Agim Baçi: Letër të nderuarit, të famshmit kalorës të Mançës

Shumë i nderuar kalorës i Mançës, Don Kishot,

Dëshiroj që, së bashku me bashkudhëtarin tuaj, Sanço Panço, kjo letër t’ju gjejë mirë me shëndet dhe në udhëtimin tuaj. E në dhëntë Zoti, do të isha shumë i nderuar nëse do të mund t’i hidhni një sy asaj çka më intereson në këtë shqetësim të dytë drejt jush. Këtë herë po ju drejtohem juve, edhe pse më kërkonit të isha shumë i hapur dhe të komunikoja si me një mik. Duke shpresuar se përmes letrës që më dërguat i dhatë guximit tim të drejtën që t’ju kërkoj ndonjë mendim për atë çka më shqetëson, më lejoni t’jua parashtroj fare shkurt.

Ju më këshillonit në letrën tuaj se rruga drejt dashurisë kalon drejt vetes sonë. Ju po më thoni se dashuria ime varet vetëm nga unë? Lutem më bëni me dije se ju kam kuptuar drejt në atë që më thoshit lidhur me rëndësinë e madhe të mënyrës se si ne e mendojmë dashurinë kur jemi me veten tonë . Por vallë a është kjo rruga e duhur për të më bërë të lumtur?

Falmëni nëse do të më duhet t’ju marr sadopak minuta nga udhëtimi juaj, fort i rëndësishëm për nderin dhe famën tuaj, por kuptomëni se letra që më nisët pasi i kisha shkruar mallit të zemrës suaj, Dylqinjës, më ka mbushur me një besim se edhe udhëtimi im drejt dashurisë do të mund të jetë i suksesshëm nëse unë do të di të kërkoj atë që duhet nga zemra e asaj që më ka kaluar prej kohe gjumin.

Ndaj, të lutem kalorësi i famshëm i Mançës, gjeni mundësinë të kem sërish dy gisht kartë nga ju, siç pata kënaqësinë e pamatë kur më dërgonit letrën e mëparshme.

Me përunjësi

Këndonjësi juaj,

Agim

***

Fort i nderuar këndonjësi im, Agim,

Së pari, ndihem i kënaqur që letra e mbërritur nga dora ime, e jo nga dor’ e Zonjës sime, nuk të ka mërzitur aspak. Nuk duhet të dyshosh se një zonjë si Dylqinja do të ishte dakord që këtë bisedë, ashtu si edhe përgjigjen për letrën e parë, ta bëje me mua, si mes burrash.

I dashur Agim,

Asnjë njeri nuk mund ta njohim mirë pa njohur më parë veten. Sepse kur dimë se cilët jemi, dimë edhe se çfarë kërkojmë. Kjo nuk na bën padronë të së vërtetës, por na bën padronë të rrugës më të mirë për veten. Kjo na jep mundësinë të dimë edhe se çfarë t’i kërkojmë një zonje. Sepse një grua vesh në ndjesitë e saj atë stof dashurie që i ofron një burrë. Ndaj është e rëndësishme të dish ti më parë se çfarë të duhet, që më pas një zonje t’ia qepësh kostumin e dashurisë pa t’u dridhur asnjë mendimëz. Sepse gratë, i dashur Agim, nuk janë thjesht të dhëna pas detajit, por janë vetë detaji.

P.sh., atyre mund të mos i bëjë përshtypje asnjë lloj bukurie, por mund t’i mbeten detaje mbi mënyrën se si ti lëviz qepallat, se si ti mban duart, se si ti lëviz kokën gjatë kohës që flet. Mbi këto gjeste ato bëjnë leximin e tyre, kalojnë në imagjinatë, ndërtojnë profilin e heroit të ëndrrave, e më pas dëgjojnë nëse kanë pasur sadopak të drejtë në dyshimet e tyre. Pra, shumë gracka deri te fjala jote, sepse ajo nuk dëgjohet e para nga gratë. Ndaj duhet patjetër që të jesh i sigurt se çfarë të bën të ndihesh mirë që zonjëza që të ka vjedhur gjumin , e më pas t’ia bësh të mundur t’i kapërcejë tërë këta lumenj imagjinate, e të vijë drejt asaj që dëshiron t’i thuash ti pa pasur aspak drojë.

Gratë, i dashur Agim, nga sa kam kuptuar dhe parë e dëgjuar, nuk janë të dhëna shumë pas burrave të bukur, por pas burrave të vendosur. Nuk janë të dhëna si ne burrat pas bukurisë fizike. Ata duan të mbështesin të ardhmen e tyre në një tokë të fortë. Por të jesh i tillë duhet të dish se cili terren je, se çfarë je i zoti të mbash brenda teje. Dhe kur t’i zgjasësh dorën, ato s’duhet të ndiejnë te ti asnjë grimë pasiguri apo frikë për atë që po bën.

Por, miku im, të mos harrojmë se në çdo rrugëtim drejt dashurisë çdokush ka nevojë për një mik, për një bashkëbisedues, për të thënë edhe ato gjëra të cilat nuk arrijmë t’ua shprehim njerëzve që duam. Por ato gjëra janë brenda nesh dhe ne duhet t’i besojmë diku. Ndoshta kjo më bën edhe të rrëfehem te ti për gjëra që ndoshta as me Sançon nuk i kam këmbyer, edhe pse ai do të më dëgjonte me qesëndi.

Më shkruaj, Agim, se letra juaj aspak nuk më pengon. Madje më jep mundësinë e këmbimit të mendimeve edhe me Sançon që flet hapur e pa zbukurime për gjithçka që i kërkoj.

Juaji, Don Kishoti

***

I nderuar kalorës i famshëm i Mançës,

Përgjigjet tuaja më lanë kënaqësinë e madhe të besoj se mund të vazhdoj pyetjet drejt jush, ashtu siç edhe më këshillonit në letrën që sapo më keni dërguar. Ndihem me fat për këtë mundësi që më dhatë ndaj, nëse më lejoni ende, desha këtë herë t’ju pyes në lidhje me një çështje shumë të rëndësishme të udhëtimeve tuaja, siç është marrëdhënia me Sanço Pançon, për të cilin ju më flisni se këmbeni biseda e mendime.

Kur u nisët për të realizuar aventyrat që ju kishin feksur në mendje, ju besonit në diçka të madhe. Por Sançoja vendosi të vinte me ju në këtë udhëtim për krejt tjetër gjë – për pasurinë që do të pasonte fitoret tuaja, siç i premtuat që në krye të aventyrës. Atëherë, nëse më lejoni t’ju pyes, si është e mundur që një person aq ndryshe nga ju të bëhej pikërisht shoqëruesi, e më pas, edhe bashkëbiseduesi juaj?

Nga ajo ç’kam hasur në leximet e udhëtimit tuaj, më duket se Sançoja nuk beson aspak në dashuri. Madje më duket se nuk beson në triumfin ndaj së mirës, për të cilën ju kërkoni të kryeni betejat. Ai duket tmerrësisht i lidhur me atë çka do të fitojë dhe gjithçka tjetër i duket e kotë. Por, nëse më lejoni të jem edhe më i hapur, në disa raste, kur ai ju ka kërkuar të tërhiqeshit nga betejat tuaja, duket se ka pasur të drejtë.

Falmëni në këmbënguljen time dhe për guximin për t’ju pyetur për mikun tuaj kaq drejtpërdrejt, por lejomëni t’ju them se, për këdo nga ne, mbetet me shumë rëndësi njeriu me të cilin kërkojmë të bashkudhëtojmë drejt asaj që dëshirojmë të arrijmë.

Ndjesë që e përdora menjëherë lejen tuaj për të vijuar me pyetjet drejt jush, por besoj te përgjigjja juaj si një njeri që e di pse duhen miqtë.

I juaji, Agim….

***

Këndonjësit tim këmbëngulës

I dashur Agim,

Unë nuk kam ngurruar të dëgjoj kritikat e Sanço Panços, e madje të pranoj edhe këshillat e tij. Vërtet atij duket sikur i mungon imagjinata, aftësia për të ëndërruar, por ai është një vëzhgues shumë i hollë i gjithçkaje që sheh rreth e rrotull. Ai sheh ku hedh hapin, nuk e mban kokën lart ndonjëherë si unë. Ai nuk fluturon, por edhe nuk rrëzohet. Nuk di të të them nëse kjo ecje mund ta dërgojë atje ku ai dëshiron. Ndoshta atij nuk i janë dashur kurrë ëndrrat e mia.

E di që me hapin pranë tokës ai do të jetë i aftë gjithnjë të ushqehet e të mbrohet. E ndoshta nuk do të arrijë të fluturojë dot kurrë për të qenë diku larg. Por ndoshta atij nuk i duhet aspak të ëndërrojë. Ndihet i lumtur ashtu, me atë që sheh. Ah, ndoshta po buzëqesh tani me këto fjalët e mia. Por nuk po kërkoj t’ju vë në lojë. Unë e di se sa e rëndësishme është të kesh një ëndërr. E di se për një njeri është e rëndësishme të ëndërrojë. Por ndonjëherë një Sanço është i mirë për të gjithë që të na bëjë thirrje për të zbritur nga kali i mendimeve tona nëse ai është një Rosinant që nuk ecën, sepse ndoshta kështu nuk arrijmë kurrë të zgjohemi.

Unë e di që jam pjesa e munguar e Sanços. Por edhe ai është pjesa ime e munguar. Ai është nevoja jonë për të ditur se jeta jonë nuk është vetëm një ëndërr, por edhe një realitet. Që ne duhet ta besojmë se kemi rrokur bregun e gabuar dhe se plaga kërkon shërim.

Më pëlqen shumë të ëndërroj, por dua njëkohësisht të arrij të hap sytë në mëngjes, të shoh dritën e diellit dhe të kuptoj se cila stinë është ballë meje. Nuk duhet ta kemi larg Sançon, por e rëndësishme është të mos përfundojmë mbi gomarin e tij.

Sa për miqtë, i dashur Agim, bën mirë të mendohesh gjatë për ta. Ndihmoji ata në vështirësi. Buzëqesh me ta. Mos lejo kurrë që të ndërhyjë dyshimi në marrëdhënien me një mik. Dhe qëndro me ata që e kuptojnë buzëqeshjen dhe që dinë të të zgjasin dorën me të njëjtën lehtësi në sukses dhe në gabim. E njëkohësisht, po me lehtësi, ndihmë të kërkojnë.

Por, nëse dikush nuk ka ditur të zërë kurrë miq në jetën e tij, më mirë mos rri me ta, se është humbje kohe.

Lamtumirë, Agim!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤