i cili ka realizuar punime me xhame të thyer, pasqyra, çorape të grisura nejloni dhe bizhuteri të prishura…

 

 

Mbaj vesh! A e dëgjon? Muzika. E dëgjoj gjithandej. Në erë…në ajër…në dritë. Është kudo rreth nesh. Gjithçka duhet bërë është të hapësh veten. Gjithë ç ‘duhet të bësh është të dëgjosh…Me këtë shprehje të famshme të djalit të vogël plot dhunti në filmin “August Rush” mund ta përkufizoje edhe piktorin që e gjen artin e tij, kudo…në guralecët e rrugicave, në xhamat e thyer të  citylighteve që reklamojnë gjithfarëlloj brenda tyre, te pasqyrat e thyer, që kthehen në ogur të mirë për të e deri te ca çorape najloni të grisura, ca bizhuteri të hedhura, kopsa të thyera e guaska të krisura që deti i ka vjellë tej në breg…

Për t’i mbledhur del netëve, atëherë kur qyteti fle dhe e mbytur zhurmën me errësirë. Del në kërkim të lëndës së parë të pikturave të tij, të cilat i realizon në teknikën kolazh…

Ishin dyzet e pesë punë, piktura të  realizuara me teknikën kolazh, me të cilat Adi Shehu u paraqit për publikun në  ekspozitën e tij të parë vetjake me tematikë gruan dhe natyrën. Të dyja të lidhura e gërshetuara me njëra tjetrën; e para me sensualitetin, butësinë, estetikën dhe e dyta për paqen dhe jetën që dhuron. “Të dyja duhen mbrojtur” – thotë Adi, duke zbuluar se ishte pikërisht përpjekja për të mbrojtur natyrën. “Riciklimi është art” ishte projekti që bëri të mundur këtë ekspozitë ku mbetjet e jetës urbane që konsumon pafund u kthyen në  vepra arti.

12711101_1207146345981207_6812904334663238573_oAdi Shehu e kishte vërtetuar prej vitesh, qëkur ishte ende adoleshent dhe me fara të frutave apo edhe me fruta të thara krijonte kolazhe. Në një prej detyrave të kursit në Akademinë e Arteve ku studioi Skenografi-Kostumografi , u paraqit me një nudo femërore të realizuara me pasqyra të thyera. “Kur punonim në atelierin e shkollës me modele, unë e realizoja duke e parë nga pasqyra. Një ditë pasqyra u thye dhe unë e rikonceptova  sipas pamjes që më ofronte ajo pasqyrë e thyer”- kujton Adi.

Punët që ka ekspozuar i ka realizuar në tre vitet e fundit e megjithëse thotë ka se ka pasur ditë ku  ka realizuar edhe tre katër piktura brenda njëzete e katër orëve,  e pranon se për të gjetur materialet e para, të paktën ato që ai ka në mendje ndërsa ka nisur një punë, nuk është fort e lehtë.

Siluetat delikate dhe  linja të harkuara femërore qëndrojnë në mënyrë të përsosur me materialet e zgjedhura prej tij si lëvore pemësh, copa xhamash- për mbledhjen e të cilave i është dashur mund dhe kohë- çorape najloni, triko të thurura apo edhe bizhuteri…

“Gruaja dhe natyra shkrihen dhe bëhen një në konceptin tim edhe nga materialet që përdor siç është përshembull lëvorja e pemës. Me natyrën ka lindur gruaja dhe ajo shkon sërish te natyra”, thotë Adi, duke nënvizuar se ka zgjedhur figurën femërore pasi e njeh mirë nga ana antropologjike e artistike. Ekspozita  ishte e menduar të sillej rreth një imagjinate naive dhe sureale. Projekti  “Riciklimi është art” ka nisur më  8 Mars, dhe u përmbyll më  12 Maj 2016 për të vazhduar më tej me prezantimin e ekspozitës në vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarë.

3Pjesa më e madhe e punimeve të ekspozitës janë realizuar si rezultat i riciklimit të mbetjeve dhe objekteve të papërdorshme, këto të sjella në formën artistike të shprehjes. Materialet që janë përdorur: geta dhe corape nejloni, levore pemësh, penj dhe fije akriliku, guaska, kopsa, lëvozhgë të frutave të thata, pëlhura tekstili, xhama, polisterol, bizhuteri të papërdorshme, kartonë, pjesë elektronike të kompjuterëve të dala nga përdorimi të ndërthurura me teknikat e grafikës dhe pikturës. Janë rreth 45 piktura të cilat sjellin femrën me materialet e lartpërmendura dhe natyrën me veçoritë e gjinisë femërore.

Punimet paraqesin natyrën e qetë, peizazhe, figuracione mbi femrën, nudon dhe imazhe konceptuale. Ato janë ndërtuar si rezultat i një hulumtimi të gjatë kërkimor antropologjik dhe artistik. Disa nga këto punime vijnë krejt reale në formën e tyre dhe disa të tjera shkojnë në një botë më të thellë mendimesh. Nudot zënë një vend të posaçëm si një rigjallërim i këtij zhanri në artin shqiptar. Në punime të tjera janë sjellë dhe emocione të një forme surreale të shprehura me materiale të ndryshme.

7Në posterin lajmërues të ekspozitës e cila u çel në Qendrën Rinore të Tiranës në rrugën e Kavajës nga data  10 deri më  12 maj, vihej re një vezë , e cila herë-herë të jepte edhe idenë e vaginës, ku të dyja shihen si burimi i jetës. Ndërsa një modele e veshur me letër alumini ecte përgjatë sallës në mbrëmjen përuruese të kësaj ekspozite. “Alumini është nga ato materiale që duan vite të shpërbëhen”- ndërhyn Desantila Heta, koordinatore e këtij projekti. E diplomuar në Kimi, ajo i njeh mirë materialet dhe njeh mirë procesin e shpërbërjes së tyre dhe ato që e dëmtojnë rëndë mjedisin.

“Natyra dhe riciklimi u bënë urë lidhëse e këtij projekti dhe ky është bashkëpunimi ynë i dytë, pas atij me Muzeun Bektashian. Ideja e riciklimit është procesimi i mbetjeve në produkte të reja dhe në këtë rast, produkt i ri është piktura që Adi krijon” –vijon  Desantila, duke shtuar se ky projekt përveç se rrit ndërgjegjen për mbrojtjen e natyrës  jep edhe kënaqësinë e syrit për të shijuar pikturat.

Tashmë që më shumë njerëz e dinë pasionin e Adit për mbledhjen e mbetjeve që i shndërron në art, mundohen që të ruajnë gurë, copa xhamash, bizhuteri e gjithfarëlloj sendesh që piktori mund t’i kthejë në art.  Por ai nuk e lë zakonin për të dalë netëve e për të mbushur xhepat me ato që pakujdesia njerëzore i ka flakur pamenduar rrugëve e që tokës do i duhen vite t’ i shërbejë…

Desantila Heta , të riciklosh jashtëqitjet në energji

E gjithë jeta është kimi, të thotë Desantila Heta, koordinatorja e projektit “Riciklimi është art”, i cili u përmbyll  me ekspozitën e piktorit Adi Shehu. Megjithëse është e dhënë pas punës koordinuese e menaxhuese, megjithëse punon në një kompani bursash ku bën ndërmjetësim financiar, pasioni i parë i saj mbetet kimia, degë në të cilën edhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës. Pas projekteve në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së mjedisit ku shihet nevoja gjithnjë e më shumë për mundësi riciklimi, së bashku me një prej profesorëve të saj, Desantila po sheh mundësinë të sjellë në Shqipëri Biogazin – energjinë e prodhuar nga një përzierje gazesh që përftohen nga shpërbërja e lëndës organike në mungesë të oksigjenit. Biogazi mund të prodhohet nga materiale si mbetjet e agrikulturës,  bimësi mbetje apo të ushqimit, etj.

Desantila rrëfen se shumë familje që banojnë në zona rurale mund të  sigurojnë energji elektrike , duke përdorur vetëm jashtëqitjet e  kafshëve të tyre barngrënëse.  “Përshembull nëse një familja ka dy apo tri lopë, mund të mbledhë jashtëqitjet t’i vendosë në fuqi për distilim, ashtu siç bëhet me rrushin dhe për një javë do të kenë prodhuar vetë energjinë e tyre.” Në vende të ndryshme të botës kjo teknikë ka rezultuar e suksesshme dhe i bën familjet apo edhe bizneset e ndryshme, siç mund të jenë fermat e mëdha, jo vetëm të  mbrojnë mjedisin duke ricikluar mbetjet në energji, por edhe të kursejnë.

Ende nuk ka bërë llogaritjet e sakta, por  është optimiste që me ta prezantuar këtë teknikë këtu shumë do të jenë ata që do e përqafojnë.

 

 

 

loading...
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤