Adi Krasta rrëfen sfidën e re: Në “News 24” për spektaklin e fjalës, është vonë të bëj kompromise

“E para ishte fjala”, me këtë aksiomë biblike nisi historia e “A show”, një ide e projektuar nga moderatori i njohur Adi Krasta për “Top Channel”, por që u konkretizua 6 vite më parë me një show të bujshëm në Pallatin e Kongreseve. Pas shkëputjes nga ekrani, Adi Krasta rikthehet me “A në News 24” pa ngjyrat e spektaklit, pasi në qendër do të jenë fjala dhe aktualiteti.

Në 30-vjetorin e karrierës së tij në televizion, Krasta rrëfen veten, marrëdhënien me kohën që ikën dhe vjen, audiencën, qëndrimin ndaj pushtetit politik, apo paratë… Si një shpirt rebel dhe i ndjeshëm nuk heziton të ngrejë zërin për gjithçka që s’shkon në këtë vend në monologjet e tij. Për “Panorama Plus” ai na zbulon Krastën e ekranit dhe atë jashtë tij…

Riktheheni në ekranin e “News 24” me “A”. Sa mundet kjo germë e vetme të përfaqësojë një format të tërë televiziv?
Programi i ardhshëm do të jetë i folur, pra, nuk do të jetë spektakël siç mund të pritet. Në “News 24” po ndërtohet një studio e re. Në qendër do të jetë fjala dhe aktualiteti. Që të mos ju duket e pamjaftueshme ose e vogël “A”, mund ta quani dhe “A në News”.

Është folur për një kontratë të mirë dhe afatgjatë me televizionin “News 24”. Ç’mund të zbulosh për dy projektet e reja që pritet të lançohen në 2019-n?

Janë dy projekte në diskutim, për të cilat kam menduar për një kohë të gjatë. I dyti, i cili do të ketë në qendër atë që quhet sot “Fake News” mendoj se vjen në kohën e duhur.

Nga “E diell”- a e së dielës tani në ekran të hënën dhe të mërkurën në “primetime”. Ka ndryshim për ty fundjava nga fillimi i javës dhe në perceptimin që keni për kohën, ç’i ndan me thikë të dielën nga e hëna?

Në datën 22 nëntor të këtij viti bëhen saktësisht 30 vjet nga dalja ime e parë në ekran. Transmetimi i parë u programua të premten në orën 19:00 që të mos kalonte në primetime, meqë ishte program për rininë. Që atëherë i kam provuar gjithë ditët dhe pothuaj gjithë oraret. Nuk kam qenë kurrë i preokupuar për ditën e hënë ose të tjerat. Beteja është për të vërtetën dhe në kushtet kur propaganda del duarsh, kjo betejë nuk kërkon kohë të posaçme.

Dihet që ju synoni ta mbani lart piacën e shikueshmërisë me programe cilësore dhe me konsumatorë të nivelit të lartë. I ndiqni rivalët tuaj ose më mirë të themi, a keni rivalë në televizion?

Në televizion e radio të gjithë janë rivalë. Kështu janë grupet e punës, pronarët e medias dhe vetëfinancuesit e programeve. Por unë kam filluar punë herët për t’u kushtëzuar nga rivalët. Këto kohë, nga kolegë të cilët i vlerësoj e që bëjnë programe në stacione të ndryshme televizive ose nga kolegë të rinj, një pjesë prej tyre studentë e ish-studentë të mi, po bëhet hapur një trysni që e tejkalon sugjerimin e paqëllimtë, se këtë herë “do të më duhet të ul nivelin e programit për publikun e gjerë”. Një kërkesë që tani po artikulohet jo vetëm qartë, sa për fat të keq vjen paksa e paturpshme, por indirekt tingëllon edhe si një kërcënim për braktisje të mundshme të publikut të zakonshëm, për të cilin këta miq e kolegë mundohen të më bindin se është vulgar, fshataresk dhe injorant (!!!).

Kjo nuk mund të jetë e saktë. Niveli i kërkuar i medias nuk është referencial me nivelin e supozuar të publikut. Ne jemi profesionistë të medias dhe njohim e kemi mekanizma profesionale për të kuptuar çfarë do publiku, e çfarë i duhet publikut. Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga modelet mediatike sot të televizioneve në Europë e rreth nesh. Publiku shqiptar nuk mund të bëjë përjashtim sepse do të ishte lajm i keq. Presionit të pretenduar për të argëtuar audiencën e pakulturë nuk mund t’i përgjigjesh duke e zyrtarizuar rrënimin e mëtejshëm të nivelit kulturor të komunikimit publik.

E kundërta duhet të ndodhë. Pyetja është pse publiku normal, ai i ndjeshëm e i mençur, ndihet i mundur e i përmbysur si në ‘44-ën? Përse sponsorët në Shqipëri mbështesin projekte që qëllimisht ulin nivelin për numra shikueshmërie (të dyshimtë), duke qenë të ndërgjegjshëm se për to ekziston sot një mbingopje neveritëse? Është momenti ndoshta që shikuesi të dijë të reagojë e të mbrojë programet që i dedikohen atij. Ose të pranojë produktet televizive që njëkohësisht i përçmon, ose të bëhet pjesë e promovimit të cilësisë. Në televizion e radio nuk është ende koha për rënie.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤