A ka më shumë se e tëra?

Nga Klementin Mile*

Njoh një person që për të testuar inteligjencën e të tjerëve iu bën pyetjen filozofike “A ka më shumë se e tëra?”. Kjo pyetje i kap të gjithë në befasi dhe i vë në siklet. Ata të cilëve u drejtohet pyetja e kuptojnë se po iu testohet inteligjenca dhe, prandaj, ndihen të detyruar të përgjigjen. Nga ana tjetër, pyetja është tërësisht abstrakte; çka nuk u jep ndonjë koordinatë për të menduar përgjigjen. Përveç kësaj, kjo pyetje duket sikur ngre një kurth, pasi ngjan jashtëzakonisht e thjeshtë, por mund të mos jetë e tillë. Ajo krijon një efekt psikologjik të ngjashëm me pyetjen tjetër “Çfarë është ajo gjë që e ngul në mur me çekiç?”. Në mendjen tënde përgjigja është e qartë dhe e thjeshtë: gozhda. Por, nëse një person kërkon të testojë inteligjencën tënde, a do të të bënte një pyetje kaq të thjeshtë?! Dhe njeriu heziton të përgjigjet.

Pyetja “A ka më shumë se e tëra?” mund të marrë një përgjigje të thjeshtë nga gjithkush: “Jo, nuk ka më shumë se e tëra, pasi e tëra është gjithçka”. Këtë përgjigje do të jepnin të gjithë ata që nuk janë të aftë të reflektojnë, por dinë të bëjnë vetëm mbledhje dhe zbritje matematikore. Po pse ka rëndësi t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje? A nuk mund ta vazhdojmë jetën tonë duke e injoruar krejt, si një ushtrim mendor tërësisht të padobishëm?

Në fakt jo. Çështja është se pyetjen “A ka më shumë se e tëra?” ne e bëjmë vazhdimisht dhe në çdo situatë të jetës sonë. Ajo është një pyetje e pashmangshme dhe me rëndësi themelore për civilizimin. Ne e bëjmë atë pyetje pa e kuptuar që e kemi bërë dhe po ashtu i japim përgjigje pa e kuptuar që i jemi përgjigjur. Kjo ndodh sepse përdorim fjalë të tjera, konkrete, për ta shprehur pyetjen dhe për t’i dhënë përgjigje.

Ne pyesim: “A jeni të gatshëm ta mbroni atdheun edhe me jetën tuaj?”, “A duhet t’i bindemi gjithmonë ligjit?”, “A duhet të martohemi me një person të fesë tjetër?”, “A mund të kemi miqësi me anëtarë të një partie politike rivale?”, “A duhet të sakrifikojmë gjithçka për hir të mirëqenies së familjes sonë?”, “A duhet të bëjmë çdo kompromis të mundshëm vetëm e vetëm që të mbajmë vendin e punës?”.

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve mund të jenë pohuese ose mohuese. Por në çdo rast, në fakt, i kemi dhënë përgjigje pyetjes “A ka më shumë se e tëra?” E tëra mund të jetë “Atdheu”, “Ligji”, “Feja”, “Partia”, “Familja”, “Puna” etj. Të gjithë ata që mendojnë se nuk ka më shumë se e tëra, janë të gatshëm të japim edhe jetën për mbrojtjen e atdheut, të gatshëm t’i binden gjithmonë ligjit, të gatshëm të refuzojnë martesën me njerëz të fesë tjetër, të gatshëm të refuzojnë miqësinë me anëtarë të partisë rivale e kështu me radhë.

Por, të mendosh se nuk ka më shumë se e tëra, do të thotë ta shndërrosh veten dhe tjetrin në karikaturë. Kështu, kur mendon se “Atdheu” është e tëra, ti e shndërron qenien njerëzore në asgjë përveçse “atdhetar”. E kjo do të thotë që vlerat dhe interesat e tjerë njerëzorë asgjësohen – njeriu nuk është më prind, mik, artdashës, besimtar, simpatizant politik, i punësuar – por vetëm “atdhetar” që ekziston si pjesë e së tërës që quhet “Atdhe”. Meqenëse kjo pjesë ekziston vetëm falë ekzistencës së të tërës, pjesa mund të sakrifikohet për hir të saj. Sakrificat e pjesëve i shohim në mjaft sektorë të shoqërisë, ku në disa raste sakrifica imponohet nga e tëra dhe në të tjera ajo ndodh me vullnet të lirë të pjesës.

Disa tërësi si “Atdheu” kërkojnë sakrifikimin e jetës; të tjera tërësi si “Feja” dhe “Partia” kërkojnë sakrifikimin e lidhjeve emocionale të thella me persona të konsideruar të papërshtatshëm ose të rrezikshëm për të tërën; akoma të tjera tërësi si “Puna” kërkojnë sakrifikimin e dimensionit moral të njeriut. Nëse nuk duam të bëjmë kaq shumë sakrifica, të cilat e reduktojnë potencialin tonë njerëzor në një ingranazh që i shërben mekanizmit të së tërës, në një automat të pashpirt, pa emocion dhe moral, atëherë pyetjes “A ka më shumë se e tëra?” duhet t’i përgjigjemi: “Po, ka! E tëra është gjithmonë më e vogël se shuma e pjesëve të saj. E tëra i shndërron në karikatura pjesët. Nëse e tëra është muri i ndërtuar nga tullat, tullat nuk janë muri. Prej tyre mund të ndërtohej fare mirë një urë, një dysheme, një rrugë apo diçka tjetër. Ose mund të mos ndërtohej asgjë”.

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

CLOSE
CLOSE
logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤