Agim Baçi: Rrugëtimi që nuk resht

“Armëpushimi” është një rrëfim plot lirizëm dhe humor për ringirtjen e njeriut edhe pasi ka qenë nën pushtetin e marrëzisë, nën hijen e një të keqeje që qëndron si një re e madhe mbi kokë e ta bën të vështirë të shohësh dritën. Rrëfimi i Levit të kujton ato çaste kur shqiptarët shembën murin e diktaturës në vitin ’90 dhe besuan se me të mbërritur në derën e lirisë, gjithçka do të ishte e lehtë…


Nga Agim Baçi

Gjithmonë do të ketë vend në botë për “Odisenë”. Gjithnjë do të ketë udhëtarë për rrugët e kthimit, për të gjetur atë që kanë lënë, për të rinisur rrugëtimin që për dhjetra apo qindra arsye mori një tjetër drejtim. Primo Levi, shkrimtari që fati e bëri pjesë të marrëzisë dhe ligësisë ekstreme, si banor i kampit të Lagerit, në Aushvic, është një Odise që kërkon të fitojë vetveten përmes rikthimit – një rikthim i vështirë, por i domodoshëm. Një rikthim që nuk mbështetet në bujën e fituesit, që nuk akuzon, por që ka bujën e njeriut që kërkon të lexojë gjithçka që i ka ndodhur, me notat e njeriut që nuk fsheh asgjë dhe nuk ka pse të shohë veten apo të tjerët jashtë mëkatit.

“Armëpushimi” është një rrëfim plot lirizëm dhe humor për ringirtjen e njeriut edhe pasi ka qenë nën pushtetin e marrëzisë, nën hijen e një të keqeje që qëndron si një re e madhe mbi kokë e ta bën të vështirë të shohësh dritën. Rrëfimi i Levit të kujton ato çaste kur shqiptarët shembën murin e diktaturës në vitin ’90 dhe besuan se me të mbërritur në derën e lirisë, gjithçka do të ishte e lehtë. Por, në fakt, gjithçka ka nevojë për një dorë – së pari një dorë të brendshme nga gjithsecili për të besuar se realiteti ka nevojë të lexohet, se duhet të ringrihesh e të ecësh vetë për të rindërtuar jetën tënde. Dhe Levi me “Armëpushimin” e tij na vjen si një ftesë për ta zbuluar këtë odise të rëndësishme udhëtimi e kthimi që i ndodh njeriut në jetë.

Përshkrimet e Levit janë një pasqyrë e së pathënës, janë një pikturë e katrahurës që kish mbërthyer shumë vende evropiane pas një lufte shkatërruese. Ngadhnjimi dhe marrëzia shpesh janë përballë dhe Levi nuk ka nguruar të zbukurojë asgjë e aq më pak të moralizojë. Me një autoironi therëse ai e jep vetveten si një përshkrues i asaj që ishte rrëzuar shpirtërisht, e njëkohësisht edhe i asaj që po kërkonte të ringrihej. Çezari, Leonardo, Kapiteni Egorov, greku praktik Mordo Nahum, doktor Gotliebi apo edhe Hurbineku i vockël – një pjellë e vetë vdekjes – janë të gjithë personazhe të një lumi njerëzor e njëkohësisht lumi meditimi mbi njohjen njerëzore, mbi natyrën që shfaq njeriu në situata të pamenduara mbijetese.

“Hurbineku ishte një hiç, bir i vdekjes, bir i Aushvicit. Tregonte rreth nja tre vjeç, askush s’dinte gjë për të, nuk dinte të fliste dhe s’kishte as emër: atë emër të çuditshëm, Hurbinek, ia kishim vënë ne, ndoshta ndonjëra prej grave, që me ato rrokje kishte interpretuar ata tinguj të panyjëtuar që lëshonte i vogli herë e tek. Ishte i paralizuar nga mesi e poshtë, këmbët i kishte të atrofizuara, të holla si purteka; por sytë e tij, të zhytur në fytyrën trekëndëshe e të tretur, bridhnin si shigjeta, tmerrësisht të gjallë, kërkonin pareshtur, si për të pohuar vullnetin për të shkallmuar, për të thyer varrin e memecërisë”. (Primo Levi, “Armëpushimi”, përkthimi nga Aida Baro, Pegi, f. 21)

“A është luftë përherë”? – thotë greku Nahum. Primo Levi përmes rrëfimit duket sikur thotë më shumë “po” lidhur me këtë arsyetim të grekut Mordo që e fton Levin që të gjejë rrugën për të mbijetuar e jo të besojë se gjithë bota tashmë ka sytë tek ai e të tjerë që kanë mbijetuar. Dhe ashtu siç nuk e ka zgjedhur fatin e tij, Levi nuk përpiqet as t’i kushtohet ndonjë heroizimi në rrëfimin e tij e as të jetë pjesë e atyre që përshkrujanë me gjuhën e tregimeve të stisura atë dhembje. Pikërisht ky qëndrim e kthen rrëfimin e Levit në një guidë të rëndësishme për të njohur anët e njeriut përballë jetës dhe përballë vdekjes. Në këtë përshkrim askush nuk mund të thotë me garanci se ngadhënimi mbi jetën është më i lehtë se ngadhënjimi mbi vdekjen.

Përshkrimet e Levit në rrugëtimin e tij nga Aushvici në Torino kalojnë duke përshkruar tregun në Krakovës dhe Katovicës, fushat e pafundme ruse, Odesën, Rumaninë, Hungarinë e Austrinë. Rrëfimi i tij është një njohje e rëndësishme, një zgjerim horizonti, një pikturë e paharrueshme dhe nevojë për të triumfuar mbi të rëndomtën, mbi kurthet e përditshme. Rrëfimi i Levit (i ardhur plot elegancë edhe në përkthimin e Aida Baros në shqip) mbetet një kult për jetën.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤