Agron Gjekmarkaj: “Rama i përhumbur prej nektarit të Vorpsit, e derdhi për të na dehur..”

AGRON GJEKMARKAJ/ Ornela Vorpsi një grua në zë e Tiranës por edhe e suksesshme përtej saj ku vlera duhet të ekzistojë për tu pranuar e shpallur rrëfeu publikisht se paskësh rënë në dashuri me të kohë më parë. Vorpsi hyn me sa duket tek njerëzit e mishit, të zemrës dhe të intelektit. E paskësh munduar gjatë ajo sevda!

Ai shkandull që të prish gjumin dhe qetësinë që të ngatërron natën me ditën e këtë të fundit ta errëson që te bën të ecësh mes dëshirës dhe marrëzisë, të vërtetës dhe banalitetit që të kujton sëmbimin e këngës popullore “faculeta topa-topa kur t’shoh ty po m’hapet gropa” dëbohet vetëm nëpërmjet rrëfimit ! Këso rastesh rrëfimi intim pse jo edhe ndanë një tryeze me qirinj e pak muzike në sfond e përmbush misionin e tij!

Por Vorpsi nuk mbeti këtu. Pasi u librua vetë duke shkaktuar potere e vëmendje ajo ngjarjen e shndërroi në letërsi funksionale, në propagandë! Ëndrrat kur mbeten në sferën ideale e individuale prodhojnë krijimtari, vepra arti e letrare. Personazh i lakmueshëm për studiuesit e tekstit do të kishte qenë pedagogu artist i shndërruar në Kryeministër.

Nga lëngimet e xhanit është shkruar letërsi e madhe. Dante Aligerit kur ju fanit Betaricja tek Ure e vjetër nuk fjeti e la pa gjumë gjithë njerëzimin. Sa e madhe do të ishte kërshëria jonë për tu sintonizuar me vegimet e Ornelës kur tek Ura e Tabakeve, një urë lavdie që lidh jetën me ëndrrën, në mesin e viteve 80 ka kaluar bandilli plot sqimë!

E Imagjinoni Don Kishotin një kalores vetmitar, jashtë kuptimit dhe kohës ! Vetmia është marrëzia e tij por edhe shpëtimi ynë. Dështimet si kalorës e nxjerrin një figurë të mundur nga historia por të pavdekshëm si personazh letrar. Ndërsa një armatë me Don Kishotë sa në rrezik do ta vinte qytetërimin. Ornela Vorpsi e thyen vetminë e saj dhe na thotë të gjithë ishin te dashuruar e të mahnitur me Edi Ramën në Tiranë e në Paris. Dashurinë pa njollë vajzerore e shndërron në dashuri politike si këshillë për bashkohësinë.

Ajo e përkufizon atë si një personazh sa autonom po aq universal, një gjeni përfaqësues të një populli të tërë. Mbase pavetëdijshëm i fton të gjithë teksa ajo vete po çlirohej nga brenga e dashurisë që të tjerët të provojnë ndezullinë e saj si një përzierje të erotikes me pushtetin.

Nuk janë të paktë ata që këtë takim publik të vonë me “jaranin” e me këso gjuhe e konsiderojnë shërbestari të pastër me një teknologji të panjohur më parë në këtë vend “të prapambetur” ! Ky vend edhe aq i prapambetur nuk është jo. Me një solidaritet të pazakontë, gratë që janë vërtitur përreth Edi Ramës mbrojnë njëra- tjetrën. Si fakt , si gjetje është e rrallë edhe në letërsi. Mes tyre xhelozia kjo intrige e madhe shtrihet e vdekur.

Gjithsesi pas trazimit të fillim Prillit i duhej kjo përkëdheli që Ornela e hodhi në ajër si petal te këputur nga shpirti i saj i trazuar. Sa mirë do të ishte që vërtetë Kryeministri të merrej nja një vit me përkthimin e librave të Vorpsit në shqip po me kohë të plote ama, paradite e pasdite ! Mbase kështu vendi mund të fitonte një përkthyes të mirë duke humbur një Kryeministër të keq. Ai më shume se nga hapja e negociatave ngjan i përhumbur prej nektarit të Vorpsit të cilin ne fakt e derdhi për të dehur ne të ngratët!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤